Blogbox | Diaspora

A është diaspora “shaci”?

Nga - 22.12.2017

Stereotipi i “shacit” nuk përfaqëson shumëllojshmërine e diasporës kosovare.

Shaci vesh tesha që biejnë në sy, ai i ka flokët me gjel, dhe orë të shtrenjtë. Shaci flet shqip me vështirësi, dhe përzien aty-këtu ndonjë fjalë të huaj. Shaci nget veturën e shtrenjtë me targa të huaja, dhe punon 10 muaj në shtete të jashtme, për të jetuar si ‘beg’ gjatë pushimeve në Kosovë. Ai është pasuruar, por në zemër mban vlerat tradicionale shqiptare, dhe është patriot. Atje punon punë baushtellë, e në Kosovë paguan për gjithë tavolinën kur del me shoqërinë e me farefisin nga Kosova, dhe bën non-stop krahasime se si në Perëndim është më mirë se në Kosovë.

Ky është vetëm një përshkrim i stereotipit të mërgimtarit që është i pranishëm në diskursin e shoqërisë kosovare për ata që emigruan nga Kosova. Sipas Dafina Pacës ky stereotip funksionon si konstrukt që e tjerëson diasporën kosovare duke e paraqitur atë si “tjetrin”.

Por ky stereotip edhe pse është i thjeshtësuar tej mase, i gabuar dhe nënçmues, u përdor gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë nga personat publikë që ishin të pakënaqur me mënyrën se si diaspora votoi duke mbështetur opozitën në Kosovë. Kryeredaktori i portalit “Metro” Valon Syla, përqeshte nivelin e edukimit të diasporës dhe sa për t’u shfajësuar, në një debat në profilin e tij në Facebook, thoshte se e kishte fjalën për diasporën që jeton me ndihma sociale të shtetit, dhe rri tërë ditën në rrjete sociale duke përcjellur realitetin në Kosovë.

Kjo përkundër faktit se procedurat për marrje të lejeqëndrimit si emigrant në një vend që nuk është vendi yt i origjinës janë shpesh të lidhura ngushtë me integrimin ekonomik të emigrantit. Në fakt, nëse e marrim proporcionalisht numrin e gjermanëve dhe të ballkanasve që marrin ndihmë sociale, na del se ballkanasit marrin më pak ndihmë sociale se gjermanët. Pra ideja se shqiptarët jetojnë me ndihmë sociale është empirikisht e gabuar, dhe stereotipizimi i tillë tregon se për diasporën flitet më shumë me paragjykime sesa me fakte.

 

Pra, pse është e gabuar ideja e përdorimit të emërtimit “shaci”?

 

Përpara se të kategorizohet diaspora, duhet të kemi parasysh se ajo përbëhet nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Diaspora përfshin familje që jetojnë në pjesë të ndryshme të Europës dhe të botës, si dhe familjet që tashmë me breza të ndryshëm që janë lindur e janë rritur jashtë Kosovës. Pra, po flasim për një shumëllojshmëri prejardhjesh, shtetesh e gjeneratash që vështirë mund të përthekohen e të gjeneralizohet brenda një nocioni, e lëre më brenda një emërtimi përqeshës si “shaci”.

 

Në një shkrim të mëhershëm, kam shkruar për arsyet pse diaspora kosovare mund të jetë më konservative sesa shoqëria kosovare brenda kufijve të shtetit më të ri në Europë. Asokohe isha kritikuar për shabllonizim të diasporës dhe se e paskam shtyrë përpara idenë se diaspora ështe e prapambetur, e që një stereotip i tillë tashmë ekziston në shoqëri.

 

Ç’është e vërteta, qëllimi im në atë shkrim nuk ka qenë ta përgjithësoj diasporën si konservative por të shpjegoj fenomenet që çojnë në konservatizëm të thelluar të emigrantëve – por duhet pasur parasysh se konservatizmi i tillë varet nga faktorë të ndryshëm si niveli i edukimit, madhësia e familjës, zotërimi i gjuhës tjetër, integrimi i emigrantëve në shtetin ku jetojnë e kështu me radhë.

 

Megjithatë, nëse diasporën e stereotipizojmë si më konservatore e tradicionale, në atë rast ne e shpërfillim faktin se gratë atje janë më të punësuara dhe më të pavarësuara ekonomikisht, dhe kanë profesione të llojllojshme si në ofrim të shërbimeve, në art, dhe në profesione të dominuara nga meshkujt, si futbolliste, shofere të autobusëve, etj. Nëse e përqeshim folklorizmin dhe shijen e muzikës të diasporës atëherë e shpëfillim faktin se Dua Lipa, Rita Ora, GASHI, Action Bronson, janë gjithashtu diasporë. Nëse themi se ata janë të paedukuar, atëherë e shpërfillim faktin se një pjesë të diasporës e gjen në universitetet elitare europiane dhe amerikane. Diaspora përbëhet prej njerëzve që punojnë në ndërtimtari, gastronomi, shërbime, por edhe prej njerëzve që kanë biznese të suksesshme, që janë artistë, që punojnë nëpër institucione të rëndësishme apo edhe nëpër universitete.

Disa nga diaspora e shohin Kosovën si një vend të lehtë për t’u investuar, të tjerët, e shpesh edhe të rinjtë që janë lindur jashtë, e përdorin edukimin, përvojën dhe aftësitë gjuhësore për të përcjellur know-how nga Perëndimi në Kosovë, si në hapjen e bizneseve, në inovacione por edhe në fushën e kulturës. Kombëtarja e futbollit përbëhet pothuajse tërësisht prej lojtarëve nga diaspora.

E përkundër procedurave të ndërlikuara të regjistrimit për të votuar nga diaspora, pati katërfishim të numrit të pjesëtarëve të diasporës të cilët votuan në zgjedhjet në Kosovë. Në zgjedhjet lokale ka pasur kandidatë të diasporës për kryetarë komune, në zgjedhjet qendrore pati kandidatë për deputetë të cilët në fakt janë rritur jashtë Kosovës. Një qeveri që do të angazhohej për rikthimin e trurit do të sillte edhe më shumë pjesëtarë nga diaspora në institucionet kyçe të Kosovës.

Kosova është me fat që vazhdon të ketë një diasporë e cila është e lidhur dhe e interesuar për shtetin e saj të origjinës. Tjerësimi dhe gjuha nënçmuese e disa individëve publikë nuk do të mund ta ndryshojë lidhjen e diasporës me Kosovën. E kjo lidhje e tyre me Kosovën nuk është vetëm në aspektin e pushimeve dhe atë familjar, por ka edhe dimension ekonomik, kulturor dhe politik.

Në një vend ku diaspora historikisht angazhohet për vendin e origjinës dhe kontribuon në dimensione të shumëfishta, emërtimet si shaci dhe stereotipet e lidhura me të janë thjesht të panevojshme dhe larg asaj se çka në të vërtetë është diaspora, dhe rëndësisë që ajo ka për një të ardhme stabile të vendit.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO