Gjere e gjate | Privatizimi

Fantazmat e privatizimit

Nga - 10.06.2021

Zotimi i qeverisë për ta transformuar procesin e privatizimit në Kosovë ka përballë po aq vështirësi sa edhe mundësi.

Në qendër të Prishtinës, një bukuri e fjetur e pret shkundjen që do t’i japë fund makthit të saj të gjatë të harresës. Muret e larta të dikur kinemasë Rinia, dritares që lidhte breza të njëpasnjëshëm nga vitet e ‘50-ta me pjesën tjetër të botës, sot formojnë një skelet të vdekur, i cili në gjendje vegjetative, shpreson për një mrekulli.

Gërmadhat e këtij thesari të harruar midis qendrës së qytetit, që tash mbështillet nga një reklamë të madhe e një supermarketi, nuk janë të vetmet brenda përpjekjeve të përgjithshme për ruajtjen e kujtimit, mbijetesën e madje edhe për ringjalljen. Dhe siç vlen edhe për shumë të tjera si ajo, udha për tek mbijetesa nuk është e lehtë.

Kino Rinia është vetëm njëra prej shumë ndërtesave me status dhe trashëgimi të pazgjidhur.

Një model i tillë biznesi – ku entitetet ishin prona kolektive të punëtorëve që mbaheshin me kontribute nga pagat — u jetësua gjatë periudhës së Jugosllavisë socialiste, përfshirë këtu edhe në Kosovë. Por rënia e Jugosllavisë, represioni i aparatit shtetëror serb kundrejt shqiptarëve, lufta dhe në fund ardhja e kapitalizmit sollën një tregim tjetër që pas vetes la tepër shumë fantazma: Privatizimin.

Në vend se të ktheheshin ku ka qenë njëherë e një kohë, pra në duart e punëtorëve, dy rregullore të miratuara nga Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) më 1999 dhe 2002 i dhanë këtij entiteti ndërkombëtar të drejtat administrative mbi ndërmarrjet shoqërore. Kjo i hapi udhë krijimit të dy agjencive: së pari Agjencisë Kosovare të Trustit (AKT) në vitin 2004, e cila pastaj u shndërrua në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), e cila do të mbikëqyrte kalimin e ndërmarrjeve nga pronësia kolektive në pronësi private.

Që nga ardhja në pushtet sivjet, qeveria e tanishme e udhëhequr nga Vetëvendosje jep deklarata publike se do ta transformojë procesin e privatizimit. Qeveria, e cila akuzon Agjencinë për korrupsion të rrënjosur dhe për dështim në privatizimin e plotë dhe të efektshëm në vetvete, është zotuar se do të menaxhojë drejtpërdrejt ndërmarrjet shoqërore dhe asetet e tyre, duke i transferuar në një Fond Sovran, i cili ende nuk është themeluar. Programi qeverisës që është paraqitur së voni jep pak informata shtesë për mënyrën se si do të funksionojë ky transferim, përveç asaj se aseteve strategjike do t’u caktohet një vlerë me qëllim të tërheqjes së investimeve të jashtme dhe të qasjes në tregjet e huaja, si dhe që AKP-ja si e tillë do të shuhet dhe do të shndërrohet në një agjenci qeveritare.

Sidoqoftë, qeveria e Albin Kurtit planifikon t’i nisë këto procese qysh prej vitit të ardhshëm, siç raportojnë mediat. Kjo administratë sapo ka bërë veprimin e parë në drejtim të transformimit të procesit të privatizimit duke shkarkuar bordin e Agjencisë me përkrahje parlamentare dhe duke deklaruar se ky është vetëm fillimi.

Një veprim i tillë do të duhet të kalojë votimin në Kuvend, ndërkohë që AKP-ja ka thënë se do të pranojë cilindo vendim që e miraton Kuvendi. Gjithashtu, AKP thotë se do të paraqiten rreziqe të mundshme si pasiguria financiare dhe telashet ligjore për të gjitha palët e përfshira — për administruesit dhe menaxherët, ose për pronarët e kaluar, të tanishmit dhe të ardhshmit — meqë problemet janë grumbulluar me kalimin e viteve dhe ka mundësi që ato do t’i barten qeverisë.

Fantazmat që kanë mbetur prapa janë testamente të vështirësive.

 

Rilindja, dëbimi i një gjiganti kulturor

Me një lartësi prej 74 metrash, ndërtesa brutaliste, dikur strehë e Pallatit të Shtypit të Rilindjes akoma mbretëron mbi qytetin e Prishtinës. Sot, ajo është ndërtesë qeveritare afër Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Diçka që shumë njerëz mund të mos e dinë është se projekti i parë i pallatit nuk parashihte ndërtimin e një ndërtese të lartë si dhe që pallati planifikohej të ndërtohej në vendin ku sot ndodhet Hoteli Grand. Por në fund mbeti që Pallati i Shtypit të ndërtohej pakëz më në perëndim.

