Dy vjet të qeverisë Kurti: qysh po shkon? - Kosovo 2.0

Dy vjet të qeverisë Kurti: qysh po shkon?



Viti i dytë i qeverisë Kurti nën thjerrë.

22/03/2023

Artikulli nga Gentiana Paçarizi

Sot bëhen dy vjet prej kur Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me tash partinë, atëherë listën GUXO, formuan qeverinë, pas fitores me 50.28% të votës së përgjithshme në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. 

Me barazinë e drejtësinë në qendër të programit qeverisës, kryeministri i sapozgjedhur Albin Kurti, nisi qeverisjen me premtimin se do të zhbënte “20 vjet keqqeverisje” dhe se tash do niste “rrugëtimin e ri drejt progresit, të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë”. 

Vetë fitorja — më e thella që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës — dhe zotimet për ndryshim rrënjësor, përpos që treguan mbështetje të madhe për Kurtin, krijuan edhe pritje të mëdha te votuesit e tij. Me shumicë parlamentare e fitore “referendum” siç e quante Kurti, partisë dikur të zëshme opozitare, tani iu krijua hapësira e shumëkërkuar që ta “jetësojë vullnetin e qytetarëve” në qeveri.

Por, popullariteti i para dy vjetve i kabinetit qeveritar dhe kryeministrit duket se ka rënë brenda vitit 2022. Sipas Pulsit Publik të UNDP, të kryer në nëntor 2022, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit qeveritar ishte 41%, krahasuar me 47.2% sa ishte në prill të po atij viti. 

Ndërkohë, niveli i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit në nëntor 2022 ishte 44.9%, kurse në prill 2022 ishte 52.6%, pra një rënie prej 7.7 pikë.

Në dy-vjetorin e qeverisë Kurti, përmes analizave specifike të përparimit të programit qeverisës në raport me zhvillimet në vend, përfshirë dialogun, ekonominë e gjyqësorin — shqyrtojmë se çka e karakterizoi periudhën mars 2022 – mars 2023. 

Ngecje ekonomike

Gjatë vitit 2022, kryeministri Kurti shpesh i përmendte si suksese rritjen ekonomike prej 10.7% në vitin 2021 dhe rritjen e GDP për 4% në vitin 2022. Megjithatë, sipas të dhënave nga Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), rritja ekonomike gjatë vitit 2022 ka ngecur.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rritja ekonomike gjatë gjysmës së parë të 2022 ishte 3.2% me një parashikim se gjatë pjesës së dytë të 2022, nuk do të kishte rritje më të madhe se 3.1%.

Po ashtu, sipas Bankës Botërore, kjo është rritja më e ngadaltë ekonomike që nga viti 2012, nëse nuk merret parasysh rritja ekonomike në 2021 që u shkaktua për shkak të rihapjes pas mbylljes totale gjatë pandemisë Covid-19.

Rritja më e ngadaltë ekonomike që nga viti 2012

Burimi: Banka Botërore.

Kryeministri Kurti, në tetor 2022, po ashtu tha se gjatë muajve janar-gusht 2022 janë hapur 15,000 vende pune, por kjo shifër është kontestuar. Sipas Sindikatës së Sektorit Privat dhe disa ekonomistëve, ky numër pasqyron më shumë formalizimin e punëtorëve, që punonin pa kontratë. 

Një faktor që ka çuar drejt këtij formalizimi — që ishte edhe objektivë qeveritare — është ndërrmarrja e masave mbështetëse financiare përmes Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Disa masa parashihnin ndihmë ndaj bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat dhe për të pasur qasje në to kërkohej formalizimi i punëntorëve. 

Ndërkohë, ASK nuk ka përditësuar të dhënat për papunësinë në Kosovë që nga viti 2021.

E teksa Kosova, sipas Kurtit, po shënon rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë, inflacioni, kryesisht i importuar nga tregu ndërkombëtar, vazhdoi të shënojë rritje dy-shifrore përgjatë këtyre 12 muajve.

Inflacioni vazhdoi të shënojë rritje dy-shifrore

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës

Një aspekt tjetër i rëndësishëm për ekonomi është reciprociteti me Serbinë. Përkundër retorikës së vazhdueshme të LVV për reciprocitet, thirrjeve të kahmotshme për bojkot të produkteve serbe dhe premtimeve se tregu do të riorientohet, të dhënat e tregtisë të jashtme nga ASK tregojnë se tregu nuk është riorientuar. Që prej vitit 2021, kur qeveria Kurti e mori pushtetin, Serbia figuron si importuesi kryesor nga vendet e CEFTA, duke lënë pas Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Ndonëse të dhënat për tregtinë e jashtme për vitin 2022 nuk janë publikuar ende në tërësi, shqyrtimi mujor i importit nga vendet e CEFTA tregon se Serbia ka dominuar çdo muaj. Sipas një analize të Institutit GAP, në tërësi, Serbia del të jetë partneri i katërt tregtar i Kosovës në vitin 2022 pas Turqisë, Gjermanisë dhe Kinës.

