Pikëpamje | Zgjedhjet 2019

Të ngopur me opsionet zgjedhore? Është koha për ta shqytruar votimin taktik

Nga - 18.09.2019

Si një votë e pazakontë mund ta ndryshojë Kosovën për të mirë.

Ja tek jemi përsëri, shi në mes të një rundi tjetër të cirkut politik të cilin me sa duket po e quajmë edhe zgjedhje të përgjithshme. Ajo koha që na vjen çdo dy vjet gjatë jetës, kur sërish gjithë përqendrimi është mbi ne, mbi popullin, dhe nën udhëheqjen e kujt do të vendosim t’i kalojmë dy vitet e ardhshme, deri sa të nisë i gjithë procesi prej fillimit.

Nëse mendoni se kjo po tingëllon pak cinike, por edhe e vërtetë njëkohësisht, nuk jeni të vetmit. Apatia publike ndaj politikës është e gjithëpranishme – në kafene, dyqane, lokale, vende të punës e në shtëpi – dhe duket dendur në ajër, ndërsa njerëzit sinqerisht nuk e kuptojnë poentën e gjithë këtij spektakli, meqë asgjë nuk duket se ndryshon në fund të tij. 

Nëse pajtoheni, nuk jeni të vetmit – më se 42,000 njerëz i prishën letrat e votimit në zgjedhjet e fundit, shumë prej të cilëve pa dyshim sepse nuk ishin për t’i përkrahur në dispozicion.

Nëse jeni njëri prej tyre, ose po mendoni ta prishni fletëvotimin këtë herë, ndërsa i numroni ditët deri në fund të procesit të sivjetshëm, ju nxis të vazhdoni të lexoni – keni mundësi të bëni diçka shumë të rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme.

Dhe këtë mund ta bëni duke mos i shkelur parimet tuaja, por duke i ruajtur të gjitha idetë për kotësinë e strukturave aktuale politike, dhe duke e bërë Kosovën shtet më të fortë për të gjithë qytetarët e saj.

Sugjeroj të votoni me taktikë. 

Reduktimi i pushtetit keqdashës të Listës Serbe

Kosova është shtet i çuditshëm në plot mënyra, e posaçërisht kur vjen koha e zgjedhjeve.

Me 1.97 milion votues të regjistruar, është dokumentuar mirë që Kosova ka më shumë votues se njerëz. Por megjithatë, kjo temë është për një ditë tjetër. 

Çudia veçanërisht relevante këtu është se sistemi ynë elektoral nuk është i ndërtuar si një demokraci me një zonë elektorale dhe me nga një votë për person. Të paktën jo në asnjë kuptim praktik.

Kjo për shkak se, sipas Kushtetutës së Kosovës, 20 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për kandidatët nga komunitetet pakicë; 10 për përfaqësuesit serbë dhe 10 që ndahen nga përfaqësuesit e katër komuniteteve të tjera të njohura zyrtarisht.

Në praktiktë, kjo do të thotë që Kosova e ka një sistem zgjedhor me dy nivele, ku votat numërohen ndryshe varësisht se për kë voton; votat për partitë minoritare e rrisin shumë vlerën e votës suaj.

Gjithashtu, çdo parti që është e regjistruar si parti minoritare në Kosovë dhe i përfaqëson “vlerat minoritare” ka fuqi disproporcionale në krahasim me numrin e votave që i merr, meqë komunitetet minoritare e kanë të garantuar përfaqësimin në degën ekzekutive.

Kjo është tepër e çuditshme për çdo njeri që din si duhet të operojnë demokracitë. Por meqë është fakt, duhet t’i përshtatemi dhe të mundohemi ta shfrytëzojmë për të mirën tonë.

Sikur më pak se 2% e votuesve të zgjidhnin të votonin për një politikan të moderuar serb, atëherë Lista Serbe do ta humbte gjithë fuqinë e vet.

Si mund ta bëjmë këtë? Si mund ta përdorim këtë sistem të çuditshëm që e kemi për ta ndryshuar peizazhin politik për të mirë?

Është e lehtë.

Sikur më pak se 2% e votuesve të zgjidhnin të votonin për një politikan të moderuar serb, atëherë Lista Serbe (Srpska Lista) – e cila haptas i ndjek urdhërat e një shteti tjetër – do ta humbte gjithë fuqinë e vet në Kuvend. Mund ta përdorim sistemin tonë të çuditshëm zgjedhor për ta larguar një pjesë shumë të dëmshme të politikës së përditshme të Kosovës dhe gjithashtu ta kundërshtojmë Serbinë, duke mos i lejuar kapjen e ndryshimeve kushtetuese, të përfaqësimit minoritar, politikave ndërkombëtare dhe shumë të tjerave. 

Më pak se 2% prej nesh mund ta bëjmë gjithë këtë: ta rindërtojmë strukturën politike të Kosovës dhe ta bëjmë vendin tonë më të mirë sesa më parë, duke zgjedhur një kandidat minoritar (serb) që e njeh shtetin tonë dhe që e përfaqëson Kosovën, e jo Serbinë.

Ja se si mund ta bëjmë këtë.

Në ciklin e fundit zgjedhor, Lista Serbe i mori 44.500 vota, me mbështetje rreth 11 fish më të madhe se ajo e partisë së dytë serbe, Partia Liberale e Pavarur (SLS), e cila i morri rreth 3,500 vota. Kjo i dha Listës Serbe një mazhorancë me nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për partitë minoritare serbe. 

E të gjithë neve na dha një cikël qeveritar plot me bllokime nga ana e Listës Serbe në lidhje me të gjitha aspektet e lartpërmendura. Kjo parti e ndaloi progresin, dhe e bëri gjithë këtë nën direktivat e një shteti tjetër – në këtë rast, të Serbisë.

Fuqia votuese për Listën Serbe mbetet shumë e qëndrueshme nga zgjedhjet në zgjedhje, prandaj mund të themi se vazhdimisht i marrin rreth 40,000 vota. Së fundmi, Komisioni Zgjedhor e mori një vendim sipas të cilit vetëm personave me dokumente të Kosovës u lejohet votimi. Si rrjedhojë e kësaj, ai numër mund të jetë më i vogël këtë herë, por pasi kjo është pak a shumë e paparashikueshme, për hir të argumentit, ta përdorim këtë shifrën e “skenarit më të keq”.

Për ta eliminuar fuqinë e tyre në sferën politike kosovare, ne duhet ta reduktojmë përfaqësimin e tyre në parlament nga nëntë deputetë në gjashtë (apo më pak); ky numër do të përbënte më pak se një të tretën e ulëseve të rezervuara për kandidatë minoritarë dhe kështu do ta eliminonte në mënyrë efektive veton e tyre mbi ndryshimet kushtetuese (që kërkojnë mbështetje nga më shumë se dy të tretat e deputetëve në ulëset e rezervuara).

Duke bërë këtë, dhe njëkohësisht duke zgjedhur një politikan të moderuar serb (ka plot) që e kundërshton Listën Serbe dhe gjithashtu ka dëshirë të jetojë në Kosovën si shtet të lirë, ne do ta kishim një parlament në të cilin kemi mundësi: ta ndryshojmë kushtetutën për ta krijuar një ushtri të vërtetë; të bëjmë ndryshime reale në jetët e minoriteteve pa u drejtuar nga një shtet tjetër; të zgjedhim vetë si t’i përdorim fuqitë në Kushtetutën tonë; dhe gjithashtu potencialisht t’i eliminojmë ulëset e rezervuara (që fillimisht u menduan si zgjidhje e përkohshme “transicionale”) për ta krijuar një sistem të mirëfilltë demokratik.

E gjithë kjo me vetëm 2% të fuqisë elektorale kosovare. Mund të them që s’është keq. 

Pse 2%?

Në sistemin zgjedhor të Kosovës – i cili përdor atë që njihet si metoda Webster/Sainte Lague – nëse dy parti kanë (afërsisht) numrin e njejtë të votuesve, atyre u ndahet një numër i njejtë i ulëseve. Pra vetëm 2% të 1.97 milion votuesve të regjistruar të Kosovës do të mjaftonin për t’i mbledhur 40,000 votat që i merr zakonisht Lista Serbe.

Me 2% të elektoratit që votojnë për parti të moderuara serbe, në parlamentin e ardhshëm Lista Serbe nuk do ta kishte mazhorancën me të cilën bllokon gjithçka. Me më shumë se 2%, ata praktikisht do të eliminoheshin krejtësisht, duke reduktuar fuqinë e tyre në pak deputetë.

Duhet ta theksoj përsëri që kjo do të ishte një lëvizje shumë e rëndësishme për demokracinë kosovare. Edhe më e rëndësishme është që ne e kemi fuqinë në duart tona.

Duhet ta kuptojmë që votimi nuk është për të na e humbur kohën çdo dy vjet (sepse ka shumë prej nesh që e shohin kështu), po që ta bëjë shtetin tonë më të fuqishëm – e për këtë mund ta shfrytëzojmë votimin taktik. 

Benjamin Franklinin e kishte pyetur një grup i qytetarëve se çfarë lloj qeverie po e krijonin. Franklin ishte përgjigjur: “Republikë, nëse mund ta ruani!” Mendoj se demokracia jonë e vogël duhet ta ketë njerëzinë e njejtë si ajo që e avokoi Franklin, sepse jemi ne rojtarët e demokracisë sonë.

Pra na mbetet neve mbi supe që ta ruajmë – nëse kemi dëshirë!

Votimi taktik është një mënyrë e thjeshtë për ta mbrojtur republikën tonë duke e fuqizuar në mënyrë demokratike, gjithnjë duke i kujtuar vlerat tona thelbësore dhe duke qëndruar për besimet tona.

Këtë nuk të vjen rasti ta bësh shpesh, kështu që ia vlen të paktën ta konsiderosh…

Imazhi: Majlinda Hoxha & Arrita Katona / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.