Keni menduar ndonjëherë sa shpesh përdoret fjala “realitet” në bisedat e përditshme? Ose sa zakone të krijuara nga individët bëhen “realitet”?
Perceptimi ynë për realitetin, sikur edhe shoqërimi, ndikohet së tepërmi nga bota dhe kultura rreth nesh. Le të marrim për shembull shoqërinë tonë. Shoqëria është një grumbull njerëzish që jetojnë në një hapësirë të caktuar gjeografike, që ndërveprojnë me njeri-tjetrin dhe që kanë kulturë të përbashkët. Si mendon se është ndërtuar kultura jote?
Realja përcaktohet nga ajo që është e pranueshme në shoqëri. Thënë ndryshe, secili nga ne krijon versionin e vet të realitetit përmes ndërveprimeve shoqërore. Sidoqoftë, ne shpeshherë shpërfillim këtë të vërtetë dhe e quajmë të mirëqenë konstruktin shoqëror të realitetit, sikur ai të ishte diçka që na ofrohet nga jashtë dhe me të cilin thjesht duhet të përshtatemi.
Ç’domethënie ka kur thuhet se realiteti është konstrukt shoqëror? Do të thotë që e vërteta mund të modifikohet. Individët u japin trajtë shoqërive aq sa shoqëritë u japin trajtë individëve dhe ky proces është në lëvizje të vazhdueshme.
Çdo veprim që përsëritet rregullisht bëhet model. Ne ndërtojmë realitetin tonë duke iu referuar traditave dhe “arsyes së shëndoshë”. Përveç kësaj, sjellja e njerëzve mund të ndikohet nga ndërtimi i tyre subjektiv i realitetit në vend se nga realiteti objektiv, ku edhe shfaqet rendi patriarkal.
Për nga semantika, fjala ‘realitet’ është paksa e dykuptimshme
Kur përmendet fjala “realitet” ngrihen shumë pyetje të lashta. Disa nga ne shtyhen thjesht nga logjika për të bërë pyetje dhe për t’i vënë në dyshim dukuritë e ndryshme rreth nesh. Në anën tjetër, disa të tjerë vënë në dyshim “realitetin” dhe kërkojnë ta ndryshojnë atë.
Realiteti i përditshëm është i objektifikuar, pra përbëhet nga një varg objektesh që janë përcaktuar si objekte para shfaqjes sate në skenë.
Vetë femijëria jonë fillon me objektifikimin e realitetit të përditshëm. Veç kësaj, janë dy gjëra që ndodhin kur jemi fëmijë. E para është se lindim në familje që kanë dhe praktikojnë vlera që dikur i pranojmë si tonat. Pranojmë një interpretim të realitetit që nuk ka për themel diturinë empirike sepse në mënyrë të nënvetëdijshme shohim të rriturit si burime autoritative të informatave — si njerëz të plotë.
E dyta, nuk na bie të merremi me dykuptimësinë e realitetit sepse prindërit na mbrojnë nga ajo. Kështu bëhemi pasqyrim i vullnetit të prindërve dhe i perceptimit të tyre të realitetit.
Dalëngadalë fillon të besosh se si grua, statusi yt inferior është pjesë e “rendit natyror”. Të thuhet se formohesh a priori për ta kryer rolin tënd biologjik. Se nuk të takojnë disa liri për shkak të seksit tënd. Kjo po ashtu shpjegon traditën e vjetër të shoqërisë sonë me rendin patriarkal, meqenëse këto vlera trashëgohen përmes breznish dhe lëshojnë rrënjë në të menduarit dhe botëkuptimet tona.
Pra ky është thelbi i asaj që bëjnë tradicionalistët — vënia e rendit patriarkal në korniza të tjera, d.m.th. justifikimi i tij përmes moralitetit, rendit natyror dhe traditave — në mënyrë që ai të pranohet nga shoqëria.
Sociologu amerikan me origjinë austriake Peter L. Berger ka shkruar se ndryshe nga kukullat, njerëzit kanë mundësinë të ndalin së lëvizuri, të shikojnë lart dhe të perceptojnë makinerinë që na drejton. Ky veprim përbën hapin e parë drejt lirisë.