Importi i mallrave nga Serbia shënoi rritje

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës

Partnerët tregtarë kryesorë

Burimi: Instituti GAP.

Ndërkohë, edhe investimet kapitale kanë stagnuar. Sipas një analize të Institutit GAP, rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore për shkak të inflacionit dhe politikat qeveritare kanë bërë që realizimi i investimeve kapitale në gjashtë-mujorin e parë të vitit 2022 të jetë më i ulëti në dekadën e fundit, me 9% në nivelin qendror dhe 19% në atë lokal.

Dialogu, pashmangshmërisht prioritet

Kurti pati thënë që dialogu me Serbinë nuk përbën as një nga pesë prioritetet e para të programit të tij qeverisës dhe se do të përqendrohej në dialog të brendshëm me serbët e Kosovës. Por, krizat e njëpasnjëshme me Serbinë, presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit dhe së fundmi marrëveshja në Ohër duket se ia kanë bërë të pashmangshëm prioritizimin e dialogut. 

Në qershor 2022, qeveria e Kosovës, mori dy vendime, një për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targa dhe një për dokumente identifikuese. Sipas njërit vendim, kushdo që hyn në Kosovë me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia do të pajisej me një fletëdeklarim të përkohshëm, që do t’i zëvendësonte dokumentet e Serbisë — procedurë që zbatohej për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi prej vitit 2011.

Sipas vendimit tjetër, qytetarët që kanë automjete me targa me akronime të qyteteve të Kosovës — të lëshuara nga Serbia — do të duhej, që prej 1 shtatorit deri më 31 tetor, t’i regjistronin automjetet e tyre me targat RKS. Pas 31 tetorit, nuk do të lejohej qarkullimi me targa të vjetra.

Më 31 korrik, pak para se të hynin në fuqi vendimet, u ngritën barrikada në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata u shtensionua pas presioneve të vazhdueshme nga BE dhe ShBA, që qeveria e Kosovës ta shtyejë zbatimin e vendimit për targa. Më 31 korrik, qeveria vendosi ta shtyejë zbatimin e vendimit për një muaj. Ndërkohë, më 27 gusht u arrit një marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve të përkohshme të identifikimit për shtetasit e të dy vendeve.

ShBA dhe BE kërkuan nga qeveria e Kosovës që ta shtyejë vendimin për targat për 10 muaj, por qeveria nuk e pranoi fillimisht këtë kërkesë dhe më 28 tetor e prezantoi planin tre-fazësh të zbatimin e këtij vendimi. 

Situata u tensionua sërish pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Đurić, i cili kishte refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targa. Si rezultat, në fillim të nëntorit, Lista Srpska, bashkë me të gjithë serbët e Kosovës, që bartnin poste në institucione publike, përfshirë kryetarët e komunave, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Me 21 nëntor 2022, pas një takimi tetë orësh në Bruksel midis Kurtit dhe Vučić, Kurti kishte refuzuar ta pranonte propozimin për zgjidhjen e çështjes së targave nga BE me argumentin se propozimi nuk shoqërohej me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kurti po ashtu akuzoi përfaqësuesin special të BE-së në dialog, Joseph Borell, se hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

ShBA-ja kërkoi shtyerjen e zbatimit të vendimit për targa për 48 orë dhe kryeministri Kurti pranoi.

Veç pas dy ditësh, me 23 nëntor, Kosova dhe Serbia, megjithatë u pajtuan për të njëjtën marrëveshje që ishte propozuar më 21 nëntor, sipas të cilës Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Në situatën e re, presidentja Vjosa Osmani shpalli 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve në ato komuna. Më 6 dhjetor u sulmuan zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut. Autoritetet e Kosovës e arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantić, për shkak të, sipas policisë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”. 

Si reagim ndaj këtij arrestimi, u ngritën barrikada sërish, u bllokuan disa rrugë në veri dhe u mbyllën disa pika kufitare. Kah fundi i dhjetorit e fillimi i janarit, barrikadat u larguan pasi Pantić iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe udhëheqësia e Kosovës, sipas BE dhe ShBA, u zotua se nuk ka lista për arrestim a përndjekje për qytetarët serbë lidhur me vendosjen e barrikadave.

Pas largimit të barrikadave, u shtua angazhimi dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje, përmes një propozimi tashmë të njohur si “plani franko-gjerman” — tash, Plani Evropian — dhe për zbatim të Asociacionit. 

Më 18 mars 2023, pas një buje të madhe nëpër medie, kryeministri i Kosovës, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić u takuan në Ohër, Maqedoni e Veriut. Në këtë takim, që zgjati më shumë se shtatë orë, u tha se palët arritën marrëveshje rreth Planit të Zbatimit të Planit Evropian për dialogun. 

