Biseda | Politika

Ece Temelkuran: Hapësira demokratike po shkrihet po aq shpejt sa akullnajat

Nga - 04.02.2022

Shkrimtarja turke flet për demokracinë, autokracinë dhe kurat për shoqërinë.

E përshkruar si një “shkrimtare e mrekullueshëm e punkut” që “kërkon vëmendje”, Ece Temelkuran është një nga mendimtaret më të lavdëruara dhe të shquara në Evropë sot.

Me 12 libra në emër të saj, ajo është një gazetare dhe komentatore e njohur politike, e cila mori vëmendjen ndërkombëtare pasi u pushua nga puna në një gazetë në Turqi, pasi shkroi kritika për qeverinë. Megjithatë edhe sot konsiderohet si një nga gazetaret turke më me ndikim dhe dy herë u shpall si kolumnistja më e lexuar politike në vend. Ajo ka shkruar për gazetat turke Milliyet dhe Habertürk, dhe që atëherë ka publikuar gjerësisht në The Guardian, Le Monde Diplomatique, The New York Times dhe media të tjera ndërkombëtare.

Shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood e përshkroi librin e vitit 2019 të Temelkuran “Si të humbasësh një vend: 7 hapat nga demokracia në diktaturë”, si “thelbësor”. Në këtë libër, Temelkuran eksploron rritjen e populizmit të krahut të djathtë, tregon se si funksionon dhe paralajmëron rreth shenjave të para të rënies së demokracisë. Libri i saj i fundit, i botuar në vitin 2021, “Të bashkuar: 10 zgjedhje për një të tashme më të mirë”, paraqet një sërë zgjedhjesh shpresëdhënëse që njerëzit mund t’i bëjnë për t’u ballafaquar me problemet me të cilat përballet bota sot.

Gjithashtu, është noveliste e suksesshme, veprat e së cilës janë botuar në shumë gjuhë. Romani i saj “Gratë që fryjnë në nyje”, i pari nga romanet e saj që u përkthye në gjuhën angleze, mori Çmimin e Librit të Parë në Festivalin Ndërkombëtar të Librit në Edinburg në vitin 2017. 

Nën presionin e qeverisë, Temelkuran vendosi të largohej nga Turqia dhe sot jeton dhe punon në Kroaci. Përmes Zoom, K2.0 bisedoi me Temelkuran për rënien e demokracisë në mbarë botën, kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes dhe burimet e shpresës.

Foto: Arkivi i Ece Temelkuran.

K2.0: Po e ndjej si obligim të filloj duke e përmendur gazetarin e shquar turk Sedef Kabaş i cili u burgos pasi bëri deklarata ofenduese ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Në të njëjtën kohë, në Evropë po e ndjekim sagën e Julian Assange. Këto raste janë të ndryshme, por të dyja lidhen me lirinë e medias, lirinë e fjalës dhe të drejtën për të vërtetën. A duhet të shqetësohemi për kërcënimet ndaj këtyre lirive dhe të drejtave?

Ece Temelkuran: Është mëse shqetësuese sepse ka pasur valë burgimesh, veçanërisht për gazetarët turq. Dhe kjo ka vazhduar për një kohë kaq të gjatë, me shumë raste. Fatkeqësisht, njerëzit — ata që janë politikisht aktivë dhe të angazhuar me çështjet e lirisë së shprehjes — janë ende duke e ndjekur situatën, por të tjerët, jo dhe aq. Mendoj se kjo është për shkak se, para së gjithash, njerëzit janë të zënë duke mbijetuar për shkak të krizës ekonomike në Turqi për momentin. Kushtet e jetesës janë mjaft të rënda dhe njerëzit po e zhvillojnë një mpirje ndaj rasteve të tilla.

Turqia kurrë nuk ka qenë parajsë për lirinë e shprehjes, natyrisht. Por veçanërisht dhjetë vitet e fundit kanë qenë mjaft të vështira. Dhe po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Mendoj se ekziston një normalizim në zhvillim, thënë kështu, sepse këto raste, të njëpasnjëshme, i kanë lodhur njerëzit dhe e kanë ulur interesimin. Dhe normalizimi i burgosjes së gazetarëve nuk ka ndodhur brenda një dite. Në fakt u deshën më shumë se dhjetë vite. Dhe u bënë aq shumë raste sa disi u bë normale, thënë ashtu. Fatkeqësisht.

Propaganda për Julian Assange është mjaft e suksesshme, kështu që njerëzit nuk e perceptuan atë si çështje të lirisë së shprehjes, por më tepër si një rast spiunazhi.

Ndërsa në terme globale, i njëjti gabim po bëhet edhe në botën perëndimore. Jo shumë njerëz mendojnë se interesimi për Julian Assange, mbështetja, përcjellja e këtij rasti, është e rëndësishme për lirinë e shprehjes. Propaganda për Julian Assange, mendoj, është mjaft e suksesshme, kështu që njerëzit nuk e përceptuan atë si çështje të lirisë së shprehjes, por më tepër si një rast spiunazhi.

Është shumë trishtuese sepse këto llogore, thënë ashtu, llogore në luftën për lirinë e demokracisë… kur humb një llogore, bëhet edhe më keq, sulmi sa shkon e thellohet. Mendoj se njerëzit nuk janë njëmend të vetëdijshëm se në qoftë se ajo llogore humbet, nëse kalohet ai prag, hapi tjetër është më i lehtë për regjimet autoritare, për populistët e krahut të djathtë dhe hapi tjetër, dhe është shumë më vështirë të mbrohet pragun tjetër.

Po përpiqem t’u tregoj njerëzve, veçanërisht audiencës perëndimore, për këto regjime populiste të krahut të djathtë, regjime autoritare. Mund ta shohin prej Turqisë, kur pothuajse humbi gjithçka sa i përket lirisë së shprehjes, mjeteve demokratike e kështu me radhë. Në vitin 2013 ndodhi një kryengritje masive në Turqi, por deri atëherë pati përkeqësim gradual të situatës. Dhe shoqëritë e kanë zakon mos t’i vërejnë ata hapa kur u ndodh atyre.

Është dërrmuese tek e sheh, posaçërisht pas asaj që përjetuam në Turqi. Është dërrmuese ta shikosh pothuajse të njëjtën gjë tek ndodhë përsëri në vende të tjera, veçanërisht në vendet perëndimore, të cilat preferojmë t’i shohim si parajsë për lirinë e shprehjes.

Ju paralajmëroni për këtë në librin tuaj, por nuk duket se njerëzit po e kuptojnë mesazhin. Tani jetoni në Ballkan, i cili e sheh BE-në sikur të jetë burimi i demokracisë dhe se rajoni do të shpëtohet me anëtarësimin në BE. Por zgjedhjet e ardhshme në disa vende të BE-së mund të përshpejtojnë probleme të mëdha. Si ndikojnë të gjitha këto në Ballkan, përfshirë Turqinë?

Dje e pashë një tweet dhe në fakt komentova dhe shpërndava. Jemi në një kohë ku gjithçka është normalizuar. Një djalë nga Ukraina po shkruante në anglisht duke pyetur audiencën globale dhe tha diçka si, padyshim, do të ketë luftë, kështu që a mund të më tregojë ndokush se çfarë të bëj kur të nisë luftë, si të veproj në përditshmëri, cila është gjëja e parë që duhet ta bëjmë? Dhe pastaj një djalë nga një vend afrikan, i thoshte bëje këtë, ndërto një stacion radioje në lagje dhe më pas bleje këtë e kështu me radhë. Dhe pastaj mendova, ky është shekulli XXI dhe njerëzit në shkallë globale po i ndajnë njohuritë për një luftë që mund të ndodhë nesër? Dhe në fakt tani po flasim rreth saj çdo ditë, diçka që është e pabesueshme për mua.

Pra, në kontekstin e BE-së, po, është po ashtu e natyrshme që po shikojmë drejt BE-së, sepse i kanë premtuar botës, këtyre vendeve, këtij entiteti, se do ta mbajnë gjithmonë nivelin e lartë moral kur bëhet fjalë për demokracinë, lirinë e shprehjes, të drejtat individuale, e kështu me radhë. Padyshim se ne po mbahemi pas atij premtim. Por pastaj duart tona do të rrëshqasin, thënë ashtu, kur po përpiqemi të kapemi pas atij premtimi.

E kemi parë të ndodhë disa herë, veçanërisht që nga pushtimi i Irakut. Tash, aq dramatike sa atëherë, po e shohim atë me krizën e refugjatëve. Dhe prapë, po shohim se mund të ketë luftë. Është kaq e frikshme, sepse kur e shikon krizën politike, krizën ekonomike dhe gjithçka tjetër, të gjitha këto grupime krizash, e di se kriza të tilla menaxhohen përmes luftërave në sistemin kapitalist. Kështu që bëhesh vërtet nervoz. Dhe të gjithë hezitojmë kur bëhet fjalë për besimin në vlerat e premtuara të Bashkimit Evropian në këtë pikë. Është tejet dërrmuese sepse jemi mësuar ta vendosim Bashkimin Evropian si yllin verior të vlerave, standardeve demokratike e të tjera.

