Erzen Shkololli e la drejtimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës sot pas katër viteve duke u përpjekur që ta transformojë në mënyrë drastike këtë institucion. Kosovo 2.0 kaloi një mëngjes me të, duke diskutuar punën dhe trashëgiminë e tij. Gjithashtu folëm edhe me më shumë se 20 artistë, kuratorë dhe kritikë kombëtar e ndërkombëtar, për ndikimin e tanimë ish-drejtorit të Galerisë Kombëtare. Në një pikë u pajtuan të gjithë: Shkololli do të jetë vështirë të zëvendësohet.
Kujdesi i Erzen Shkolollit për stilin e tij të hijshëm të veshjes është pasqyrim i trajtimit që është munduar t’ia jep institucionit që e drejtoi prej 6 shtatorit të vitit 2011.
Në ditët e tij të para si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK), Shkololli u detyrua të hap një ekspozitë që ishte kundër pëlqimit të tij. Ekspozita e tij e parë, edicioni XI i Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Gjon Mili, veç se ishte përgatitur nga paraardhësi i tij, Fahradin Spahija, por për Shkolollin kjo shfaqje ishte përvojë e huaj.
Shkololli e përshkruan dallimin në mes të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Gjon Mili para kohës së drejtimit të tij, dhe gjatë saj, si “dita me natë”. Në të majtë: Edicioni XI në 2011. Në të djathtë: Edicioni XIV në 2015.
“Ishte diçka me të cilën nuk mund të lidhesha”, tha ai. “Mendoja se ishte diçka e dalë mode, diçka në të cilën nuk kisha besim”.
Katër vite më vonë, Ekspozita Ndërkombëtare e Fotografisë Gjon Mili, emëruar pas fotografit të mirënjohur shqiptaro-amerikan, doli të jetë ekspozita e fundit e Shkolollit si drejtor i GKK, kur edicioni XIV u hap me 7 gusht të këtij viti.
Për të, këto dy evenimente janë “si dita me natë”. Dhe kështu shumë njerëz e kanë parë galerinë para dhe pas drejtimit të Shkolollit.
Uri Për Art: Jashtë Institucionit
39-vjeçari Shkololli është pjesë e një gjenerate të artistëve që kanë studiuar gjatë 1990-ave. Arsimi praktikohej kryesisht në shtëpi dhe lokacione private (pasi që të gjitha institucionet publike ishin të mbyllura nga regjimi serb për shqiptarët të Kosovës), dhe prodhimet artistike e kulturore ishin të izoluara brenda kufijve të vendit, ose edhe brenda lokacioneve të fshehta të asaj kohe.
Pas luftës së vitit 1999, ekzistonte një dëshirë e madhe për të bërë më shumë. Shkololli nisi një bashkëpunim me Sokol Beqirin, një prej artistëve kyç bashkëkohor të Kosovës. Ata filluan të organizojnë vizita të ndryshme për kuratorë, ligjërata, ekspozita dhe aktivitete arsimore. Deri në 2003, u formalizua në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT, në vendlindjen e tyre, në Pejë. Deri në 2006, EXIT shërbeu si vend për takime, vend ku mund të krijoheshin rrjete të bashkëpunimit nga artistët kosovar, dhe kjo hapësirë u nda me Qendrën për Studime Humanitare Gani Bobi të Shkelzen Maliqit, dhe laboratorin e Mehmet Behlulit për art vizual, Laboratorium, të cilat u fokusuan në projekte alternative të arsimit.
“Para se ta hapnim EXIT, punuam si artistë dhe udhëtuam në të njejtat ekspozita, kështu që u njoftuam me shumë njerëz”, tha Beqiri, ulur në një tavolinë ku dikur ishte galeria EXIT, por tani është EXIT bar.
Por Beqiri tha se komuniteti artistik u përball me shumë probleme në vitet e para pas luftës, duke përfshirë izolimin ndërkombëtar të kosovarëve dhe konservatizmin e Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës. “Kosova ishte e mbyllur”, tha ai. “Shumë të rinj nuk mun të udhëtonin dhe Akademia e Arteve ishte, dhe ende është, në vitet e 60-ta”.
