Biseda | Hapësira Publike

Eljesa Beka: E kisha lënë Kosovën për mirë nëse nuk kish qenë Termokiss-i

Nga - 25.12.2018

K2.0 bisedon me dy nga organizatoret e Termokiss-it rreth vitit më të ngarkuar deri më tani.

Një objekt i braktisur mes lagjes Dardania dhe Emshir, është transformuar krejtësisht prej kur filloi të shfrytëzohej dy vite më parë.

I mbetur si i papërfunduar nga kompania për ngrohje Termokos dhe më vonë nën menaxhmentin e Komunës së Prishtinës, në korrik 2016 organizatat Toestand nga Belgjika dhe Info Quartier Mache nga Zvicra, së bashku me një numër të madh të qytetarëve lokal dhe aktivistë të kulturës nga Kosova, filluan ta revitalizojnë objektin.

E gjitha filloi si një ide për shfrytëzim dhe revitalizim të hapësirave publike për një komunitet të qytetarëve. Gjatë këtyre dy viteve, Termokiss është marrë përsipër dhe është transformuar në një shtëpi për shumë persona që dëshirojnë t’i ndajnë dituritë dhe eksperiencat e tyre me të tjerët dhe për të gjithë ata që kanë dëshirë dhe vullnet të sjellin ndryshim në shoqërinë.

2018 ka qenë një vit i mbarë për historinë e shkurtër të Termokiss-it; hapësira ka zhvilluar mjaft infrastrukturë për komunitetin të punojë brenda gjithë vitit dhe tani ka një kulm të ri, ngrohje, banjo dhe një kat të ri që synon të funksionojë si hapësirë bashkëpunuese. Gjithashtu ka qenë një vit ku ka pasur mbështetje nga donatorë, duke u dhënë mundësi për të inicuar ide më të mëdha, duke siguruar një staf që të organizojnë hapësirën dhe komunitetin në baza ditore dhe të sjellin gjallëri si brenda dhe jashtë.

Ky vit ka parë shumë aktivitete të klubeve të jetësuara të Termokiss-it, duke përfshirë klube për vetëmbrojtje, lojëra shah, poezisë, komedisë dhe filmit.

Termokiss gjithashtu ka vazhduar të organizojë aktivitete dhe festivale si “Krejt ka pak”, edicioni i tretë i së cilës është mbajtur këtë muaj.

Deri më sot, Termokiss është definuar nga diversiteti dhe bashkësia, me ndërimin e  konceptit të të mësuarit formal, duke u bashkuar për tu rritë individualisht dhe bashkarisht, për të dalë përtej sitgmave dhe paragjykimeve e mbi të gjitha shfrytëzimi i një hapësire që krijon dhe ndihmon në realizimin e ëndërrave dhe qëllimeve.

K2.0 bisedoi me dy nga organizatoret e komunitetit të kësaj hapësire, Erleta Morinën dhe Eljesa Bekën, rreth peripecive për të krijuar një hapësirë aktive, të sjellin Termokiss-in në lagje dhe duke e mbajtur komunitetin aktiv.

Në dy vitet e fundit, Termokiss-i është transformuar në një shtëpi për shumë persona që dëshirojnë të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre me të tjerët. Foto nga Termokiss.

K2.0: Këta muajt e fundit Termokiss-i ka mbajtur aktivitete të shumta dhe organizime të ndryshme kulturore. Si po e vlerësoni se ku keni qenë dhe në çfarë drejtimi keni punuar për të arritur ku jeni?

Erleta Morina: Prej fillimit kur është hapë Termokiss-i, jemi mundu me kriju një hapësirë sa më gjithëpërfshirëse dhe një hapësirë që ka qëllime të shumta, po që synon edhe me eduku gjenerata të reja dhe me i fuqizu ato. Infrastruktura ka qenë më shumë që me pas një hapësirë që mundet me i bë ato, po në të njëjtën kohë komuniteti jonë, gjithmonë ka qenë aktiv për me i mbërri ato qëllime; edhe në momentin që nuk e kemi pas vendin që ka mund me u përdorë gjatë dimrit, ku nuk kemi pas banjo ose nxehje.

Prapëseprapë, komuniteti jonë ka qenë aktiv dhe ka tentu me promovu jo veç te të rinjtë po te krejt moshat qytetarinë aktive. Krejt kjo për qëllim që me shty jo veç vendin tonë përpara, që thojnë shumë njerëz, po edhe krejt gjeneratat e mundshme dhe krejt njohuritë që i kemi me i shpërnda tek njëri-tjetri bashkë me njëri-tjetrin.

Eljesa Beka: Tash kemi nxehje, ujë, rrymë dhe infrastruktura u kry. Për disa sene që para një viti i kemi mendu me i kry tash veç janë fasilidu. Çka na duhet është veç me mbajtë vendin gjallë dhe me pru sa ma shumë njerëz. Nëse kemi punu në diçka, ka qenë me i përfshi krejt grupet e mundshme shoqërore që janë. Kemi punu në platformën e hapësirës edhe të komunitetit dhe jemi mundu që të dyjat me pasë vullnetarë dhe me shku senet qysh kanë shku deri tash.

Çka mundet me u konsideru Termokiss-i tash?

Eljesa Beka: Është një hapësirë alternative, një shtëpi e shumë njerëzve, personalisht e kam vërejtë sa mirë ka mujtë me i ndiku Termokiss-i një personit që nuk jeton në Prishtinë. Përveç njerëzve që jetojnë këtu edhe e kanë ma afër, ka njerëz edhe prej qyteteve tjera që iu ka bë shumë ma mirë se njerëzve lokal. Për mu është një shtëpi edhe ndoshta kam me përfundu tu thonë kështu gjithë, po ajo është çka ka me mbetë për mu.

Si e kishit përshkruar gjithë këtë proces të angazhimit të lagjes, që për juve edhe mbetet pjesë jetësore e punës? A ka ekzistu ndonjë paragjykim apo mosbesim nga banorët e lagjes për projektin e Termokiss-it, që e ka ndalu interaksionin me ta? Cila ka qenë sfida edhe çfarë ju ka befasuar më shumë?

Erleta Morina: Në fakt, kjo edhe ka qenë një prej sfidave që Termokiss-i e ka pasë prej fillimit. Kurrë nuk kemi dashtë me u distancu prej mahallës, se edhe si lokacion jemi mes Dardanisë dhe Emshirit, mes dy mahallave goxha të mëdhaja. Kurrë nuk kemi dashtë me qenë diçka që njerëzit kalojnë në rrugë, e kqyrin pak me sy dhe nuk e dinë çka është tu ndodhë brenda, po gjithë kemi dashtë mi pasë dyert hapur.

E çka kemi bë në këtë drejtim, që me i informu banorët se çka bëjmë edhe pse ata duhet me konsideru Termokiss-in si një vend që i përket edhe atyre ashtu qysh i përket krejt qytetarëve kemi platforma qysh edhe shumë njerëz e dinë që tash për tash është duke funksionu me klube edhe një prej atyre klubeve është dhe klubi i mahallës.

E me këtë klub kemi ndërrmarrë iniciativa të ndryshme që kanë ndodh në mahallë, kemi bë edhe takime me banorë të Emshirit dhe të Dardanisë, ku i kemi vetë se çka mendojnë për Termokiss-in, çfarë kritika kanë, qysh kishim mujtë me qenë ma të hapur për këta banorë. Edhe nxënësit e shkollës Dardania e shohin si diçka që mundën me ardh këtu edhe me ndejt, me mësu e çkado tjetër. I kemi marrë krejt kritikat dhe propozimet e tyre në konsideratë dhe bashkarisht me ata banorë kemi ndërmarrë iniciativa në Dardani po edhe në Emshir, ku i kemi adresu problemet që ata hasin.

Termokiss-i ka inkurajuar banorët  e lagjes që të përfshihen në aktivitete si ajo për pastrim, në mënyrë që të krijohet një ndjesi e komunitetit. Foto nga Termokiss.

Kanihere kemi bë lyerje në mahallë, aktivitete me fëmijë ku kemi vizatu komkacela nëpër rrugë, po ashtu janë sene shumë të thjeshta po ka qenë mobilizim i mahallës edhe ka ndodhë me anë të Termokiss-it. Çka ka qenë edhe ma e mirë, që Emshiri dhe Dardania janë marrë me problemet e njëri tjetrit. Ka ndodhë një bashkim i dy mahallave dhe prej atyre iniciativave që edhe tash e tutje vazhdojnë me ndodhë, kanë pru edhe njerëz të ri në Termokiss, e ma e rëndësishme është që ia kanë nisë njerëzit e kanë marrë hapin tjetër që me kuptu përnime që Termokiss-i është këtu për krejt.

Tash është shumë super me ardh në Termokiss dhe me i pa nxënësit e shkollës Dardania, tu lujtë ping pong ose tu qitë çaj ose çkado, e shoh që po ndihen rahat edhe e kanë një vend.

Zakonisht kur flasim për angazhim mes banorëve të lagjes, e jo vetëm në lagjen ku gjendet Termokiss, ka mungesë të angazhimit. Si ka qenë kur keni shkuar shtëpi për shëpi… derë për derë që t’i ftoni banorët në hapësirë dhe në aktivitetet e juaja?  

Erleta Morina:  Kjo ka qenë ndoshta njëra prej sfidave, sidomos me klubin e mahallës. Përveç qe nuk vishin njerëzit, ishin edhe pak apatik. E kemi pas një kontakt listë që i kemi thirrë në telefon edhe iu tregonim çka ka me ndodhë, hajdeni kur doni po nuk vishin. E çka kemi bë, është që nuk jemi ndal dhe ka ndodh brenda javës dy tri herë i kemi thirrë, mandej dikur kanë ardh.

Ka ndodhë që shumë shpesh me fllajera, me postera iu kemi shku njerëzve te dera edhe iu kemi thonë që kështu Termokiss-i e bën këtë, lirisht ndihuni te mirëseardhur. Do veç na e kanë mbyll derën, disa kanë qenë shumë të interesum, në fund veç e kemi pa që sidomos për këto iniciativa çka vynë me bë është veç me ja nisë.

E kemi pas një grup të banorëve që kanë qenë të interesum edhe çka kemi bë është që, veç ia kemi nisë me marrë iniciativa. Ka qenë një plato këtu te lagjia Dardania që ka qenë si e braktisur edhe aty kemi vendos me bë shume aktivitete, me pastru me ly, tash sa erdhëm prej platos sot i ngjitëm ulëset, shportat…

Eljesa Beka: Personalisht, nuk e kam ditë ndjenjën e komunitetit, deri para dy viteve kur ka ndodhë Termokiss-i. Nuk mundesh në të njejtën kohë me i fajësu banorët e lagjes përderisa nuk e kanë ndjenjën e komunitetit, as nuk dinë për konceptin e komunitetit. 20 vjet përpara veç prona private ka qenë pronë e shfrytëzueshme edhe nuk kanë mujtë me shfrytëzu dy metra ma larg saj kështu që ka qenë ndryshim nëse e mendon. Një ndryshim taman prej rrajës se kanë fillu edhe njerëzit me kuptu që është një hapësirë publike edhe në çfarë mënyre mundet mu përdorë.

Në fillim, për Termokiss-in ka pasur etiketime, si përshembull një vend për “drogaxhinjë” që është një etiketim i rrezikshëm për një vend për të rinjtë. Sa ka qenë e vështirë për Termokiss-in t’i tejkalojë disa etiketime dhe stereotipe?

Erleta Morina: Në fillim kur u revitalizu hapësira edhe pse na në ato javë nuk kemi qenë pjesë e Termokiss-it janë gjetë shumë shiringa dhe shumë sene tjera. Ka pasë një tendencë prej banorëve me mendu që tash njerëzit e njejtë janë tu ndejt në Termokiss. Ajo ka qenë prej ku ka lindë steriotipi, sidomos edhe prej banorëve të mahallës.

Pernime ka vyjtë veç njëherë me kalu andej dhe me thonë ‘hajt veç po kqyri çka ka brenda’ edhe veç me hi edhe me vërejtë që janë njerëz tu mendu sene inovative, ose na çka e definojmë si inovative dhe diçka që përnime dojmë me ndërru shoqërinë për të mirë edhe me qenë qytetarë aktiv  me i inspiru njerëzit e tjerë dhe gjeneratat që po vijnë me nda dituri e eksperienca, shkathtësitë që mandej bashkarisht me punu për vizionin e përbashkët. Krejt çka ka vyjtë është veç me ardh njerëzit edhe me pa që nuk është ashtu [si e kanë imagjinu].

Eljesa Beka: Vendi para dy viteve ka qenë një vend ku janë mbledh njerëzit me varësi dhe ka qenë shumë e dhimbshme. Nëse kemi mbërri për dy vjet me dhënë të kundërtën e asaj, atëherë edhe [personi i varur nga droga ose diçka tjetër] ka vend këtu. Kemi me synu me i’u ndihmu atyre njerëzve, është i hapur edhe për një njeri i cili ka nevojë për ndihmë.

Në fillim na kanë thirrë hipstera, na kanë thirrë drogirasha… e rëndësishme është që njerëzit mos me mendu atë më, se edhe nëse ka, prapë po e përsëris edhe nëse ka njerëz të varur nga droga kanë një hapësirë ku me ardh. Është një vend ku mujnë me ardh dhe me reflektu në veten e vet, po besoj që ajo nuk duhet me qenë çka njerëzit mendojnë për Termokiss-in.

Erleta Morina: Veç me ardh duhet edhe me pa çka është tu ndodhë dhe e dimë që ka me ju ndërru mendja. Forja është veç me ardh.

Një nga aktivitetet e klubeve të ndryshme të Termokiss-it është klubi për yoga dhe meditim. Foto nga Termokiss.

A mund të tregoni më shumë për klubet e Termokissi-it dhe qëllimeve të tyre? Cili është rezultati që e kanë sjellë deri më tash?

Erleta Morina: Klubet në Termokiss ia kanë nisë natyrshëm vitin e parë. Kemi qenë një grup goxha ma i madh i njerëzve edhe veç e kemi pa që shumë prej neve i kemi interesat e njejta.

Ndër të parët ka qenë klubi i filmit, se ka pasë entuziast të filmave dhe kanë dashtë me kriju klubin dhe me vazhdu me shfaq filma në baza javore ose edhe ditore. Tash per tash, klubet qysh i shohim, janë grupe të ndryshme të njerëzve që i kanë interesat e njejta dhe mandej në bazë të asaj mundohemi ato interesa e shkathtësi me i çu edhe te njerëzit e tjerë. Klubet që tash i kemi janë: klubi i çlirimit poetik, klubi i mahallës, klubi yoga dhe meditim, klubi i shahut, klubi i filmit ose produksionit të filmit, punëtoria muzikore, vetëmbrojtje, standup comedy club, edhe tash qe dy seanca kemi fillu me salsa…

Eljesa Beka: …edhe kushdo që don me ardh me bë një klub, a çkado, mundet me ardh me organizu qoftë si individ ose grup.

Erleta Morina: Esenca është jo veç me zhvillu aktivitete dhe me vazhdu me aktivitete, po edhe diturinë që dikush e ka me çu te njerëzit e tjerë dhe me i shkëmby eksperiencat edhe dituritë tona. Me mësu për senet që ndoshta në sistemin tonë të arsimit ose të edukimit nuk i mësojna.

"Termokiss-i nuk duhet me qenë diçka e veçantë, por diçka që është në çdo mahallë".

Erleta Morina, organizatore në Termokiss

Në një mënyrë, me promovu edukimin jo formal me anë të këtyre klubeve po edhe me anë të aktiviteteve të ndryshme. E sa i përket aktiviteteve që na iu kemi thënë jo, kanë qenë ato që janë për arsye personale, për përfitim personal.

Eljesa Beka: Ka ndodh që edhe [aktiviteteve të] religjioneve iu kemi thënë jo veç për mos me kriju konflikt të besimeve. Religjionin munden me mbajt secili për veti edhe këtu edhe kudo tjetër përderisa nuk e promovon [njërin më shumë se tjetrin].

A kanë kërkuar ndihmë pesona të tjerë nga ju, për të krijuar një hapësirë të ngjashme si Termokiss në një qytet tjetër?

Eljesa Beka: Në muajin korrik e kem revitalizu një qendër në Tetovë dhe idea është me bë të njëjtin sen në Tiranë vitin e ardhshëm, së bashku me [një organizatë] prej Belgjikës.

Nëse pret mbështetjen institucionale, mundet mos me ndodhë kurrë. Kështu që, çka të vyn është ose ilegalisht ose me squat [me marrë hapësirën], ajo është idea e përbashkët që, hin e mer një vend, e fiton mbështetjen e komunitetit ma së pari dhe nëse fitohet mbështetja e komunitetit mandej vjen edhe mbështetja institucionale.

Nuk besoj që mundet me të ndal dikush. Nëse do, mundesh me shku me i kqyrë lokacionet në komunën tënde, disa shtëpi të braktisura, interesohesh nëse janë publike apo private, e çon atë listë në komunë, fol me drejtorin e Urbanistikës ose diçka e tillë edhe veç i hin procedurës. Të vyjnë tre-katër njerëz të përkushtum dhe mundet me ndodh, jo një Termokiss, po se di sa Termokiss-a nëpër krejt Kosovën. Idea është me u shpërnda edhe në komunat e tjera, veç duhet me u bë sa ma kompakt njëherë këtu që me dalë edhe jashtë komunës.

Erleta Morina: Termokiss-i nuk duhet me qenë diçka e veçantë, por diçka që është në çdo mahallë edhe mos me pas nevojë dikush që jeton në Dragodan me ardh në Termokiss, se nuk e ka një qendër si Termokiss-i, po secila lagje me pas ka një qendër edhe secila komunë disa qendra.

E keni pasur edhe një fushatë #mundësipërkrejt, për ndryshimin e ligjit për shfrytëzimin e hapësirave publike (komunale). Në Kosovë ekzistojnë shumë hapësira publike, prona komunale të cilat janë të braktisura e që mund të shfrytëzohen. Edhe pronat që janë në procesin e privatizimit, e që mund të blihen me çmim të ulët nga komunat, dhe i jepet një funksion publik. Çfarë ndryshimi është i nevojshëm në aspektin ligjor? Dhe çfarë vjen më së pari: një komunitet aktiv apo një hapësirë?

Erleta Morina: Këtu të dyjat, komuniteti edhe hapësira shkojnë bashkë. Kanihere mundesh me pas një komunitet që e ka një qëllim, po ndashta nuk e ka një hapësirë ku mundet me bë atë, po në të njejtën kohë edhe komuniteti është shumë i rëndësishëm se nëse e ke një hapësirë, gjithqysh ka me ngreh komunitet këtu, atë e kemi pa tu ndodh edhe në Termokiss.

Është shumë e rëndësishme me pas një hapësirë, sidomos tu e marrë parasysh sa shumë ka hapësira të braktisura edhe shumë prej tyre që janë publike, pra prona komunale kemi jo veç në Prishtinë, po në krejt Kosovën. Kjo ka qenë edhe idea e kampanjës #mundësipërkrejt.

Erleta Morina thotë që përfshirja e saj me Termokiss, i ka jap më shumë vetëbesim për të shprehur veten dhe pikëpamjet e saj. Foto: Besarta Breznica / K2.0.

Në ligjin e shfrytëzimit të pronave komunale thotë që, një pronë komunale mundet me u jep në shfrytëzim po duhet me qitë në ankand dhe personi ose entiteti që e jep çmimin ma të naltë e marin hapësirën. Ajo automatikisht i diskualifikon OJQ-të ose grupet e tjera të njerëzve që nuk janë biznese edhe nuk kanë aq shumë pare sa me marrë një pronë. Këtu ka qenë problematika kryesore e ligjit [aktual].

Në ligj gjithashtu thotë që, mundesh me marë një hapësirë nëse i kontribuon interesit publik, e na jemi kap pak a shumë te interesi publik, se kemi tregu që interesi publik nuk varet veç prej të ardhurave që i ka një komunë ose një qeveri, po edhe prej iniciativave me bazë në komunitet.

E kemi bë një grup punues për një hulumtim se qysh vendet e tjera në Ballkan, po edhe në Evropë, i rregullojnë hapësirat publike po edhe hapësirat e braktisura. Një propozim për ndryshim të ligjit që ka sugjeru, është që një përqindje e pronave publike me shku jo për biznese, jo për privatizim, po për iniciativa qytetare dhe me u kriju një proces i veçantë për grupet që nuk janë biznese.

Komuniteti jonë dhe një komunitet shumë i madh i njerëzve, e kemi shkrujtë një propozim për proces të veçantë dhe që një përqindje e naltë e pronave me iu jep grupeve tjera. Kur e kemi bë kampanjën #mundësipërkrejt ka qenë për këtë ndryshim të ligjit edhe thjesht me cek që pronat publike janë për publikun, për qytetarët. Po, munden mu bë qendra si Termokiss-i, muze, galeri, çkado tjetër që janë iniciativa qytetare edhe që i kishin bë mirë në përgjithësi jo veç llojshmërisë të kulturës po edhe njerëzve.

Kemi pritë që kanë me na përkrahë veç disa iniciativa, po në fakt e kemi pa që kjo ka qenë nevojë e shumë grupeve tjera. Para disa muajve e kemi pa që qeveria e ka miratu atë ligj me ndryshime, po jemi hala në procesin ku jemi tu pritë me kalu në Kuvend.

Eljesa Beka: Një ndryshim tjetër që mundet me ndodh që me mujtë me u regjistru si qendra të komunitetit, se na jemi te regjistrum si OJQ për shkak se sipas ligjit nuk mundesh me u regjistru ndryshe, e nëse themi entitet ajo kish mujtë me qenë ndryshimi i ardhshëm.

Eljesa Beka thotë se shpreson që projektet e drejtuara nga komuniteti si Termokiss mund të shpërndahen në lagjet në mbarë Kosovën. Foto: Besarta Breznica / K2.0.

E përmendët që keni qenë këtë verë në Tetovë, Maqedoni dhe keni shkuar për të ndihmuar një hapësirë tjetër. A e konsideroni që hapësirat e pavarura si kjo e Termokiss-it dhe ajo që e keni ndihmuar ta krijoni në Tetovë, janë një formë e rezistencës ndoshta, kundër privatizimit jo vetëm të jetës kulturore po edhe jetës publike dhe të shërbimeve publike?

Elejsa Beka: Eksperienca në Tetovë për mu ka qenë diçka ndryshe, se nuk kam qenë në fillim kur u bë Termokiss-i, e kam pa procesin e revitalizimit të një hapësire prej fillimit deri në fund. Nuk është send i lehtë po nuk është send që nuk bëhet. Formë e rezistencës, nuk po mundem me thënë rezistencë, po mundem me thënë se është formë e ndryshimit, ndoshta ndryshimi është sendi i vetëm që është konstant.

Erleta Morina: Po mendoj që jonë forma të rezistencës, jo veç kundër privatizmit normal që duhen me i’u rezistu sendeve që na besojmë që janë të këqija edhe nuk përshtaten me kontekstin tonë dhe që nuk i dojmë në shoqërinë tonë. Po në të njejtën kohë çka është e rëndësishme nuk është veç me rezistu po është edhe me vepru kundër asaj. Këto qendra munden me u konsideru si formë e rezistencës, po ma shumë munden me u konsideru si diçka që je tu kundërvepru, jo veç tu rezistu, po tu vepru kundër asaj që ty nuk është tu të pëlqy.

Një lloj i tillë i hapësirave publike siç është Termokiss, cilat janë sfidat për të mos pasur një hierarki? A munden qendrat kulturore, organizimet kulturore të kenë sukses duke mos u bazuar në hierarki?

Eljesa Beka: Për organizim horizontal, çdo të mërkure në ora 18:00 qe dy vjet ndodhin mbledhjet javore. Kurgjo nuk ka ndodh qe dy vjet nëse nuk është votu prej krejt njerëzve që kanë qenë aty. Kështu që, nëse vazhdon me një tempo të njejtë edhe ki qëndrueshmëri në diçka, atëherë organizimi horizontal të bën mos me qenë shef kërkush, po në të njejtën kohë gjithkush. Kështu që nëse secili ndihet i përgjegjshëm për diçka atëherë i bjen që po merr përgjegjësi, për një kauzë ma të madhe sesa vetvetja edhe përfitimet e tij individuale, jo materiale. Qëndrueshmeria në transparencë ka ndihmu që me qenë organizim horizontal.

Erleta Morina: Edhe anasjelltas. Organizimi horizontal nuk është si në mënyrë vertikale, që dikush është shefi dhe mandej përgjegjësitë rrjedhin prej atij personi edhe të tjerët veç i bëjnë ato.. Krejt janë shefat e vetvetes dhe krejt e kemi një ndjenjë të përgjegjësisë jo veç si Termokiss po edhe për aktivitetet që ndodhin dhe për qëllimin tonë ma të madh.

Na e inkurajojmë shumë komunikimin e sinqertë dhe të vazhdushëm, e kjo e bën shumë ma të lehtë krejt këtë strukturë horizontale, që kërkush mos me marë ma shumë përgjegjësi se sa që duhet, ose ma pak përgjegjësi se sa që duhet.

Erleta Morina dhe Eljesa Beka janë dy nga organizatoret e shumta që po ndihmojnë në ndërtimin e komunitetit të Termokiss-it. Foto: Besarta Breznica / K2.0.

Termokiss-i është duke pasur çdo herë e më shumë ndikim në komunitet. Si qëndroni në aspektin politik, jo në organizimet politike po si zë avokues. Shembull, duke e marrë parasysh që nëpër botë dhe në Evropë hapësirat e njëjta si Termokiss-i janë goxha të angazhuar si lloj rezistence e jetës politike dhe sociale. A do ta fillojë Termokiss-i një aktivitet të tillë apo do të vazhdoni me qenë të paanshëm në këtë aspekt?

Erleta Morina: Jemi një komunitet shumë i madh i njerëzve dhe varet kë e pyet se përgjigjet ndryshojnë. Deri tash çka kemi thënë është që jemi apartiak, po nuk domethënë që jemi apolitik. Nuk kemi dal kurrë me naj deklaratë se çka mbështesim, po edhe ajo mundet me u nënkuptu edhe prej aktiviteteve, prej mënyrës qysh na jemi të organizum edhe thjesht çka bëjmë. Duke lobu për hapësira publike edhe për qytetarët që me i përdorë ato më shumë edhe për të mirën e vendit, në të njejtën kohë nënkuptohet se çka mbështesim.

Eljesa Beka: Termokiss është qendër mobilizuese për shumë sende që munden me ndodh. Munden me qenë sende që janë të interesit të përbashkët publik dhe me u mobilizu, si përshembull ndotja e ajrit. Nuk domethënë me përkrahë një parti politike për diçka që është tu ndodh si del prej derës, kështu që mundet me qenë qendër mobilizuese, po personalisht jemi apartiak.

Kur ia keni filluar punës këtu keni qenë një komunitet i vetëqëndrueshëm, ndërsa tani keni filluar të merrni dhe mbështetje nga donatorët. A po frikësoheni që mund të bini në skemën e kufizimit të donatorëve? Çka po ndërmerni për ta ruajtur vetëqëndrueshmërinë dhe pavarësinë e juaj?

Erleta Morina: Përkrahja ka ardh për shkak të punës së palodhshme të krejt njerëzve këtu. Nuk është veç përkrahje po është më shumë lehtësim për neve me çu përpara Termokiss-in dhe idenë, konceptin dhe me zhvillu çka dojmë me zhvillu. Po kjo nuk domethënë asesi që na kemi me u kufizu në atë shabllon ose në ato kritere që i caktojnë njerëzit e tjerë që na me harru vizionin e përgjithshëm që e kemi për Termokiss-in. Në të ardhmen e afërt është që, Termokiss-i me qenë i vetëqëndrushem dhe me u bazu komplet në vetëqëndrueshmëri…

… Mundohemi me bë prej hapësirës ku jemi tash, që është coworking space [hapësirë bashkëpunuese]. Kemi me përdorë si hapësirë bashkëpunuese që njerëzit me mujtë me ardh edhe me një shumë simbolike, vjetore ose mujore, me kontribu në hapësirë dhe ato me qenë mandej të ardhurat që i mbulojnë internetin dhe shpenzimet që janë pak a shumë të përditshme.

Temokiss-i është identifikuar dhe është jetësuar si ide. Çka do të ketë përtej kësaj që është tash, ku e shihni ju Termokiss-in në vitin 2019 dhe ku do të fokusoheni?

Erleta Morina: Çka mendojmë gjatë vitit 2019 me u fokusu, është mënyrat e ndryshme të mësimit dhe edukimi jo formal, se nuk besojmë që sistemi jonë i edukimit  qysh është tash  është shumë i duhur. Duke e marë parasysh që ka mënyra të ndryshme qysh njerëzit mësojnë, nuk ka kuptim me i shti krejt nëper sistemin e njejtë edhe me iu mësu sendet e njejta, se thjesht ajo nuk funksionon për mendimin tonë.

"Secili individ ose si grup që vjen në Termokiss, duhesh me ia dhonë hapësirën e vazhdueshme me u shpreh".

Eljesa Beka, organizatore në Termokiss

Kemi vendosë me u fokusu në edukimin jo formal për shkak të kësaj dhe me bë hulumtime të ndryshme, se çka pernime iu duhet njerëzve që sistemi jonë i edukimit mundet me u përmirësu dhe qysh mundemi me mësu prej eksperiencave, diturive të njëri tjetrit dhe tu i nda shkathtësitë me njëri tjetrin.

Eljesa Beka: Po shpresojmë me mbërri atë qëndrueshmërinë në 2019 dhe mandej veç me i grah, qofshin ato kurse qofshin mënyra alternative për me mësu. Jo veç për njerëzit që vijnë këtu po edhe vet na.

Thatë më herët që Termokiss-i është si një shtëpi nga ku keni mësuar se si është të angazhoheni në komunitet. Si ka ndikuar tek ju personalisht?

Eljesa Beka: Unë nuk kisha qenë në Prishtinë sot nëse nuk kish qenë Termokiss-i, e kisha lënë Kosovën, për mirë ndoshta. Nuk po di ndryshim më të madh që mundet me ndodh se sa me më ndal në vendin tem edhe me pa sa shumë kemi fuqi me ndërru diçka. Secili individ ose si grup që vjen në Termokiss, duhesh me ia dhonë hapësirën e vazhdueshme me u shpreh edhe me u njoftë me njëfarë doze të caktuar personalisht për secilin individ që me ditë ku mundesh me kanalizu dikush është ma i ndjeshëm, dikush nuk është ashtu i ndjeshëm, dikush i mirë në diçka…

Erleta Morina: Jam bë shumë ma e zëshme. Gjithë kam pas shumë mendime, po kurrë nuk i kam thonë, që ndashta nuk e kam pas as atë hapësirë jashtë shtëpisë që me u ndi rahat për me u shpreh. E këtë për të mirë ma ka ndërru Termokiss-i se e kom vërejtë, se çka thojnë njerëzit shpesh mendojnë që nuk ka me pasë ndikim, e në fakt sidomos nëse je në një platformë si Termokiss-i që çka thonë edhe ka me ndodh. Është shumë e rëndësishme që me shpreh mendimin tënd edhe mu bo e zëshme, me fol çka je tu mendu, qoftë çka ndodh përbrenda komunitetit tonë qoftë ajo për çka dojmë me bo si Termokiss, qoftë ajo për vizionin tonë të përgjithshëm.

Eljesa Beka: Edhe është shumë e rëndësishme me marë përgjegjësi edhe nëse nuk din me bë diçka, e mer atë përgjegjësi edhe tu e bë e mëson, përveç asaj mëson edhe shumë sende tjera gjatë rrugëtimit.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është kryer në gjuhën shqipe.

Foto kryesore: Besarta Breznica / K2.0.