Në thelb | Politika

E reja përballë të vjetrës në zgjedhjet e Shqipërisë

Nga - 07.05.2025

A po sfidohet establishmenti politik në Shqipëri?

Sheshit kryesor të Tiranës po i shtohet edhe një ndërtesë e lartë midis shumë pallateve shumë-katëshe, që janë ngritur në kryeqytetin e Shqipërisë viteve të fundit. Ndërtesa, në formën e kokës së njeriut, qëndron në cep të sheshit, aty ku nis “Rruga e Dibrës”. Në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare ishte diskutuar që arkitekti Winy Maas, bashkëthemelues i firmës holandeze MVRDV, për dizajnin e ndërtesës ishte frymëzuar nga një bisedë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili i kishte thënë: “dëshiroj të bëj diçka të lidhur me historinë”.

Kështu kishte lindur ideja që ndërtesa t’i ngjante në pamje Gjergj Kastriotit –– Skënderbeut, udhëheqësit ushtarak që i rezistoi Perandorisë Osmane gjatë shekullit XV. Megjithatë, ndërtesa që ngadalë ka filluar të marrë formë, nuk duket si imazhi i Skënderbeut. Mediat kritike të qeverisë së Partisë Socialiste (PS), e kanë kritikuar imazhin e ndërtesës, duke shkruar që ajo, në fakt, duket më shumë si lideri i PS-së dhe kryeministri, Rama.

Në opinionin publik në Shqipëri, ngjashmëria e ndërtesës me tiparet fizike të Ramës u diskutua në kontekstin e dominimit që Rama dhe PS kanë arritur ta instalojnë në institucione dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Sipas disa mediave atje, Rama gjithnjë e ka projektuar veten si politikan që dëshiron të lë gjurmë të mëdha në historinë moderne të Shqipërisë. Në disa raste, ai ka aluduar vetë në këtë projeksion, si për shembull në rastin kur postoi një video të krijuar përmes inteligjencës artificiale, ku ai paraqitet nën shoqërinë e Ismail Qemalit, kryeministri, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912 e rrjedhimisht cilësohet figurë qenësore në shtetndërtimin e vendit.

Ngritja e Ramës në politikë kishte filluar në vitin 1998 kur fillimisht ishte emëruar ministër për kulturë, rini dhe sport në qeverinë e PS, të drejtuar nga kryeministri i atëhershëm, Pandeli Majko. Dy vite më vonë, Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, funksion që e kreu për 11 vjet. Gjatë kohës sa ishte në këtë pozitë, ai gjithashtu mori drejtimin e PS-së, ndërsa në vitin 2009 garoi për herë të parë si kandidat për kryeministër në zgjedhjet nacionale, ku PS humbi zgjedhjet përballë Partisë Demokratike (PD).

Rama u bë kryeministër i Shqipërisë në shtator të vitit 2013, pas fitores në zgjedhjet e nivelit qendror të mbajtura në qershor të po atij viti. Ai pastaj fitoi edhe dy palë zgjedhje të tjera në nivel qendror, në vitin 2017 dhe 2021, duke qëndruar në postin e kryeministrit të Shqipërisë për tri mandate me radhë pandërprerë, që paraqet periudhën më të gjatë të qëndrimit në pushtet për një kryeministër në historinë e demokracisë së Shqipërisë.

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkon mandatin e katërt me radhë si kryeministër i Shqipërisë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Përgjatë kësaj periudhe, Rama ka ndërtuar një parti dominante. Përveç në mandatin e parë, të marrë pas fitores në zgjedhjet e vitit 2013, ku Ramës iu desh një koalicion me ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe ish-partinë e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), në dy mandatet pasuese, PS qeverisi e vetme pasi siguroi mandatet e mjaftueshme në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021.

Megjithëse drejton partinë politike, që nominalisht përfaqëson të majtën në Shqipëri, politikat e Ramës, sidomos ato të ekonomisë, asociohen me neoliberalizmin.

“PS nën Ramën është shkëputur nga identiteti i saj majtist apo socialdemokrat, duke u shndërruar në një parti pragmatike, me natyrë transaksionale dhe një imazh neoliberal por kryesisht e zhveshur nga ideologjia”, thotë Gresa Hasa, njohëse e politikës së Shqipërisë dhe publiciste e pavarur, e asociuar me Universitetin e Grazit në Austri. “Që prej 2005 e deri më tani, Rama ka forcuar lidhjet me pushtetin ekonomik, veçanërisht oligarkinë vendase duke krijuar kësisoj një simbiozë mes pushtetit politik dhe atij ekonomik. Kjo ka çuar në favorizimin e grupeve të caktuara të biznesit, duke krijuar një sistem klientelist”.

Gjatë këtyre viteve në pushtet, Rama e portretizoi partinë e tij si një forcë transformuese në ekonomi, turizëm dhe në imazhin ndërkombëtar të vendit, duke projektuar njëkohësisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) si qëllimin final politik të qeverisjes së tij.

Perceptimet e qytetarëve në Shqipëri

Hulumtimet tregojnë që një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë të largohen nga vendi, ndërkohë që besimi në institucione, sistem të drejtësisë dhe parti politike është i ulët.

Në një anketë të zhvilluar në vitin 2023 nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, rreth 80% e të anketuarve e perceptojnë korrupsionin si të përhapur në të gjitha nivelet, ndërsa besimi në aftësinë e prokurorisë për të ndjekur penalisht rastet e korrupsionit mbetet i ulët: 62.8% nuk kanë besim për rastet e korrupsionit të madh dhe 56.8% për ato të korrupsionit të vogël.

Në aspektin e transparencës dhe përgjegjshmërisë, më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë se qeveria qendrore (59%) dhe bashkitë (60.2%) janë jotransparente, ndërsa përkatësisht 62.7% dhe 59.3% i konsiderojnë ato si të papërgjegjshme.

Gjatë qeverisjes së PS-së, qeveria e Ramës ka ndërmarrë hapa agresivë në drejtim të privatizimit të pasurive publike, ka derregulluar tregun për investimet e huaja dhe ka sulmuar sindikatat, praktika këto ideologjikisht të djathta. Partia, të cilën e udhëheq ai, është akuzuar vazhdimisht për ndërtim të një sistemi që favorizon praktikat e asociuara me kapitalizmin e egër neoliberal me pasoja margjinalizuese për shtresën e mesme dhe atë të varfër.

Arlind Qori dhe Sofokli Meksi, të dy mësimdhënës në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, në librin e tyre “The Albanian Limbo – From Bureaucratic Socialism To Neoliberal Capitalism” (në shqip: “Pezull shqiptar — nga socializmi burokratik te kapitalizmi neoliberal) të vitit 2023, shkruajnë që PS e percepton veten si një parti modernizuese dhe efikase ultra-kapitaliste, me politika agresive në proceset e gjentrifikimit dhe në disiplinimin fiskal të shtresave të varfra, por me favore për “borgjezinë e madhe”. Qori është kryetar i Lëvizjes Bashkë, parti politike e së majtës në Shqipëri.

Po në këtë libër, Qori dhe Meksi thonë që dy partitë më të mëdha në Shqipëri –– PS dhe PD –– pavarësisht dallimeve, kanë pasur të përbashkët mbështetjen nga oligarkia, e cila është bërë jetike për të dyja.

PD ishte themeluar në vitin 1990, në periudhën kur komunizmit në Shqipëri po i vinte fundi. Që atëherë, kjo parti ishte në pushtet për 13 vite në dy periudha të ndryshme. Viteve të fundit, PD ka kaluar një periudhë me trazira dhe fragmentime të thella. E para ishte ndarja midis kryetarit të atëhershëm të partisë, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit dhe themeluesit të PD-së, Sali Berisha, në vitin 2021, kur Basha e kishte përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, pasi Departamenti amerikan i Shtetit e kishte shpallur Berishën person non-grata me pretendime për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Këto përçarje qartazi e dobësuan PD-në, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 mori vetëm 59 nga 140 mandate të mundshme në kuvend. Që nga qershori i vitit 2024, PD sërish drejtohet nga ish-kryeministri Berisha, i cili fitoi të drejtën për udhëheqësi të partisë në gjykatë përderisa Basha u largua dhe formoi partinë e re të quajtur Demokratët Euroatlantikë. 

Përgjatë këtyre viteve të mbizotërimit të PS dhe PD në skenën politike të Shqipërisë janë shfaqur parti të tjera të reja, por që kanë qenë kryesisht të formuara nga figura të vjetra, që nuk e kanë sfiduar kontekstin e vjetër

Karshi një PD-je të dobësuar, në një peizazh politik të dominuar gjatë nga këto dy parti si forcat kryesore politike të vendit, Rama dhe partia e tij u shndërruan në klasë politike aq të rrënjosur — në një establishment — që shihej si gjithnjë e më vështirë i cenueshëm. Hasa e përshkruan PS-në si “jo thjesht partia më e fuqishme në Shqipëri” por edhe që “de facto, momentalisht i përgjan partisë-shtet”.

Përgjatë këtyre viteve të mbizotërimit të PS dhe PD në skenën politike të Shqipërisë janë shfaqur edhe parti të tjera të reja, por që kanë qenë kryesisht të formuara nga figura të vjetra, që nuk e kanë sfiduar kontekstin e vjetër. Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, që do të mbahen këtë të dielë, më 11 maj, disa lëvizje e parti kanë arritur të imponojnë diskursin e tyre në mënyrë më efektive, si rrallëherë më parë. Ato përbëhen nga figura të reja, të cilat nuk kanë qenë më parë pjesë e institucioneve qendrore.

Duke u përpjekur që të sjellin alternativë për votuesit, ato kanë filluar të përbëjnë një kërcënim jo vetëm për establishmentin e Ramës, por edhe të tërë skenës politike të dominuar nga dy parti që 34 vjet që prej rënies së komunizmit dhe instalimit të demokracisë institucionale.

Sistemi zgjedhor në Shqipëri

Shqipëria përdor sistem proporcional përfaqësimi për të zgjedhur anëtarët e kuvendit, i cili ka 140 ulëse.

Vendi është i ndarë në 12 njësi zgjedhore sipas qarqeve administrative. Çdo njësi merr një numër mandatesh në bazë të popullsisë. Votuesit/et hedhin një votë për një parti politike, jo për kandidatë/e individualë/e, megjithëse mund të shprehin edhe një preferencë për një kandidat/e nga lista e partisë (sistemi me lista gjysmë të hapura).

Mandatet në çdo njësi ndahen sipas metodës D’Hondt, një formulë matematikore që favorizon zakonisht partitë më të mëdha.

Brenda listës së një partie, kandidatët/et me më shumë vota preferenciale kanë përparësi për të fituar mandatin në krahinën përkatëse. Kjo u jep votuesve ndikim në zgjedhjen e individëve që duan t’i kenë në kuvend.

Reformat e fundit, të bëra në vitin 2020, hoqën koalicionet parazgjedhore dhe bënë listat gjysmë të hapura, duke u dhënë votuesve më shumë ndikim në përzgjedhjen e deputetëve, mirëpo duke ruajtur kontrollin e partive mbi renditjen fillestare të listës.

Zëra të rinj në sipërfaqe

Dy prej subjekteve që posaçërisht kanë tërhequr vëmendje gjatë kësaj fushate zgjedhore janë Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë. Matjet e opinionit publik sugjerojnë që këto nisma do të arrijnë të hyjnë në kuvend në këto zgjedhje.

Një nga partnerët e koalicionit Shqipëria Bëhet –– e përbërë formalisht nga katër grupe politike –– është Nisma Thurje, një lëvizje e themeluar në vitin 2014 që u regjistrua si parti politike në vitin 2021, për të garuar në zgjedhjet parlamentare të atij viti. Dy vjet më vonë, në zgjedhjet lokale, Nisma Thurje fitoi mjaftueshëm vota për pesë ulëse të kuvendeve të bashkive të Tiranës, Korçës, Mirditës dhe Kukësit.

Nisma Thurje e fitoi popullaritetin fillestar përmes protestave kundër korrupsionit dhe iniciativave për reforma ligjore në ligjin për zgjedhjet. Një arritje e rëndësishme ishte fushata e saj e suksesshme për ndryshime kushtetuese dhe reforma zgjedhore në korrik të vitit 2020, e cila u mbështet nga mbi 50,000 qytetarë/e përmes një peticioni.

Si rezultat, sistemi zgjedhor në Shqipëri pësoi ndryshime, duke mundësuar një sistem të kombinuar me lista të hapura dhe të mbyllura, duke ua dhënë pjesërisht votuesve mundësinë që të zgjedhin përbërjen e kuvendit. Tjetri ndryshim ndërlidhet me Kodin Zgjedhor në vitin 2020, që nuk u lejon partive të garojnë më me lista të përbashkëta.

Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, kërkon të bëhet deputet nga lista e partisë në qarkun e Tiranës. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Megjithatë, subjektet politike mund të bashkëpunojnë politikisht duke krijuar një subjekt të përbashkët ose duke u organizuar rreth një partie ekzistuese. Ky është edhe rasti me nismën Shqipëria Bëhet –– nën ombrellën e së cilës, pos Nisma Thurje, janë edhe Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë (PLDSH) dhe Lëvizja e Legalitetit (PL); ajo funksionon si bashkim politik brenda një strukture të vetme zgjedhore, ku grupime të ndryshme veprojnë së bashku nën emrin dhe listën e një partie të vetme, pa qenë një koalicion formal.

Ndërkohë, Lëvizja Bashkë, që drejtohet nga Arlind Qori, kishte qenë lëvizje me bazë në komunitet e së majtës radikale, që njihej me emrin Organizata Politike (OP), e cila kryesisht ishte ngjizur gjatë protestave të vitit 2015 kundër ligjit për arsimin e lartë. Asokohe, studentë/e të fakulteteve të ndryshme të Tiranës kishin protestuar para Kryeministrisë për të kundërshtuar Reformën në Arsimin e Lartë, të nisur nga qeveria Rama, e cila prezantoi një model konkurrues të financimit, duke i vendosur universitetet publike dhe private në të njëjtin nivel. Kjo reformë u perceptua nga studentët si një hap drejt komercializimit të arsimit, duke rrezikuar të dëmtojë universitetet publike, që tashmë përballeshin me infrastrukturë dhe burime të pamjaftueshme. Një valë tjetër protestash në vitin 2018 çoi në disa lëshime të vogla nga ana e qeverisë, por ato u konsideruan të pamjaftueshme nga studentët.

Pas gati një dekade aktivizmi, OP u shndërrua në parti më 2022, edhe duke u mbështetur në popullaritetin që e fitoi përmes protestave të ndërlidhura me grupe shoqërore të caktuara, si studentët, minatorët dhe pensionistët. Ajo është e orientuar ideologjikisht si e majtë demokratike. Për herë të parë mori pjesë në zgjedhje të nivelit lokal, më 2023, ku Qori mori 4.77% të votave si kandidat për kryetar të bashkisë, ndërsa subjekti i tij siguroi një ulëse në Këshillin e Bashkisë së Tiranës.

“Ne nuk është që e rrezikojmë klasën e vjetër politike sepse kemi ndonjë aftësi të veçantë”, thotë Shabani. “Thjesht e rrezikojmë sepse njerëzit presin alternativë përballë të vjetërve".

Edhe Endrit Shabani, kryetari i Nisma Thurje, ishte pjesë e kandidatëve të partisë së tij, të cilët siguruan votat për mandat këshilltari për bashkinë e Tiranës më 2023. Përderisa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Nisma Thurje nuk e kishte kaluar pragun, kësaj here Shabani e sheh potencialin e partisë së tyre në lodhjen e përgjithshme të shoqërisë me klasën ekzistuese politike në Shqipëri.

“Ne nuk është që e rrezikojmë klasën e vjetër politike sepse kemi ndonjë aftësi të veçantë”, thotë Shabani. “Thjesht e rrezikojmë sepse njerëzit presin alternativë përballë të vjetërve. Ata [klasa e vjetër politike] paraqesin veten si fakt natyror të pandryshueshëm. Ti nuk e mendon si do ta rrëzojmë malin ose ta ndalim tërmetin sepse e pranon që është fakt natyror. Këtë mund ta bëjnë vetëm nëse nuk ka alternativë”.

Nisma Thurje është bashkuar me nismën Shqipëria Bëhet për të garuar në zgjedhjet e 11 majit. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërkohë, Lëvizja Bashkë ka paraqitur gjatë fushatës zgjedhore një program që përbën orientimin politik dhe vizionin e kësaj lëvizjeje për ndryshimet që ata synojnë t’i bëjnë në Shqipëri. Në qendër të programit janë katër shtylla –– shteti zhvillimor, shteti social, shteti i së drejtës dhe pjesëmarrja demokratike –– me bujqësinë, industrinë, formën e re të taksimit progresiv dhe pensionet, që shquhen si elemente të një rëndësie më të madhe në kuadër të vizionit të tyre.

Bora Mema, aktiviste dhe kandidate për deputete nga kjo parti në qarkun e Tiranës, e sheh rrugëtimin e Lëvizjes Bashkë të pandarë me përvojën e tyre si organizatë aktiviste.

“Edhe në parlament rrugëtimi ynë do të jetë i ngjashëm”, thotë ajo. “Do të jemi edhe deputetë, por edhe aktivistë në rrugë. Do ta kemi gjithnjë një këmbë në institucione dhe një këmbë në rrugë”.

Bora Mema, aktiviste dhe kandidate e Lëvizjes Bashkë, thotë që partia e saj nuk do të pranojë të bëjë kompromise në rrugëtimin e tyre politik. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërkohë, sipas programit elektoral, koalicioni Shqipëria Bëhet e konsideron veten si një forcë politike të qendrës së djathtë. Sipas Gresa Hasës, udhëheqësi i këtij koalicioni, Adriatik Lapaj, ideologjikisht i përket së djathtës, me një “retorikë populiste, konservatore e nacionaliste”, kurse partnerin e tij të koalicionit, Nisma Thurje, Hasa e konsideron të pozicionuar si një alternativë të moderuar ndaj partive tradicionale.

Përgjatë fushatës zgjedhore, në Shqipëri është përmendur vazhdimisht mundësia që partitë e reja të bashkohen mes vete për të krijuar një front më të fortë opozitar, si dhe për të rritur mundësinë e maksimizimit të fuqisë së votës në një sistem zgjedhor të përfaqësimit proporcional me disa zona zgjedhore. Kësisoj u formësua Shqipëria Bëhet, duke mbledhur rreth saj katër subjekte të ndryshme dhe duke u regjistruar si një njësi garuese. Shabani shpjegon që ai dhe udhëheqësi i koalicionit, Lapaj, kanë dallime në pikëpamje ideologjike, por që synimi i tyre është tjetërkund për momentin.

“Brenda koalicionit kemi qasje të ndryshme: unë jam më liberal se Lapaj, që është më konservator, por këto janë diskutime që unë mendoj që tani janë të parakohshme sepse betejën e kemi nga poshtë-lart –– njerëzit e zakonshëm përballë një elite që është çimentuar lart”, thotë Shabani.

Në anën tjetër, Lëvizja Bashkë rrugëtimin e saj e sheh si e vetme. Ata nuk kishin pranur të garonin me koalicionin Shqipëria Bëhet, dhe edhe pas zgjedhjeve nuk e shohin partinë e tyre t’i bashkohet asnjë grupimi politik.

"Duam të vijmë në pushtet për të pasur potencial transformues”, thotë Mema.

“Ne nuk besojmë që Lëvizja Bashkë rritet me kompromis”, thotë Mema. “Përkundrazi, ne besojmë që arma jonë e fortë për t’u rritur dhe për t’u dhënë shpresë njerëzve ka për të qenë pikërisht kjo, mosbërja e kompromiseve. Duam të vijmë në pushtet për të pasur potencial transformues”.

