Në thelb | Arte & Kulturë

Fëmijët e Dokufestit

Nga - 19.08.2025

Puna prapa perdeve që mundëson organizimin e një prej ngjarjeve kryesore kulturore në Kosovë.

Vite më parë, në një lagje afër qendrës së Prizrenit që përkufizohet me rrugët “Medina”, “Farkëtarët” dhe “Saraçët”, Buron Karahoda ngarendte bashkë me shokët nëpër kalldrëmet e sokaqeve të ngushta të lagjes së tij, mbrëmjeve të zakonshme të verës. Nga një oborr aty pranë shpesh buçisnin tinguj të ndryshëm dhe dialogje; fëmijët nuk mund ta shihnin çfarë po ndodhte matanë murit që ndante shtëpinë e familjes Karahoda dhe kinemasë “Lumbardhi”. Vetëm në sytë e tyre reflektoheshin lëvizjet e dritave të filmit që po shfaqej në kinemanë e jashtme.

Karahoda e kujton veten si fëmijë të urtë, i rritur në një familje të zakonshme të Prizrenit. Sherri më i madh që bënte me shokët ishte kapërcimi i murit për të hyrë në oborrin e kinemasë për ta kënaqur kureshtjen që ua shkaktonte muzika, dialogjet dhe dritat që ndriçonin qiellin nga oborri matanë.

Atëbotë, rreth viteve 2010, Karahoda nuk e kishte menduar ndonjëherë që ai mur me kohë do të merrte një kuptim metaforik; muri ndante jo vetëm shtëpinë e tij me kinemanë, por edhe fëmijërinë me një pjesë të rëndësishme të jetës së tij, të cilën do ta përjetonte më vonë. Kinemaja afër shtëpisë së tij u bë fillimi i një jete përkrah filmit.

Tash, kur Karahoda është 33-vjeçar, ai është një prej anëtarëve të ekipit që organizojnë Dokufestin, Festivalin e Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, një prej ngjarjeve kryesore të kulturës në Kosovë. I nisur në vitin 2002, nga një grup i vogël adhuruesish të filmave, festivali është rritur ndjeshëm ndër vite, duke u shndërruar në njërin nga organizimet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore. Sot, Dokufesti luan rol të rëndësishëm në peizazhin kulturor dhe ekonomik të Prizrenit, duke e vendosur qytetin si pikëtakim në hartën kulturore ndërkombëtare, si dhe duke nxitur turizmin. Gjithashtu, festivali është kujdesur gjithnjë që të jetë i lidhur me hapësirat publike të qytetit, qëllim ky që shprehet më së miri nëpërmjet kinemave të improvizuara në vende të ndryshme përfaqësuese të qytetit, si lumi e kalaja.

Buron Karahoda është projeksionisti kryesor i Dokufestit. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

Bashkë me hapësirat e qytetit, festivali mbetet gjithashtu i lidhur me njerëzit e qytetit. Ashtu si shumë të tjerë, Karahoda kishte nisur rrugëtimin e tij në Dokufest duke qenë fillimisht vullnetar me të kryer shkollën fillore, rreth 17 vite më parë, për t’u ngjitur pastaj nëpër pozita të tjera.

Po në lagjen ku Karahoda u rrit, në fund të rrugës “Saraçët”, gjendet Shtëpia e Kulturës “Xhemajl Berisha”, një prej hapësirave që përdor festivali çdo verë përgjatë nëntë ditëve të edicionit. Karahoda ecën nëpër tepihun e qendrës si të ishte bari i oborrit të shtëpisë së tij. Ky është viti i tij i tretë si koordinator i projeksionistëve të filmave të Dokufestit. Të gjitha kinematë e festivalit, ai, ashtu si shumë punëtorë të tjerë që punojnë në prapaskenën e Dokufestit, i njeh pëllëmbë për pëllëmbë.

Puna e Karahodës për ditët kur mbahet festivali fillon në muajin korrik, kur pranon listën e filmave që janë përzgjedhur për t’u shfaqur në atë edicion të Dokufestit. 

“Në tri vitet e fundit, prej kur jam projeksionist, i kam testu vetë të gjithë filmat; me një edicion shfaqen prej 220 deri në 260 sosh”, tha Karahoda, i cili ka për detyrë që t’i testojë të gjithë filmat për t’u siguruar që çdo element i tyre funksionon, duke përfshirë zërin, videon, titrat, pastaj lloji i skedarit e elemente të tjera, proces që zgjat rreth tre javë. Pas kësaj, Karahoda mban trajnim për vullnetarët që do të punojnë me të në projeksione të filmave nëpër kinema përgjatë festivalit, proces që zgjat rreth dy javë.