Në një artikull të shkruar nga artistja vizuale lokale Majlinda Hoxha për edicionin ‘Balkart’ të revistës së Kosovo 2.0, një numër i artistëve të rinj lokal (studentë të Akademisë për ’99) e përshkruan faktin se Akademia nuk është e hapur për art konceptual ose eksperimentim si të metën më të madhe të saj.
“Duke pritur Kuratorin”: Dokumentim i një nate duke pritur arrdhjen e kuratorit Edi Muka, jasht Galerisë Kombëtare, çka përfundoi në ekspozitën “peshku nuk mendon, sepse peshku din gjithçka”. Foto nga arkivi i artistëve: Lulzim Zeqiri, Jakup Ferri dhe Driton Hajredinaj.
Studiot e ndara të Akademisë megjithatë mbetën si qendrat e vetme alternative që ishin përherë të hapura për skenën e artistëve të pavarur në vitet e para te mijëvjeçarit të ri. Më vonë, u bashkuan nga galeritë e pavarura të artit, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në 2006, dhe hapësirë e udhëhequr nga artistët Tetris Hapësira Manipuluese në 2010.
Por skena e pavarur u detyrua të pres që GKK të përvetësojë skenën kombëtare të artit bashkëkohor pasi që arti alternativ mbeti kryesisht i huaj për këtë institucion gjatë këtyre viteve. Kishte disa përjashtime, si ekspozita “Ne” (2002) dhe “Ju” (2003), të dyja të kuruara nga Zeni Ballazhi. Këto e hapën galerinë për artistë të rinj. Një përjashtim tjetër i shquar ishte ekspozita e vitit 2003 “peshku nuk mendon, sepse peshku di gjithçka”, nga kuratori shqiptar Edi Muka, ku morri pjesë edhe kuratori gjerman, Rene Block; kuratori me famë botërore më vonë solli artistë kosovar në ekspozitën “In the Gorge of the Balkans: A Report” (shqip: Në Grykën e Ballkanit: Raport), të mbajtur në Kassel në 2003, dhe në Centinje Biennale të pestë në 2004.
Përveç këtyre shembujve, galeria kryesisht mbeti pa u zhvilluar.
Shkelzen Maliqi, kritiku më me ndikim i artit në vend, i tha Kosovo 2.0 që me drejtorët e kaluar (Luan Mulliqi dhe Fahredin Spahija), galeria kombëtare kishte qenë më shumë objekt për improvizim, pa koncept të qartë ose strategji kulturore.
“Skena vërtetë e pavarur po ndodhte tjetër kah”, tha Maliqi, që më vonë shërbeu si anëtar i bordit të GKK (2011-2014) gjatë udhëheqjes së Shkolollit.
Shkololli ishte i përfshirë në këtë skenë të pavarur deri në aplikimin e tij për rolin e drejtorit të GKK, si artist dhe nëpërmjet ekspozitave si “Perspektiva” në Tetrit Hapësira Manipuluese në 2010, të cilën ai e kuroi.
Ekspozita “Perspektiva”, e mbajtur në Tetris Hapësira Manipuluese në 2010 është kuruar nga Erzen Shkololli.
Në 2011, Shkololli aplikoi për atë rol në GKK. “E dija se çfarë doja të bëja me këtë institucion”, tha Shkololli, duke e rikujtuar. “Mendoj se jemi të gjithë të obliguar si qytetarë të Kosovës, që është shtet shumë i ri, që të kontribuojmë – shumë pata dëshirë, dhe ende kam, që të kontribuojë për vendim tim, të paktën me atë që unë mendoj se e di më së miri”.
Pluhuri Jashtë, Struktura Brenda
Kërcimi prej skenës lokale të pavarur te të qenit pjesë e një institucioni nuk ishte i lehtë. Kjo theksohej prej mosbesimit të njerëzve ndaj institucioneve publike në një vend që kishte deklaruar pavarësinë tre vite më parë në 2007, dhe ku institucionet publike kryesisht shiheshin si të ndikuara dhe të nxitura nga politika.
“Isha skeptik dhe mendova që nuk do ta kishte mbështetjen e komunitetit artistik ose të Akademisë së Artit”, tha shoku i tij Beqiri. “Por ai është shumë i vendosur kur do diçka”.
Një prej veprimeve të para të Shkolollit kur arriti në galeri ishte pastrimi – në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe kur u largua pluhuri, u soll struktura.
Shkololli e solli në ekipin e tij një prej dizajnerëve grafik më të mirënjohur në Kosovë; Bardh Halitin. I arsimuar në një shkollë holandeze të dizajnit, Haliti u bë përgjegjës për identitetin vizual të GKK; duke dizajnuar publikime, posterë dhe materiale tjera që kishin shenjën e GKK në to.
Në mënyrë që t’i ipet identitet i ri vizual galerisë, Shkololli shpejt e morri në ekipin e tij dizajnerin grafik Bardh Haliti. Sipër, disa prej katalogjeve të dizajnuara gjatë katër viteve të fundit në Galerinë Kombëtare.
“Erzeni e përfytyroi Galerinë Kombëtare të Kosovës si hapësirë bashkëkohore e artit që është mjaft e mirë për t’u shfaqur kudo”, tha Haliti. “Detyra e vërtetë ishte gjithmonë të krijohet diçka interesante dhe entuziasmuese – jo diçka që është e mirë vetëm lokalisht, por gjithashtu diçka që mund të ketë rol interesant në diskurs më të madh të artit dhe dizajnit. Me fjalë tjera, të ndërtohet institucion ndërkombëtar në një qytet provincial”.
Në katër muajt e parë të drejtimit të Shkolollit në 2011, galeria nuk pati më fonde të mbetura për ekspozita. Duke refuzuar që ta lë me kaq, ai e nxorri listën e kontakteve të tij dhe e solli Rene Block që të jetë bashkëpunuesi i parë në programin institucional të galerisë. Block veç se e njifte Kosovën prej vizitës së tij në EXIT në 2003, dhe kështu kuratori që e kishte udhëhequr Museum Fridericianum në Kassel për 10 vite – një prej muzeve më të vjetër në Evropë dhe vendlindje e pesëvjeçarit prestigjioz të artit bashkëkohor Documenta – bashkëpunoi me galerinë thuajse pro bono.
Përzgjedhja e Block si kuratori i parë i galerisë prej momentit që u bë drejtor Shkololli, dhe prania e artistëve të vlerësuar ndërkombëtarisht në galeri, mund të shihen si shembuj paraprak të mënyrës se si do të shkonin gjërat në katër vitet e ardhshme.
Duke i sjellur Kombëtarët, Duke i hequr Muret
Për të plotësuar punën e artistëve me famë botërore, prej fillimit Shkololli prioritizoi promovimin e gjeneratave të ndryshme të artistëve kosovar.
Grupi i parë ishin artistët e vdekur, si mjeshtrit të filigranit Simon Shiroka, dhe piktorët Engjëll Berisha e Muslim Mulliqi, që ishin në maje të artit modern të Kosovës në mes të viteve të 50-a dhe 70-a. Shkololli i shënoi kontributet e tyre nëpërmjet ekspozitave dhe publikimeve të monografive të tyre. Në fakt, shfaqja më e vizituar që prej vitit 1999 mbetet ekspozita ‘Retrospektive’ e Muslim Mulliqit, e festuar me rastin e shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në 2015. Pati në total 1,987 vizitorë.
Ekspozita “Retrospekiva” e Muslim Mulliqit ishte më e vizituara në Galerinë Kombëtare që nga viti 1999, me 1,987 vizitorë.
Grupi i dytë ishin artistët bashkëkohor që kanë punuar në këtë fushë prej 20 deri në 40 vite, si artisti konceptual Sokol Beqiri dhe fotografja Lala Meredith-Vula.
Dhe grupi i tretë ishin artistët e gjeneratës më të re, si artistët vizual Alban Muja, Petrit Halilaj dhe Flaka Haliti, që veç se kishin bërë emër për vete ndërkombëtarisht; Halilaj dhe Haliti të dy përfaqësuan Kosovën në Venice Biennial.
Një ndryshim që Shkololli e solli gjatë udhëheqjes së tij ishte reduktimi i frekuencës së Ekspozitës Ndërkombëtare Muslim Mulliqi dhe Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Gjon Mili; atëherë mbaheshin çdo vit, ndërsa pastaj u mbajtën çdo të dytin vit. Idea pas kësaj ishte të shfrytëzohet maksimalisht kapaciteti i galerisë, por edhe të sigurohet kualitet më i lartë në punimet e zgjedhora për ekspozim.
Nismat e regjisorit nuk kanë kaluar të padalluara nga komuniteti artistik. Artisti i instalacioneve i vlerësuar ndërkombëtarisht Anri Sala është plot me admirim për punën e Shkolollit në galeri. “Ai ka arritur të zmadhojë potencialin e saj dhe të zgjerojë horizontin e misionin e saj, veçanërisht kur e dimë se institucionet e tilla mund të jenë nga natyra të dobëta, të parregullta dhe të brishta në shtete të dobëta ekonomikisht, që kanë prioritete tjera”, tha ai.
Hans Ulrish Obrist, njëri prej drejtorëve të ‘Serpentine Galleries’ në Londër, dha ligjëratë në Galerinë Kombëtare në korrik 2015.
Shkololli është lëvduar prej disa nga njerëzit më me ndikim në botën e artit bashkëkohor. Hans Ulrish Obrist është njëri prej drejtorëve të Serpentine Galleries në Londër. “Prej gjërave më të mrekullueshme për Erzenin dhe punën e tij janë rolet e tij kolektive si drejtor i galerisë, kurator, por edhe artist”, tha ai. “Kariera e tij personale e ka mbajtur në udhëkryq të këtyre roleve brenda botës së artit, dhe kjo mendoj që ka kontribuar në aftësinë e tij për të kuptuar se si mund të nxitet zhvillimi i këtyre niveleve.
Hapja e Galerisë
Gjatë udhëheqjes së Shkolollit, GKK u bë pikë e rëndësishme e takimit për artistë dhe kuratorë kombëtar dhe të huaj; u përjetua një rilindje.
Tërheqja e ndërkombëtarëve si anëtarë të jurive në gara të ndryshme është bërë normë, e jo përjashtim. Shkololli gjithashtu është munduar të sjellë kuratorë prestigjioz që të takohen me artistë lokal, edhe nëse nuk kishin të ekspozojnë në galeri.
“Ndarja e rrjetit të lidhjeve është e domosdoshme”, tha artisti shqiptar, Sala, “veçanërisht në vende si Kosova, Shqipëria, ose vendet tjera në rajon, sepse tani për tani qasja e kuratorëve dhe artistëve ndërkombëtar në skenat lokale është sporadike, e jo e qëndrueshme”.
Në 2012, dy emra të klasti botëror erdhën të kurojnë Ekspozitën e parë Ndërkombëtare ‘Muslim Mulliqi’ të Shkolollit për art bashkëkohor, të quajtur “Nuk Duhet të jetë e Bukur, Përveç nëse është e Bukur”. Ata ishin Galit Eliat, themelues dhe drejtor i Israeli Center for Digital Art, dhe Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum në Eindhoven – që në 1936 u bë një prej muzeve të partë publik për art bashkëkohor që u themelua në Evropë.
Për edicionin e nëntë të Ekspozitës Ndërkombëtare Muslim Mulliqi (2012), artisti francez Laurent Mareschal rikrijoi tokën e një shtëpie palestineze.
Pastaj ishte Ekspozita Henry Moore në 2014, që solli punimet e skulptorit britanez në Kosovë. Dhe në 2015 erdhi ekspozita “Tridhjetë e Një”; përmbledhje e një pjesë të punimeve të Kontakt Art Collection, që fokusohet në artin e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, që shoqëroi zhvillimet sociale dhe politike gjatë dekadave të fundit.
Christine Frisinghelli, ish-drejtoreshë e revistës së respektuar Camera Austria, thotë se puna e Shkolollit do të dëshmohet të jetë “standard për zhvillim të artit bashkëkohor në Kosovë në të ardhmën”. Për të, zgjedhja e temave, pozitave të artistëve dhe kuratorëve janë kontribut i rëndësishëm në kontekst “ku praktikantët e ri në fushën e artit vizual synojnë pozicionimin e punës dhe mendimeve të tyre në treg global garues”.
Vet Frisinghelli e kuroi Ekspozitën e parë të Fotografisë Ndërkombëtare Gjon Mili, që e organizoi Shkololli në 2012. Ajo ishte gjithashtu pjesë e jurisë për edicionin e 2015 të Gjon Milit, që u kurua nga Richard Birkett.
Fritz Giertsberg, kurator i Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Gjon Mili në 2013 beson se “Shkololli e ka vendosur Kosovën në hartën e artit ndërkombëtar”. Dhe Vasif Kortun, drejtor i Hulumtimeve dhe Programeve të SALT (Stamboll), thotë se “nuk ka pasur institucion më të mirë në Evropën Juglindore për një kohë të gjatë, duke përfshirë Maqedoninë, Bullgarinë, Shqipërinë dhe Greqinë”.
Kosova morri pjesë në Bienalen prestigjioze të Venedikut për të parën herë në 2013, ku artisti Petrit Halilaj u zgjodh të përfaqësojë pavijonin kombëtar.
Kulmi i pranisë dhe shkëmbimeve ndërkombëtare erdhi në 2013 me pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Venice Biennial, ngarja më prestigjioze ndërkombëtare e artit në botë. Nën drejtimin e Galerisë Kombëtare, Shkololli ishte komisioner i ekspozitës dhe përsëri zgjodhi të punojë me kombinim të partnerëve ndërkombëtar dhe kosovar; Kathrin Rhomberg e Austrisë dhe artisti i ri kosovar (që gjithashtu ishte i vlerësuar ndërkombëtarisht), Petrit Halilaj.
Reformist Jashtë Vendit dhe Revolucionar Brenda?
Deri sa Shkololli pati strategji të qartë për GKK, shtrohet pyetja se a shihet si inovativ programi i tij artistik për shkak të kualitetit të përmbajtjes apo për shkak të faktit që niveli që e parapriu ishte i ulët.
Kur e pyetëm se a ishte Shkololli reformist apo revolucionar brenda mureve të institucionet, kritiku Maliqi e tundi kokën, sikur asnjëri prej opcioneve nuk i përshtatet tanimë ish-drejtorit të GKK.
“Në kuptimin e artit bashkëkohor, ai ka qasje konservatore”, tha Maliqi. “Ai po bënë diçka që në botën evropiane ështëb ërë para 30-40 viteve… por për neve është disi… jo revolucion. Por ka hapur pikëpamje të reja, ka organizuar ekspozita të shkëlqyera, ka promovuar art të ri, jo vetëm për ne, por edhe për rajonin. Definitivisht është lidhje e mirë me skenën bashkëkohore të artit në Evropë dhe jashtë saj”.
Për Albert Hetën, drejtor i Stacion-Contemporary Art Center, një prej hapësirave të pakta të artit të pavarur në Prishtinë, galeria i ngjanë institucioneve tjera publike përreth botës që janë kryesisht “të normalizuara”.
“Asnjëherë nuk mund të gjesh punime me përmbajtje sfiduese duke u ekspozuar në Galerinë Kombëtare në këtë kohë, punime që nuk janë politikisht korrekte, që prodhojnë debat mbi një çështje që nuk diskutohet aq”, tha ai.
Eriola Pira, kuratore shqiptare, teoriciene e kulturës vizuale dhe administratore e artit që ka bashkëpunuar me galerinë për Çmimin Artistët e së Nesërmës që prej vitit 2009, ndjeu simpati për pikëpamjet e Hetës. Edhe pse tha që udhëheqja e Shkolollit i ka ndryshuar gjërat shumë, në Kosovë dhe rajon, edhe ajo e sheh kohën e tij me sy kritik.
“Shumica e ekspozitave në vitet e kaluara kanë qenë të sigurta dhe nuk kanë arritur të prodhojnë shumë entuziazëm ose antagonizëm”, tha ajo. “Nuk ka pasur punime ose artistë që kanë kapur imagjinatën e publikut ose kanë prodhuar diskutim brenda qarqeve të artistëve. Nuk jam e sigurt nëse është faji i Erzenit, por mendoj që drejtori mundet, dhe duhet, të nxis kuratorët dhe artistët që të rrezikojnë”.
Përballur me kritika që thonë se nuk është munduar t’i shtyjë kufijtë, Shkololli rikujtoj shfaqjen retrospektive të Sokol Beqirit në vjeshtë të vitit 2014, dhe edicionin e fundit të Ekspozitës Ndërkombëtare Muslim Mulliqi që u festua në të njejtin vit, prej të cilave të dyja trajtuan çështje bashkëkohore politike. Duke shikuar pas, ai thekson edhe skenën artistike përtej mureve të GKK.
“Retrospektiva”, e Sokol Beqirit, e mbajtur në vitin 2014, ka prezantuar disa nga punët më të mira të artistit. Beqiri konsiderohet si një nga figurat kryesore të artit kontemporar të Kosovës.
“Mendoj se duhet të vijë prej artistëve”, tha Shkololli. “Jo që Galeria Kombëtare nuk duhet t’i mbështes këta zëra, nuk mendoj kështu… por nuk kam parë diçka të tillë në skenën e artit të pavarur, ose në ndonjë hapësirë tjetër në Kosovë. Për mua, kualiteti i punimeve, prodhimeve, është kriter – një skandal nuk bënë punë të mirë”.
Për t’u Vazhduar
Edhe pse krenar për arritjet e tij, Shkololli është i vetëdijshëm që ka mbetur shumë për t’u bërë. Ai përmend kolekcionin e harruar të galerisë – përafërsisht 900 punime që galeria i ka marrë, që mbesin në depo për shkak të mungesës së hapësirës për ekspozim të përhershëm. Shumë prej tyre kanë nevojë për restaurim, gjë që kërkon fonde shtesë.
Shkololli vazhdon të flet për nevojën për një muze për art modern, për të cilin, ai thotë, Kosova nuk ka kapacitete profesionale. Për këtë arsye, ai është veçanërisht krenar me programet arsimore që i ka nisur. Më herët gjatë vitit, ai prezantoi Programin Publik të Ligjëratave, nëpërmjet të cilit shpreson që ka bërë kontribut të vogël në nxitjen e interesit për rritje të skenës. E strukturuar me fjalime dhe ligjërata publike, pjesëmarrës në të ishte edhe Adam Szymczyk, drejtor artistik i ekspozitës pesëvjeçareDocumenta 14; përkrah Venice Biennial, Documenta është një prej ngjarjeve më të rëndësishmë të artit bashkëkohor botëror. Prej 1 shtator, 2015, shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës do t’i sjellin nxënësit rregullisht për vizita në galeri.
Prej 1 shtator, 2015, shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës do t’i sjellin nxënësit rregullisht për vizita në galeri.
Megjithatë, kur e kemi parasysh se çfarë e pret skenën e artit të Kosovës, janë disa çështje që jane jashtë kontrollit të Shkolollit. Në shkurt të këtij viti, bordi i GKK u shkarkua, vetëm gjashtë muaj pas fillimit të asaj që duhej të ishte periudhë katër vjeçare. Kjo ishte lëvizje që u perceptua gjerësisht si përpjekje nga Ministria e re e Kulturës për të fituar kontroll më të mmadh politik mbi artin; spastrime të tilla u bënë edhe në bordet e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, rreth të njejtës kohë.
Më herët gjatë javës, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës dështoi në akreditimin e programeve të tyre akademike nga Agjencia e Akreditimit në Kosovë, dhe dje ekzistonte një ndjenjë e çfryrjes në rrethin artistik kur u lajmëruan emrat e aplikuesve që ishin përzgjedhur të jenë pasardhës të Shkolollit; të gjithë kandidatët ishin teknokratë aktual të Ministrisë së Kulturës.
Shkololli nuk ka dëshirë të zbulojë se çfarë e pret në të ardhmën e afërt. Por një gjë është e sigurt, do të qëndrojë në Kosovë. Sa për drejtorin e ri të galerisë, standardi është vendosur shumë lartë, por nuk do të thotë që nuk duhet të shkojë edhe më lartë.
“Kushdo që e merr përgjegjësinë duhet të punojë shumë, të jetë i sinqertë në punë, dhe të sjell diçka që unë nuk kam sjellur”, tha Shkololli. “Asnjëherë nuk e pata për qëllim që t’ia bëjë lehtë dikujt”.K
Fotografitë: Galerisë Kombetarë të Kosovës; Atdhe Mulla.