Çështja më e diskutuar është neni 7 i Planit Evropian. Për ta implementuar këtë nen, në Plan të Zbatimit, Kosovës i kërkohet që të “fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, rreth krijimit të kushteve [në Plan: arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [në Plan: appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi, BE”.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, në një deklaratë për medie pas takimit në Ohër, tha se përmes kësaj marrëveshjeje për Planin e Zbatimit për Planin Evropian, Kosova ka fituar “njohje de-facto” nga Serbia dhe se neni 7, ka të bëjë me “vetëmenaxhim” dhe jo “vetëqeverisje”. Por, nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që ai të zbatohet sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, që përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 

Neni 7 u vu në qendër meqë si parti politike, LVV e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit.

Mospajtimet e LVV nisën që nga viti 2013, kur Marrëveshja e Brukselit u ratifikua në Kuvendin e Kosovës. Më pas në vitin 2015 kur planifikohej të ratifikohej dokumenti me Parimet mbi Themelimin e Asociacionit, këto mospajtime u shpeshtuan. Deputetët e LVV, atëherë në opozitë, bllokuan punën e Kuvendit me gaz lotsjellës e organizuan protesta që përshkallëzuan edhe në dhunë. Protesta të ngjashme pati edhe në vitet 2016, 2017 e 2018. 

LVV argumentonte se Marrëveshja e Brukselit ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës e që ajo do të krijonte një institucion të ri njëetnik “i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe”. Po ashtu, sipas LVV, qeveria e atëhershme, me nënshkrimin e Asociacionit kishte nënshkruar “ndarjen e Kosovës’, “bosnjëzimin e Kosovës”. Ata Asocacionin e quajtën “Zajednicë” dhe “Republika Srpska në tentativë”.

 

K Lexo edhe: Çka para dhe pas Ohrit?

Në vitin e parë të qeverisjes së tij në vitin 2021, Kurti kishte thënë se qeveria e tij do të angazhohej për rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët. 

Megjithatë, Plani Evropian, në nenin 10 thotë qartë se të dy palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara — çka vetë Kurti tha që është plan “i pranueshëm dhe i pandryshueshëm”. E njëjta konfirmohet nga Plani i Zbatimit që u pranua të shtunën me 18 mars.

Mediet, halë në sy

Edhe në vitin e dytë të qeverisjes së Kurtit ka vazhduar mungesa e transparencës ndaj gazetarëve/eve dhe raporti i ndërlikuar qeveri-medie.

Kërkesa e deputetes së LVV, Fitore Pacolli në korrik 2022 për rregullim qeveritar të medieve, sidomos të atyre online, alarmoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) e Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Ndërkohë, në shtator po atë vit, AGK vazhdoi t’i bëjë thirrje qeverisë dhe LVV që të distancohen nga “fushata e intensifikuar” e disa individëve, pjesë të strukturave ose të afërt me partinë në pushtet, kundër medieve në Kosovë. 

Raportet ndërkombëtare për lirinë e medias në Kosovë tregojnë për një mjedis të papërshtatshëm për gazetarët/et në Kosovë. 

Në prill 2022 u publikua raporti i Departamentit të Shtetit të ShBA (DASh) për Kosovë për vitin 2021, i cili identifikoi vështirësitë e gazetarëve në marrjen e informatave nga Qeveria dhe institucionet publike. Raporti, ndër tjera, tha se “zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara”. 

Ndërkohë, në raportin e DASh për vitin 2022, të publikuar këtë vit, mes tjerash, thuhet se zyrtarë qeveritarë si dhe kriminelë të dyshuar kërcënuan verbalisht gazetarët për raportim të perceptuar si negativ. Sipas disa redaktorëve, agjencitë qeveritare dhe korporatat tërhoqën reklamat nga gazetat që publikonin materiale kritike ndaj tyre. 

Po ashtu, në raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2022, Komisioni Evropian citoi AGK-në se ka pasur shtim të deklaratave denigruese, të bëra nga politikanë kundër medieve, duke rrezikuar sigurinë e gazetarëve dhe duke provuar të ulin besimin në raportimet gazetareske.

Një raport tjetër e çoi këtë konstatim tutje. Pas një misioni dy-ditor për mbledhjen e fakteve në Prishtinë, më 15-16 nëntor 2022, partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve publikuan gjetjet e tyre për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

Në biseda me ta, përfaqësuesit e mediave në Kosovë vunë në pah si një shqetësim të veçantë faktin se retorika përçarëse dhe fushatat shpifëse kundër gazetarëve nga disa politikanë dhe zyrtarë publikë, përfshirë edhe nga partia qeverisëse, po krijon një klimë në rritje armiqësore kundër mediave. Ata thanë se këto sulme verbale dhe përpjekje nga figurat politike për të përçarë komunitetin gazetaresk ose për të portretizuar medie të caktuara si akterë politikë, mund të çojnë në kërcënime, ngacmime në internet dhe dhunë fizike.

Gjatë misionit, përfaqësuesit e medieve po ashtu shprehën shqetësimin e tyre në rritje për përkeqësimin e transparencës dhe qasjes në informata gjatë mandatit të qeverisë aktuale. Gazetarët në veçanti vunë në pah mungesën e opsioneve për komunikim me zyrtarët ose aftësinë për parashtrim të pyetjeve për ministrat dhe kryeministrin në konferencat për shtyp. 

Përderisa në këto gjetje, si hap pozitiv u vlerësua procesi i depolitizimit të transmetuesit publik Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës përmes emërimit të anëtarëve të rinj të bordit me një proces trasnparent e të bazuar në meritokraci të përzgjedhjes, gjërat ndërruan shpejt. Në janar 2023, Bordi i RTK miratoi rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK, për emërimin e Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të RTK. Mediet shpejt raportuan për lidhjet e Gërvallës me LVV dhe mbështetjen e tij publike ndaj partisë në pushtet. Gërvalla i kishte dhuruar para LVV në vitin 2020 gjatë fushatës zgjedhore, si dhe ishte parë në fotografi të takimeve të Këshillit të Përgjithshëm të LVV.

AGK konsideroi se emërimi i Gërvallës si drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik. Në shkurt, AGK kërkoi proces të ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike. Përzgjedhja e Gërvallës në krye të kanaleve shqip në RTK u kritikua edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve, Article 19 Europe, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe Raportuesit pa Kufij. 

raportin për vitin 2022 të Human Rights Watch (HRW), të publikuar në janar 2023, ku monitorohen të drejtat e njeriut në më se 100 vende të botës, përfshirë Kosovën, iu dha rëndësi e veçantë kushteve të punës së gazetarëve. 

Ata vunë theksin te gjuha e përdorur nga bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, i cili në fillim të vitit 2022, iu referua medieve dhe gazetarëve si “organizatë e përbashkët kriminale”, si dhe te gjuha denigruese e Luan Dalipit, shefi i Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili i quajti mediet “biznese kriminale”. 

Këto deklarata HRW i cilësoi si shtytëse për krijimin e një ambienti armiqësor për gazetarët, duke shtuar se “deklarata të tilla rrezikojnë të ulin besimin e publikut në media”.

Vetting i pjesshëm e punonjës nën hetime

Procesi i reformës në drejtësi, për një “shtet të së drejtës” siç thuhej në programin zgjedhor të LVV, vazhdoi. 

Vettingu i plotë në sistemin e drejtësisë, një nga premtimet e qeverisë Kurti, u shndërrua në vetting të pjesshëm. Komisioni i Venecias, në qershor 2022, dha dritën e gjelbërvettingut, përmes ndryshimeve kushtetuese, t’i nënshtrohen vetëm kryeprokurorët, kryetarët e gjykatave, anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe ata të Këshillit Gjyqësor. 

Procesi i vetting do ta rivlerësojë dhe verifikojë integritetin e personave, që mbajnë këto pozita, me anë të analizimit të profesionalizmit të tyre në bazë të vendimeve të marra, të dhënave rreth pasurisë, informatave mbi personalitetin, mbi lidhjet/afërsitë politike të kandidatit, si dhe në bazë të informatave të mbledhura nga terreni.

Nismën për vetting e kanë kundërshtuar Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor, të cilët deklaruan se nuk do të marrin pjesë në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, që synojnë ndryshime kushtetuese dhe krijim të mekanizmave për vetting jashtë Këshillit Prokurorial. 

Marrëdhëniet e Ministrisë së Drejtësisë me Këshillin Prokurorial, përgjatë vitit 2022, kanë qenë të acaruara. Ministria e Drejtësisë e edhe vetë kryeministri Kurti është kritikuar vazhdimisht nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor për tentativa për ndërhyrje në sistemin gjyqësor përmes deklaratave publike dhe vendimit të marrë për ulje të pagave për gjyqësorin, vendim që u suspendua nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por që bëri që për disa javë, institucionet e drejtësisë ta pezullonin punën dhe ta ndërprenin bashkëpunimin me qeverinë.

Ndërkohë, në javën e dytë të shkurtit 2022, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kjo do të mundësojë krijimin e mekanizmit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata. 

Komisioni i Venecias gjeti mangësi në këtë projektligj në qershor 2022. Organizatat e shoqërisë civile, që punojnë në këtë fushë, thonë se ka mjaftueshëm mekanizma ekzistues brenda sistemit aktual të rendit dhe ligjit — si Agjencia Kundër Korrupsionit — dhe se themelimi i një byroje shtetërore nuk do ta rrisë efikasitetin në luftimin e pasurisë së pajustifikueshme. Më 21 shkurt, Partia Demokratike e Kosovës e dërgoi Ligjin për Byro në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se ky ligj ishte antikushtetues, teksa pritet ende për një vendim nga Gjykata.