Unë besoj se, si individë, ne kemi obligimin etik të ndalemi së lëvizuri, të shikojmë lart dhe të identifikojmë makinerinë që na drejton si diçka që na shtyp. Për më shumë, kemi edhe obligimin tjetër etik për të kërkuar lirinë për vete dhe për të tjerët.
Në kulturën tonë priremi të pranojmë ngjarjet fatkeqe si pjesë të ‘rendit natyror’
Kur kthejmë kokën nga historia mund të vërejmë se shumë raste të shtypjes janë përligjur me statuskuonë, duke thënë se kështu është rendi natyror i gjërave. Kjo vlen posaçërisht për gratë, meqë është supozuar për një kohë te gjatë se i përkasin seksit të dobët.
Brenda rendit patriarkal, rolet e grave janë të rrinë në shtëpi, të gatuajnë dhe të kujdesen për fëmijët, në vend se të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për përsosuri. Pra, përjashtohet e drejta e grave për t’u evoluar duke i tejkaluar këndvështrimet e vjetruara për jetën dhe duke përqafuar perspektiva më të gjera dhe holistike.
Përgjatë historisë, ata që kanë ndërtuar kuadrot e realitetit ku jetojmë janë përpjekur ta fundosin grupin që kanë dashur ta shtypin. Këtë e kanë bërë përmes një interpretimi të rendit natyror që e shndërron atë nga shtypja në diçka që duhet ta pranojmë si të mirëqenë, si “realitet”.
Realiteti është i dykuptimshëm; ai ka më shumë se një domethënie që na imponohet shpeshherë. Kjo është arsyeja përse duhet të refuzojmë çdo teori të mirëqenë ose realitet të renduar si individë dhe si kolektiv.
Përse mjellma e zezë (nuk) është e veçantë
Deri në vitin 1697, nxënësit në Angli janë mësuar se të gjitha mjellmat janë të bardha. Ky besim është përgënjeshtruar kur një eksplorues holandez lundroi drejt Australisë dhe pa mjellma me pendë të errëta.
Pa marrë parasysh sa herë shihen mjellmat e bardha, kështu nuk mund të vërtetohet që të gjitha mjellmat janë të bardha. Siç demonstron shembulli australian, thjesht të parët e një mjellme të zezë mund ta përgënjeshtrojë atë.
Sipas interpretimit poperian të teorisë së mjellmës së zezë, pavarësisht se sa observime afirmojnë një teori, është gjithmonë e mundshme që obsevimet në të ardhmen do ta kontradiktojnë atë.
Edhe pse janë bërë shumë observime që përforcojnë “rendin natyror” të gjërave — thënë ndryshe, rendi patriarkal — mund të thuhet pa dyshim se këto observime janë kontradiktuar. U mbetet njerëzve të vendosin se në çfarë shkalle janë kontradiktuar, ose nëse janë kontradiktuar mjaft.
Mitet dhe idetë stereotipike ngadhënjejnë mbi realitetin
T’i quash gjërat (nënshtrimi i grave) me emrin e gabuar (rendi natyror) i kontribuon katandisjes së botës. Kjo është mënyra se si idetë stereotipike, të cilat i shoh si mite, janë ngulitur në mendësinë e shoqërisë.
Për më shumë, shoqëria jonë nuk mund të vazhdojë të përligjë rendin patriarkal në emër të traditave. Nuk mund ta zhvillojmë dhe ta ushqejmë një besim të gabuar kur ka dëshmi që thonë të kundërtën. Gratë kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të mëdha për shkak të kësaj.
Ne lindim me qëllimin e vetëm për të ekzistuar dhe si rezultat jemi të lirë të krijojmë esencën ose qëllimin tonë të jetës. Kështu, “ne s’jemi asgjë tjetër përveç asaj që duam të jemi” sepse jemi të lirë dhe zotërojmë aftësinë për ta ndërtuar qëllimin për jetën tonë. Sidoqoftë, kjo nuk vlen edhe për gratë.
Mitet dhe idetë stereotipike kanë ngadhënjyer mbi realitetin dhe gratë janë prangosur nga një realitet i ndërtuar nga shoqëria që ua mohon të drejtat dhe liritë e tyre.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.