I lindur dhe i rritur në Prizren, ai thotë që nuk e ka menduar asnjëherë se çfarë do të bënte në jetën e tij po të mos kishte ekzistuar Dokufesti.

Ekipet e Dokufest duhet të testojnë disa herë çdo film që duhet të shfaqet. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

“Jam rritë në këtë frymë dhe nuk kam pasë kurrë nevojë me mendu. Edhe rrethin, shoqninë, lagjen, krejt i kam që kanë punu ose janë marrë me Dokufest, e ndiej veten pjesë të kësaj arritjeje, më përmbush festivali”, tha ai, teksa ngjitet shkallëve të një korridori të ngushtë që çon në dhomën e projektorit të asaj që quhet Kinemaja e Madhe, që në fakt është një sallë teatri e improvizuar për shfaqje filmash gjatë ditëve të festivalit. Nga lart, salla e madhe shihet vetëm nga një dritare e vogël në formë drejtkëndëshi; ulëset e zbrazëta përballë pëlhurës së projektorit krijojnë një ndjenjë të madhështisë dhe boshllëkut, sikur kur rrimë buzë detit me sy kah horizonti.

Pasi zëri i filmit fillon të dëgjohet nga kinemaja, Karahoda zbret në sallë dhe ulet në një nga ulëset e shumta, ku sheh më për së afërmi kuadrin e projektimit, titrat dhe zërimin. Zërimit i kushton pak më shumë vëmendje, pasi që, siç thotë, duhet të jetë mjaftueshëm i lartë për ta krijuar atmosferën që krijon ndjenjën e kinemasë, por nuk duhet të jetë tepër i lartë sa t’i pengojë shikuesit që ta përcjellin filmin.

Pas disa minutash, testimi përfundoi. Filmi që po testohej kishte për temë pandeminë e fundit dhe prejardhjen e virusit COVID-19; salla e madhe, e zbrazët dhe e errët, zgjonte ndjenja vetmie e paqartësie, që lidhen me kujtimet e asaj periudhe izolimi.

 

***

 

Shatërvani, fontana tradicionale osmane, shërben si pika prej ku nis degëzimi i rrugicave që formojnë lagjen qendrore të Prizrenit. Njërën nga këto rrugë, që lidh qendrën me pjesën e malit të Marashit, Vigan Bytyçi e njeh mirë. I lindur dhe i rritur në Prizren, si fëmijë, ai kalonte aty për të shkuar në banesën e gjyshes së tij nga ana e nënës. 

Në njërën prej atyre ditëve, kur Bytyçi ishte diku 17-vjeçar, te gjyshja e tij ishin mbledhur anëtarë të shumtë të familjes; në bisedë e sipër doli ideja që ai të fillonte të merrej me Dokufestin si vullnetar. Madje, njëri nga familjarët aty kishte telefonuar menjëherë dikë nga udhëheqësit e festivalit për t’i thënë që një djalë i familjes donte të ndihmonte me ndonjë punë. Qëlloi që po atë ditë, ekipet e vullnetarëve po pastronin lumin nga mbeturinat.

“Unë veç e kalova rrugën, zbrita poshtë e drejt e te Erolli [Bilibani, udhëheqës i DokuLab, departamentit edukativ të Dokufest], edhe qaty ia kom nisë”, tregon Bytyçi. “Prej aty më kanë delegu në Kino Lumbardhi si vullnetar, Bahri Ukën e kom pasë koordinator. Vitin tjetër më patën shti në logjistikë, ma vonë ma dhanë në menaxhim komplet logjistikën e festivalit. Prej atëherë deri sot jam qaty”. Ngjashëm me Karahodën, Bytyçi nuk e kishte idenë se çfarë vendi do të zinte Dokufesti në jetën e tij.

Bytyçi është person që e ka të vështirë të rri pa lëvizur; ta krijon idenë e një njeriu që është në gjendje të zgjidhë çfarëdo problemi. Kur ulet në tavolinë, rri në cep të karriges, duke ta dhënë përshtypjen që gjithmonë ka diçka për të bërë. Lëkurën e ka të nxirë nga dielli; gjatë ditëve të Dokufestit gjendet kudo. Se ka qenë fëmijë i gjallë nuk është e vështirë të imagjinohet.

Vigan Bytyçi, përgjegjësi kryesor prapa skenave të Dokufestit. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

“Dy gurë nuk i kam lënë me një vend, qashtu më kanë përshkru prindërit e të tjerët”, tha ai. 