Kur kryeministri Kurti vlerësoi një vit e gjysmë të qeverisjes së tij, tha se përmes projektligjeve të miratuara kanë “fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit”. 

Megjithatë, qeveria Kurti duket të ketë qasje tjetër ndaj drejtësisë kur është fjala për vetë punonjësit e qeverisë. Aktualisht, në qeverinë Kurti shërbejnë persona që kanë raste të hapura gjyqësore e edhe të tillë që janë shpallur fajtorë.

Probleme me ligjin

Ndërkohë, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i emëruar gjatë qeverisjes Kurti, dyshohet të jetë përfshirë në shpëlarje të parave. Në prill 2022, mediet sllovene shkruan se si kompania private sllovene e energjisë GEN shpëlau para duke i dërguar ato nëpër filialet e saj në vendet tjera të Ballkanit. 

Sipas raportimit, filalja e saj në Serbi, pagoi Berishajn për konsulencë së paku 600,000 euro mes viteve 2019-2022. Mediet që raportuan shtojnë se këto para u dërguan te kompania e Berishajt “MB Consulting” dhe më pas vetë Berishaj i ka tërhequr ato dhe dërguar në Slloveni te atëherë politikani opozitar, tash kryeministri slloven, Robert Golob. 

Berishaj është nën hetime në Kosovë për shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë. Ai vazhdon të jetë ambasador i Kosovës në Kroaci.

Ashpërsimi i varfërisë

Inflacioni preku nivele rekorde përgjatë tërë vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023, duke dobësuar të ardhurat e secilit qytetar. Sipas Pulsit Publik të UNDP, tri shqetësimet kryesore të të anketuarve ishin: papunësia, varfëria dhe rritja e çmimeve të produkteve esenciale.

Çka është problem madhor për qytetarët?

Burimi: UNDP

Qeveria Kurti veproi në dy drejtime në këtë fushë — përmes pakove mbështetëse dhe Ligjit për Paga. 

Megjithëse çdo para që hyn në qarkullim është e dobishme për ekonominë, ndihmat përmes pagesave të një-herëshme u kritikuan nga disa ekonomistë, që argumentuan se këto ndërhyrje nuk janë gjithëpërfshirëse as të qëndrueshme. 

Sindikata e Sektorit Privat dhe Oda Ekonomike kritikuan qeverinë se po favorizonte sektorin publik, duke e lënë sektorin privat, që është punëdhënësi kryesor në Kosovë, vetë në hallet e veta. Sipas tyre, as nismat për mbështetje të rritjes së pagës në sektorin privat e as ato për mbështetjen tre-mujore të pagës për të punësuarit e rinj, nuk ndihmojnë mjaftueshëm sepse shuma e subvencionuar është e vogël dhe subvencionimi i shkurtër. 

Një prej problemeve me pakot e lansuara është mungesa e një pasqyre të qartë të njerëzve më në nevojë për mbështetje. Në Kosovë, raporti i fundit i buxhetit të ekonomive familjare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është bërë në vitin 2017 dhe nuk përkon as për së afërmi me ndryshimet e cilësisë së jetës sot. 

Ndërkohë, skemat sociale ekzistuese janë përjashtuese për shumë nga familjet në nevojë pasi aplikuesit për këto skema, përveç kriterit të papunësisë, u duhet të plotësojnë kritere tjera, si për shembull, të gjithë anëtarët e familjes të jenë të varur, pra të mos jenë në gjendje të punojnë.

Sipas raportit të Bankës Botërore për Kosovën për vitin 2022, rreth 7% e popullsisë së përgjithshme përfiton nga skema e ndihmave sociale, por shkalla zyrtare e varfërisë është rreth 20%, ndërkohë që vetëm një në katër persona në kuantilin e ulët — shtresën me të ardhurat më të ulta — marrin ndihmë sociale.

Më 25 gusht 2022, rritja e çmimeve dhe mosrealizimi i kërkesës për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të ri për Paga, çoi Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës — që mbledh pothuajse të gjitha sindikatat në Kosovë — në grevë të përgjithshme.

Pakot mbështetëse të qeverisë

 

Mars 2022

100 euro shtesë për pensionistët;
100 euro për studentët;
100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe sektorit privat;

Pagesë të dyfishtë për asistencë sociale.


Tetor 2022

100 euro shtesë për pensionistët; 

100 euro shtesë për punëtorët në ndërmarrje publike;
100 euro për studentët, një herë në nëntor;

50 euro shtesë për zyrtarët publikë gjer në fund të vitit;

Pagesë të dyfishtë për asistencë sociale.

