Më 14 shkurt, ish-Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj kishte shpallur shifrat ditore të COVID-19 në faqen e tij në Facebook. Me krenari, ai tregoi se ishin kryer një numër rekord testimesh, se shkalla e pozitivitetit kishte qenë më e ulëta deri atëherë dhe se nuk ishte shënuar asnjë vdekje për herë të pas shumë muajsh.
Po të vërehen shifrat e gjera ditore shihet se numri i rasteve të reja pozitive që raportoheshin — të cilat ngriheshin vazhdimisht — tash ishte sheshuar, ndërsa numri i vdekjeve të raportuara ishte në rënie. Sipas shifrave, situata dukej se po përmirësohej.
Por postimi i Zemajt u prit me tallje dhe përbuzje.
Kjo ndodhi sepse — siç mund ta dinë shumica e lexuesve — shpallja e tij kishte lënë jashtë disa informata thelbësore kontekstuale.
14 shkurti nuk ishte ndonjë ditë e rëndomtë, por ishte dita e zgjedhjeve. Javët paraprake nuk ishin javë të rëndomta, por ishin të ngjeshura me fushata zgjedhore zyrtare dhe jozyrtare ku partitë politike mblodhën qindra njerëz, shpeshherë në hapësira të mbyllura ku nuk mbahej distanca e duhur fizike dhe pak njerëz mbanin maska. Përmirësimi sipërfaqësor i shifrave nuk erdhi në një kohë me kufizime të shtrënguara ose kujdes të shtuar, por kur kufizimet ishin lehtësuar dhe kafenetë ishin të mbushura me njerëz.
Më vonë në po atë ditë, Zemaj u përball me shifra të tjera rekorde, pasi rezultatet e zgjedhjeve treguan se partia e tij kishte pësuar humbje të rëndë ndërsa Vetëvendosja kishte shënuar fitore të thellë.
Ka hapa të thjeshtë e të përditshëm që duhet t'i bëjë qeveria për të treguar se është e gatshme ta trajtojë pandeminë me transparencë.
Fushata ngadhënjyese e Vetëvendosjes, e cila i solli më shumë vota sesa çdo partie tjetër në historinë zgjedhore të Kosovës, ka premtuar se do të ketë mënyrë të re qeverisjeje, e cila në thelb do të përmbajë llogaridhënien, sundimin e ligjit dhe drejtësinë. Zyrtarët e sapozgjedhur kanë përmendur rregullisht deklarata madhështore për shërbimin ndaj qytetarëve që u kanë falur kaq shumë besim dhe për atë se si do të sjellin transparencë te institutcionet.
Shtegu është akoma i gjatë dhe hapat e ngadaltë për t’u marrë me emergjencën e shëndetit publik që vazhdimisht shkon e përkeqësohet ishin fillim jopremtues. Vendosja e masave të reja për ta zvogëluar përhapjen e virusit vetëm atëherë kur spitalet iu afruan mbushjes së plotë nuk u bë deri në çastin e fundit, ndërsa vonesa dyjavëshe për ndërmarrjen e veprimeve do të ketë kushtuar me jetë.
Akoma pritet të ketë vendim përfundimtar për masat e radhës pas skadimit të të tanishmeve më 18 prill. Por ka gjithashtu hapa më të thjeshtë e të përditshëm që mund të bëjë qeveria për të treguar se është administratë serioze, e gatshme për ta trajtuar pandeminë me transparencë.
Një nga hapat është ngritja e cilësisë së informatave që jep.
‘Mos u beso numrave’
Është e qartë se pas shumë vjetësh që pushtetarët i marrin për budallenj njerëzit të cilëve u shërbejnë, qytetarët e Kosovës kanë pak besim se do t’u ofrohen informata nga institucionet. Kjo vlen posaçërisht kur flitet për shifra.
Edhe para fushatës zgjedhore, përgjigja më e zakontë për çështjen e të dhënave për COVID-19 ka qenë — “mos u beso numrave”.
Një pjesë e madhe e kësaj çështjeje lidhet me besimin. Meqë qytetarët nuk besojnë se u jepet një pamje e saktë e shkallës së problemit, ata nuk do t’i zënë besë qeverisë dhe askujt tjetër për zgjidhjet që ofrojnë.
Pavarësisht se a ka zgjidhje të përkohshme, sikur kufizimet dhe masat e tjera parandaluese, ose më afatgjata, sikur shpërndarja e vaksinës (kur të bëhet gjerësisht e disponueshme), nëse qytetarët nuk kanë besim në to, atëherë shtegu për të dalë nga pandemia do të jetë më i gjatë dhe më i rreptë.
Numrat, sikur çdo gjë tjetër, duan kontekst për t’u kuptuar mirëfilli.
Por, kur vjen fjala te ndërtimi i besimit përmes transparencës, duhet më shumë sesa thjesht publikimi i disa shifrave.
Që nga ditët e para të pandemisë, institucionet e Kosovës kanë nxjerrë shumë numra në lidhje me situatën e COVID-19 — shumë sosh vihen në faqen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK) në Facebook ditë për ditë. IKShPK-ja po ashtu ka një hapësirë të veçantë në webfaqen e vet ku përditëson rregullisht të dhëna të ndryshme për numrin e testimeve, rastet pozitive, të shëruarit dhe vdekjet.
Pra, çështja kryesore nuk është ofrimi i informatave, por dhënia e informatave kuptimplota. Kjo sepse numrat, sikur çdo gjë tjetër, duan kontekst për t’u kuptuar mirëfilli.
Kjo ngërthen dy faza.
Rëndësia e përkufizimit
Së pari, ata që japin këto të dhëna duhet t’i shoqërojnë ato me shpjegime. Kjo ua jep të dhënave një bazë dhe do të thotë se ata që përpiqen të interpretojnë informatat ose të kërkojnë llogari nga vendimmarrësit kanë një fillesë ku mund ta bëjnë hapin e parë.
Për krahasim, në Mbretërinë e Bashkuar (MB), të dhënat zyrtare për COVID-19 shoqërohen nga një webfaqe ku gjendet një shpjegim prej më se 8,000 fjalësh, i cili flet për mënyrën se si janë mbledhur të dhënat, kur janë mbledhur dhe nga cili institucion. Aty ofrohen përkufizime për secilin term dhe informata për kuptimet që përfshijnë, si dhe vegëza për të lexuar dokumente të tjera me akoma më shumë shpjegime të hollësishme teknike.
Për shembull, nëse flasim për vdekjet me COVID-19, informatat shpjegojnë se qeveria e MB-së i quan të tilla “vdekjet që ndodhin brenda 28 ditësh pas daljes pozitiv”. Ky përkufizim standard është miratuar më 12 gusht 2020, meqë deri në atë kohë, Anglia i numëronte të gjitha vdekjet pas testimit pozitiv, pavarësisht nga ndërkoha e kaluar. Informatat teknike po ashtu shpjegojnë se në fillim janë raportuar vetëm vdekjet në spitale, ndërsa më 29 prill 2020 është përditësuar përkufizimi që të përfshihen edhe ata që vdesin gjetiu, sikur në shtëpitë private dhe qendrat e përkujdesjes.
Në këtë pikë, në Kosovë do të pajtoheshim me çfarëdo përkufizimi të termave të përdorur.
Tash, analistët flasin për atë se cili përkufizim duhet të përdoret për të dhënë pamjen më të saktë të situatës. Zyra Kombëtare e Statistikave e MB-së raporton numër më të lartë vdekjesh sesa Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social sepse përkufizimi i saj përfshin çdo vdekje ku COVID-19 përmendet në certifikatën e vdekjes. Kjo bazohet në vlerësime klinike nga mjekët dhe jo domosdo nga ajo se a ka dalë pozitiv personi i caktuar.
Në anën tjetër, përkufizimi i “vdekjes brenda 28 ditëve pas daljes pozitiv” nuk raporton shkakun e vdekjes dhe — siç shpjegohet në shënimet shoqëruese që caktojnë kufizimet e të dhënave — “kështu përfaqëson vdekjet e njerëzve me COVID-19 dhe jo domosdo të shkaktuara nga COVID-19”.
Vendet e tjera kanë metodat e veta të përcaktuara për numërimin e vdekjeve me COVID-19.
Por në këtë pikë në Kosovë do të pajtoheshim me çfarëdo përkufizimi të termave të përdorur si pikënisje.
Për shembull, a është “rasti i vdekjes me SARS-CoV-2 pozitiv” — siç raportohet nga IKShPK-ja në postimet e saj ditore në Facebook — i tillë ku virusi është vërtetuar nga mjeku si shkaku përfundimtar i vdekjes? A përfshin ky numër njerëzit që janë konfirmuar se kanë pasur virusin kur kanë vdekur (ose brenda një periudhe kohore të caktuar para vdekjes), por që mund të kenë vdekur nga faktorë të tjerë? A nënkupton kjo çdo person që thjesht dyshohet se ka pasur virusin kur ka vdekur (ose brenda një periudhe kohore të caktuar para vdekjes)?
A ekziston një përkufizim i vetëm që përdoret? Ose, a ka ndryshuar përkufizimi me kalimin e kohës, ose nga spitali në spital, ose mbase nga mjeku në mjek?
Skeptikët mund të thonë se përgjigja është një kombinim i të lartpërmendurave dhe të gjithë kemi dëgjuar teoritë e njerëzve për fryrjen ose uljen e numrave. Por, nëse mund të fillojmë të identifikojmë pikënisjen e punës me të dhënat, atëherë do të dimë se si t’i fokusojmë përpjekjet për ta përmirësuar situatën.
Numrat e rasteve “aktive” dhe “të shëruara” janë aktualisht pothuajse të pakuptimta.
Probleme të tilla krijohen kur flitet për rastet “e shëruara” dhe ato “aktive”, të cilat raportohen dembelisht nga shumë media që thjesht i kopjojnë dhe i vënë në komunikata për media ose në postime të rrjeteve sociale.
Por, si në të vërtetë maten rastet “e shëruara” dhe ato “aktive”?
A bëhen ritestime sistematike pas daljes pozitiv deri sa të ketë rezultat negativ? Do të jetë e qartë për ata që kanë pasur virusin se kjo nuk ndodh.
A janë numrat që bazohen në ritestime vetëm të atyre që janë spitalizuar për shkak të COVID-19? Nëse po, si llogariten rastet që nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor brenda këtyre shifrave — a mbesin “aktive” përgjithmonë?
Ose, a ekziston ndonjë kriter tjetër që përdoret për ta bërë këtë vlerësim? Ndoshta duhet të kalojë një periudhë e caktuar kohore pas daljes pozitiv?
Fatkeqësisht, pa informata ose shpjegime shoqëruese, numrat e rasteve “aktive” dhe “të shëruara” janë aktualisht pothuajse të pakuptimta.
Edhe IKShPK-ja, edhe Ministria e Shëndetësisë (para ndërrimit të qeverisë) nuk na kanë dhënë përgjigje për informata të mëtutjeshme rreth të dhënave për COVID-19.
Cili është konteksti?
Lloji i dytë i kontekstit që kërkohet janë rrethanat e gjera brenda të cilave duhet të lexohen të dhënat. Kjo nënkupton interpretimet e shkencëtarëve të institucioneve për domethënien e të dhënave. Po ashtu nënkupton shpjegime edhe për ndikimin e të dhënave nga politikat sikur masat kufizuese, edhe për përdorimin e të dhënave për t’i informuar vendimet e politikëbërësve.
Deri më tash, interpretimet dhe analizat zyrtare të të dhënave kryesisht kanë munguar dhe nuk kanë shkuar përtej vlerësimeve dhe apeleve të përgjithshme. Kur ministrat dhe krerët institucionalë u janë referuar të dhënave për COVID-19 para kamerave, ata zakonisht kanë lexuar shifrat e 24 orëve të fundit.
Kjo jo vetëm që u jep theks të pamerituar numrave ditorë, të cilat janë shpeshherë më pak relevantë sesa trendet më të gjera për një varg arsyesh, por gjithashtu u ofron shikuesve ndihmë të paktë për ta kuptuar domethënien e të dhënave.
Për shembull, numri i rasteve të reja të raportuara është rritur në mënyrë të theksuar që nga fundi i shkurtit, por është në rënie gjatë prillit. Numri mesatar i rasteve pozitive ditore ka qenë mbi 800 në fillim të muajit, por tash është më afër 500-shit, ndërsa përqindja e testeve që kanë dalë pozitiv në të njëjtën periudhë ka rënë nga mesatarisht 20% në 14%.
Shkencëtarët gjetiu thonë vazhdimisht se numrat nuk pasqyrojnë ndryshime deri sa të kalojë një kohë e caktuar pas raportimit të tyre.
Sidoqoftë, nuk është dhënë asnjë shpjegim zyrtar për arsyet e rënies së rasteve sipas qeverisë dhe shkencëtarëve.
Ky trend ka filluar pak para vendosjes së masave më të shtrënguara më 6 prill, ndërsa shkencëtarët gjetiu thonë vazhdimisht se numrat nuk pasqyrojnë ndryshime deri sa të kalojë një kohë e caktuar pas raportimit të tyre.
Po kështu, me dhënien e dozave të para të vaksinës më 28 mars, duket se është tepër herët që ato të kenë ndikim të vërejtshëm në numrat e rasteve — sidomos për shkak se përqindja e popullatës së vaksinuar është pothuajse akoma e papërfillshme.
A mund të ekzistojë një lidhje mes rënies aktuale të rasteve dhe pushimeve zyrtare që janë shënuar së fundi? A është ky trend i ri, ose shenjë që njerëzit me dyshime se janë infektuar nuk po testohen?
Ose, a mund të ekzistojë një përgjigje teknike për këtë ndryshim, ndoshta ndonjë ndërrim i qasjes në politikën e testimit?
Sërish na mbetet të pandehim sepse nuk na janë dhënë detaje për numrin e testeve që kryhen në pika të ndryshme në vend, për përqindjen e testimeve që bëhen për njerëzit që dyshojnë se janë të infektuar dhe për përqindjen e testeve që kryhen sistematikisht (për shembull për stafin mjekësor ose atë të institucioneve).
Tani për tani thjesht nuk kemi informata të mjaftueshme cilësore për t’i ditur përgjigjet e duhura. Në vend të kësaj bindemi nga përvojat personale dhe informatat e tërthorta që i marrim nga bisedat me njerëz.
Mungesat e të dhënave mbi spitalizimin
Ndryshe nga numri i gjithsejtë i testimeve, rasteve pozitive dhe vdekjeve, rastet e spitalizimeve nuk përfshihen fare në të dhënat e rregullta. Ky është një përjashtim tepër i rëndësishëm sepse një nga qëllimet kyçe të vendosjes së masave parandaluese është përpjekja për ta “sheshuar lakoren” e rasteve me COVID-19 në mënyrë që të shmanget mbingarkimi i spitaleve.
Gjatë javëve të fundit kemi parë një përmirësim në rregullsinë e publikimit të të dhënave mbi spitalizimin, pasi ShSKUK-ja tashmë nxjerr përditësime ditore në faqen e saj në Facebook — por prapëseprapë mungojnë shpjegimet teknike dhe konteksti relevant.
Por deri në fund të marsit, gjetja e të dhënave për spitalizimet kërkonte qëmtim nëpër shumë llogari të Facebook-ut — përfshirë atë të ShSKUK-së dhe llogarinë personale të zëdhënësit të IKShPK-së — për t’i ndarë manualisht të dhënat nga postimet ad hoc.
Pa pasur vazhdimisht të dhëna të disponueshme, është shumë më vështirë të vërehen trendet dhe është thuajse e pamundur të shqyrtohen zgjidhjet e mundshme, të ofrohen ato dhe të ketë llogaridhënie.
Ka pasur po ashtu periudha të rregullta kur nuk ka pasur të dhëna fare. Në shkurtin e sivjetmë, në prag të pikut të infeksioneve që po e përjetojmë tani, vetëm katër herë janë nxjerrë të dhëna të pjesshme mbi spitalizimin. Gjatë pikut të infektimeve në dimër, ka qenë një periudhë 16-ditëshe kur nuk janë nxjerrë fare të dhëna për spitalizimet.
Pa pasur vazhdimisht të dhëna të disponueshme, është shumë më vështirë të vërehen trendet, ndërsa kur ka mungesa të mëdha — sikur në këto raste — është thuajse e pamundur të shqyrtohen zgjidhjet e mundshme, të ofrohen ato dhe të ketë llogaridhënie.
Deklaratat verbale të zëdhënësve institucionalë ose ministrave, sikur në konferencat e rregullta për shtyp të qeverisë së kaluar, nuk mjaftojnë.
Webfaqja e IKShPK-së përfshin togje të ndryshme të dhënash, por pa shpjegime teknike. Po ashtu, për shkak të përfshirjes së një kohe të vetme të futjes së informatave, është e paqartë se cilës periudhë i përgjigjen të dhënat e veçanta, meqë ato nuk përditësohen me rregullsinë e njëjtë.
Po kështu nuk mjafton as organizimi i të dhënave në webfaqen e IKShPK-së. Aty paraqiten vetëm numrat e spitalizimeve të fundit, pa të dhëna të mëhershme për hir të krahasimit; ndërsa, kohës së vetme të përditësimit të të dhënave i mungon saktësia e duhur në mënyrë që vizituesit të dinë se cili tog i të dhënave është përditësuar në ditën e cekur.
Prapë, kur flitet për transparencën, nuk mjafton thjesht të thuhet se ke dhënë informatat — metoda dhe rregullsia e komunikimit janë po ashtu kyçe.
Fitoret e shpejta për ta ndryshuar kahjen
Pavarësisht se a ka të dhëna që u mungojnë detajet dhe informatat kontekstuale, ose se nuk ka fare, ndikimi është i njëjtë. Njerëzit lihen t’i gjejnë përgjigjet vetë dhe t’i sajojnë shpjegimet e tyre, të cilat është pothuajse e pamundur të përgënjeshtrohen. Prandaj gjendemi në një situatë ku mbizotërojnë teoritë konspirative.
Analistët diletantë (dhe ata që pritet të jenë më të arsyeshëm) përzgjedhin cilindo numër që ua mbështet këndvështrimin, zakonisht duke anashkaluar ndryshimet e përditshme që shënohen në të dhënat për COVID-19 anekënd botës. Dhe në vend se të ketë diskutim dhe kritikë shoqërore të bazuar në analizë të mirëfilltë, ata që veprojnë në media dhe në shoqëri civile — të cilët kanë për detyrë të kërkojnë llogari nga qeveria — shpeshherë bien në nivelin e informatave që janë të disponueshme, gjë që ia shton mosbesimit edhe hutimin.
Për ta ndryshuar kahjen, qeveria e re duhet të përqendrohet në rritjen e shpejtë të cilësisë së të dhënave për COVID-19 që nxjerr. Kjo detyrë do të bëhet akoma më e rëndë në vazhdim, meqë variantet e reja të virusit dhe zbatimi i planit të vaksinimit kërkon transparencë për të dhëna shtesë dhe më komplekse.
Do të marrë kohë që njerëzit të kenë besim te informatat që jepen nga institucionet e Kosovës.
Si pikënisje, qeveria e re duhet të sigurojë që të gjitha të dhënat për COVID-19 që nxjerr të jenë të sakta, të rregullta dhe pa dyshim të kontekstualizuara. Kjo nënkupton publikimin e shpjegimeve teknike për të dhënat tashmë të disponueshme.
Po ashtu nënkuptohet mbajtja e konferencave të rregullta për shtyp me shkencëtarë të angazhuar nga qeveria, si dhe me politikanë. Pra, nuk duhet që thjesht të rikthehen buletinet ditore të qeverisë së kaluar, por të ngritet niveli i informatave që nxirren përmes shpjegimit të trendeve të përgjithshme nga ekspertët për të kontribuar në dhënien e një interpretimi të arsyeshëm për gjendjen aktuale.
Pas shumë vjetësh me qeverisje jotransparente dhe me rritjen e skepticizmit publik për pandeminë, gjithsesi do të marrë kohë që njerëzit të kenë besim te informatat që jepen nga institucionet e Kosovës. Por, për një qeveri që ka marrë pushteti nëpërmjet premtimit se punët do të bëhen ndryshe, këto do të ishin fitore të vogla që do të bëheshin shpejt dhe do të ishin shumë të efektshme.
Feature image: Atdhe Mulla / K2.0.