Keni frikë nga BE-ja e ardhshme dhe çfarë mund të sjellë për të gjithë ne?

A e di çka? Nganjëherë mendoj se për shkak të ngrohjes globale, toka e banueshme po pakësohet. Po bëhet gjithnjë e më e vogël. Në të njëjtën kohë, për shkak të krizave politike, edhe toka demokratike po shkrihet, pra po bëhet gjithnjë e më e vogël. Kjo është arsyeja pse Jugu global po hidhet në ujë, duke kërcyer në Mesdhe, duke u përpjekur të notojë drejt veriut. Megjithatë po, hapësirat demokratike po shkrihen po aq shpejt sa akullnajat në Siberi.

Zgjedhjet në Turqi po afrojnë. Disa njerëz thonë se ka mundësi që të ndodhë një ndryshim i qeverisë. Nga perspektiva boshnjake, nuk është e lehtë ta ndryshosh një shoqëri që është formuar nga fuqitë që i kanë kontrolluar gjërat për kaq shumë kohë. Nëse një ndryshim i udhëheqjes ndodh në Turqi, sa kohë do t’i duhet shoqërisë për ta transformuar veten në diçka ndryshe apo më të mirë?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë, të cilën e kam menduar edhe unë. Kjo është arsyeja pse e shkrova “Të bashkuar”. Sepse, mendoj se pas një kohe, regjimet autoritare krijojnë një transformim moral në një shoqëri që shkon më thellë se çdo lloj transformimi politik, e që nuk është i lehtë për t’u rikthyer. Prandaj, duhet të mendojmë për shkallën e transformimit që na duhet në kuptimin më të gjerë, edhe në atë moral.

Në këtë kuptim, Turqia është vend shumë interesant. E kemi aftësinë e jashtëzakonshme të përshtatjes.

Kam dy përgjigje. Do të na duhen dekada dhe do të na duhen pesë minuta. Sepse varet edhe nga ky zeitgeist, si të thuash, kur ndodh ndryshimi politik, papritur njerëzit mund të përshtaten me këtë dhe të bëhen vetja e tyre më e mirë. Kjo mund të ndodhë, dhe e di se mundet sepse ndodhi në vitin 2013, gjatë kryengritjes së Gezi. Papritmas, njerëzit ishin vetja e tyre më e mirë. Ndodhi shumë organikisht, shpejt dhe pa asnjë marrëveshje apo negociata. Veç ishte aty, ka unitet drejt të qenit vetja jonë më e mirë, jo vetëm politikisht, por edhe moralisht.

Kështu që mund të duhen pesë minuta. Mund të duhen dekada. Varet edhe nga fuqia e ndryshimit të protokollit. Nëse ndryshimi politik që shpresojmë ta shohim në vitin 2023 është mjaftueshëm i fuqishëm për ta zhvilluar një fushatë mbarëkombëtare për ripajtim, për të hequr qafe korrupsionin në sistemin politik, mund të ndodhë.

Në këtë kuptim Turqia është një vend shumë interesant. E kemi aftësinë e jashtëzakonshme të përshtatjes. Është e koduar në kodet gjenetike të popullit turk. Qindra vite jetese në një tokë që është si një urë. Të gjithë e kaluan. Pra, është kjo njohuri e thellë, mendoj unë, e koduar tek të gjithë ne se edhe kjo do të kalojë. Dhe është gjithmonë mahnitëse ta shohësh se si turqit mund të përshtaten me situatën e re, me situatën e re politike. Kështu që po shpresoj se shteti i ri politik dhe më demokratik do të jetë po aq i lehtë për t’iu përshtatur sa ai i mëparshmi.

Një shtet në të cilin ju dhe njerëz si ju mund të ktheheni?

Po. Por së pari, më duhet të tregojë diçka. Nuk e përshkruaj veten si një mërgimtare dhe nuk jam e interesuar të flas për këtë për disa arsye. Por po, Turqia në këtë kuptim po ashtu është interesante sepse që nga themelimi i vendit, Republikës Turke, çdo 10 apo 20 vite njerëzit largohen nga vendi. Pra, nëse e imagjinoni Turqinë në një kuptim tjetër, harta e vendit në fakt shtrihet në të gjithë globin, sepse çdo brez i humbi disa nga anëtarët e saj çdo 20 vjet.

Kryesisht progresistët u përjashtuan, natyrisht. Por është ende aty. Vendi është ende aty.

Foto: Arkivi i Ece Temelkuran.

Ju thatë se ishulli i demokracisë po tkurret. Pothuajse kudo po ngjan e njëjta. Megjithatë, duhet të ketë një mënyrë për të rezistuar. Ju i përkisni grupit të njerëzve që mendojnë dhe flasin për përgjigje të ndryshme. Cilat janë mënyrat se si shoqëritë mund të rezistojnë dhe jo vetëm individët?

Po flisnim për këtë një ditë më parë, Brian Eno, Roger Waters, Yanis Varoufakis dhe disa të tjerë, dhe arritëm të pajtoheshim se ndonjëherë kriza, në një moment, e shndërron të paimagjinueshmen në të pashmangshme dhe jemi shumë afër këtij momenti krize. Dhe kur momenti i të pashmangshmes vjen, çfarë njerëzit përgjithësisht në histori bëjnë, i marrin disa nga idetë që kanë qenë deri atëherë dhe i vendosin në praktikë.

Mendoj se na duhet të mendojmë bashkërisht më shumë dhe të prodhojmë më shumë ide, sepse njëra nga ato ide do të përdoret kur kriza të ndodhë njëmend.

Së fundmi, filozofi Slavoj Žižek përmendi se kjo ide mund të jetë komunizmi.

Disa javë më parë e ndoqa një diskutim global, ta quaj ashtu, në një uebfaqe, ku thuhej diçka si kapitalizmi duhet transformuar e kështu me radhë, dhe një kompani mediale shumë e fuqishme e krahut të djathtë papritmas u inkuadrua dhe tha se Davos po e sjell komunizmin. Pra imagjinojeni se sa e madhe është frika, frika nga komunizmi, sa që edhe Davos-i fajësohet se është komunist.

Epo, po, mund të jetë në një formë të caktuar. Në një kuptim të caktuar, mund të jetë. Tani po e lexoj librin e David Graeber dhe David Wengrow “Agimi i gjithçkaje: Një histori e re e njerëzimit”. Komunizmi nuk është sistem që nuk është provuar më parë. Nuk po flas për Bashkimin Sovjetik apo historinë e afërt, por para kësaj, në kohët parahistorike, në kohët e lashta e kështu me radhë. Pra, po, mund të jetë.

Falë krizës së brezave ka edhe një ripërtëritje brezash në mendimin politik dhe perspektivën politike.

Është po ashtu çështje brezash, ata që u rritën gjatë Luftës së Ftohtë janë ende gjallë. Pra, frika nga socializmi dhe komunizmi është po ashtu e gjallë. Sepse papritmas, kur Bernie Sanders doli në skenën politike, fjala socializëm u bë më e kërkuara në Wikipedia në Shtetet e Bashkuara. Është shumë interesante, sepse kjo do të thotë se aty ka një fshirje masive të kujtesës, sikur të gjithë e harruan socializmin falë makinës propagandiste të Luftës së Ftohtë. Dhe tani ata po e rizbulojnë atë koncept dhe duket se për të rinjtë fjala nuk tingëllon aq e frikshme sa për brezin e mëparshëm.

Kështu që, falë krizës së brezave ka edhe një ripërtëritje brezash në mendimin politik dhe perspektivën politike, gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme. Dhe do të jetë shumë e rëndësishme. Do t’i jap tre deri në pesë vite kësaj, veçanërisht në Evropë, sepse të gjithë ata fëmijë që po politizohen tani përmes emergjencës klimatike do të jenë politikisht aktivë pas tre deri në pesë vjet. Atëherë mendoj se do të shohim diçka.

A e shihni këtë mundësi edhe në rajonin ku për momentin jetoni? Njerëzit këtu janë shumë pesimistë se ndryshimi është i mundur.

Fatkeqësisht, nuk e flas gjuhën dhe nuk po e përcjell politikën. Nuk është për shkak të rezervës sime që të mos flasë për politikën dhe rajonin. Por gjëja më e rëndësishme këtu deri tani, për të cilën kam lexuar në gazetat angleze, është platforma politike “Možemo”. Dhe ky është një eksperiment shumë interesant sepse, OJQ-zimi i progresistëve, politika majtiste e viteve 1990 tani po i kthehet politikës partiake. Pra, është diçka e madhe dhe është një eksperiment i diçkaje më të madhe se vetvetja, gjë që mund të jetë frymëzuese për vendet e tjera perëndimore ku të gjithë u larguan nga politika partiake.

Në Serbi, diçka e ngjashme po ndodh, e quajtur Moramo.

Nuk e mbaj mend kush e tha, po besoj se ishte një novelist serb, por më pëlqen ky citim. Ai thotë diçka të ngjashme si, kur Europa është e sëmurë, e shëron Ballkanin. E dimë se Evropa po sëmuret gjithnjë e më shumë dhe Ballkani mund të shërohet në çdo kohë.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Imazhi i ballinës: Arkivi i Ece Temelkuran

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.