Pikëpamje | Drejtësi

Duke Kërkuar Drejtësi për Kujtimin

Nga - 08.07.2021

Kërkesë për llogaridhënie në përvjetorin e dytë të vdekjes së hershme të Kujtim Veselit.

Vrasja e George Floyd-it nga zyrtari i policisë, Derek Chauvin, nxiti protesta të pashembullta kundër racizmit strukturor dhe brutalitetit policor në të gjithë ShBA-në, me të paktën 15 milionë njerëz që dolën në rrugë për të protestuar gjatë muajit të parë. Shpejt, protestat u përhapën në të gjithë botën, duke u kthyer në lëvizje ndërkombëtare të solidaritetit kundër racizmit. Në Evropë, protestat anti-racizëm shfrytëzuan lëvizjen Black Lives Matter si mundësi për të kundërshtuar trashëgiminë e imperializmit evropian dhe politikat e tanishme ksenofobe.

Nevoja për protesta kundër racizmit në Evropë u bë e qartë dy javë më parë kur u shfaq videoja ku shihet një burrë rom duke u trajtuar brutalisht nga tre zyrtarë policorë çekë. Në video, Stanislav Tomáš shihet duhe bërtitur, i shtrirë në bark teksa një nga tre policët i vendosë gjurin në qafë, në një mënyrë që të kujton videon e Floyd-it.

Kur videoja përfundon pas disa minutash, Tomáš nuk lëvizë më. Policia pretendon se ai vdiq pas pak në autoambulancë, për shkak të mbidozës së metamfetaminës. Incidenti ka ngjallë zemërim në mesin e aktivistëve dhe komunitetit rom, të cilët theksojnë ngjashmëritë me vdekjen e Floyd-it. Institucionet çeke mohojnë çfarëdo shkelje nga ana e policisë. Aktivistët romë në Kosovë iu bashkuan protestës në fillim të kësaj jave, duke marshuar në qendër të Prishtinës dhe duke demonstruar para Ambasadës Çeke, me pankarta ku shkruhej “Racizmi vret”.   

Këshilli i Evropës ka kërkuar ugjentisht që rasti të hetohet, duke përshkruar veprimet e policisë si “alarmuese”. Thirrje për hetim të pavarur janë bërë edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch dhe Amnesty International.

Kosova, gjithashtu, nuk mund të pretendojë se është e pafajshme kur bëhet fjalë për racizëm.

Incidenti i tmerrshëm dhe përgjigjja tronditëse e autoriteteve çeke, janë tregues të shtypjes me të cilën romët përballen çdo ditë në Republikën Çeke dhe në pjesët e tjera të Evropës.

Kosova, gjithashtu, nuk mund të pretendojë se është e pafajshme kur bëhet fjalë për racizëm.

Përkundër faktit që romët, ashkalitë, dhe egjiptianët janë pakica kushtetuese të Kosovës, të drejtat e të cilëve mbrohen me Kushtetutë, ata sërish përballen me diskriminim dhe margjinalizim të vazhdueshëm. Korniza ligjore progresive e vendit shërben për të krijuar mjegull; përkundër të gjitha zotimeve në letër, të drejtat e romëve, ashkalive, dhe egjiptianëve rrallë materializohen.

Viktimat më të mëdha të racizmit strukturor janë fëmijët nga komunitetet pakicë. Në ballafaqim me varfërinë, shpesh detyrohen ta lënë shkollën dhe të fitojnë para përmes punëve të ndryshme në rrugë. Sipas një raporti të vitit 2018, 17% e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë janë të angazhuar në punë. Cikli i lënies së shkollimit në moshë të re për të hyrë në tregun e punës përforcon kushtet e varfërisë për fëmijët e cenueshëm, dhe për më tepër i vë në rrezik fizik.

Nuk ka rast më ilustrues të dështimit të institucioneve të Kosovës në mbrojtjen e fëmijeve nga komunitetet pakicë sesa vrasja tragike e Kujtim Veselit, djalit ashkali 11 vjeçar  nga Fushë Kosova, i cili në vazhdimësi ishte ngacmuar seksualisht dhe dhunuar derisa u vra gati dy vite më parë.

Para vrasjes së tij, autoritetet ishin njoftuar se Sefedin Osmani, i cili kishte 26 kallëzime penale e 15 padi të mëhershme, një prej të cilave për vrasje, e kishte dhunuar në mënyrë sistematike viktimën, i cili ishte fqinj i keqbërësit. Babai i Osmanit e raportoi djalin e tij në polici, në janar të vitit 2019, por keqbërësi nuk u mor në pyetje deri në prill, kur e pranoi se ka abuzuar seksualisht me vikimën. Pavarësisht se ishte shkelës recidivist dhe kishte pranuar krimin, policia dhe prokuroria e liruan Osmanin.

Pak muaj më vonë, më 11 korrik, trupi i pajetë i Veselit u gjet nën disa shkallë në Fushë Kosovë. Ai ishte dhunuar dhe vrarë nga Osmani, i cili u dënua me 25 vjet burg vitin e kaluar.

Vdekja e dhunshme e Veselit nxiti një seri protestash dhe frymëzoi nismën Drejtësi për Kujtimin. Nisma kërkon kërkim-falje publike nga institucionet e Kosovës për familjen e Kujtim Veselit për privimin e tij nga e drejta për jetë, hetim të pavarur penal ndaj zyrtarëve të përfshirë në rast për dështim në kryerjen e detyrës së tyre zyrtare për ta mbrojtur Veselin, dhe pagesë kompenzuese për familjen nga qeveria.

Më e rëndësishmja, nisma thekson se neglizhenca në rastin e Veselit nuk ishte aksident, por rezultat i racizmit strukturor dhe paragjykimeve në institucionet tona publike.   

Si përgjigje ndaj iniciativës, policia u tha aktivistëve se ka mbajtur trajnime sensibilizuese me policë, si dhe ka ndërmarrë procedura diciplinore kundër dy zyrtarëve të përfshirë në rast, pavarësisht se nuk është gjetur asnjë shkelje. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) gjithashtu publikoi vendimin e Gjykatës Supreme, që njoftoi për zbritjen e përkohshme të 70% të pagës së njërit prej prokurorëve të përfshirë në rast.

Kërkesat e aktivistëve për qasje në dokumentet publike që e dëshmojnë procedurën diciplinore janë refuzuar. KPK iu referua shqetësimeve për konfidencialitet dhe theksoi se nuk ka obligim të sigurojë qasje, një vendim që çoi aktivistët ta padisin KPK më herët këtë vit. 

Policia dhe Prokurori i Shtetit jo vetëm që nuk i kanë kërkuar falje familjes së Veselit, por aktivisht kanë penguar nismën për t’i sjellë familjes një përfytyrim të drejtësisë. Në korrikun e kaluar, kur aktivistët deshën të mbanin një protestë para zyrës së Prokurorit të Shtetit, të njëjtën ditë kur kishin planifikuar ta dorëzonin peticionin e tyre, policia refuzoi kërkesën e tyre duke iu referuar pandemisë. Në padinë e tyre kundër Policisë së Kosovës, aktivistët theksuan se vendimi ishte i padrejtë dhe joligjor; në kohën kur u mor vendimi, u organizuan, pa ndonjë pengesë, tubime më të mëdha, si ky ku mori pjesë zëvendëskryeministri.   

Tetorin e kaluar, derisa ende ishte kryetare e Kuvendit, presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, mbajti një fjalim bindës në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se vrasja e Kujtimit ishte dështim i dyfishtë: “Është dështim i empatisë njerëzore, si dhe dështim institucional i profesionalizmit dhe përgjegjësisë.” Osmani gjithashtu shpërndau peticionin duke bërë thirrje për drejtësi dhe llogaridhënie.

Megjithatë, vetëm 2,500 njerëz e nënshkruan peticionin, një tregues se sa pak si shoqëri e çmojmë jetën e një fëmije, veçanërisht kur i përket një komuniteti pakicë.

Jeta e një 11 vjeçari u ndërpre për shkak të neglizhencës së njerëzve, puna e të cilëve është të na mbrojnë.

Kërkesa e vetme e nismës Drejtësi për Kujtimin që është përmbushur që prej krijimit të grupit në korrikun e vitit të kaluar, në përvjetorin e vrasjes së Veselit, është pagesa kompenzuese nga qeveria. 

Më 22 qershor, qeveria Kurti vendosi të ndajë 20,000 euro për familjen e viktimës, duke iu referuar kërkesës së peticionit dhe rekomandimit nga Avokati i Popullit, i cili kishte konfirmuar se të drejtat njerëzore të Veselit ishin shkelur si rezultat i neglizhencës institucionale. Në njoftimin për vendim, kryeministri, Albin Kurti, tha se Veseli ishte fëmija i parë dhe kishte lënë shkollën në përpjekje për t’i ndihmuar familjes së tij. “Po e mbështesim familjen simbolikisht,” tha Kurti. “Është mjeti i vetëm që mund ta përdorim si qeveri.”

Ndërsa shuma duket e papërfillshme në krahasim me humbjen që ka përjetuar familja, është hap i mirë drejt njohjes së dëmit që i është bërë Veselit dhe familjes së tij. 

Megjithatë, nuk mjafton.

Në përvjetorin e dytë të vdekjes së hershme të Veselit, duhet të kërkojmë llogaridhënie të duhur nga institucionet shtetërore, të cilat në mënyrë krejtësisht shpërfillëse kthyen shikimin anash kur u njoftuan për abuzimin e një fëmije të ri ashkali. Fjalimet prekëse nga kryeprokurori nuk kanë kuptim nëse nuk përcillen me hetime të pavarura ndaj policëve dhe prokurorëve të përfshirë në rast.

Jeta e një 11 vjeçari u ndërpre për shkak të neglizhencës së njerëzve, puna e të cilëve është të na mbrojnë. Nuk duhet të lejojmë që përgjegjësit të vazhdojnë të sillen sikur jeta e Kujtim Veselit nuk kishte vlerë, dhe duhet t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme institucionale e shoqërore për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë kurrë më.

Imazhi i ballinës: Jeta Dobranja.

Ky publikim është pjesë e serisë së shkrimeve të fushatës Drejtësi për Kujtimin. Ilustrimi u mbështet nga skema e granteve “Kujtim Veseli” që menaxhohet nga OJQ Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

  • PËR AUTORIN/EN Lura Limani
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO