Ballafaqimi me të kaluarën, veçanërisht në kontekstin e luftës së viteve të 90-a, gjithmonë ka qenë çështje e diskutueshme në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH). Ky shtet ka qenë subjekt i eksperimenteve për “paqe neoliberale”, dhe plot nisma me synime të ballafaqimit me të kaluarën ishin të individualizuara dhe private në natyrën e tyre.
Një nga përpjekjet e rralla të institucionalizuara për ballafaqim me të kaluarën ishte ndjekja penale e krimeve të luftës. Nëpërmjet kësaj strukture janë vërtetuar plot fakte të rëndësishme për krimet e kryera gjatë luftës.
Megjithatë, gjykatat nuk kanë dalur të jenë arenë adekuate për adresimin e dështimit të Marrëveshjes së Paqes Dayton për ballfaqim me ideologjitë politike dhe përfaqësuesit e atyre ideologjive që ishin përgjegjës për luftën.
Duke i lejuar ideologët e luftës, ideologjinë e formësuar nga lufta dhe liderët e luftës të jenë ata që pajtohen për marrëveshjen e paqes dhe e informojnë atë, mundësia u krijua që ato forca të njëjta të punojnë në mënyrë aktive për t’i shfuqizuar arritjet e gjykatave.
Një nga shembujt më flagrant është rasti i Marko Radić.
Historia e Marko Radić
Në 2011, Gjykata e Bosnjes dhe Hercegovinës vërtetoi se gjatë periudhës ndërmjet korrikut 1993 dhe marsit 1994, Radić ishte epror në Këshillin Kroat të Mbrojtjes (HVO) dhe kishte përgjegjësi mbi Komandantin Mario Mihajl (i ndjerë), Zëvendës Komandantin e tij Dragan Šunjić, Mirko Vračević, Damir Brekalo dhe rojet e burgut e ushtarët në kampin Vojno në zonën e Mostarit. Ky kamp ishte pjesë e Herceg-Bosnës – përpjekjet luftarake të ideologëve etno-nacionalistë për ta krijuar një entitet kroat në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë 90-ve.
Rasti që përfshinë Radić dhe të tjerët lidhet afërsisht me gjykimin Prlić et al (i njohur gjithashtu si rasti Herceg-Bosna) në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ). Në 2017, gjashtë të akuzuarit në rastin Prlić (Jadranko Prlić, Bruno Stojić, Slobodan Praljak, Milivoj Petković, Valentin Ćorić dhe Berislav Pušić) u shpallën të fajshëm për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale (bashkë me liderët e atëhershëm luftarak kroatë, Komandantin e Ushtrisë Kroate Janko Bobetko, ministrin e mbrojtjes të kohës së luftës Gojko Šušak dhe ish-presidentin kroat Franjo Tudman).
Sipas TPNJ, kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale e kishte qëllimin të përbashkët kriminal “dominimin nga kroatët e Republikës Kroate të Herceg-Bosnës nëpërmjet spastrimit etnik të popullsisë muslimane”.
Në mars 2011, Marko Radić u dënua nga Gjykata e Bosnjes dhe Hercegovinës në Sarajevë me burgim afatgjatë 21 vjet, Šunjić me 16 vjet, Brekalo me 20 dhe Vračević me 12 vjet burgim. Sipas gjykimit, ai dhe ushtarët e tij “kontribuan në funksionimin e mëtejmë të sistemit të burgut Vojno dhe keqtrajtimin e persekutimin e muslimanëve boshnjakë duke urdhëruar, kryer, ndihmuar, si dhe duke qenë bashkëfajtorë në, autorizimin e formave të ndryshme të dhunës fizike, mendore dhe seksuale, duke krijuar kështu një atmosferë të terrorit”.
Në mesin e të burgosurve në kampin Vojno ishin rreth tetëdhjetë gra dhe fëmijë. Plot gra dhe vajza të mitura u sulmuan seksualisht dhe përdhunuan.
Sidoqoftë, nga fillimi i tij ky rast ka qenë i njollosur nga ndërhyrjet politike të përkrahësve të ideologjive politike që kanë mbetur në fuqi në Bosnje dhe Hercegovinë prej luftës.