 

Qeveria për familjet

E lansuar në korrik 2022, kjo pako synoi punësimin e një personi që është i regjistruar si papunë dhe nuk asnjë anëtar tjetër të punësuar në familje. Qeveria do të paguante 70% të pagës bruto (deri në 300 euro) për 6 muaj.


Superpuna

Kjo platformë synon punësimin e të rinjve prej 18 deri 25 vjeç, të cilët nuk kanë punuar më herët. Qeveria do ta mbështesë pagën e të punësuarve të rinj me 264 euro, shumën e pagës minimale deri në gjashtë muaj.

Ndërkohë, Ligji për Paga, përmes së cilit u publikua koeficienti prej 105 eurosh dhe kategorizimi i pozitave, u bë fokus i diskutimit publik në fillim të vitit 2023. Ligji për Paga në sektorin publik të Kosovës hyri në fuqi më 5 shkurt dhe nga qeveria u prezantua si ligj që do të mundësojë barazi mes kategorive të punëtorëve dhe që do të ofrojë rritje më të madhe të pagave ndonjëherë që nga 2008.

Por, në fakt, me këtë ligj, shumë kategori morën paga më të ulëta apo me rritje simbolike, pasi qeveria hoqi një sërë shtesash, që i shtoheshin pagës neto dhe rezultonin në të hyra më të mëdha sesa thjesht paga bazike.

Për shembull, në disa grafika të shpërndara në Facebook të kryeministrit Kurti, qeveria pretendoi se policëve do t’u rritej paga për 227 euro, pra nga 392 euro në 619 euro pagë bazë. Por, para këtij ligji, policët merrnin të hyra më të mëdha se 619 euro. Ajo shumë arrihej përmes shtesave, si ajo e përvojës së punës, e rrezikshmërisë, e punës jashtë orarit dhe e punës në ndërrim të natës.

Teksa shumë shtesa janë larguar në tërësi, me ligjin e ri, shtesa për rrezikshmëri për policë s’mund të kalojë 1% të buxhetit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, gjë që sipas Sindikatës së Policisë është e pamjaftueshme.

Sipas Sindikatës së Policisë, rritja reale e pagës, pas heqjes së shtesave, nuk e kalon vlerën prej 50 apo 60 eurosh.

Kritika ndaj ndryshimeve të Qeverisë në këtë Ligj është lidhur kryesisht me eleminimin apo kufizimin e disa shtesave. Për shumë kategori punëtorësh ky ndryshim do ta ndikojë negativisht shumën totale që do ta marrin në fund të muajit nga paga dhe shtesat. Deri tash, Institucioni i Ombudspersonit ka pranuar mbi 50 ankesa kundër këtij ligji.

Arsimi në qendër vetëm gjatë grevave

Pak nga herat kur qeveria përmendi arsimin ishte kur mësimdhënësit hynë në grevë.

Nga 25 gushti 2022, disa ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, të përfaqësuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), mësimdhënësit e Kosovës hynë në grevë për më shumë se një muaj.

Ata kërkonin mbështetje financiare prej 100 eurosh për të gjithë punonjësit e arsimit për ta përballuar inflacionin deri sa të miratohet Ligji për Paga si dhe kërkuan të përfshihen në hartimin e këtij ligji. Ndërkohë, qeveria kishte inicuar pakon mbështetëse, përmes së cilës parashihte ndarjen e 50 eurove në muaj për të gjithë zyrtarët publikë deri në fund të këtij viti. Por, grevistët e konsideruan këtë pako të pamjaftueshme.

Përgjatë një muaji, qeveria u ndesh fyt-a-fytazi me SBAShK, ku edhe i kërcënoi me penalizim përmes ndaljes së pagës për muajin gjatë të cilit ishin në grevë. Kryeministri Kurti, ndër tjerash, e quajti grevën edhe “shantazh”, “kërcënim” dhe “rrënim të shtetit” duke ua përmendur edhe rezultatet e dobëta të nxënësve në PISA, anipse kjo është më shumë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit sesa e mësimdhënësve apo sindikatës. Gjuha e qeverisë u kritikua si “cenim i lirisë sindikale në Kosovë”.

Në anën tjetër, një ndër synimet e qeverisë Kurti ishte ndërtimi i 160 çerdheve, gjë që do ta rriste shtrirjen e shkollimit të hershëm nga 7% sa është tani deri në 24%. Por, deri tash janë përfunduar vetëm katër çerdhe — një në fshatin Vrellë të Istogut, një në Zhegër të Gjilanit, një në Qifllak të Vitisë dhe një në Prizren. Në buxhetin e vitit 2023, janë buxhetuar 6.5 milionë për ndërtimin e çerdheve të reja, ku hyjnë rreth 21 çerdhe, ndërtimi i të cilave kap periudhën prej 2022 deri në 2026.

Vetëm 4 nga 160 çerdhet e premtuara janë ndërtuar

Po ashtu, një hulumtim i K2.0 në maj të vitit 2022, zbuloi se fëmijët romë dhe ashkali segregohen në sistemin arsimor paralel serb dhe se mungojnë përpjekjet e qeverisë për t’i përfshirë ata në sistemin e Kosovës — gjë që nga aktivistë u cilësua si tregues i diskriminimit të përgjithshëm që komunitetet romë e ashkali i përjetojnë përditë. 

Ndërkohë, ministrja e arsimit Arbërie Nagavci kishte thënë për K2.0 se “Çështja e shkollave serbe është çështje shumë komplekse politike pasi që ato janë shkolla që nuk kontrollohen nga institucionet e Kosovës” dhe se ata nuk kishin informata deri në kohën e realizimit të hulumtimit se ka segregim në shkolla, anipse OJQ e aktivistë treguan se e kanë ngritur këtë cështje te institucionet për vite me radhë.

Shëndetësia në ngërç

Anipse sektori i shëndetësisë qëndron lart në prioritetet e programit qeverisës të LVV, gjendja në këtë sektor mbetet e rënduar. Në program thuhet se “prioriteti ynë për shëndetësinë, përveç menaxhimit të pandemisë COVID-19, është zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse që mundëson zhvillimin e sistemit shëndetësor”. Mirëpo asnjë projektligj i synuar për reformë në sektorin e shëndetësisë nuk është miratuar brenda vitit 2022. 

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë u gjend në vështirësi për shkak të ndërrimeve të ministrave. 

Rifat Latifi, i emëruar në nëntor 2021 si ministër i shëndetësisë, dha dorëheqje në tetor 2022. Sektori i shëndetësisë mbeti pa ministër për afër dy muaj, deri kur qeveria e rimemëroi ministër Arben Vitinë, i cili, në tetor të vitit 2021, kishte dhënë dorëheqje nga ky post për t’u bërë pjesë e garës për kryetar të Prishtinës.

Në më pak se dy vjet qeverisje, bartësi/ja e postit të ministrit u ndërrua pesë herë.

Në shtator 2022, qeveria Kurti e themeloi Komisionin Ekzekutiv të Shëndetësisë, të cilin do ta udhëhiqte vetë kryeministri. Sipas Kurtit, situata në shëndetësi është në gjendje të keqe e nuk mjaftonte që për këtë çështje të angazhohej vetëm ministri i shëndetësisë, Latifi. Megjithatë, nuk është e qartë se ç’po bëhet nga ky komision.

Mediet në vazhdimësi raportuan për mungesë të barnave esenciale për pacientët me kancer, penjëve për operime, infuzioneve, dorëzave e qeseve urinore në klinikat e Shërbimit Spitalior dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK). Koha raportoi se rreth 1,300,000 euro për barna dhe për material shpenzues, dedikuar për vitin 2022, kishin shkuar në suficit, shkaku që menaxhmenti kishte dështuar t’i përfundonte proceset e prokurimit. Krahas kësaj, ShSKUK ka të paktën katër muaj që nuk ka arritur të sigurojë të blejë as shampon për pastrimin e duarve dhe letra për tualet. 

Të drejta, jo për krejt

Prioritetet për “krejt qytetarët” siç e promovon LVV me thirrjen e njohur “Krejt dhe drejt”, megjithatë nuk i kanë përfshirë disa qytetarë.

Që në mars 2022, në fund të vitit të parë të qeverisjes, qeveria e re u vu në test sa i përket respektimit të të drejtave të qytetarëve LGBTQ+ në Kosovë dhe këtë test nuk e kaloi. Më 16 mars, u nxor për votim projekt-ligji i Kodit Civil, një dokument që do të rregullonte aspekte të ndryshme të jetës private dhe publike në Kosovë.

Midis 1,630 neneve të projekt-ligjit, neni 1,138, paragrafi 2 u hapte udhë bashkësive të regjistruara civile personave me sekse të njëjta. Ligji, që vetë qeveria e prezantoi, nuk kaloi e ndër më të zëshmit kundër tij ishin pikërisht deputetët/et e LVV — Burim Meta, Gramoz Agusholli e Labinotë Demi Murtezi. Në raportin e DASh për të drejtat e njeriut në Kosovë për vitin 2022, thuhet se Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë ka theksuar se deputetët/et, përfaqësuesit/et e partive politike dhe zyrtarët/et e qeverisë përdorën gjuhë nënçmuese kundër qytetarëve LGBTQ+ kur debatuan për Kodin Civil. 

Gjuha e urrejtjes e dezinformatat, që u shpërndanë e nxitën nga deputetët, i nxorën aktivistët në rrugë duke protestuar nën thirrjen “Homofob, s’ki vend n’Kuvend”. Po ashtu, edhe disa ndër organizatat më të shquara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si Shoqata për të Drejta të barabarta për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë e Human Rights Watch dërguan letra duke u bërë thirrje deputetëve dhe palëve tjera të interesit që të veprojnë sipas Kushtetutës të Kosovës, e cila kur flet për martesën nuk përmend gjini as seks, dhe që të ndalojnë diskriminimin e çifteve midis personave të të njëjtit seks. Pas refuzimit të ligjit, nuk dihet se kur do të kthehet në votim Kodi Civil dhe çka do të përmbajë ai në raport me njohjen e bashkësive civile apo të drejtës në martesë të çifteve midis personave të të njëjtit seks.

Ndërkohë, si çdo 8 mars, edhe në vitet 2022 e 2023, sheshet e Prishtinës dhe komunave tjera u mbushën marshues/e, me thirrjet “drejtësi për gratë e vrara, “edhe sa thirrje të humbura” e “shteti i ka duart me gjakun e grave të vrara”. Dhuna ndaj grave, femicidi e njëkohësisht, rastet e shpërfaqjes së mosveprimit institucional vazhduan.

Lajmi për përdhunimin i një vajze 11-vjeçare, për shtatë orë në një park publik në Prishtinë, nga pesë burra e djem, që u bë publik më 29 gusht 2022 ktheu vëmendjen kah neglizhenca institucionale kur bëhet fjalë për mbrojtjen e grave dhe vajzave. 

Grupe feministe e organizata thirrën protestë. Më 31 gusht, mijëra njerëz dolën në protestë — një prej protestave më të mëdha kundër dhunës në bazë gjinore viteve të fundit — duke kërkuar përgjegjësi dhe veprime konkrete nga Qeveria dhe institucionet tjera. Qeveria njoftoi se kanë shkarkuar Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, kurse Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve kishin ofruar dorëheqje, ky i fundit sipas kryeministrit si “akt moral”. 

Protesta vazhdoi edhe më 5 shtator sepse aktivistet/ët vlerësuan se kërkesat e tyre nuk u përmbushën, derisa sipas raportimeve, hollësitë e reja për rastin dëshmuan tutje se të njëjtën të mitur e kishin përdhunuar gjashtë burra tjerë një muaj më herët dhe deri kur rasti u bë publik në gusht, askush nuk ishte arrestuar. Pas protestave, shtatë aktivistëve/eve iu shqiptuan gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë publike në dy protestat, atë të 31 gushtit dhe të 5 shtatorit, akt që u cilësua si “përndjekje e aktivisteve e aktivistëve”.

Ndërkohë, në tetor 2022, qeveria miratoi një projektligj për ndryshime në Kodin Penal për t’i që “shtyrë gjyqtarët e prokurorët të reagojnë, e të veprojnë më shumë e më shpejt” kur është fjala për dhunën ndaj grave. Sipas ndryshimeve, ndër tjera, Këshilli Gjyqësor do të ketë regjistër me informacionet e personave që shpallen fajtorë për veprat e tilla penale dhe ky regjistër do të jetë publik; të shpallurve fajtor do t’u ndalohet ushtrimi i posteve publike nga tri deri në 10 vjet dhe do t’u hiqet e drejta e marrjes së patentë-shoferit dhe e drejta e ngasjes së veturës për një deri në pesë vjet. 

Në fund të vitit 2022, një tjetër rast mori vëmendje — Hamide Magashin e vrau bashkëshorti i saj në oborrin e spitalit, ku ajo kishte shkuar për të lindur meqë ishte në muajin e fundit të shtatëzënisë. Sipas raportimeve, Magashi kishte urdhër-mbrojtje dhe u ngritën dyshime se zyrtarët policorë kishin mbushur formularët për mbikëqyrje të urdhrit mbrojtjës, pasi ajo u vra.

E Kurti zgjodhi ta komentonte rastin në një mënyrë që u kritikua gjerësisht si problematike e në kundërshti me parimet e të drejtave të njeriut — ai, në postimin e tij në Facebook, ndër tjera tha “dy shqiptarë më pak, do jenë duke menduar armiqtë”, duke iu referuar Magashit dhe foshnjës së saj.

Në vitin e dytë të qeverisjes, qeveria Kurti duket se ka ngecur kur është fjala për synimet që ia kishte vendosur vetes në fushatë zgjedhore dhe kur e mori pushtetin. Dialogu, që s’ishte prioritet fillimisht, u bë i tillë pashmangshmërisht; rritja ekonomike që u premtua mbeti prapa; sektoret e arsimit e shëndetësisë vazhduan të jenë pika të dobëta; e mosveprimi institucional karshi shkeljes së të drejtave të njeriut, sidomos grave, vazhdoi. 

Ndërkohë, qeverisë Kurti i mbesin edhe dy vjet përpara, për ta dëshmuar nëse njëmend do t’i mveshet punës për t’i realizuar synimet e premtuara.

 

 

Raportim shtesë nga Aulonë Kadriu.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla