Në vitin 2004, dy muaj para se t’i fillonte studimet për teologji, Verani* shkoi për të shërbyer si sekretar në njërën nga eparkitë e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kroaci.
Ai besonte se ishte duke mbërritur te vetë burimi i “besimit, shpresës dhe dashurisë”. Megjithatë, kjo mahnitje qe jetëshkurtër.
“Është nder fort i madh, sepse ke mundësinë të mësosh për besimin, shpresën dhe dashurinë prej vetë burimit të tyre. Është vendi ku jetojnë murgjit dhe peshkopi. Sipas meje, nuk ka vend më të mirë për të mësuar për besimin, shpresën dhe dashurinë”, thotë Verani vite më vonë.
Sidoqoftë, traumat e thella që i kaloi aty kanë lënë gjurmë. Për herë të parë, 35-vjeçari flet publikisht për K2.0 rreth përjetimeve të tij.
Verani pretendon se peshkopi me të cilin punonte hyri në dhomën e tij një natë pa paralajmërim. Atëkohë, ai thotë se nuk e kishte parë këtë si problematike, sepse ata kishin planifikuar të shkonin në një fshat të afërt për ta mbajtur meshën e mëngjesit.
“Mendoja se ai vend ishte shtëpia ime. Peshkopi erdhi dhe ne folëm se si do të ishin gjërat të nesërmen, sepse ishte hera e parë që do të mbaja meshë me të. Pastaj më kërkoi t’ia masazhoj këmbët”.
Verani, i cili pretendon se është viktimë e shpërdorimit seksual prej një peshkopi të Kishës Ortodokse Serbe, është shprehur rreth përvojës së tij traumatike për K2.0. Foto: Dejan Kozhull.
“Nuk m’u duk e çuditshme, sepse babai im i ndjerë kishte vuajtur nga diabeti dhe nga telashet me qarkullimin e gjakut. Gjithashtu e dija që peshkopi kishte probleme me sheqernat e përpunuara, pra s’e shihja si të pazakontë. Posaçërisht kur kërkesa vinte nga peshkopi. Ai u shtri në krevatin tim gjatë masazhit dhe lëshonte zëra të pakëndshëm për mua. E kreva masazhin, u çova dhe ia zgjata dorën për t’u ngritur nga krevati”.
“Kur u çua, desha t’ia puth dorën por ai më ngrehu pranë tij, filloi të ma kapte prapanicën, të më puthte në qafë, faqe, gojë… Reagimin e parë që pata, tronditjen, e përjetova si dështim klasik të trupit. S’munda të reagoj. Mund të ma kishte këputur dorën dhe s’do ta kisha ndier. Kur u ktheva në vete, i thashë të ndalonte. Ai u përgjigj duke më uruar natë të mirë e duke më thënë se do të shihemi nesër, dhe doli nga dhoma”.
Sidoqoftë, kjo ishte vetëm nata e parë në jetën e re të Veranit që i dha pagjumësi dhe makthe.
Pafuqi, tërbim dhe dëshpërim
“[Ishte] ndjenjë e papërfytyrueshme. Por ata që nuk kanë përjetuar diçka të tillë nuk mund ta shpjegojnë ndjenjën e pafuqisë, tërbimit, dhe ndjenjën e të qenit i shfrytëzuar. Mijëra ndjenja të përziera. Pafuqia ishte mbi të gjitha. Aty filloi edhe pagjumësia. Ditën tjetër të gjithë shkuam në meshë dhe e binda veten se e kisha sajuar të gjithën në kokën time, sepse peshkopi sillej krejt si zakonisht”.
Pas një muaji e gjysmë pa ndonjë ngjarje të re, Verani thotë se kujton se si e kishte bindur veten që e gjitha kishte qenë e parafytyruar.
Por, ai thotë se peshkopi një ditë e thirri të shkonte në bibliotekën ku ruheshin të gjitha petkat fetare që përdoren gjatë lutjeve:
“Peshkopi më ftoi për të parë sa të bukura ishin petkat e reja. Kur m’i tregoi, ishte hera e parë që dëgjova për Peshkopin Kaçavenda. Më tha se vëllai i tij [Kaçavenda] veshte kopsa të arta për mëngë, kurse të tjerët i kishin vetëm të praruara”.
Ai kujton se kjo nuk kishte kurrfarë domethënieje për të atëkohë, por e mbajti në mend emrin. Më vonë, ky emër do të fitonte rëndësi si qendra e dyshimeve për shpërdorim seksual dhe pedofili brenda Kishës.
Ndërkohë që ishte në bibliotekë, Verani thotë se peshkopi i kërkoi ta provonte njërin petk.
“Ai më tha se po planifikonte të më shuguronte murg, gjë që dukej e mundshme atëherë, do të ma jepte emrin Sava, porse më duhej ta provoja petkun. Më duket se provova secilën gjë gjashtë a shtatë herë, përfshirë vënien e byzylykëve, rripave, epitrakelionin [lloj rrobe fetare që vihet rreth qafës nga priftërinjtë] dhe gjërat e tjera”.
“Për një çast nuk e pata të veshur këmishën, dhe prapë e pashë veten në pisk. S’e di qysh. E vesha këmishën shpejt, dhe më pas peshkopi u afrua dhe m’i kapi gjenitalet”.
“Prapë më kapluan ato tri sekondat e dështimit trupor. Kur erdha në vete, e shtyva dhe i thashë se më duhet të kthehem në dhomë. Ishte hera e parë që ika pa i marrë leje”.
Sidoqoftë, Verani thotë se peshkopi vazhdoi edhe më tej të tentonte për ta keqtrajtuar seksualisht.
Ishte lojë mes grabitqarit dhe presë. Kur peshkopi nuk ia dilte me qëllimet e veta, Verani thotë se në ato raste peshkopi e quante atë spiun, anëtar të UDBA-s (Administrata e Sigurisë e Jugosllavisë, e cila atëbotë thuhej që punonte kundër KOS-it dhe bashkësive të tjera fetare) dhe bënte trysni ndaj njerëzve të tij të afërt.
Për shkak të kësaj, ai vendosi ta linte Kroacinë pas gjysmë viti dhe të kthehej në Serbi. Aty vetëm se vazhduan vuajtjet dhe u bë ferr i vërtetë për të.
Për pesë vjet me radhë, Verani thotë se nuk i foli kërkujt ndërsa mblidhte fuqinë për të kërkuar ndihmë mjekësore.
“Për pesë vjet as nuk jam rrëfyer, as nuk kam marrë kungimin, gjë që është e tmerrshme për një të krishter ortodoks. Nuk shkoja në kishë; kisha një frikë të pashpjegueshme nga njerëzit në mantele”.
Për shkak të gjendjes së tij psikologjike, Verani nisi psikoterapinë, e cila thotë se e ndihmoi. “Pas bisedës me psikiatrin, gjithçka u çel”, kujton ai.
Megjithatë, kjo po ashtu ia vështirësoi jetën për një kohë ndërsa ballafaqohej me traumën që kishte përjetuar.
Kështu ishte derisa dëgjoi për Bojan Jovanoviqin, një burrë që foli haptas në media për nënshtrimin ndaj shpërdorimeve seksuale në KOS, dhe që më pas u përjashtua nga Kisha.
Trauma e përjetshme
Jovanoviq ishte dhjak (ndihmës i priftit) në Eparkinë Zvornik-Tuzla të Bosnjës e Hercegovinës. Në fund të viteve të 90-ta, ai punoi si mësues feje në Bijelinë, por edhe në pallatin e Vasilije Kaçavendës, ndaj të cilit më vonë u përpoq të ngrisë padi. Megjithatë, pavarësisht dorëzimit të një ankese penale pranë Prokurorit të Bosnjës e Hercegovinës në maj të vitit 2014, Prokurori kurrë nuk ka ngritur padi në gjykatat boshnjake.
Pa shenja të përparimeve në këtë rast, Jovanoviq vendosi ta përpilonte një ankesë civile ndaj KOS-it. Verani vendosi të bashkëngjitet.
Kur shkroi deklaratën, e cila ishte themeli i padisë, Verani thotë se qajti për herë të parë në jetë.
“Jam therur në zemër, jam shkatërruar. S’kam ku të kthehem dhe s’mund ta rifitoj besimin. Por, këtë s’po e bëj për vete. Nuk dua që askush ta përjetojë këtë, pavarësisht fesë, kombësisë, ose racës. Është arsyeja themelore se përse po flas për këtë”, ka thënë Verani për K2.0 në Beograd.
“Jam rrënuar. Kurrë s’do të më kthehet paqja e brendshme. Pres që të shquhen ata që e bënë këtë dhe ta dimë se kush janë në të vërtetë, që të dënohen para gjyqit të kishës e pastaj edhe para gjyqit civil, sepse kanë bërë diçka çnjerëzore që duhet të ndëshkohet në mënyrë njerëzore”.
Disa vjet pasi Verani përjetoi shpërdorimin e dyshuar, ekipi ligjor i drejtuar nga Mlladen Kesar, i cili vepron nga Londra, kanë vendosur të merren me rastin e dyshimeve për shpërdorime seksuale në KOS.
Sasha Ivanisheviq ishte pjesë e ekipit ligjor që pati qasje në dosjet e gjashtë viktimave që pretendojnë se vuajnë nga traumat sot.
“Kjo është një lloj traume që nuk do t’i lë gjatë tërë jetës”, ka thënë Ivanisheviq.
“Jetët e disa prej tyre janë plotësisht të shkatërruara, disa vegjetojnë si njerëz, gjë e cila është më e keqja e këtyre rasteve — trauma është e përjetshme. As KOS-i e as shteti nuk duan të dëgjojnë apo të veprojnë për këtë,” thotë ai me zhgënjim të dukshëm.
Sasha Ivanisheviq ishte pjesë e ekipit ligjor që u përpoq të nisë procedurë civile ndaj KOS-it, ku gjashtë paditës pretendojnë se janë shpërdoruar nga priftërinj. Foto: Dejan Kozhull.
Ekipi i avokatëve që pranoi tërë rastin mori vendimin ta paraqesë në një gjykatë londineze, e jo në Bosnjë e Hercegovinë ose Serbi. Ivanisheviq thotë që nuk u besonin gjykatave lokale, dhe se kanë bërë çmos për ta sjellë çështjen në vëmendjen e institucioneve shtetërore në mënyrë që të ketë zhvillime.
“U bënë shumë biseda, u shkruan letra prej njërës anë në tjetrën, iu dërguan autoriteteve kompetente të KOS-it, shtetit, legjislativit, policisë, kreut të shtetit. Të gjithë kanë dijeni për këtë”, thotë Ivanisheviq duke e kujtuar procesin e hulumtimit dhe punës në aktpadi.
“Mund të ketë pasur së paku vullnet të mirë që disa nga priftërinjtë dhe peshkopët të privoheshin nga titujt fetarë dhe të ndëshkoheshin. Përmes kësaj, ata mund të kishin treguar se kanë dëshirë të merren me këtë, për të mirën e Kishës dhe njerëzve”.
Sidoqoftë, gjer tani askush nuk iu është përgjigjur.
Avokati Kesar më tutje shpjegoi vendimin për t’u zhvendosur në një gjykatë londineze gjatë një prononcimi për media. Sipas tij, qendra e KOS-it gjendet në Beograd, dhe të gjithë klerikët emërohen prej aty; edhe pse Eparkia Ortodokse Serbe e Britanisë dhe Skandinavisë është eparkia që vepron në Mbretërinë e Bashkuar, Kisha Ortodokse Serbe është “një dhe e pandashme” sipas Nenit 1 të Kushtetutës së saj.
“Pala e paditur është Kisha Ortodokse Serbe, si punëdhënësja e tyre”, shpjegon më tej Kesar.
Ekipi ligjor vendosi të mos paraqitej në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, me arsyen se proceset e tyre zgjasin shumë dhe se vendimet përfundimtare shpeshherë nuk zbatohen nga askush.
“Sot kemi shumë vendime nga gjykata në Strasburg dhe nuk dihet se a do të zbatohen ndonjëherë, dhe se a do të kompenzohen këta njerëz për të pasur së paku një grimë përmbushje”, shpjegon Ivanisheviq.
“Në këto raste, viktimat kanë përjetuar traumë aq të rëndë, saqë nuk duan fare që procesi të zgjasë me vite të tëra dhe t’i rikujtojnë traumat edhe kushedi sa herë. Nuk dinim se sa prej tyre do të mund ta prisnin fundin e kësaj dhe të rronin deri në përmbushje”.
Zhgënjime dhe shpresa të reja
Përgatitjet për rastin në Londër zgjatën tri vjet, dhe përfshinë hulumtimet nga ekspertët, mbledhjen e të dhënave dhe bisedat me dëshmitarët, pas të cilave rasti u deponua në gjykatë më 2019. Në janar të vitit 2020, gjykata mori vendimin — i cili u prit me zhgënjim nga shumë njerëz.
Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Londër shpalli veten jokompetente për aktpadinë e gjashtë paditësve ndaj KOS-it. Në arsyetim thuhet se paditësi ka bërë gabime procedurale.
Sidoqoftë, ajo më tej argumenton se, edhe po të shpallej e kundërta, sistemi ligjor anglez prapëseprapë nuk e njeh parimin e tagrit të përgjithshëm në çështjet gjyqësore civile. Veprimet e dyshuara as nuk janë kryer në territorin e Anglisë ose Uellsit, as viktimat ose kryesit e dyshuar nuk kanë lidhje me këtë territor.
