Para 15 ditësh, këtu në K2.0 nisëm ta mbulojmë sezonin zgjedhor çështje për çështje, duke përfshirë partitë kryesore politike të cilat ishin pjesë e legjislaturës së kaluar. Synimi ynë ishte të ofronim një pasqyrë se ku qëndrojnë partitë sa i përket spektrit ideologjik, dhe çka ofrojnë programet e tyre specifike të qeverisjes. Nëse marrim parasysh se qytetarët do t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të ardhshëm, e pakta që duhet t’u ofrohet është një pasqyrë e pozicioneve të partive si dhe të politikave që ata planifikojnë t’i zbatojnë nëse i fitojnë zgjedhjet.
Ky është minimumi i nevojshëm që një demokraci të jetë pikërisht e tillë — përfaqësuese e qytetarëve të cilët u japin besim partive politike për të ekzekutuar dhe për të trajtuar çështje të cilat janë zotuar se do t’i trajtojnë. Megjithatë, në Kosovë mbulimi i çështjeve dhe programeve specifike të implementimit lehtë thuhet me fjalë, por vështirë zbatohet në vepër. Nga fjalët boshe deri te prioritetizimet në pika të shkurtra, apo mbështetja në fjali populliste kur u mungon një vizion specifik, indiferenca e tyre ndaj programeve dëshmon se në ç’masë këto parti politike e shohin shtetin dhe qeverinë vetëm përmes prizmit të rëndësisë dhe të së drejtës që i japin vetes, e jo përmes ndonjë vizioni të bazuar në përgjegjësi dhe obligim për t’i shërbyer elektoratit.
Fakti se asnjë koalicion qeverisës i paspavarësisë nuk ka mbijetuar katër vjet të plota flet mjaftueshëm. Tri mocionet e mosbesimit (2010, 2014, dhe ky i vitit 2017) jo domodoshmërisht janë thirrur për shkak të mopajtimit me çështjet politike që ndikojnë në jeten e qytetarëve, apo për shkak të pozicioneve kundërshtuese sa i përket implementimit të programeve. Ato në të vërtetë përgjithësisht janë bazuar në lëvizjet e kalkuluara politike të cilat inicuesve të tyre potencialisht mund t’u jepnin kontroll — apo kontroll më të madh — të fuqisë mbi shtetin.
Nëse partitë e të ashtuquajturit koalicion PAN, kanë një gjë të përbashkët kjo është se ata përfaqësojnë një klasë politike të nxitur nga pritjet për dobi dhe përfitime politke, dhe jo nga parimet dhe idetë e qeverisjes.
Edhe kësaj radhe, gjërat nuk ishin më ndryshe. Për disa parti opozitare marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si një prej çështjeve më të nxehta dhe më përçarëse politike në dy vitet e fundit, ishte më shumë një vegël e përdorur për nxitjen e reagimeve emocionale dhe nacionaliste të cilat mund të prodhonin mbështetje popullore, sesa që besohej njëmend në vetë kauzën e kësaj çështjeje.
AAK-ja dhe Nisma, të cilat po aq sa Vetëvendosja, e hendikepuan dhe e pezulluan jetën institucionale në dy vitet e fundit përmes refuzimit të kësaj marrëveshjeje, nuk kishin nguruar fort që shumë shpejt të hiqnin dorë nga “parimet” dhe pozicioni i tyre, kur ata hynë në koalicionin parazgjedhor me PDK-në, përndryshe armikun e tyre të përbetuar politik. Për më tepër, fakti që kjo ndodhi disa minuta para mesnatës së 16 majit, përsëri flet për etjen e tyre për pushtet pavarësisht çmimit.
Nëse partitë e të ashtuquajturit koalicion PAN (PDK, AAK, dhe Nisma), kanë një gjë të përbashkët kjo është se ata përfaqësojnë një klasë politike të nxitur nga pritjet për dobi dhe përfitime politike, dhe jo nga parimet dhe idetë e qeverisjes. LDK-ja nuk është më ndryshe — qoftë nëse marrim parasysh 13 vitet e qeverisjes shkatërrimtare të Prishtinës e cila e ka ngulfatur çdo formë të jetës në kryeqytet, qoftë nëse i shohim manovrat e tyre politike, si në zgjedhjet e vitit 2007 ashtu edhe në ato të vitit 2014, kur edhe ata hynë në koalicion me PDK-në.