Një tjetër risi në këto zgjedhje është edhe për vetë PD-në. Pas ndarjes fillestare ndërmjet Bashës e Berishës, më 2023, PD u u fragmentua tutje nga dalja prej partisë e dy figurave të rëndësishme, Agron Shehaj dhe Enkelejd Alibeaj, të cilët në këto zgjedhje garojnë me partitë e tyre. Shehaj, ish-deputet i PD-së ka formuar partinë Mundësia, ndërsa Alibeaj, ish-ministër i drejtësisë dhe deputet, ka formuar dhe drejton partinë Djathtas 1912.

Mbetet të shihet nëse këto dy parti do të marrin mbështetje nga elektorati tradicional i demokratëve.

Një shkundje e klasës së vjetër politike? 

Për dallim nga fushatat e mëparshme zgjedhore, kjo e zgjedhjeve të 11 majit po ashtu shënoi një ndryshim në qasjen e Ramës ndaj subjekteve opozitare. Përderisa më parë, Rama nuk përmendte kandidaturat e reja në paraqitjet publike, duke mos i konsideruar ato si kërcënime serioze për pushtetin e tij, gjatë kësaj fushate ai shpeshherë iu është referuar duke sugjeruar që ka filluar ta shohë me sy tjetër kandidimin e tyre.

Për më tepër, gjatë tërë fushatës, posaçërisht Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë janë përballur edhe me sulme verbale të vazhdueshme nga që të dyja, edhe PS, edhe PD. 

Gjatë një tubimi zgjedhor në qytetin e Skraparit, Rama tha: “Janë disa zogj të vegjël që kanë dalë. Jo mundet, jo s’mundet, jo bashkë, jo veç. Ta bëjnë detin kos dhe këtu nuk do ketë më korrupsion, nuk do ketë më padrejtësi. Nuk do ketë më çmime të larta, nuk do ketë më asgjë. Jepini votën që të kapin ndonjë karrige në parlament. Thonë ne jemi të rinjtë. Të rinj janë vetëm në moshë”.

Figurat e reja që garojnë në këto zgjedhje kanë arritur të përçojnë narrativën e tyre në diskursin politik në Shqipëri, duke u bërë alternativë ndaj partive të mëdha. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Shabani nga koalicioni Shqipëria Bëhet i sheh këto fjalë të Ramës si strategji të tij për të legjitimuar sulmet.

“Kur Rama del dhe të sulmon, drejtori i shkollës, inspektori, ministri, deputeti, kryetari i degës, kryetari i bashkisë, marrin mesazhin që ky është armiku që duhet penguar”, thotë Shabani. “Për shembull, ishim në Elbasan, na hoqën dritat, e lanë gjithë bulevardin në errësirë totale vetëm që të na prishte aktivitetin. Nuk ka nevojë t’i thotë Rama atij që ta bëjë atë gjë, ai e merr mesazhin nga Rama që këta janë armiqtë. Kur këtë nuk e thotë Rama, por vetëm analistët, ngelet një opinion që shkon te votuesi, por kur e thotë Rama mobilizon të gjithë armatën për të t’u vënë kundër”.

Për Enton Abilekaj, kryeredaktor i portalit dosja.al, platformë e pavarur mediale në Shqipëri, sulmet e artikuluara personalisht nga Rama ndaj këtyre partive tregojnë që ai e ndjen rrezikun prej tyre.

“Rama është matësi më i madh i publikut”, thotë ai. “Ai e kuptoi që kishte shumë vëmendje ndaj partive të reja këtë radhë, që kryesisht erdhën përmes protestave për çështje sociale, lidhur me studentët dhe pensionistët; ai e kuptoi që këta nuk mund t’i shpërfillë më. Më pas edhe premtoi gjërat e njëjta që partitë e vogla thoshin që duhej bërë”.

Kryeredaktori i portalit dosja.al, Enton Abilekaj, e sheh si të rëndësishme që figurat e reja të arrijnë të hyjnë në kuvend pas këtyre zgjedhjeve. Fotografia Atdhe Mulla / K2.0.

Abilekaj u referohet protestave të pensionistëve, të organizuara nga Lëvizja Bashkë gjatë çerekut të fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025, ku kërkohej rritje e pensioneve dhe indeksim. Protestat bënë që pensionistët, që janë rreth 800,000 persona, të faktorizohen si grup i rëndësishëm shoqëror para zgjedhjeve të muajit maj. Kryeministri Rama, në mbledhjen e kuvendit ku diskutohej projektbuxheti për vitin 2025, reagoi ndaj protestave duke premtuar bonuse për pensionistët. Përgjatë 12 viteve të qeverisjes së tij, Shqipëria vazhdon të jetë prej vendeve me pensionin më të ulët në Evropë. 

Njohës të rrethanave politike vlerësojnë që këto parti do të arrijnë të marrin së paku nga një deputet në këto zgjedhje, që do të shënonte një fazë të re edhe për to si parti.

Duke marrë parasysh sistemin e komplikuar zgjedhor dhe ndryshimet e vazhdueshme demografike, sondazhet në Shqipëri nuk kanë arritur ende një nivel të kënaqshëm të besueshmërisë. Megjithatë, njohës të rrethanave politike vlerësojnë që këto parti do të arrijnë të marrin së paku nga një deputet në këto zgjedhje, që do të shënonte një fazë të re edhe për to si parti –– që asnjëherë më parë nuk kanë qenë të përfaqësuara në nivel qendror.

Ngashëm mendon edhe Hasa. “Paçka se ato nuk do ta cenojnë dominimin e partive të vjetra, së paku jo menjëherë, prapëseprapë [partitë e reja] do të krijojnë një thyerje simbolike e do të përbëjnë një sfidë ndaj legjitimimit të partive të vjetra, duke shërbyer si pasqyrë e mungesës së reformave strukturore dhe pakënaqësive shoqërore”, thotë ajo.

Abilekaj e sheh përfshirjen potenciale të këtyre partive në kuvend të rëndësishme përtej diskutimeve ideologjike. Ai merr shembull ish-deputetin Ben Blushi, i cili kishte qenë deputet i PS deri në vitin 2016, kur e kishte braktisur atë parti dhe kishte vazhduar si deputet i pavarur.

“Në vitin që Ben Blushi ishte deputet i pavarur, ne pamë ç’do të thotë të kesh një zë të ri në parlament”, thotë Abilekaj. “Ai godiste të dyja palët, ishte kundër establishmentit, ishte më interesanti në parlament. Këtë vit kemi disa tentativa dhe është hera e parë që parti të reja pritet të futen në parlament. Është duke u thyer akulli i establishmentit”.

Lëvizja Bashkë, që u regjistrua si parti politike në vitin 2022, garon për herë të parë në zgjedhje parlamentare. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Në librin e tyre, Qori dhe Meksi, e shohin establishmentin e themeluar prej dekadash si të formësuar nëpërmjet një konvergjence ideologjike mes PS-së dhe PD-së karshi strukturave ekonomike. Përderisa për të dyja partitë, kapitalizmi dhe neoliberalizmi ishin dhe mbeten të pakontestuara, qëndrueshmëria e të dyja forcave politike bazohet në klientelizëm dhe shërbimet që u ofrojnë oligarkëve ekonomik.

“Kështu, ato e ulin koston e humbjes së pushtetit duke ndihmuar njëra-tjetrën për të siguruar fonde nga oligarkët dhe duke mos ndjekur penalisht njëra-tjetrën, pavarësisht akuzave të forta për korrupsion që shkëmbejnë vazhdimisht”, shkruajnë ata.

Pikërisht këtë marrëdhënie transaksionale, zërat e rinj në politikë kanë potencial ta ndryshojnë. Përderia performanca e tyre nuk pritet të shkaktojë transformim rrënjësor të mënjëhershëm, hyrja në kuvend mund të sjellë forma të reja diskutimi e llogaridhënieje, si dhe t’i japë vendit një rast për ripërtërirjen e skenës politike.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.