Në thelb | Migrimi

Ëndrra e rrezikshme britanike përmes detit

Nga - 13.02.2023

Pse qindra shqiptarë ikën me gomone drejt Anglisë?

Malbor Duka kishte vendosur të mos e ndërtonte jetën e tij në Shqipëri që kur ishte ende në shkollë fillore, 10 vjet më parë. 

Tash 26-vjeçar, Malbori u zhvendos nga Burreli në veri të vendit  në Tiranë për ta vazhduar arsimimin e mesëm në një kolegj privat.

Zgjodhi të studionte në një kolegj ku mësimi zhvillohej vetëm në anglisht sepse kjo do t’ia lehtësonte ikjen nga Shqipëria dhe gjetjen e një vendi pune jashtë saj. Më vonë mësoi edhe gjuhën gjermane, për t’i mbajtur hapur mundësitë për punë edhe në Gjermani.

Synimin e kishte të qartë që në fillim. Donte të bëhej mjek, por jo në Shqipëri.

Pas një përpjekje për të studiuar jashtë vendit, që dështoi për shkak të problemeve me dokumente, ai i vazhdoi studimet në Universitetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Tiranë.

Në 2016, sa ishte në shkollë të mesme, ai kishte 16 shokë, ndërsa sot 13 prej tyre nuk jetojnë më në Shqipëri. Ata tash kanë ndërtuar jetën e tyre, kryesisht në Britaninë e Madhe.

“Unë shkoj shumë rrallë në vendlindjen time, pasi nuk kam kë të takoj atje, shokët e mi kanë ikur të gjithë, ishim 16, sot jemi vetëm 3 në Shqipëri; prindërit zakonisht vijnë në Tiranë fundjavave, dhe unë nuk kam më arsye pse të shkoj atje”, thotë Malbori, i cili pavarësisht dëshirës të dalë nga Shqipëria, vijon të jetojë e punojë në vendin e tij.

Malbor Duka, 26-vjeçar, donte të bëhej mjek, por jo në Shqipëri. Fotografia: Isa Myzyraj

Burreli, si shumë zona të Shqipërisë, kryesisht të veriut, është një rajon të cilin të rinjtë po e braktisin.

Shifra të sakta të ikjeve të ndara në rajone nuk ka për shkak se prej vitit 2011 Shqipëria nuk ka zhvilluar një census (numërim të popullsisë), ndërsa census i planifikuar për vitin 2021 dështoi. Megjithatë, nëse merren për bazë shifrat e regjistrimeve nëpër shkolla dhe ato të lindshmërisë nëpër institucionet spitalore, rajoni i veriut është një nga zonat ku popullsia ikën më shumë.

Qytetarët e bashkive në qarqet e Dibrës dhe të Kukësit, ku gjendet edhe Burreli, viteve të fundit nuk kanë parë ndonjë projekt zhvillimor,  që të ndikojë thellësisht në jetën socio-ekonomike të zonës. Ndërkohë, politikanët lokalë akuzojnë qeverinë e udhëhequr nga Partia Socialiste për diskriminim të veriut në këtë drejtim.

Gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht të vitit 2022, mijëra shqiptarë nga këto zona veriore morën rrugën e rrezikshme me gomone, varka të vogla, përmes kanalit të “La Manshit” që lidh Francën dhe Britaninë e Madhe  –– në kërkim të “ëndrrës angleze”. 

Këto udhëtime aranzhohen nga persona të organizuar në këmbim të një shume parash dhe lehtësojnë kalimin e këtij kanali për në Britani të Madhe.  

Më shumë se 12,000 shqiptarë sipas mediave angleze arritën në Britaninë e Madhe gjatë muajve të verës së kaluar me gomone, ndërsa sipas një raporti të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë të Austrisë, të publikuar në vitin 2021, nga vendi kanë ikur 500,000 persona.

Londra e vogël

Zona e Hasit në veri, një rajon në kufi me Kosovën rreth 180 kilometra nga Tirana, ka një lidhje të gjatë me Britaninë e Madhe. Mediat angleze i janë referuar këtij rajoni si “Londra e Vogël”. Sipas vendasve, rreth 80% e familjeve në Has jetojnë me të ardhurat nga migrantët — remitenca — nga Britania e Madhe dhe zona po sheh një bum investimesh me para që vijnë nga migrantët. 

Në qytetin e vogël të Krumës mund të gjesh lehtë makina me targa të verdha, që vijnë nga Anglia, bar-kafe me stil anglez, por edhe disa blloqe me vila milionëshe të ndërtuara vitet e fundit në të cilat ose nuk jeton askush ose jetojnë çifte të moshuarish.

Në qytetin Kruma në Has, lehtë mund të hasësh makina me tabela të Britanisë së Madhe. Fotografia: Isa Myzyraj

Të rinjtë atje ndikohen edhe nga gjithë kjo panoramë që u jep qyteti i tyre.

“Sigurisht që kur në Has vinin makina të shtrenjta dhe ndërtoheshin shtëpi të reja çdo muaj, unë mendoja se në Angli bëhet lekë shpejtë. Nuk e dija si bëheshin, por mendoja se atje mund të krijoje të ardhura të mëdha dhe të blije makina, e të ndërtoje shtëpi”, thotë 16-vjeçari nga fshati Zrahisht i Hasit Brilanti, i cili mori rrugën e migrimit vitin e kaluar. Brilant është pseudonimi, me të cilin ai zgjodhi të identifikohej.

Ai u nis mëngjesin e 7 gushtit 2022 nga shtëpia e tij për në Tiranë, ku së bashku me babain e tij hipën në avion për në Francë. I ati u kthye dy ditë më vonë vetëm. Brilanti, së bashku me një grup tjetër nga Hasi u takuan me trafikantët në qytetin Calais në Francë dhe u bënë gati për tu nisur me gomone.

Brilanti që e kishte lënë shkollën në gjysmë, nuk e mendoi gjatë ikjen. I gjeti 5,000 euro borxh tek një i afërm dhe u nis drejt Britanisë së Madhe. 

“Asnjëherë nuk isha larguar nga Shqipëria. Ishte hera e parë që hipja në avion”, tregon ai.“Në Francë kemi qëndruar 12 ditë. Kemi qëndruar në një mal, afër detit, ishin 36 persona në grup dhe mendoj se 20 ishim nga Shqipëria. Po prisnim kohën e duhur që ne të niseshim nga deti me gomone, por pothuajse çdo natë ose kishte polici që patrullonte, ose kishte shumë dallgë, ndaj nuk mund të niseshim”.

Mbrëmja e 19 gushtit 2022, dukej se ishte koha e duhur që ai dhe grupi i tij të nisnin udhëtimin e rrezikshëm.

“Atë ditë rreth orës 17.00 bëmë gati gomonen dhe hipëm të gjithë në të. Gomonen e drejtonte një djalë rreth 17-vjeçar, ndërsa në pothuajse të gjihtë udhëtimin pakkush fliste, ishte një qetësi e frikshme”, tregon Brilanti. Udhëtimi u zgjati rreth 8 orë.

Tashmë 16-vjeçari është një migrant ilegal në Britaninë e Madhe dhe pavarësisht se është i mitur, ai punon në një lavazh tek një i afërm në një zonë të Londrës.

“Punoj rreth 10 orë në ditë, është e vështirë sigurisht, por më duhet të punoj shumë sepse  duhet të paguaj rreth 5,000 euro që i kam borxh në vendin tim, njëkohësisht duhet edhe ta ndihmoj familjen”, tregon Brilanti, i cili deri në gusht të vitit të kaluar kishte parë vetëm anën e mirë të Britanisë së Madhe, atë të rrjeteve sociale ku njerëzit dukeshin të lumtur dhe të pasur.

Në periferi të Hasit, dhjetra shtëpi të reja po ndërtohen. Vendasit thonë se burimet financiare vijnë nga mërgimtarët në Britani të Madhe. Fotografia: Isa Myzyraj

Një mësues i Hasit shpjegon se si popullsia e kësaj zone i shikojnë të rinjtë si Brilanti si “shpëtimtarë”, të cilët po i nxjerrin familjet e tyre nga varfëria e madhe.

“Askush këtu nuk e mendon që fëmijët e tyre po trafikohen nga trafikantë të panjohur. Ata thjesht dorëzojnë fëmijët e tyre në një udhëtim që mund të mos shkojë kurrë në destinacion”, tha mësuesi, i cili foli në kushte anonimiteti pasi është porositur nga Ministria e Arsimit që duhet t’i kontaktojë fillimisht ata për çdo prononcim për media.

“Mesa duket dikush do ta mbajë të fshehtë numrin e nxënësve që braktisin shkollën. Unë kam rreth 14 nxënës që më kanë ikur për pak muaj gjatë verës, ata thjesht nuk erdhën në mësim, prindërit nuk deklarojnë zyrtarisht që ata kanë shkuar në migrim, por duke qenë një zonë e vogël, ne e kupojmë shpejt se ata fëmijë kanë përfunduar në Britaninë e Madhe’, thotë ai.

Në konviktin e shkollës së mesme “Skënderbeu” në qytetin e Krumës në Has në vitin 2012 kishte 150 nxënës, që vinin nga fshatrat e Hasit. Këtë vit atje qëndrojnë vetëm 50 nxënës.

Rënien e numrit të nxënësve e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave në Shqipëri. Në vitin shkollor 1994-1995 në Shqipëri, sipas të dhënave, janë regjistruar rreth 77,000 nxënës në klasën e parë, ndërsa në vitin 2022-2023 vetëm rreth 29,000 u ulën për herë të parë në bankat shkollore.

Rënia më e madhe që është reflektuar nga migrimi është në klasat e 10-ta, ku këtë vit u regjistruan rreth 28,000 nxënës nga 31,000 sa ishin një vit më parë.

Në qytetin Krumë, një bari i është vënë emri “Britani”. Fotografia: Isa Myzyraj.

Ikje jo vetëm për para

Pas viteve ‘90 kur Shqipëria doli nga regjimi komunist që kishte izoluar popullin për më shumë se katër dekada, vendi përjetoi disa valë migrimi. Fillimisht, shqiptarët migruan kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë fqinje dhe migrantët ishin nga jugu dhe rajoni qendror i vendit, përfshirë qytetet bregdetare.

Ndërkohë, migrimi për në Britani të Madhe shënoi rritje pas vitit 1999 kur Italia e Greqia shtrënguan masat e migrimit duke nisur kontrolle të rrepta të vijës së tyre bregdetare dhe tokësore. Në kushtet kur në shtetet fqinje ishte pothuajse e pamundur që të hyje, trafikantët vendas gjetën shtete të tjera për t’i çuar shqiptarët, të cilët donin të iknin nga vendi. Britania e Madhe ishte një nga vendet, që mund të qasej me varka. 

Valë migrimi drejt këtij vendi u nxitën edhe nga lidhjet e qytetarëve me njëri-tjetrin. Qytetarët nga veriu, veçanërisht, tashmë kishin zgjedhur Britaninë e Madhe si adresë migrimi dhe pastaj këshillonin të afërmit e tyre për ta ndiqnin të njëjtën rrugë.

Për shkak të luftës në Kosovën fqinje gjatë fundit të viteve të ‘90-ta, mijëra shqiptarë ikën në Britani të Madhe dhe përfituan nga fakti, që u prezantuan si shtetas të Kosovës, ndërsa gjatë viteve 2000 udhëtimi bëhej me gomone, kryesisht nga qytetet bregdetare të Vlorës ose Durrësit.

Pas vitit 2013 qindra migrantë shqiptarë iu drejtuan përsëri Britanisë së Madhe. Trafikantët zbuluan linja të reja dhe mjete të reja, ku migrantët futeshin brenda kamionëve të mallrave e detyroheshin të paguanin deri në 25,000 euro për person për të siguruar një vend.

Duke qenë se shifrat u bënë të papërballueshme, verën e 2022 trafikantët përsëri iu kthyen “metodës së vjetër” me gomone dhe me shifra disa herë më të vogla parash sesa me kamion. Shuma e kërkuar për të siguruar një vend në gomone, sipas të intervistuarve, tash varion nga 3,500 deri në 4,500 euro.

Fshati i Dobrunës në Has. Fotografia: Isa Myzyraj

Ikjet nga vendi si shkak kryesor kanë gjendjen ekonomike, por ky s’është shkaku i vetëm. 

“Ikja e të rinjëve është komplekse, nuk është më vetëm ekonomike por pjesa ekonomike është kryesore”, thotë Malbori. “Por edhe cilësia e jetës është një arsye”.

Sipas tij, në Shqipëri nuk ekziston mundësia për zhvillim të mëtejshëm profesional, që është shumë i nevojshëm për profesionin e tij. Malbori ka mbaruar gjashtë vite fakultet në mjekësi të përgjithshme dhe po e pret specializimin, që kërkon që të njohësh nga afër mënyrat e reja moderne të mjekësisë. Malbori shton se për shkak të keqfunksionimit të sistemit arsimor dhe shkencor specializimi nuk është i mundur në vend.

Kjo vjen për shkak se universitetet shqiptare në vazhdimësi janë renditur si ndër më të dobëtit jo vetëm në Evropë por edhe në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë shkurtit të vitit 2023 grupi spanjoll Cybermetrics Lab, një grup kërkimor që i përket Consejo Superior de Investigaciones Científicas (CSIC), organi më i madh kërkimor publik në Spanjë, përgatiti një renditje të universiteteve në nivel botëror. Në listë, Universiteti i Tiranës u rendit në vendin e 3975-të në botë, ndërsa më lart ishin 14 universitete nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Që në Shqipëri ikjet nuk janë ekskluzivisht për arsye ekonomike, pajtohet edhe Migen Qiraxhi, ekspert i çështjeve të arsimit dhe rinisë, i cili punon për “Qëndresën Qytetare” një organizatë lokale në Tiranë, që merret me studime që lidhen me rininë.

“Parësore është papunësia, apo pagat e ulta në rastet e punësimit të cilat vështirë të përballojnë jetesën duke pamundësuar qoftë edhe pronësinë e një banese”, thotë Qiraxhi, teksa shton se për të ardhur te ky vendim kontribuon edhe mungesa e terreneve sportive, të qendrave rinore, teatrove, muzeve, kopshteve botanike apo zoologjike — kushtet e nevojshme për një jetë me cilësi të të rinjve. 

Qiraxhi shton se vendi ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe me faktin që shteti është treguar i paaftë në menaxhimin e shërbimeve thelbësore siç janë arsimi, shëndetësia dhe siguria publike.

Migrantët e padëshiruar në Britani

Gjatë muajve qershor, korrik e gusht, mediat britanike shkruanin vazhdimisht për gomonet me shqiptarë, që po arrinin në Britani. 

Të gjendur përballë një faze të re migrimi, në korrik 2022, Shqipëria dhe Britania e Madhe nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, ku u zotuan ta rrisin punën e përbashkët për të parandaluar një numër të madh shqiptarësh që kalojnë në Britani nëpërmjet Kanalit të “La Manshit”. Britania e Madhe do t’i kthente me shpejtësi nga qyteti i Doverit ata që mbërrinin ilegalisht aty nga Shqipëria.

Por shqiptarët “qëlluan me fat”.

Në fund të shtatorit, zyra përgjegjëse e qeverisë britanike për Emigracionin, Sigurinë dhe Ligjin e shpalli të pavlefshme marrëveshjen që Sekretarja e atëhershme e shtetit Priti Patel nënshkroi me homologun e saj shqiptar, Bledar Çuçi.

Sipas vendimit, çdo migrant që hynte në mënyrë të paligjshme në Britani të Madhe, përfshirë edhe shqiptarët, duhet të trajtohet në bazë të procedurave standarde dhe jo në bazë të kombësisë së tyre. Departamenti ligjor i qeverisë britanike konfirmoi në këtë mënyrë se nuk ka të drejtë të përshpejtojë dëbimin e azilkërkuesve shqiptarë pas mbërritjes së tyre në Britaninë e Madhe. Ky vendim erdhi pasi “Care4Calais”, një organizatë bamirëse për refugjatë, e kishte sfiduar politikën duke e çuar vendimin në gjykatë.

Teksa vendimet e Britanisë akuzoheshin se po binin në kundërshtim me të drejtat e njeriut herë pas here, qeveria shqiptare në kulmin e debatit për migrantët u përfshi në një shkëmbim akuzash të ashpra me qeverinë angleze, pasi Suella Braverman, Sekretarja e tanishme e shtetit në Britani, i etiketoi shqiptarët si “kriminelë”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dënoi përdorimin e qytetarëve të vendit të tij si “koka turku” për politikat e dështuara të migrimit të Britanisë së Madhe, ndërsa tha se qeveria atje duhet ta luftojë krimin e organizuar të të gjitha kombësive.

Në qytetin e Krumës në Has, bari ‘Britain’ posedon edhe një kabinë telefonike tipike londineze. Fotografia: Isa Myzyraj.

Ekspertët vendas thonë se qeveria nuk po bën as sa duhet për të fenuar emigrimin e qytetarëve.

“Ajo jo vetëm nuk po bëjnë sa duhet, por në diskursin publik të qeverisë realiteti refuzohet të konsiderohet si krizë dhe kryeministri dhe ministrat deklarojnë se kjo është natyrale”, thotë Migen Qiraxhi.

Teksa përplasjet mes politikanëve shqiptarë dhe atyre britanikë vijojnë në distancë, në mes të janarit të 2023, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në një njoftim të paprecedentë tha se e ka thirrur ambasadorin e Britanisë së Madhe për t’i komunikuar atij një notë poroteste për shkak të gjuhës që ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar, Robert Jenrick përdori në një video të publikuar në rrjetin social Twitter. 

Në atë video, Jenrick shihet duke vizituar një qendër largimi të migrantëve, ku deklaron “kam takuar stafin fantastik që po punon gjatë gjithë orarit për të gjetur shqiptarët, për t’i ndaluar ata, i vendosi në karroca, për t’i çuar në aeroport dhe për t’i kthyer në Tiranë”. 

Kjo është hera e parë që një amabsador i huaj merr notë verbale nga qeveria e Shqipërisë për “gjuhë urrejtjeje”.

Më 12 janar 2023, Mbretëria e Bashkuar deportoi 43 persona në Shqipëri. Për ta frenuar migrimin e paligjshëm dhe për të krijuar mundësi të reja në Shqipëri, qeveria e Britanisë së Madhe përmes ambasadës në Tiranë ka ofruar rreth 8 milionë paund (9.2 milionë euro) për projekte për bashkitë Kukës, Has e Tropojë që janë edhe rajonet ku migrimi është më i lartë. Projektet kryesisht kanë të bëjnë me krijimin e mundësive të punës për këta të rinj në këto rajone.

Pavarësisht kësaj, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të deportojë në Shqipëri dhjetëra migrantë të paligjshëm, ndëra numri i shqiptarëve që zgjedhin të shkojnë në Britani me varka të vogla është ulur gjatë muajve të dimrit, kryesisht për shkak të kushteve atmosferike, pasi varkat nuk mund të lundrojnë në det të hapur e me dallgë gjatë motit të keq. 

Teksa të rinjtë nga Shqipëria vazhdojnë të joshen nga mundësia për të siguruar gjendje më të mirë ekonomike duke migruar në Britani të Madhe, pritshmëritë e tyre mund të përplasenme një realitet ndryshe atje.

“Të tregohem i sinqertë, situata këtu është 100% ndryshe, duhet të punosh shumë, nuk ke kohë për asgjë tjetër”, thotë Brilanti. 

Imazhi i ballinës: Isa Myzyraj

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.