Mbrojtja pretendoi se Kisha në Londër është bërë pjesë e Eparkisë së Britanisë dhe Skandinavisë, me qendër në Stokholm, tek në fillim të viteve të 90-ta, dhe se janë autonomë në punën e tyre. Gjykata e pranoi këtë argument.
“Procesi para gjykatës londineze është në vetvete një precedent që mund të kishte qenë gjë e mirë për viktimat”, ka thënë Sasha Ivanisheviq për K2.0.
Jovanoviq, nismëtari i krejt procesit, ka luftuar me vite për të dëshmuar që ka qenë viktimë e shpërdorimit seksual.
Ai ishte një ndër njerëzit e parë që kanë folur publikisht për keqtrajtimin seksual dhe pedofilinë në KOS, duke u shprehur për ndodhitë e dyshuara në Eparkinë Zvornik-Tuzla. Jovanoviq ka botuar librin “Church Mafia” (“Mafia Kishtare”), duke e vënë në kopertinë peshkopin e eparkisë, Vasilije Kaçavendën, të cilin e kishte akuzuar për shpërdorim seksual dhe joshje të të miturve.
Pohimet e tij u përcollën me incizime pamore që rrodhën në vitin 2013, ku Kaçavenda, me sa duket, shihet duke kryer akte intime me një burrë të ri. Vërtetësia e incizimit nuk është konfirmuar kurrë.
Kaçavenda u detyrua të pensionohet po atë vit për arsye shëndetësore, sipas përfaqësuesve të KOS-it.
Përmes avokatit të vet dhe shoqatës për të drejtat e njeriut ‘Gariwo’, Jovanoviq tentoi të ngriste padi kundër Peshkopit Kaçavenda me Zyrën e Prokurorit të Bosnjës e Hercegovinës. Ai akuzoi Kaçavendën për kryerje të krimeve të rënda mes viteve 1997 dhe 1999, përfshirë shpërdorimin e vazhdueshëm seksual të Miliq Bllazhanoviqit, një teologu të ri, dhe organizimin e dyshuar të vrasjes së tij më 23 maj 1999, për ta fshehur shpërdorimin seksual.
Zyrtarisht, Bllazhanoviq kreu vetëvrasje në vitin 1999 në Manastirin e Papraqës. Sidoqoftë, për një kohë të gjatë ka pasur spekulime për shkakun e vdekjes së tij, me ç’rast janë shfaqur edhe pretendimet se është vrarë për t’i fshehur dëshmitë. Autopsia nuk është bërë kurrë dhe shkaku i saktë i vdekjes nuk është përcaktuar.
Përveç dëshmisë së Jovanoviqit, ankesa penale po ashtu përfshiu dëshmi nga nëna, gjyshja, dhe gjyshi i Bllazhanoviqit, si dhe dëshmi nga Bratisllav Markoviq prej Zvornikut, ish-kreu i Manastirit të Papraqës, ku është gjetur trupi i pajetë i viktimës.
Familja Bllazhanoviq vazhdimisht është përpjekur të dëshmojë se Miliqi ishte viktimë; ata janë mbështetur nga Jovanoviq, i cili dha dëshmi para Sinodit të KOS-it rreth shpërdorimit seksual dhe dyshimet e rënda për Peshkopin Kaçavenda.
Duke folur për vendimin e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Londër, Jovanoviqi thotë se, pavarësisht vendimit të pafavorshëm për të dhe paditësit e tjerë, ai sidoqoftë është deri diku i kënaqur me rezultatin.
“KOS-i ia hodhi paq falë dredhive ligjore, por nuk u shfajësua. Ata e ushtruan të drejtën për të mos qenë kompetent [në gjykatën britaneze] por janë ngritur pyetje të tjera më të rëndësishme — çfarë është KOS-i sot?”, thotë ai.
“KOS-i nuk ka bërë përpjekje për ta nisur bisedën rreth çështjes së pedofilisë dhe as nuk e ka mohuar ekzistencën e pedofilisë”.
KOS-i vazhdon të heshtë për këtë. Të pyetur nga K2.0, ata nuk ofruan përgjigje.
Ndërkohë, një portal i themeluar në ShBA me qëllim për të shkruar rreth dyshimeve për shpërdorimet seksuale në kishat ortodokse anembanë botës radhit emrat e më se 70 priftërinjve të dënuar. Ka dyshime të tjera për raste që ende s’janë paraqitur para gjykatave. Deri më sot, asnjë prift i KOS-it nuk është dënuar për shpërdorim seksual ose pedofili. K
* Shënim nga redaktorja: Është ndryshuar emri i viktimës dhe janë lënë jashtë të dhënat identifikuese në mënyrë që të mbrohet identiteti i tij.
Imazhi i ballinës: Dejan Kozhull.