Se perspektiva politike është e tillë nuk është për t’u habitur. Politika asnjëherë nuk është materializuar në një sferë e cila udhëhiqet nga argumentimi i ideve dhe vizioneve. Ç’është e vërteta, politika u bë sinonim i kapjes së pushtetit në dëm të qytetarëve. Përndryshe, pavarësisht se a flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme apo për zgjedhjet e rregullta pas përfundimit të mandatit, gjithmonë duhet të ekzistojë një program i detajuar, i orientuar në politika dhe me plane konkrete të cilat shpalosin mënyrën e implementimit të tij.
Kurrgjë më shumë se një fushatë marketingu
Kështu, gjatë 10 ditëve të fushatës parazgjedhore zyrtare, kemi dëgjuar premtime megalomane, vetëlavdërime dhe vetëpërgëzime pa kurrfarë baze, si dhe sulme të ulëta, personale, e jo politika të bazuara në ndonjë vizion të prekshëm të shkruar brenda një programi gjithëpërfshirës partiak. Për ata të cilët kanë qenë në pushtet deri më sot, sidomos PDK-ja, kjo është metoda e fundit që u ka mbetur, pasi që më nuk mund ta kamuflojnë arrogancën e tyre apo mungesën e ndonjë progresi të dukshëm apo të prekshëm.
Pas nëntë vitesh qeverisjeje, PDK-ja me “Fillimin e Ri” ofron vetëm një gjë të re — partia tani udhëhiqet nga Kadri Veseli. Fushata e tij e marketingut, e cila filloi disa muaj para se të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme, me mungesë përmbajtjeje, flet për një njeri i cili është i vendosur t’i fusë duart në majë të pushtetit me çdo kusht.
Megjithatë, deri më sot ai nuk është përgjigjur për aktivitetin e tij të kaluar si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës nga viti 1999 deri në vitin 2007. Kur e dëgjon teksa flet për demokracinë dhe barazinë nuk mund të mos mbetesh gojëhapur, sepse neve na mbetet ta mbushim boshllëkun e veprimtarisë së tij të kaluar përmes përfytyrimeve tona, si dhe duke u bazuar në fragmentet dhe copëzat e informatave të cilat janë në dispozicion.
Kjo është diçka që duhet ta përsërisim vazhdimisht, pavarësisht se sa e tepërt mund të na duket. Se përndryshe, rrezikojmë ta normalizojmë dhe ta legjitimizojmë të keqen, dhe të përfundojmë ashtu që ky njeri, i cili dikur e drejtoi një organizatë të nëntokës e cila nuk i raportonte askujt në asnjë kanal zyrtar, ta drejtojë edhe shtetin.
Pavarësisht se në ç'masë këto parti politike mundohen t'i paketojnë porositë e tyre politike brenda praktikave të reja të komunikimit apo imazheve të cilat synojnë t'i paraqesin si të afërt me njerëzit, kjo nuk e fsheh shpërfilljen e tyre ndaj qytetarit të rëndomtë.
Programi i tyre 39-faqesh, plot me gabime drejtshkrimore, të cilin e kishin përgatitur nën bajrakun e koalicionit por të cilin ende nuk e kanë bërë publik, është edhe një tregues se ata nuk kanë asgjë të re për të ofruar. Kësaj radhe, ata kanë përfshirë një “Muze të Luftës Çlirimtare të Kosovës”, që është edhe një përpjekje shtesë për të luajtur me letrën e luftës.
Derisa ata mund të kenë mjete financiare — edhe pse nuk është e qartë se si — për të investuar në video dhe mesazhe të fushatës të cilat përpiqen ta paraqesin atë si parti të modernizuar, bashkëkohore dhe të fokusuar në qytetarë, kjo nuk është gjë tjetër pos fasadë e oligarkisë që ata në të vërtetë përfaqësojnë. Dhe për ta ruajtur pushtetin dhe fuqinë e tyre ata janë të gatshëm t’ia lënë pozitën e Kryeministrit rivalit të tyre për një periudhë të shkurtër.
Në anën tjetër, “Ka ardhur koha për njerëzit e mirë” e AAK-së, me Ramush Haradinajn si kandidat për Kryeministër të koalicionit PAN, apo “Koalicioni i Shpresës dhe Besës” i LDK-së me partnerët e koalicionit, AKR-në dhe Alternativën, në krye me Avdullah Hotin, vazhdojnë ta shtyjnë përpara një konzervativizëm përtej politikave të tyre ekonomike të qendrës së djathtë, duke këmbëngulur po ashtu edhe në tradicionalizëm dhe patriarkalizëm.
Pra, pavarësisht se në ç’masë këto parti politike mundohen t’i paketojnë porositë e tyre politike brenda praktikave të reja të komunikimit politik përmes rrjeteve sociale, videove apo imazheve të cilat synojnë t’i paraqesin si të afërt me njerëzit, kjo nuk e fsheh shpërfilljen e tyre ndaj qytetarit të rëndomtë. Këto janë parti të cilat ndërsa nuk e kanë problem t’i financojnë fushatat e tyre me paratë nga taksat tona, kandidatët e tyre për Kryeministër refuzojnë të sfidohen apo të ballafaqohen publikisht në debate me njëri-tjetrin, e që është obligim themelor të cilin ata e kanë ndaj shoqërisë.
Një pozicion i tillë nuk është kurrgjë tjetër pos fyerje e atyre të cilët ata kërkojnë t’i përfaqësojnë, me çka edhe njëherë e dëshmojnë arrogancën e tyre, por gjithashtu edhe frikë nga ballafaqimi — qoftë me njëri-tjetrin, qoftë me publikun e gjerë. Ndoshta kjo është arsyeja se që nga viti 2008 të gjitha zgjedhjet kanë qenë të jashtëzakonshme, meqë atyre u shkon për shtati të kenë fushatë 10-ditëshe, ku nuk ka rrezik se do të zbulohen premtimet e tyre të brishta apo mungesa e vizionit.
Këto janë parti të cilat ndërsa nuk e kanë problem t'i financojnë fushatat e tyre me paratë nga taksat tona, kandidatët e tyre për Kriministër refuzojnë të sfidohen apo të ballafaqohen publikisht në debate me njëri-tjetrin, e që është obligim themelor të cilin ata e kanë ndaj shoqërisë.
Zakoni parazgjedhor i individëve që të aderojnë nëpër parti politike nuk ka munguar as në këto zgjedhje. Por gjasat për sjelljen e ndryshimeve nga brenda duken shumë të vogla meqë udhëheqësit e partisë ende e kanë grushtin e fortë.
Në rastin e PDK-së dhe të AAK-së, “prurjet e reja” vetëm sa i miratojnë dhe i rikonfirmojnë qëndrimet e mjegullta të partisë të cilat premtojnë integrime euroatlantike — thuajse ky është proces i cili veç kërkon miratim pa ndonjë reformë paraprake; apo pohojnë se arsyeja e tyre e aderimit në parti është për shkak të besimit në një personalitet individual, në liderin e partisë, që vetëm se e dëshmon edhe më shumë mungesën e besimit të tyre në ndonjë përmbajtje që partia si tërësi ofron. Në anën tjetër, në LDK ekziston një mospërputhje e qartë ndërmjet “anëtarëve të ri” të cilët përpiqen t’i ringjallin pikëpamjet e qeverisjes, duke insistuar se ajo kërkon ekip profesionistësh, derisa “anëtarët e vjetër” ende vazhdojnë të insistojnë në glorifikimin e liderëve individualë.
Duke u nisur nga të gjitha këto, nuk është gabim nëse thuhet se Vetëvendosja, si një prej zërave udhëheqës opozitar deri më tash, ka qenë njëra prej pak partive që ka ofruar program të mirëfilltë dhe të bazuar politik. Për më tepër, një pjesë e madhe e tij bazohet në politika sociale të cilat marrin parasysh rrethanat ekonomike dhe sociale të shumicës së qytetarëve. Megjithatë, ndërsa ata përpiqen të largohen prej një “imazhi aktivist” drejt një imazhi i cili kërkon besim në lidershipin dhe programin e tyre, nuk është shumë lehtë që përnjëherë të anashkalohet fakti se ata shumë shpesh kanë përdorur një sërë metodash të dhunshme, duke përfshirë edhe gaz lotsjellës dhe dëmtim të pronës publike, për t’i vënë në pah qëndrimet e tyre.
Ata mund t’i marrin meritat se kanë arritur sukses në synimin e tyre politik të parandalimit të koalicionit PDK-LDK për ta përfunduar mandatin — synim politik të cilin e kanë bërë shumë të qartë që nga fillimi. Dhe ç’është e vërteta, shumë qytetarë mund të kenë zgjedhur ta mbyllin një sy apo madje edhe t’i shohin këto mjete si të pranueshme, meqë ata përfaqësojnë opozitë ndaj klasës udhëheqëse.
Por vetëm fakti se Vetëvendosja tash duket më e moderuar, dhe se ata deri më tash nuk kanë qenë pjesë e ndonjë strukture udhëheqëse në nivel qendror, automatikisht nuk u jep të drejtën e pakontestueshme të vendosin se si duhet të duket ndryshimi. Mbase edhe kanë vendosur qeverisje më transparente në Prishtinë, por demagogjinë nuk po e lënë fort pas dore. Andaj, nëse ata njëmend dëshirojnë ta paraqesin pozicionin e tyre politk si socialdemokratë, ata duhet ta mbajnë në mend se qytetaria nuk është e varur nga përkatësia etnike. Dhe retorika e tyre populliste gjithashtu paraqet shqetësim të qëndrueshëm meqë ata i kanë tëhuajsuar shumë qytetarë, të cilët frikësohen se këmbëngulësia e tyre në besimet dhe këndvështrimet e tyre mund t’i përjashtojë të tjerët të cilët politikisht nuk pajtohen me ta.
Koha për të kërkuar më shumë
Atëherë, çka duhet të presim nga këto zgjedhje nacionale? Cili është ai ndryshim shoqëror i cili mund të ndodhë kur partitë politike i rezistojnë ndryshimit?
Gjatë dy javëve që lamë pas, shumë njerëz kanë përmendur argumentin se një fakt pozitiv i cili del nga këto zgjedhje është se ato po e riorganizojnë skenën politike, derisa partitë politike po bëhen pjesë e partneriteteve. Po ashtu, mund të ndodhë që atyre t’u duhet ta definojnë veten përgjatë spektrit ideologjik. Dhe përfundimisht, partneritetet e tilla dalëngadalë mund t’i hapin rrugë debateve në të ardhmen për të qenë më të orientuara drejt politikave dhe problemeve e çështjeve të caktuara.
Se a do të ndodhë kjo apo jo, mbetet të shihet. Në anën tjetër, në masë të madhe i mbetet shoqërisë të këmbëngulë për ndryshim të qasjes ndaj atyre të cilët kërkojnë votën tonë. Mungesa e programit partiak më nuk mund të tolerohet apo të shpërfillet me arsyetimin se më shumë nuk mund të pritet nga klasa politike. Dhe deputetëve nuk duhet t’u lejohet më që të garojnë vetëm nën slloganin e partisë së tyre.
Është pikërisht ky sistem ai i cili ka prodhuar idenë se qeveria nënkupton privilegj ekonomik, apo pasuri, apo lakmi. Se përderisa klasa jonë politike konsideron se kjo i takon, dhe përderisa kjo i lejohet, qeveria nuk do të nënkuptojë atë që ajo njëmend përfaqëson — shërbim.
Në këtë aspekt, zgjedhjet me vetëm një zonë zgjedhore kanë pasur efekt të hatashëm sa i përket mënyrës se si është organizuar llogaridhënia parlamentare kundrejt elektoratit. Ç’është e vërteta, llogaridhënia thuajse nuk ekziston fare. Derisa partitë përpilojnë përmbajtjen e listës së kandidatëve, prioritetet vendosen varësisht nivelit të llogaridhënies ndaj udhëheqësisë së partisë, e jo ndaj elektoratit — apo të themi më mirë, varësisht se sa servilë janë ndaj tyre. Kësisoji, Kuvendi pastaj përbëhet nga individë të cilët flasin veç një a dy herë dhe të cilëve nuk u bëhet as kontroll as barazpeshim, dhe nuk u ushtrohet presion për të prodhuar platformë a legjislacion të cilin ata mund, apo mund të mos e kenë premtuar.
Pavarësisht sistemit, duhet të këmbëngulim që të kemi kandidatë për deputetë me agjenda legjislative, dhe parti politike me agjenda të gjithëmbarshme programore. Përndryshe rrezikojmë t’i japim hapësirë udhëheqësisë së klasës ekzistuese politike që të caktojë dhe të vendosë një sistem vlerash të cilit i mungon meritokracia dhe i cili shpërfill liritë dhe zgjedhjet individuale.
Kjo është diçka që tashmë po shihet, meqë është pikërisht ky sistem ai i cili ka prodhuar idenë se qeveria nënkupton privilegj ekonomik, pasuri, apo lakmi — disa prej kuptimeve më të shpeshta sot. Se përderisa klasa jonë politike konsideron se automatikisht e gëzon të drejtën e pushtetit, dhe përderisa kjo i lejohet, qeverisja nuk do të nënkuptojë atë që ajo njëmend përfaqëson — shërbim.
Pikërisht brenda këtij konteksti gazetarët, artistët, opinionistët dhe aktivistët e shoqërisë civile dorëzohen kundrejt asaj që profesioni apo puna e tyre kërkon prej tyre — pra, ta sfidojnë fuqinë — dhe i bashkohen politikës me argumentet se “atyre u është dhënë hapësirë të veprojnë nga brenda” apo se shohin të ardhme përparimtare te njëri apo tjetri udhëheqës. Problemi në këtë lloj të të menduarit, i cili është i pranishëm në masë të madhe, është se ai kërkon ta shtyjë përpara idenë se ndryshimin mund ta bëjnë vetëm ata të cilët kanë pushtet politik, dhe se opinionet apo kritikat potenciale individuale apo të pavarura nuk luajnë ndonjë rol.
Kur ka reagime apo mosmiratime publike ndaj aderimeve të tilla politike, kjo nuk ndodh domosdoshmërisht për shkak të humbjes së supozuar që i është shkaktuar fushës së tyre individuale. Kjo ndodh për shkak të dëmtimit të reputacionit të profesionit të cilin ata e kishin përfaqësuar dhe për shkak të zbehjes së pritjeve prej atyre që mbesin; kjo vetëm se i jep argument shtesë idesë se “secili e ka një çmim” dhe se parimet apo etika mund të komprometohen.
Këndvështrimet e tilla i shkojnë për shtati klasës shtetkapëse, dhe u mundësojnë atyre të vazhdojnë të zhvillojnë dialog të bazuar në personalitete. Pikërisht këtu duhet të ngritemi dhe të luftojmë — të këmbëngulim që të kemi dialog shoqëror, të bazuar në çështje të njëmendta të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve. Vetëm duke këmbëngulur që të kemi politika, programe, plane zbatimi, apo madje vetëm duke theksuar faktin se shumica e atyre që kërkojnë vota nuk i kanë këto, gjithashtu mund të kontribuojmë për t’i zhveshur ata nga petku i tyre i tejdukshëm i kompetencës.
Në K2.0 këtë do ta bëjmë vazhdimisht. K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha, K2.0.