Në thelb | Energjia

Fatura të pa paguara dhe një mal me borxhe

Nga - 29.06.2022

Energjia elektrike dhe veriu i Kosovës.       

Që nga viti 1999, serbët që jetojnë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Kostoja e energjisë elektrike të papaguar prej vitesh është bartur te pjesa tjetër e vendit, duke krijuar borxhe në rritje dhe probleme të mëdha financiare për kompanitë e energjisë elektrike në Kosovë.

“Ata shfrytëzojnë më shumë energji elektrike se sa pjesa tjetër e Kosovës”, tha Kadri Kadriu, shef ekzekutiv i Operatorit të Transmisionit dhe Sistemit të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), i cili është përgjegjës për mbulimin e kostos së faturave të papaguara. “Nuk u intereson pasi që nuk paguajnë. Ne po i furnizojmë dhe nuk paguhemi”.

Por pas më shumë se dy dekadash, një zgjidhje po shihet në horizont. Më 21 qershor, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u takua me Petar Petković, drejtor i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi” në Qeverinë e Serbisë, për të nënshkruar një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjeve të vjetra energjetike në mes dy vendeve, që datojnë nga viti 2013 deri në vitin 2015. Takimi u lehtësua nga Miroslav Lajčák, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja. Është një hap i madh përpara”, shkroi Lajčák në Twitter, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja kërkon që një shpërndarës serb i energjisë elektrike të operojë në katër komunat veriore me shumicë serbe dhe të fillojë ta zbatojë pagesën e faturave të energjisë elektrike. Përveç kësaj, marrëveshja kërkon që KOSTT-it dhe Kompanisë Kosovare për Distribuimin me Energji Elektrike (KEDS) t’i lejohet qasja në infrastrukturën e shpërndarjes dhe transmisionit në veri të Kosovës.

Ndonëse marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për energjinë elektrike mbetën të pazbatuara, politikanët thonë se janë seriozë për zbatimin e marrëveshjes së fundit. Petković tha se ai “personalisht do të dalë në terren me njerëzit e tij dhe do ta monitorojë zbatimin e marrëveshjes”. Në të njëjtën kohë, marrëveshja e fundit ka një klauzolë që thotë se Kosova mund ta tërheqë ose pezullojë licencën e kompanisë serbe për të operuar në Veri pas 100 ditësh nëse nuk ka respektim të plotë të marrëveshjes. 

Në atë që dukej të ishte si reagim ndaj lajmit, një granatë dore shpërtheu në një objekt të shpërndarjes së energjisë elektrike në Mitrovicën e Veriut natën e 23 qershorit. Shpërthimi shkaktoi një ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë ka pasur një sërë protestash të vogla në qytet që nga shpallja e marrëveshjes kundër mungesës së pretenduar të transparencës në vendimet që prekin veriun e Kosovës.

Më 24 qershor, Kosova e përmbushi zotimin e saj dhe me vendim unanim të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i ofroi licencën Društvo Elektrosever SOO, furnizues serb i energjisë elektrike. Kompania tani do të fillojë t’i furnizojë dhe faturojë konsumatorët në Veri me një licencë pesëvjeçare, me çmime të përcaktuara nga Elektrosever.

Deri në vitin 2017, konsumatorëve të energjisë elektrike në pjesën tjetër të Kosovës iu është dashur ta mbulonin koston e energjisë elektrike së papaguar në Veri. Mesatarisht, faturat e energjisë elektrike ishin 3% më të larta në pjesën tjetër të vendit për t’i kompensuar humbjet. Por në vitin 2017 një vendim gjykate e shpalli të paligjshëm detyrimin e konsumatorëve për ta mbuluar mungesën dhe përgjegjësia për mbulimin e shpenzimeve i kaloi KOSTT-it. Ata u përgjigjën duke hyrë në borxhe dhe duke u mbështetur në subvencionet periodike nga qeveria.

“Qeveria e Kosovës ka subvencionuar KOSTT-in me 10 milionë euro për ta furnizuar pjesën veriore të Kosovës dhe ne i kemi dhënë 32 milionë shtesë për shkak se çmimi i energjisë është rritur gjatë dimrit. Dhe të gjitha këto dëshmi i kemi në të dhënat tona”, tha Kadriu, duke folur për gjendjen që nga viti 2017.

Një raport i publikuar së fundmi nga Instituti GAP me seli në Prishtinë, thotë se “këto pagesa shumëmilionëshe të bëra gjatë viteve kanë pasur një ndikim të madh në tregun e energjisë në Kosovë” dhe se po krijon presion financiar mbi KOSTT-in dhe buxhetin publik.

Në nëntor të vitit 2021, KOSTT-i njoftoi se do ta ndërpresë furnizimin me energji elektrike për banorët në Veri të cilët nuk kanë paguar, por asnjë veprim nuk u ndërmor.

“Ne duhet ta zgjidhim këtë”, tha Kadriu. “KOSTT-i e furnizon me energji elektrike pjesën veriore të Kosovës. Sot e paguajmë 100% të energjisë për pjesën veriore të Kosovës”.

Me një përparim të dukshëm në këtë ngërç tashmë disa dekadësh, K2.0 zbërthen pikat e ndryshme të pengesave, polemikave politike dhe telasheve financiare të lidhura me 20 e më shumë vite mosmarrëveshjesh rreth energjisë elektrike dhe veriut të Kosovës.

Pamja nga Veriu

Fakti që shumica e njerëzve që jetojnë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk i paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike që nga viti 1999, shpesh ngjall përbuzje te pjesa tjetër e vendit.

Milan Dobrić, një fotograf që jeton në Mitrovicë të Veriut, tha se serbët që jetojnë në veri të Kosovës kritikohen edhe nga njerëzit në Serbi. “Disa prej tyre mendojnë se po jetojmë në parajsë sepse nuk na duhet të paguajmë”, tha Dobrić.

Dobrić theksoi se punonjësit publikë në sistemin paralel serb në Kosovë ndonjëherë marrin paga që janë 30% deri në 50% më të larta se punët e ngjashme në Serbi. “Kështu [qeveria serbe] dëshiron t’i mbështesë njerëzit që jetojnë këtu, të na subvencionojë, në fakt”, tha Dobrić.

"Ata nuk kanë kërkuar domosdoshmërisht energji elektrike falas, por thjesht ka ndodhur”.

Caleb Waugh, OJQ Aktiv.

K2.0 ka intervistuar një numër përfaqësuesish të shoqërisë civile në Mitrovicë të Veriut dhe shumica shprehën zhgënjimin se si serbët e Kosovës kanë mbetur pa zë në një çështje që më së shumti i prek ata. Caleb Waugh, amerikan i cili punon si udhëheqës i politikave praktike për OJQ-në Aktiv me seli në Mitrovicë të Veriut dhe që ka jetuar aty për gati një dekadë, tha: “Ajo që po humb në gjithë këtë është perspektiva e qytetarit mesatar e që është se ata nuk kanë kërkuar domosdoshmërisht energji elektrike falas, por thjesht ka ndodhur”.

Kur reflektojnë për faturat e papaguara të energjisë elektrike, disa i shohin serbët e Kosovës si diçka tjetër dhe jo veç si përfitues pasivë. Slobodan Stošić, menaxher i programit në Qendrën Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC), la të nënkuptohej se kjo çështje duhet të përdoret nga serbët e Kosovës për të ushtruar presion ndaj qeverisë së Kosovës.

“Nuk jam i sigurt se Veriu do të pranojë ta paguajë energjinë elektrike derisa të përmbushen disa kushte të Marrëveshjes së Brukselit”, tha Stošić. “Nuk mendoj se qytetarët në Veri do të pranojnë të paguajnë për energjinë elektrike nëse nuk marrin diçka në këmbim”.

Ai sugjeroi se faturat e energjisë elektrike mund të jenë një formë për ta kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, gjë e cila ishte kërkuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të nënshkruar nga ish-kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Ivica Dačić dhe Hashim Thaçi. Asociacioni kishte për qëllim t’u siguronte serbëve të Kosovës një shkallë të madhe të autonomisë. Kjo marrëveshje nuk është zbatuar sepse shumica në Kosovë e shohin Asociacionin si kërcënim për sovranitetin e vendit dhe imponim nga bashkësia ndërkombëtare.

Aleksandar Arsenijević, një 29-vjeçar nga Mitrovica e Veriut dhe udhëheqës i nismës politike Srpski Opstanak (në shq. Mbijetesa serbe) tha, “Serbët janë kriminalizuar që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike, por ne nuk kemi pranuar asnjë faturë në 20 muajt e fundit”.

Në vitin 2020, pasi Kosova u largua nga blloku rregullator i energjisë elektrike me Serbinë-Malin e Zi-Maqedoninë e Veriut dhe iu bashkua bllokut rregullator me Shqipërinë, banorët e katër komunave veriore me shumicë serbe nuk pranuan më fatura të energjisë elektrike.

Prej vitesh banorët e katër komunave me shumicë serbe i pranonin faturat e energjisë elektrike, por ishte e ditur gjerësisht se asnjë pasojë nuk do të vinte nga mospagesa e tyre.

Faturat dërgoheshin nga kompania kryesore e energjisë elektrike e Serbisë, Elektroprivreda (EPS). Në faqen e internetit të EPS-së thuhet se ata posedojnë edhe tri ndërmarrje publike në Kosovë, por që, “Që nga qershori i vitit 1999, EPS nuk ka qenë në gjendje t’i menaxhojë kapacitetet e saj në Kosovë dhe Metohija (sic)”.

Energjia elektrike në veri të Kosovës ka qenë një ngërç politik prej vitesh.

Njëra prej këtyre ndërmarrjeve, Elektrokosmet, disi ka vazhduar të operojë në Kosovë. E themeluar në vitin 1991, në faqen e internetit të kompanisë së tyre thuhet se aktivitetet e tyre përfshijnë “shpërndarjen e energjisë elektrike dhe mirëmbajtjen e objekteve të energjisë në veri të Kosovës dhe Metohisë (sic)” dhe “prodhimin e energjisë elektrike në hidrocentrale të vogla”.

Teksa komentonte situatën në javët para nënshkrimit të marrëveshjes së fundit, Gani Buçaj, anëtar i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE), tha se “Elektroprivreda, Elektrokosmet, operojnë ilegalisht sepse nuk janë të licencuara nga ne”.

Arsenijević tha se në Mitrovicë të Veriut autoritetet herë pas here u bëjnë presion pronarëve të bizneseve që t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Arsenijević menaxhon një kafene në qytet dhe tha se faturën e energjisë elektrike për biznesin e tij ia kishte paguar Elektrokosmetit. Por një verë, ata pranuan fatura jashtëzakonisht të larta, pikërisht përpara se autoritetet serbe t’ju shkonin biznes për biznes, duke i kërcënuar se do ta shkëputnin energjinë elektrike në të gjithë rrugën derisa të gjitha bizneset t’i paguanin faturat e tyre.

“E vërteta është se edhe disa qytetarë aty paguajnë, edhe rrymën, por ua paguajnë disa kompanive ilegale që operojnë në veri. Këto kompani janë kryesisht të regjistruara në Serbi që operojnë ilegalisht në atë pjesë të Kosovës”, tha Dardan Abazi, Hulumtues i Lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), një OJQ në Prishtinë.

K2.0 provoi të kontaktojë të ashtuquajturën “Zyra e Serbisë për Kosovë dhe Metohi”, Petar Petković, Elektrokosmet dhe Agjencinë e Energjisë për Republikën e Serbisë, por asnjëra nuk u përgjigj.

Një dekadë vonesash

Energjia elektrike në veri të Kosovës ka qenë një ngërrç politik prej vitesh. Në vitin 2015, një marrëveshje energjetike e vitit 2013 u zgjidh dhe përfundimisht u nënshkrua mes presidentit serb Aleksandar Vučić (atëherë kryeministër) dhe ish-kryeministrit kosovar Isa Mustafa. Marrëveshja kërkonte që Elektromreža Srbije (EMS), kompania serbe e transmetimit të energjisë elektrike, ta mbështeste KOSTT-in për t’u bërë anëtare e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E), një shoqatë që përfaqëson 35 vende dhe është “përgjegjëse për sigurinë dhe funksionimin e koordinuar të sistemit të energjisë elektrike të Evropës, rrjetit më të madh elektrik të ndërlidhur në botë”.

Marrëveshja po ashtu bëri thirrje që të regjistrohet një filial i EPS, Elektrosever, për të operuar në veri të Kosovës dhe për të filluar mbledhjen e pagesave për energjinë e papaguar.

Statusi dhe procesi i regjistrimit të Elektrosever ka qenë një pikë e nxehtë diskutimi. Marrëveshja e nënshkruar së fundmi përsëri kërkon që ajo të fillojë të operojë në veri të Kosovës pas marrjes së licencës nga ZRRE-ja, të cilën zyrtarisht e mori vetëm disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së fundit.

“Mendoj se nëse i plotësojnë të gjitha kushtet dhe është në përputhje me dialogun, nuk shoh ndonjë problem. Nëse tani janë në përputhje me çështjet, Elektrosever do të konsiderohet si çdo furnizues tjetër në Kosovë, si KEDS-i”, tha Kadri Kadriu nga KOSTT.

Dushan Radaković, drejtor i OJQ-së, Qendra për Avokim për Kulturë Demokratike (ACDC) në Mitrovicë të Veriut, mendon se në të kaluarën, ZRRE-ja dhe KEDS-i ia vështirësuan shumë Elektrosever-it regjistrimin dhe marrjen e licencës për të vepruar. “Prishtina ia refuzoi tri herë licencën Elektroseverit. Pa licencë ata nuk mund të operojnë”, tha Radaković.

Megjithatë, Gani Buçaj dhe kryetari i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë për K2.0 se Elektrosever tentoi të regjistrohej për licencë në vitin 2020 kur bordi nuk ishte funksional dhe se herët e tjera Elektrosever ka aplikuar me dokumente që sugjeronin se Kosova ishte pjesë e Serbisë dhe kësisoj u refuzuan. Sipas Dardan Abazit, “Mandati i bordit të ZRRE-së përfundoi më 20 dhjetor dhe kompania serbe ka aplikuar për licencë më 22, duke e ditur se nuk kishte bord që ta miratonte atë”.

Marrëveshja energjetike e vitit 2013 është dashur po ashtu t’i mundësonte “qasje KOSTT-it, KEDS-it dhe ZRRE-së në infrastrukturën e transmisionit dhe shpërndarjes” në veri të Kosovës në mënyrë që ata të mund ta mirëmbajnë dhe përditësojnë infrastrukturën. Por, sipas Buçajt, Serbia nuk i ka lejuar qasje KEDS-it apo KOSTT-it.

"Nuk është praktike. S’mund të shkosh aty me forcat speciale sa herë që dëshiron ta lexosh matësin".

Gani Buçaj, ZRRE.

“Edhe forcat tona speciale, por edhe nëse disa punonjës të KOSTT-it shkojnë atje, nuk u lejohet të hyjnë. Fizikisht nuk na lejohet të hyjmë në objekte”, tha Buçaj. “Edhe si anëtar bordi, për arsye sigurie nuk mund të shkoj atje, as në Mitrovicë të Veriut. Sa herë që shkojnë për të operuar iu nevojiten forca speciale. Nuk është praktike. S’mund të shkosh aty me forcat speciale sa herë që dëshiron ta lexosh matësin”.

Një pengesë shtesë në gjithë këtë çështje ka qenë mosgatishmëria e Serbisë për të nënshkruar një marrëveshje ndërlidhëse me Kosovën. Fejzullahu tha se “sipas direktivave të BE-së, çdo linjë ndërlidhëse duhet të ndajë kapacitete për tregtarët, për të shitur dhe blerë energji elektrike”. Duke qenë se Serbia refuzoi ta hapë kapacitetin për Kosovën, nëse një tregtar ndërkombëtar dëshiron t’i shesë energji elektrike Kosovës, shpesh duhet të kalojë përmes Serbisë dhe pastaj një shteti tjetër që kufizohet me Kosovën, për shembull përmes Malit të Zi ose Maqedonisë së Veriut, përpara se energjia elektrike të hyjë në Kosovë. Si rezultat, kostot janë më të larta për tregtarët, furnizuesit dhe konsumatorët.

Në shkurt të vitit 2021, KOSTT paraqiti ankesë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, organizatë që punon për krijimin e një tregu të integruar pan-evropian të energjisë. Në ankesë akuzohet Serbia dhe EMS për moslejim të alokimit të kapaciteteve dhe transaksioneve komerciale përgjatë katër linjave të ndërlidhjes në kufirin Kosovë-Serbi dhe argumenton se kjo ka “ndikuar, dëmtuar dhe kufizuar seriozisht transaksionet tregtare në Evropën Juglindore dhe ka rritur ndjeshëm rrezikun e mosbalancimit të sistemit energjetik”.

KOSTT ka raportuar se kanë bërë përpjekje të njëpasnjëshme për ta kontaktuar EMS për të krijuar një marrëveshje ndërlidhëse, por nuk ka pasur përgjigje. Federata Evropiane e Tregtarëve të Energjisë (EFET) iu drejtua palëve përkatëse përmes një deklarate në janar të vitit 2021, duke kërkuar si nga EMS ashtu edhe KOSTT që ta zgjidhin situatën, duke theksuar se kjo prek jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por edhe pjesën tjetër të rajonit dhe “një numër të madh të kompanive anëtare të EFET”.

Nëse udhërrëfyesi zbatohet plotësisht, Serbisë do t’i duhet ta fillojë hapjen e këtij kapaciteti për Kosovën për t’i lejuar qasje më të gjerë në tregjet evropiane të energjisë elektrike.

“Ata nuk na përkrahin, përkundrazi, veç na krijojnë pengesa, nuk e kanë përkrahur Kosovën që të anëtarësohet në ENTSO-E, kësisoj bëjnë shaka me ne”, tha Fejzullahu, para se t’i kërkonte Serbisë, “ju lus t’i lejoni punonjësit e KOSTT-it dhe KEDS-i të hyjnë në katër komunat”.

Njëra nga pjesët kyçe të infrastrukturës ku KOSTT dhe KEDS dëshirojnë të kenë qasje është nënstacioni i transmisionit elektrik në Valač, vetëm disa kilometra në veri të Mitrovicës. Nënstacioni është pjesë qendrore e infrastrukturës energjetike të katër komunave.

Anëtari i bordit të ZRRE-së, Gani Buçaj, tha se KOSTT dhe KEDS posedojnë pronësinë e Valač, por nuk kanë qasje në këtë nënstacion për shkak të mundësisë së konfliktit. Elektrokosmet aktualisht operon me Valač.

Në Raportin Vjetor të 2021 të KOSTT-it, theksohet se njëri nga problemet që ka prekur kompaninë ishte “pamundësia për të operuar, mirëmbajtur dhe zhvilluar një pjesë të rrjetit të transmisionit të Kosovës, për shkak të qasjes së kufizuar në pjesën veriore të vendit, si dhe ndërhyrja e paligjshme e operatorëve serbë, si EMS dhe EPS”.

Katër komunat veriore të Kosovës shfrytëzuan pothuajse 38 milionë euro energji elektrike në vitin 2021, të cilën nuk e kanë paguar.

Ndonëse nënstacioni kontestues drejtohet nga operatorët serbë, Kadriu pohon se ndjekin udhëzimet e operimit sipas KOSTT-it. KOSTT-i planifikon rinovimin e nënstacionit të vjetërsuar dhe me marrëveshjen e sapo nënshkruar për energjinë elektrike, kjo mund të jetë e mundur.

ENTSO-E e njeh KOSTT-in si operator të sistemit të transmisionit për të gjithë rajonin gjeografik të Kosovës, gjë që ka implikime se kush, sipas kësaj organizate evropiane të energjisë elektrike, duhet të operojë në Valač.

Në një prononcim për K2.0, një përfaqësues i ENTSO-E shkroi, “Diçka që është fakt është se veriu i Kosovës është pjesë e perimetrit të KOSTT-it […]”. Për shkak të kësaj, KOSTT-i e ka obligim që të sigurojë energji elektrike atje nëse një furnizues nuk e bën këtë, në mënyrë që ta balancojë tërë perimetrin e tyre.

“KOSTT-i duhet t’u sigurojë energji elektrike për ta balancuar perimetrin e tij, por nuk mund t’ia faturojë askujt. Kësisoj, vijnë vështirësitë e tyre financiare”, përfundon deklarata.

Kadriu tha se KOSTT-i nuk mund të vazhdojë ta mbulojë veriun nëse do të vazhdojë të humbasë para në nivelin e tanishëm. Sipas raportit të fundit të Institutit GAP, katër komunat veriore të Kosovës kanë shfrytëzuar pothuajse 38 milionë euro energji elektrike në vitin 2021, të cilën nuk e kanë paguar, një rritje e madhe nga mesatarja e tyre prej 9 deri në 12 milionë euro energji elektrike në vit, së fundmi.

Njësoj, si Kadriu ashtu edhe Fejzullahu e pranon se këtë vit duhet gjetur dhe zbatuar një zgjidhje e përhershme, por integrimi i serbëve të Kosovës në sistemet e Kosovës mbetet sfidë. Në muajt e ardhshëm KOSTT-i dhe institucionet tjera kosovare do ta kuptojnë nëse marrëveshja e fundit do të çojë në zgjidhje të përhershme të problemit dekadësh.

Në fund, fotografi Milan Dobrić tha: “Nëse dikush nga qeveria do t’u thoshte të gjithëve të paguanin, mendoj se të gjithë ne do ta paguanim”.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian

Pse kjo klauzolë?

KOMENTO