Ky rast jo vetëm që shkoi në procedurën e apelit në Gjykatën e BeH, por Radić gjithashtu bëri apel në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk gjeti shkelje të të drejtës së të pandehurit për gjykim të drejtë.
Sidoqoftë, nga fillimi i tij ky rast ka qenë i njollosur nga ndërhyrjet politike të përkrahësve të ideologjive politike që kanë mbetur në fuqi në Bosnje dhe Hercegovinë prej luftës. Marko Radić përfaqëson një figurë të rëndësishme për elitat që aktualisht janë në pushtet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe këmbënguljen e tyre për pushtetin e tyre, për shkak se ai ka qenë pjesë e diskursit që ka mundësuar që ato të hynë në pushtet.
Gjithçka që vjen më pas ndodh në kontekstin e thirrjeve të rinovuara për ringjalljen e Herceg-Bosnës (apo siç quhet shpeshherë “entiteti i tretë”) që kanë qenë gjithnjë më aktive dhe më të dukshme prej 2016-ës dhe të festës së 25 vjetorit të themelimit të saj.
Statusi i privilegjuar i Radić-it
Ndonëse Radić u dënua për ta kryer dënimin në burgun me siguri të lartë në Zenica, në tetor 2011 ai u transferua në një burg me më pak kufizime në Mostar.
Pushtetin për të transferuar të burgosur nga një burg në tjetrin e ka Ministria e Drejtësisë. Kështu elitat politike që janë në pushtet (Kushtetuta në BeH – pjesë e Marrëveshjes së Paqes – mundëson që gjithmonë të jenë elitat etno-nacionaliste që ishin pjesë e rrëfenjës së luftës) u siguruan që do të kenë mundësi ta anulojnë çfarëdo procesi gjyqësor.
Në kohën e transferimit, Ministri i Drejtësisë në BeH ishte nga partia Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), që ishte pjesë e rrëfenjës së luftës. Një kuriozitet është se HDZ disi e ka pozicionuar veten (gjithmonë në pajtim me dy pushtetet e tjera etno-nacionaliste politike) për të qenë gjithmonë në krye të Ministrisë së Drejtësisë në BeH prej vitit 2007.
Ky trend ka vazhduar me Ministrin aktual Josip Grubeša, që nuk kishte lidhje me ligjin para emërimit të tij (nga biografia e tij në uebfaqen e Ministrisë, nuk është e qartë se cili është profesioni i tij, por është e qartë se ai ka punuar për universitetin në Mostar).
Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe viktimat e krimeve të luftës në plot raste i kanë vënë në dyshim procedurat e përdorura në transferimin e të dënuarve për krime të luftës në burgun me më pak kufizues, veçanërisht për shkak se dënimi përcakton që sanksioni të kryhet në burg të mbyllur.
Fakti se Marko Radić kishte status special dhe të privilegjuar brenda HDZ-së u demonstrua më tej nga vizitat që i bënë politikanët nga partia në kapacitetet e tyre si zyrtarë të shtetit të Bosnjes dhe Hercegovinës apo Federatës së BeH. Në të njëjtën mënyrë se si prokurorët kompetentë nuk u pyetën kurrë për atë se a e kishin abuzuar pushtetin e tyre Ministrat e Drejtësisë kur i kanë transferuar të burgosurit nga burgjet e mbyllura në burgje me më pak kufizime, ashtu edhe elitat politike të partive tjera nuk u pyetën kurrë për këto vizita.
Pas konfirmimit nga Gjykata Kushtetuese se gjykimi nuk i shkeli të drejtat e Marko Radić-it, HDZ e ka gjetur një mënyrë për t'ia përgjysmuar dënimin dhe për ta liruar së shpejti.
Por kjo nuk ishte e tëra. Pas konfirmimit nga Gjykata Kushtetuese se gjykimi nuk i shkeli të drejtat e Marko Radić-it, HDZ e ka gjetur një mënyrë për të ia përgjysmuar dënimin dhe për ta liruar atë së shpejti. Përsëri ndodhi nëpërmjet abuzimit/përdorimit të pushtetit që i ipet pozitës së Ministrit të Drejtësisë për të vepruar për transferimin e të burgosurve.
Transferim i Radić-it në Kroaci u sigurua më 8 tetor, nën rrethana të dyshimta dhe interpretime të dyshimta të traktateve ndërkombëtare. Neni 80 i Ligjit për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare në Çështje Kriminale, nga i cili Ministria e morri autoritetin për ta miratuar një Vendim për Transferim, vlen vetëm për transferimin e të huajve.
Marko Radić ka nënshtetësi të dyfishtë nga Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia. Bazuar në Nenin 3 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjes e Hercegovinës për nënshtetësi të dyfishtë që u nënshkrua në mars 2007, në territorin e Bosnjes dhe Hercegovinës personat me nënshtetësi të dyfishtë do të konsiderohen ekskluzivisht si qytetarë të atij vendi, përveç nëse përcaktohet ndryshe nga Marrëveshja.
Marrëveshja nuk rregullon shërbimin e dënimeve me burg dhe transferimeve konsekuente. Kështu pra, duket se Ministri e keqpërdori postin e tij duke përdorur në mënyrë të parregullt autoritetin nga ligji dhe duke e definuar në mënyrë të gabuar Radić-in si të huaj.
Megjithatë, keqpërdorimi i detyrës nuk mbeti me kaq.
Vendimi i Ministrit të Drejtësisë për transfer përmbanë disa referime tjera që theksojnë keqpërdorimin e qëllimit të institutit ligjor që i mundëson të dënuarve luksin për ta kryer dënimin në një shtet tjetër (shtetin e nënshtetësisë së tyre), dhe të qëllimit të institutit ligjor për njohje të gjykimeve të huaja.
Pa i specifikuar dispozitat e sakta, Ministri deklaroi se ai e bazoi vendimin e tij për transferimin në dispozitat e Marrëveshjes ndërmjet Bosnjes e Hercegovinës dhe Republikës së Kroacisë për Ekzekutim Reciprok të Vendimeve Gjyqësore për Çështje Kriminale, dhe të Konventës Evropiane për Transferimin e Personave të Dënuar.
Sipas gjykimit nga Zagrebi, i bazuar në kërkesën e Marko Randić për transferim në Kroaci për ta vazhduar dënimin e tij atje, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kroacisë (pasi morri kërkesën e Radić-it nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Bosnjes dhe Hercegovinës) e dorëzoi rastin në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë për ta përcaktuar gjykatën kompetente. Në vendimin e saj që e morri më 25 korrik, 2018, Gjykata Supreme përcaktoi Gjykatën e Qarkut të Zagrebit si kompetente për procedurën.
Gjykata e Qarkut të Zagrebit e miratoi vendimin për ta pranuar pjesërisht gjykimin e Gjykatës së BeH, dhe më pas e reduktoi dënimin e Radić-it nga 21 vjet burgim në 12 vjet e 6 muaj.
Bazuar në këtë, Gjykata e Qarkut të Zagrebit e miratoi gjykimin më 31 gusht, 2018. Gjykata në fakt e miratoi vendimin për ta pranuar pjesërisht gjykimin e Gjykatës së BeH, dhe më pas e reduktoi dënimin e Radić-it nga 21 vjet burgim në 12 vjet e 6 muaj.
Duke u munduar ta justifikojë reduktimin e madh të dënimit, Gjykata e Qarkut deklaroi se gjykimi i jashtëm nuk u pranua krejtësisht dhe se dënimi që e përcaktoi Gjykata e Qarkut nuk është rrjedhojë e amendamenteve të ligjeve vendore, por pasojë e faktit se një pjesë e gjykimit dënues nuk është pranuar fare.
Sipas Nenit 10 të Konventës Evropiane për Transferimin e Personave të Dënuar, Republika e Kroacisë është e lidhur për natyrën ligjore dhe kohëzgjatjen e dënimit siç është përcaktuar nga Shteti dënues. Ndryshimi i natyrës dhe kohëzgjatjes së dënimit lejohet vetëm nëse ligji kroat nuk i urdhëron ato. Në këtë rast nuk është ashtu.
Republika e Kroacisë në këtë rast e ndryshoi këtë lloj të sanksionit të përcaktuar duke e shqiptuar një dënim me burgim në vend se me burgim afatgjatë (edhe pse Kodi Penal i Republikës Kroate i njeh dënimet me burgim afatgjatë si një nga llojet e dënimit). Gjithashtu e ndryshoi shumë kohëzgjatjen e dënimit që u përcaktua nga Gjykata në BeH.
Në këtë rast, Gjykata e Qarkut iu referua politikës së dënimit që zbatohen në Kroaci, ndonëse Konventa për Transferimin nuk e lejon këtë si arsye për ndryshim të dënimit të përcaktuar nga Bosnja dhe Hercegovina.
Për më tepër, paragrafi 54 i Raportit Sqarues të Konventës për Transferimin e Personave të Dënuar (21 mars, 1983) i liston obligimet nën Nenin 11 të Konventës për Transferimin dhe thekson faktin se Republika e Kroacisë i kishte vetëm dy alternativa: ose ta pranojë gjykimin krejtësisht, ose ta refuzojë atë. Sepse nuk u përmbush kushti që lidhet me përgjegjësi të dyfishtë penale. Pranimi i pjesshëm i gjykimit nuk ka bazë në Konventën për Transferime.
Kroacia u obligua nga Konventa për Transferime që ta refuzojë gjykimin nga Bosnja, sepse kushti që lidhet me përgjegjësinë e dyfishtë penale nuk ishte përmbushur. Nëse veprimet që përfshijnë ndërmarrje të përbashkëta kriminale nuk janë të dënueshme nën ligjet e Kroacisë (për shkak se ato nuk e njohin institutin ligjor të ndërmarrjes së përbashkët kriminale), transferimi i personit të dënuar nuk duhet të jetë i mundur dhe nuk duhet të miratohet.
Një çështje tjetër problematike është që edhe pse ishte e qartë që Gjykata e Qarkut e interpretoi gabimisht Konventën, Ministri prapëseprapë e miratoi transferin. Ministri ka mundur thjeshtë të mos e nënshkruante Vendimin për Transferim kur e morri gjykimin, në të cilin mund ta kishte parë problemin që lidhej me kushtin e përgjegjësisë së dyfishtë penale.
Megjithatë, ai e nënshkroi. Dobësitë juridike të tij nuk mund të jenë në asnjë mënyrë justifikim për shpërfilljen flagrante të ligjeve, obligimeve dhe interesave publik të Bosnjes dhe Hercegovinës.
Interesat e viktimave
Mbetet pyetja se si atëherë duhet t’i mbështesim interesat e viktimave, veçanërisht kur shteti i BeH ishte ai i cili, nëpërmjet Zyrës së Prokurorit të BeH, në instancën e parë morri përgjegjësi për t’i përfaqësuar viktimat, ndërsa njëkohësisht Ministria e Drejtësisë e BeH morri pjesë në transferimin e jashtëligjshëm?
Mbetet të shihet nëse zyra e Prokurorit do t’i kushtojë më shumë vëmendje veprimeve të Ministrit të Drejtësisë në këtë rast dhe t’i ekzaminojë për të parë se a përbëjnë veprime për të cilat duhet të ndiqet penalisht ky institucion.
Në kontekstin e procedurave penale dhe mënyrës se si po zhvillohen ato aktualisht, me të vërtetë nuk e kemi askënd për t’i përfaqësuar interesat e viktimave. Gjithçka lidhet me autorin e krimeve dhe veprimet e tij.
Radić ka përfituar nga balancimi i përgjegjësive në sistemin e drejtësisë sa i përket respektit për të drejtat njerëzore të tij. Viktimave fatkeqësisht nuk ia dhanë këtë privilegj. Përveç vuajtjes që e mbijetuan në kampin e përqendrimit Vojno, balancimi i përgjegjësive në sistemin e drejtësisë, që i përkushtohet sigurimit të gjykimit të drejtë për të pandehurin, u shkaktoi traumë të mëtejme atyre.
Viktimat dhe dëshmitarët, për shkak të specifikave të jetës në fshatra të vegjël, iu ekspozuan kërcënimeve, sulmeve fizike dhe psikologjike, vjedhjeve, e madje edhe pronat e tyre u dogjën nga ish-ushtarët e HVO-së së Radiçit dhe mbështetësit e tyre. Kërcënimet dhe sulmet ndaj sigurisë fizike të tyre nuk u adresuan kurrë në mënyrë adekuate, as nga institucionet, as nga publiku. Autorët e këtyre sulmeve nuk u ndoqën kurrë penalisht.
Kur Radić u transferua në një burg me më pak kufizime në Mostar, plot viktima dhe dëshmitarë u detyruan të tërhiqen në shtëpitë e tyre. Ata u frikësuan për sigurinë e tyre, sepse Radić kishte shumë më shumë fuqi meqë ishte afër shtëpive të tyre dhe i lirë për të komunikuar nga burgu me ata nga të cilët viktimat ndiheshin të kërcënuar.
Reduktimi i një pjesës së madhe të dënimit dhe mundësia për lirimin e Marko Radić-it në të ardhmen ndikoi më tej tek viktimat. Sigurisht, siç u theksua nga Serge Brammertz, kryeprokuror në Hagë, “kjo do ta dëmtojë drastikisht besimin e viktimave dhe publikut në Ministrinë e Drejtësisë dhe në sistemin e drejtësisë në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Mbështetësit e Radić-it veç se kanë filluar të vënë banera mirëpritës nëpër Mostar, prej kur vendimi për ta përgjysmuar dënimin e tij u bë i njohur për pubikun.
Duhet të shtojmë se mbështetësit e Radić-it veç se kanë filluar të vënë banera mirëpritës nëpër Mostar, prej kur vendimi për ta përgjysmuar dënimin e tij u bë i njohur për pubikun dhe aktivistët për të drejtat e njeriut e ngritën zërin e tyre kundër një rezultatit të tillë. Kjo i trazoi më tej viktimat në një situatë që veç se ishte e tensionuar pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Sidoqoftë, ende ka mundësi që Bosnja dhe Hercegovina ta përmbysë këtë situatë.
Pasi Radić ta kryejë pjesën e dënimit që ka njohur gjykata në Zagreb, Bosnja dhe Hercegovina mund ta kërkojë kthimin e tij për ta kryer pjesën e mbetur të dënimit. Pra i mbetet Shtetit për të vepruar shpejtë dhe për ta bërë këtë kërkesë para se të lirohet Radić.
Për më tepër, shteti gjithashtu e ka obligim ta dënojë zyrtarin që e ka keqpërdorur detyrën e tij. Duke e shpërfillur alternativën kriminale që përcaktohet nga ligji, ai gjithashtu e shpërfilli nevojën për t’i mbrojtur vlerat themelore të shoqërisë në raste me situata ekstreme si krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Kur u bë e ditur se transferimi ndodhi falë keqpërdorimit të detyrës nga ana e Ministrave, Shoqata e Viktimave e dorëzoi një raport penal në Zyrën e Prokurorit. Tani i mbetet Kryeprokurores së përkohshme Gordana Tadić që t’i qaset seriozisht kësaj detyre.
Nuk është në pyetje vetëm reputacioni i saj nga kjo, duke marrë parasysh se në plot situata ajo është parë si tepër e afërt me HDZ-në. Në pytje është i gjithë mekanizmi i institucionalizuar për ballafaqim me të kaluarën. I gjithë ky mekanizëm mbështetet në veprimet e saj.
Duke i lejuar të mbesin në fuqi ideologjitë politike që ishin pjesë e luftës, ministrat e drejtësisë e kishin të lehtë ta abuzonin/përdornin pushtetin që iu dha. Pa marrë parasysh sa energji, njohuri, para dhe përpjekje për ekzaminim kritik i kemi përdorur për t’i përmirësuar proceset e ndjekjes penale të krimeve të luftës, elitat dhe ideologjitë luftënxitëse etno-nacionaliste që mbetën në fuqi nëpërmjet Marrëveshjes së Paqes kanë gjetur mënyra për t’i përmbytur të gjitha ato.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.