Pjesët e brendshme dhe të jashtme të godinës 18-katëshe dhe krahut afërndenjës nuk ngjajnë fare me atë që ishin dikur, qoftë brenda apo jashtë.

Qeveria e Kosovës bëri ndërhyrje në ndërtesën e Rilindjes në vitin 2008, duke mbuluar kështu të gjitha gjurmët e brutalizmit dhe duke e shndërruar atë në një ndërtesë të zymtë zyrash — ndërtesë ndryshe në estetikë e qëllim në krahasim me kohën kur ajo u ndërtua, në vitin 1978. Dizajni brutalist, i përshkruar nga arkitekti prishtinas Arbër Sadiki si dhuratë elegante dhe ekspresive e qytetit, ka humbur përgjithmonë. Është shlyer pothuajse bashkë me historinë që dikur ruante brenda vetes.

Privatizimi: Pse?

Me rënien e Murit të Berlinit, shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore zbarkuan në të ashtuquajturin “tranzicion drejt demokracisë”. Ky proces u përcoll me një sërë transformimesh ekonomike, drejt një ekonomie të tregut të lirë — kapitalizmi. Një e përbashkët për shumicën e ekonomive post-socialiste dhe post-komuniste ka qenë procesi i privatizimit.

Fat i ngjashëm i priti edhe vendet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë, specifikisht për ndërmarrjet shoqërore dhe ato që ishin në pronësi publike. Në rastin e Kosovës, këto ndryshime mbërritën pas luftës së vitit 1999.

Ndërmarrjet në pronësi shoqërore bazoheshin në idenë e pronës shoqërore që është përhapur në vitet e 50-ta, një formë e pronës kolektive ku një komunitet shoqëror, pra një rrjet më i gjerë i qytetarëve — jo shteti — kishte në pronësi atë që prodhohej dhe përfitimet.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka trashëguar rreth 500 ndërmarrje shoqërore, vetëm 30% e të cilave kanë funksionuar pas luftës. Shumë prej tyre thjesht nuk mbijetuan dhe ndaluan veprimtarinë, pasojë kjo e masave të imponuara nga aparati i shtetit serb në Kosovë ndërsa tensionet në fund të viteve të 80-ta dhe në fillim të viteve të 90-ta u rritën.

Në shumë raste, kompanitë përjetuan ndryshime drastike: menaxhmenti shqiptar u zëvendësua me serbë dhe mijëra shqiptarë u dëbuan nga puna. Pas mbarimit të luftës, shumë prej këtyre ndërmarrjeve, të cilat kishin qenë goxha jofunksionale për një dekadë, u përballën me probleme sikur teknologjia e vjetruar, zhvlerësimi i aseteve dhe burimet e dobëta. Ndërkohë dolën edhe shumë probleme të tjera sikur pretendimet kundërthënëse për pronësi dhe mungesa e dokumenteve që që kishin humbur ose ishin vjedhur. 

Teknikisht, komunat vepronin sikur administratorë të ndërmarrjeve shoqërore dhe të pronës shoqërore deri në vitin 1989; me miratimin e Rezolutës 2002/12 nga UNMIK-u, ky organ ndërkombëtar u bë administrator i ndërmarrjeve shoqërore të regjistruara në Kosovë gjatë kohës së Jugosllavisë.

Kjo rezolutë solli në jetë Agjencinë Kosovare të Trustit, e ngarkuar me detyrën e administrimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike. Agjencia e Trustit në esencë ishte parardhësja e Agjencisë së Privatizimit. Ligji për Agjencinë e Privatizimit në Kosovë parashihte administrimin, privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe synonte zhbllokimin e programeve publike, zbutjen e papunësisë dhe në përgjithësi përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Por dy vjet pas luftës, privatizimi ende mbetet i papërfunduar dhe me shumë mangësi. Këto mangësi përfshijnë: tendencën për nënvlerësim të tepërt të ndërmarrjeve shoqërore që janë trashëguar nga e kaluara; përjashtimin e qytetarëve dhe ish-punëtorëve nga mundësia për të vendosur për fatin e shumë prej këtyre pronave dhe kompanive; dështimin në përdorimin e suksesshëm të fondeve të akumuluara nga shitjet e privatizimit për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik; përjashtimin e bujqve gjatë privatizimit të tokave bujqësore; dhe dështimin për të kontribuuar në rritje të punësimit.

Kësisoji, AKP-ja shpeshherë ka qenë subjekt i akuzave që lidhen me korrupsionin, politizimin dhe pasurimin e individëve të fuqishëm dhe kompanive private.

Sadiki ende kujton fjalët e krijuesit të ndërtesës, arkitektit maqedonas të shkolluar në Yale, Georgi Konstantinovski, kur ai kishte vizituar godinën në vitin 2014. “Iu afruam dhe po e shikonim; pa rrena e shtirje, ai tha: ‘Nuk po e njoh më’”.

Në tërësinë e saj, si ndërtesë dhe si projekt, Rilindja ishte dikur mbretëresha e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sidomos sa i përket trashëgimisë kulturore të saj.

Numri i parë gazetës Rilindja që shkruhej në gjuhën shqipe kishte dalë në shkurt të vitit 1945, pak muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Rrugëtimi i saj nga fillimi si organ i Ballit Kombëtar në Prizren deri te shndërrimi në Pallatin e Shtypit në Prishtinës më 1978, ishte i gjatë.

Rilindja ishte dikur mbretëresha e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sidomos sa i përket trashëgimisë kulturore të saj.

Që nga fillesat e saj, Rilindjes mori fuqi si forcë e dijes në gjuhën shqipe, që kontribuoi në luftën kundër analfabetizmit, përhapi pasurinë kulturore dhe lehtësoi qasjen ndaj edukimit dhe informimit e nganjëherë edhe ndaj propagandës.

Në vitin 1979, Pallati i Shtypit, i njohur me emrin e gazetës, ngërtheu entitete të ndryshme të kooperativës së Rilindjes — gazetën, revistat, shtëpinë botuese, shtëpinë e shtypit, agjencinë e reklamimit dhe të tjera; pra ishte një shtyllë e vërtetë kulturore. Dhe brenda mureve të ndërtesës të saj të lartë dhe krahut të poshtëm, Pallati i Shtypit po ashtu strehoi mediume të tjera më të vogla, sikur TAN-i në gjuhën turke dhe Jedinstvo në serbokroatishte.

Por kur Serbia suprimoi autonominë e Kosovës në vitin 1989 dhe rëndoi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, edhe Rilindja i vuajti pasojat. Në gusht të vitit 1990, botimi i Rilindjes u pezullua sepse punëtorët nuk pranuan masat e vendosura nga Beogradi, që kërkonin shpalljen e gazetës si organ të kuvendit të Serbisë. Kështu, botimi i gazetës dhe aktivitetet tjera brenda ndërtesës u pezulluan, me përjashtim të një kati që vazhdoi veprimtarinë.

“Dita më e rëndë e jetës sime ka qenë dita kur gazeta nuk doli”, thotë 80-vjeçari Nazmi Rrahmani, i cili ishte shkrimtar dhe gazetar i komunitetit të Rilindjes, si dhe drejtues i shtëpisë botuese.

Gjatë viteve të 90-ta, botimet e ndërmarrjes funksionojnë kryesisht jashtë ndërtesës fillestare, ndërsa vetë gazeta Rilindjes vepronte fshehurazi nën titujt e botimeve ekzistuese, siç ishin Fjala dhe Bujku. Më 12 qershor 1999, mu në ditën kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, ekipi i Rilindjes u rikthye. Gazeta vazhdoi punën dhe filloi shpërndarjen menjëherë të nesërmen.

Por, kjo kohë shënoi frymën e fundit të gazetës.

Lufta përfundoi, vendi u çlirua dhe një barrierë tjetër për përdorimin e ndërtesës u shfaq: UNMIK-u, që mori pushtetin ekzekutiv të vendit, duke u shndërruar në administrator të saj.

Behlul Jashari, një figurë tjetër historike e Rilindjes, kryeredaktori i fundit i gaztës dhe përfaqësuesi i punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje shoqërore, nuk ka harruar se si i humbën vendet e tyre të punës.

“Nëntëmbëdhjetë vite më parë, më 21 shkurt 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja u nxor egërsisht nga shtëpia e saj, e njohur si Pallati dhe më pas u mbyll nga administrata e UNMIK-ut”, thotë ai.

Fjalët e tij janë plot zhgënjim për administratën ndërkombëtare që kishte për detyrë të ndihmonte, por që në fakt mbolli farat e para të një procesi që ende nuk ka përfunduar, edhe pas dy dekadash.

Në vitin 1999, UNMIK-u mori përsipër administrimin e pronave në Kosovë që më parë ishin regjistruar si prona të Federatës Jugosllave dhe të Republikës së Serbisë. Tri vjet më vonë më 2002, UNMIK-u miratoi Rregulloren 2002/12 që krijoi Agjencinë Kosovare të Trustit, pararardhësen e AKP-së, për të “administruar, ruajtur dhe privatizuar ndërmarrjet shoqërore”.

“Rilindja ishte shtyllë institucionale e Kosovës”, thotë autorja dhe hulumtuesja Ervina Halili, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm për ruajtjen e një pjese të trashëgimisë së kësaj shtëpie kulturore përmes projektit Arkivi Rilindja dhe një filmi dokumentar. “Prej saj kanë dalë libra, një gazetë, revista, por edhe parti politike. Dhe është trajtuar si të ishte fabrikë që prodhonte pjesët e një veture, ashtu sikur kujtesa kulturore që prodhonte si institucion trajtohej si fabrikë e pjesëve të veturës”.

Përveç botimit të numrave të posaçëm si formë proteste dhe rezistence ndaj mbylljes, Rilindja në fakt nuk u kthye më kurrë dhe trashëgimia e saj e prekshme — përmbajtja e bibliotekës së saj, arkivat, printerët, etj. — kryesisht është humbur.

Nën menaxhmentin e AKP-së, ndërmarrjet e gazetës dhe grafikës së Rilindjes hynë në procesin e likuidimit, përkatësisht në vitet 2014 dhe 2017. Ky proces krijon hapësirë për kërkesa të kreditorëve dhe shitje të aseteve që ende gjenden në pronësi. Në të njëjtën kohë, punëtorët e Rilindjes po ashtu i bënë kërkesa Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për kompensim për humbjen kolektive të vendeve të punës pas ardhjes së UNMIK-ut.

Në vitin 2014, qeveria zgjodhi udhën e shkurtër drejt shpronësimit, një mekanizëm që mund ta zbatojë për asetet e ndërmarrjeve shoqërore në çdo moment në bazë të interesit publik dhe mori pronësinë e Pallatit të Shtypit.

Por vite më vonë, edhe pse Pallati është zënë nga punëtorët e qeverisë, punëtorët e Rilindjes ende presin të marrin 20% të vlerës së pronës që u takon me ligj me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Ironikisht, AKP-ja do të zhvendos zyrat e saj këtë vit në dhomat ku njëherë e një kohë gjendeshin makinat e shtypjes të Rilindjes.

Privatizimi i saj mund të konsiderohet i mbaruar, por çështja e pazgjidhur e benefiteve të punëtorëve dhe trashëgimia e saj kulturore, ose madje edhe potenciali për të vazhduar, mbesin tregim i papërfunduar.

 

Kino Rinia, një perlë që pret shpëtimin

Shndërrimi i një kinemaje lokale në supermarket, qendër thirrjes ose dyqan rrobash është rrëfim kryekëput kapitalist. Këto janë vetëm disa nga fatet e mundshme me të cilat mund t’i bie të përballet asaj dikur quhej — dhe që akoma quhet nga disa — Kino Rinia.

E ndërtuar në vitet e 50-ta dhe me vendndodhje në udhëkryqin qendror të rrugëve UÇK dhe Luan Haradinaj, Kino Rinia ka kaluar më se gjysmën e jetës së saj si një ndër kinematë kryesore të qytetit. Por gjatë dy dekadave të fundit, brenda mureve të saj, ajo po ashtu ka strehuar një varg institucionesh dhe biznesesh, duke pëfshirë një kazino, së paku dy klube nate, një gjykatë, një qebaptore dhe një kanal televiziv.

Kino Rinia nuk është bërë akoma biznes i ri, por ky rrezik ekzistonte në fillim të verës pandemike të vitit 2020 kur nisën të hiqeshin dalëngadalë masat e para të ngujimit. Meqë është në proces të likuidimit që nga viti 2014, punimet në ndërtesë ngritën alarm të menjëhershëm.

U deshën aktivistë kulturorë, zyrtarë nga komuna e ministrië për t’i bërë dy e dy bashkë e për të trokitur shpejt në dyert e AKP-së, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e ish-kinemasë që dikur i jepte dritë jetës kulturore të qytetit.

Edhe pse mund të duket që trashëgimia e saj në të ardhmen do të ketë status tjetër, Kino Rinia me veprimtarinë e saj për më se gjysmë shekulli, vazhdon të jetë frymëzim i anekdotave të shumta ndër gjenerata.

AKP-ja thotë se investitori ka vendosur të heqë dorë. Por siç shpjegon drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arbër Zharku, ekzistonte po ashtu një pengesë ligjore që pamundësoi vazhdimin para. Sipas Ligjit për Kinematografinë, kinematë shoqërore nën menaxhmentin e Agjencisë duhet ta ruajnë funksionin origjinal edhe pas shitjes dhe funksioni mund të ndryshohet vetëm me pëlqimin e Qendrës Kinematografike.

Edhepse zhvillimet u ndërprenë, një reklamë e dukshme e një supermarketi në fasadë, bashkë me shenjën e neonit të një qebaptoreje që dikur punonte në pronën e kinemasë, shërbejnë si rikujtim i qartë për bashkëjetesën e kërcënimit që sillet përreth me viktimën potenciale.

Por Zharku sheh një zgjidhje optimiste: amandamentimin e Ligjit për Kinematografinë për t’i dhënë Qendrës Kinematografike përgjegjësinë e plotë ligjore për këto prona në të ardhmen.

Edhe pse mund të duket që trashëgimia e saj në të ardhmen do të ketë status tjetër, Kino Rinia me veprimtarinë e saj për më se gjysmë shekulli, vazhdon të jetë frymëzim i anekdotave të shumta ndër gjenerata, 

Për shkrimtarin dhe botuesin 69-vjeçar Abdullah Zeneli, kjo kinema ka qenë, siç thotë, Facebook-u dhe interneti i tij.

“Vinim shpesh me klasë dhe e bindja tërë klasën që të vinin për ta parë “Lufta dhe Paqja”, thotë Zeneli, i cili kujton veçanërisht produksionin katërpjesësh rus të bazuar në romanin e Leo Tolstojit.

Krahas ngjarjeve muzikore që janë lejuar në Kinema gjatë jetës së saj, ajo po ashtu ka shfaqur produksione filmike shqiptare dhe jugosllave; ajo ka qenë vërtet një dritare për tek bota përmes produksioneve ndërkombëtare dhe një mundësi ‘ikje’ për shumë njerëz në kohën kur Kosova izolohej përherë e më shumë nga represioni politik i viteve të 90-ta.

Për sociologen Linda Gusia, e cila gjithashtu ka frekuentuar kinemanë gjatë asaj dekade, ky vend ishte një ndër vendmbledhjet e pakta kulturore krahas vendeve si galeria Dodona. “Ishte vend ku mund të rrije teksa liria e tubimit dhe e lëvizjes për shqiptarët kufizohej”, thotë ajo.

Sikur shumë të tjerë që kanë parë filmin “Braveheart” të Mel Gibson-it në kinema, ajo kujton duartrokitjet që shpërthenin ndër shqiptarë kur karakteri William Wallace i Gibson-it thoshte thënien e famshme: “Mund të na i marrin jetët, por lirinë kurrë!”

Me mundësi të vogla operacionale dhe shpërndarëse gjatë dekadës më të rëndë në historinë e vonshme të Kosovës, Kinemaja veproi deri në vitin 1998 dhe mezi u gjallërua sërish pas luftës. Bashkë me Kinemanë Vllaznimi (e cila aktualisht vepron si Kinemaja ABC në rrugën Rexhep Luci), këto ishin në pronë të ndërmarrjes shoqërore Nikola Tesla, e cila pas luftës ndryshoi emrin në ABC Genci. Sipas AKP-së, ekspertët ndërkombëtarë kanë vlerësuar gjendjen e Kino Rinisë pas luftës dhe e ka shpallur si të papërshtatshme për veprim, ndërsa kinemaja tjetër më e vogël që sot njihet thjesht si ABC funksion që nga viti 2000.

Rigjallërimi potencial i Kino Rinisë si hapësirë kulturore dha shkëndija dimrin e kaluar kur Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizoi një ekspozitë në oborrin e Kino Rinisë, një kinema verore ngjitur me godinën e Kinemasë Rinia, e cila mbetet e zbrazët.

“Për ne ka qenë e rëndësishme ta ndezim një shkëndijë dhe t’i ndërgjegjësojmë njerëzit për këtë hapësirë dhe t’u tregojmë që këtu dikur ka qenë një kinema”, thotë zyrtarja për komunikim e Shtatëmbëdhjetë Sihana Klisurica.

Të përkushtuar për të vazhduar mobilizimin e forcave përmes artit dhe hulumtimeve kulturore në të mirë të shpëtimit të hapësirave publike të braktisura nga harresa — përfshirë hapësirat që rrezikohen nga privatizimi — Shtatëmbëdhjetë ka nisur një projekt të përvitshëm me emrin “Metamorphosis”. Në edicionin e sivjetmë, ata t’ia kushtojnë energjinë rikthimit të kujtesës kolektive për këtë kinema.

“Përgjatë edicionit të radhës të ‘Metamorphosis’ do të tërheqim vëmendjen te ajo [Kinemaja], të shohim se si mund ta mbrojmë dhe mbase t’ua kthejmë njerëzve për përdorim”, thotë Klisurica. “Këtë mund ta bëjmë duke qenë të bashkuar”.

Sikur shumë prona të menaxhuara nga AKP-ja, fati i ish-kinemasë Rinia është po ashtu i pazgjidhur — pra, në gjykatë. Ajo është ndërtuar në tokë të komunës kurse sot edhe Komuna e Prishtinës, edhe AKP-ja pretendojnë se kinemaja është në pronësi të tyre.

Telashet ligjore janë të trajtave të ndryshme kur vjen puna te ndërtesat që kalojnë nëpër procesin e privatizimit.

Sipas raportit të fundit vjetor të AKP-së, mijëra raste kanë ngecur në gjykatë; qoftë për shkak të mosmarrëveshjeve për të drejtat e pronës, pretendimeve për borxhe që nuk janë vërejtur nga Agjencia, ose arsye të tjera që lidhen me procesin.

Janë rreth 19,000 raste që kanë ngecur në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme që lidhen me procesin e privatizimt dhe rreth 2,000 sosh ndodhen në gjykata themelore.

Për drejtorin e AKP-së Valon Tolaj, këto raste ligjore mund të përbëjnë rrezik të madh nëse qeveria do t’i merrte përsipër asetet që janë nën menaxhimin e Agjencisë pa siguri të mjaftueshme ligjore.

“Janë miliona euro në formë kërkesash që presin vendim gjykate”, shton Tolaj.

Sidoqoftë, edhe pse qeveria e re ka premtuar ta transformojë AKP-në, është ende e paqartë si do t’i zgjidh ato raste që presin përmbyllje.

 

Hoteli Grand: kur privatizimi është mundësi e artë, por e humbur

Sikur një mamut midis shkretëtirës, Hoteli Grand i ka parë të gjitha. Nga ndejat e shtresave të larta deri te protestat e minatorëve, deri te rastet e përdhunimit dhe torturës brenda mureve të tij. Së voni, turistët kanë folur edhe për kacabunjtë e mykun në dhoma. Sot, shumica e Hotelit Grant është e lëshuar me qira ose e papërdorur dhe vazhdon të jetë nën administrimin e AKP-së.

Mjafton një ecje nëpër korridoret e errët që të kuptosh që ky vend ka përjetuar shumëçka, por edhe që ky vend është lënë pas dore.

I ndërtuar në vitin 1978, dizajni i Hotelit Grand ishte i paramenduar fillimisht për bregdetin kroat, me ç’rast do të kishte kulla cilindrike me ballkone në vend të atyre katërkëndëshe që ka sot. Por më vonë është përshtatur për kryeqytetin e Kosovës siç e donte koha, atëherë kur Prishtina përjetonte zhvillim dhe rritje më të madhe arkitekturore e urbane.

“Grandi mund të përballojë tërmete të forta që asnjë ndërtesë tjetër nuk do t’u mbijetonte”, thotë Zekë Çeku, ish-drejtori i hotelit gjatë të 80-tave që ka vazhduar të punojë aty deri në fillim të dekadës së radhës.

Ai i ka kushtuar jetën rritjes së nivelin e industrisë së turizmit në Kosovë dhe flet me nostalgji për një periudhë plot gjallëri për Hotelin Grand.

Hoteli Grand ka qenë pjesë e një ndërmarrjeje ombrellë të hotelierisë të njohur si Slloga, e cila përfshinte edhe biznese të tjera sikur Hoteli Iliria (sot Hoteli Swiss Diamond) dhe Hoteli Union (sot dyqan rrobash dhe kafene) që gjenden në qendrën e Prishtinës. Sidoqoftë, Hoteli Grand kishte 32,000 metra katrorë dhe madje përfshinte një suitë të posaçme për ta akomoduar Josip Broz Titon dhe një restorant të veçantë me emrin Panorama në katin më të epërm.

Edhe pse ai thotë se Grandi mund ta kishte përballuar një tërmet, kjo gjë nuk qëndron kur bëhet fjalë për mbijetesën e tij gjatë procesit të privatizimit.

Çeku ndihet krenar me punën e madhe që është bërë për t’u përputhur me pesë yjet që hoteli kishte në atë kohë, sidomos në vitet e 80-ta kur ai mori përsipër hotelin nga administrata e dobët që e shkatërronte atë, sipas tij. Por vitet  90-ta ishin kohë e pasigurt, që e la hotelin me plagë kronike.

Edhe pse ka qenë vend me staf dhe mysafirë të llojllojshëm, që nga fillimi i dekadës, shqiptarët nuk janë ndier të mirëseardhur ose rehat brenda hotelit ku ishin të instaluara forcat paramilitare të Željko Ražnatović-it, i cili njihej si Arkani. Në vitin 1992 ishte vënë një shenjë te dera ku thoshte “Ndalohet hyrja për qen, shqiptarë dhe kroatë”.

Gjatë luftës së Kosovës, Hoteli Grand ishte strehë dhe zyrë për shumë gazetarë dhe diplomatë, një funksion që ka vazhduar ta ketë edhe pas përfundimit të luftës. Në ditët e para pas përfundimit të luftimeve, Çeku ndihmonte një kolonel britanez si përkthyes dhe kishte dëgjuar diskutimet për rimarrjen e një ndërmarrjeje tjetër shoqërore të asaj kohe, Elektro Kosova. “E prezantova veten dhe ia shpjegova që unë isha në fakt drejtori i ligjshëm i Hotelit Grand dhe i pyeta nëse do të mund të më ndihmonin për ta rikthyer hotelin”, thotë ai.

Brenda javësh, Çekut i kujtohet se kishte bërë hapa të guximshëm për ta kthyer Hotelin Grand në gjendje të mirë. Ai kishte reduktar çmimet dhe ishte përpjekur t’i kthente punëtorët. Si pëlqyes i kafesë, ai madje kishte udhëtuar te një fabrikë sllovene e kafesë për ta krijuar një kafe ekskluzive për hotelin dhe për Kosovën, “Grand Barcaffee” — për të cilën thotë se ka kontribuuar në përhapjen e dashurisë për makiaton në Kosovë. 

Por kjo nuk mjaftonte për sfidat që po vinin. Edhe pse ai thotë se Grandi mund ta kishte përballuar një tërmet, kjo gjë nuk qëndron kur bëhet fjalë për mbijetesën e tij gjatë procesit të privatizimit.

Privatizimi: Si?

Korniza ligjore e miratuar pas përfundimit të luftës hapi rrugë për forma të ndryshme të privatizimit, fillimisht përmes Agjenicsë Kosovare të Trustit dhe mandej Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në shumicën e rasteve, ndërmarrjet janë privatizuar përmes një procesi “spin off”. Kjo do të thotë që është themeluar një korporatë e re (ose “NewCo”) dhe asetet e detyrimet — të drejtat e obligimet — e një ndëmarrjeje janë transferuar aty. Në njërën anë, çdo e hyrë nga shitja e aksioneve do t’u jepej kreditorëve dhe pronarëve të ndërmarrjes shoqërore. Në anën tjetër, pas transferimit të plotë të aseteve nga një ndërmarrje shoqërore në një NewCo, pjesa e mbetur e ndërmarrjes shoqërore mund të likuidohej ose të shitej e të mbyllej. 

Në raste të tjera është mbajtur një proces i veçantë spin off. Përmes tij është kërkuar që investitori të marrë përsipër disa përkushtime sikur pagesa e ofertës financiare, investimit kapital të ndërmarrjes dhe/ose qëllimeve të punësimit. Mospërmbushja e këtyre përkushtimeve mund të çojë te anulimi i transferit.

Në ditët e sotme, Agjencia e Privatizimit po ashtu menaxhon shitjen e aseteve sikur ndërtesat e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim ku nuk ka nevojë të blihet një NewCo, por vetëm një ndërtesë e caktuar. Negociatat e drejtpërdrejta po ashtu janë mënyrë për shitjen e aseteve specifike, kur një proces i tenderimit do të ishte kundërproduktiv. Dyshimet për korrupsion ndodhin shumë shpesh përmes këtij procesi.

Një institucion publik, sikur komuna ose qeveria, po ashtu mund ta marrë nën posedim një pronë, për shembull një ndërtesë, përmes metodës së shpronësimit — për aq kohë sa ka interes të justifikueshëm publik. Dhe ndonëse nuk është privatizim i plotë, qeveria e Kosovës, me miratimin e Kuvendit, ka fuqinë të propozojë transferin e të drejtave për të përdorur një pronë shoqërore të paluajtshme sikur një ndërtesë për një periudhë deri në 99 vjet, nëse një gjë e tillë shihet si e dobishme për investime strategjike. 

Në të gjitha rastet, kolektivi i regjistruar i punëtorëve të ish-ndërmarrjes ka të drejtë të marrë 20% të të hyrave nga shitja e aseteve të privatizuara. Por mjaft shpesh, njohja e të drejtave të këtyre punëtorëve, të cilët duhet të kenë qenë të regjistruar si punëtorë në kohën e privatizimit ose likuidimit sipas rregullores fillestare të UNMIK-ut është arsye tjetër për telashe në gjykata.

Në vitin 2006, Hoteli Grand u pat shitur përmes një tenderi publik me anë të një procesi të veçantë spin off, i tillë që u kërkon ofertuesve të investojnë në godinë si dhe të mbajnë një kuotë të punësimit, ndër të tjera. Me një ofertë prej 8 milionë eurosh, pronari i Unio Commerce Zelqif Berisha pati fituar tenderin, por sipas AKP-së ai nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet për të investuar rreth 20 milionë euro në Hotelin Grand dhe për të punësuar mbi 400 njerëz. Për këtë arsye, shitja është tërhequr nga AKP-ja në vitin 2021 dhe ndërmarrja e Hotelit Grand është kthyer në likuidim te Agjencia në vitin 2015. Prej atëherë, ky hotel pret për përcaktimin e së ardhmes së tij.

 Vitin e kaluar ka pasur përpjekje nga Ministria e Tregtisë nën udhëheqjen e qeverisë së LDK-së për ta privatizuar hotelin me anë të Ligjit për Investime Strategjike, por edhe ky proces dështoi.

Pavarësisht se sa luksoz ishte njëherë e një kohë, pjesë të hotelit sot janë lëshuar me qira për biznese sikur një palestër, një klub i kikboksit dhe dhoma të tjera lëshohen me qera për konferenca dhe ngjarje të tjera.

Një ndër problemet, janë pretendimet e borxheve ta papaguara nga kreditorë të ndryshëm përgjatë viteve — të cilat arrijnë shumën e 44 milionë eurove, sipas Agjencisë, edhe pse vetëm rreth 1 milionë euro prej tyre janë njohur formalisht nga Autoriteti i Likuidimit i AKP-së.

Pretendimet e borxheve janë ndër problemet themelore me të cilat është marrë AKP-ja dhe me të cilat do të duhet të merren pasardhësit e saj. Agjencia ka një Autoritet të pavarur të Likuidimit që vërteton dhe afirmon pretendimet e kreditorëve që lidhen me paratë e investuara në ndërmarrjet shoqërore në të kaluarën. Kur Autoriteti i Likuidimit refuzon një pretendim sepse e konsideron si të pabazë, kreditorët kanë të drejtë ta çojnë rastin te Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ku grumbullohen mijëra raste.

Sipas Agjencisë, janë rreth 2 miliardë euro në formë të pretendimeve të pazgjidhura në përgjithësi, ndërsa 1.2 miliardë prej tyre janë nga kreditorë të Serbisë.

 “Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë: ndoshta do të refuzohen të gjitha, ndoshta do të pranohen të gjitha”, thotë Tolaj. “Dhe ky është një rrezik që secila qeveri do të duhet ta marrë parasysh”.

Dhe ndërsa shqyrtohen konsiderimet, Hoteli Grand do të vazhdojë të jetë dëshmitar madhështor i gjërave që kanë shkuar mbrapsht dhe punës që do të duhet të bëhet në të ardhmen. 

Të shkohet përpara me të kaluarën 

Edhe pse procesi i zhbërjes së AKP-së nuk është elaboruar plotësisht në programin ekzekutiv qeverisës të Vetëvendosjes, në praktikë ai mund të ketë filluar me shkarkimin e bordit të AKP-së, gjë që u miratua në Kuvend në maj të këtij viti.

“Ky është vetëm një hap i ri në drejtim të zhdukjes së Agjencisë së Privatizimit, diçka që i hap rrugë Fondit Sovran”, ka thënë Kryeministri Kurti në Kuvend. Ai po ashtu ka pasur fjalë të rënda për Agjencinë, duke i akuzuar ish-bordin për “vjedhje të pagesave dhe privatizimeve me vite të tëra”.

Por edhe pse qeveria e re dëshiron ta përshpejtojë mbylljen e Agjencisë dhe ta ngërthejë procesin e privatizimit përbrenda qeverisjes së saj, duhet të gjenden zgjidhje për një varg problemesh që do t’i trashëgojnë me këtë veprim.

Në raportin e tyre vjetor, AKP-ja ka raportuar se ka 591 ndërmarrje shoqërore nën menaxhim, 500 prej të cilave janë ende në proces të likuidimit. Qindra asete që mbesin në shtije kanë probleme të veçanta, ndërsa mijëra raste janë grumbulluar në gjykata — të gjitha këto duhet ë zgjidhen në mënyrë që të kalohet te faqja tjetër dhe të sigurohet që punëtorët të marrin përqindjen që u takon.

Pavarësisht se a dëshirojnë ose jo, cilëndo qasje që mund ta zgjedh qeveria e re, asaj do t’i duhet të përballet me procesin e privatizimit dhe fantazmat e tij — dhe nëse kjo shancë merret seriozisht, këto fantazma më në fund mund të gjejnë një parajsë për t’u prehur.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.