Për t’u angazhuar veçanërisht me Dokufestin, Bytyçit iu desh të përshkonte ndërmjet pritshmërive dhe dëshirave të tjera profesionale. Ai studioi në Fakultetin Juridik, dhe meqenëse prindërit e tij ishin gjithashtu juristë, ideja ishte që kur t’i mbaronte studimet të punonin diçka të tre së bashku në të njëjtin profesion.

“Po mu nuk m’flejke ajo ide. Kam qenë gjithmonë i dhënë pas punëve të terrenit, nuk është që muj me nejtë në kompjuter në zyrë 7-8 orë pa lëvizë”, tha ai.

Si fëmijë, ai u dha shumë pas basketbollit, sport të cilin e cilëson si dashurinë e tij të parë. Ai  arriti të luante me grupin e juniorëve të ekipit të Prizrenit, pastaj për seniorët, e më pas u bë trajner për grupmoshat e fëmijëve.

Përgjatë gjithë kësaj periudhe, ai punonte vazhdimisht për Dokufestin. Pasioni nuk mjaftoi që Bytyçi të rrinte në botën e basketbollit si profesionist – sporti është rrugë e pasigurt për karrierë në Kosovë. Kështu, u detyrua të zgjidhte njërën nga të dyja.

“Ditën kishim stërvitje prej 11:00 deri 13:00, tani prej 16:00-17:00 edhe prej 19:00-20:00. Ato të mbrëmjes lehtë me i mbërri, po këto tjerat shumë problem”, tha Bytyçi. “Pas një periudhe duke i ba të dyja punët, e lashë basketbollin”.

Me 17 vite përvojë në Dokufest, tash ai është koordinator i logjistikës, njeriu kryesor prapa ndërtimit të kinemave dhe të gjitha elementeve të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e hapësirave të festivalit.

Bytyçi ka mbamendje të gjatë për Dokufestin. Ai kujton se si në vitet e para të tij, puna kishte qenë shumë më e vështirë, duke qenë se kishin kapacitete më të vogla dhe improvizimet e ndryshme kërkonin shumë punë. Në fillet e tij, organizimi ishte modest; edhe njerëzit kryesorë që ndihmonin stafin në organizimin e festivalit ishin vullnetarë.

Bytyçi dhe ekipi i tij e kanë mbi supe çdo gjë që lidhet me skenat e festivalit. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

“Përpara kemi bo ma shumë punë fizike. Për shembull kinemaja që e kemi ndërtu në kala i ka pasë mbi 300 metra katrorë. Krejt dërrasat e materialin ka ndodhë që i kemi bajtë vetë”, tha ai. “E që nja 7-8 vjet këto sene i bojmë me kontraktor, se festivali ka ecë përpara, kemi njerëz që merren me atë sen, ma shumë ka logjistikë e kujdes, sesa punë fizike”.

Procesi i ndërtimit të skenës së filmit dhe koncertit në Kalanë e Prizrenit kishte filluar rreth vitit 2010, si pjesë e përpjekjeve të festivalit për të krijuar hapësira të veçanta që lidhin trashëgiminë historike me artin bashkëkohor. Kalaja ndodhet në majën e një kodre mbi qytetin e Prizrenit, një vend strategjik por me qasje të vështirë për shkak të rrugëve të ngushta dhe të pjerrëta.

Ndërtimi i skenës në këtë lokacion kërkoi përpjekje të mëdha organizative. Me gjithë vështirësitë, kalaja ofron panoramë të plotë të qytetit dhe një atmosferë të veçantë për publikun dhe artistët. Hapësira në kala është bërë një nga pikat më të rëndësishme të Dokufestit, duke mishëruar bukurinë natyrore dhe historinë me ngjarjet kulturore të festivalit. Bytyçi ka qenë vetë i përfshirë në procesin e ndërtimit të skenës që nga fillimi. Ngjashëm ka punuar edhe për kinemanë tjetër të improvizuar, atë mbi shtratin e Lumbardhit, e cila që nga viti 2009 ndërtohet çdo vit, duke u shndërruar në njërën prej kinemave identifikuese të Dokufestit gjatë ditëve të festivalit.

Teksa flet, telefoni dridhet. Një ditë më herët kishte pasur reshje shiu dhe struktura e drunjtë e kinemasë e ndërtuar në shtratin e lumit Lumbardhi ishte nën presion nga volumi i shtuar i ujit. Dikush e telefonoi për t’i treguar që struktura ishte kontrolluar dhe çdo gjë ishte në rregull.

“Me qisi sene duhet me u marrë gjithë ditën gjatë ditëve të Dokufestit. Një kabëll mos me punu diku duhet me shku me ndërru”, tha ai.

Bytyçi kujton se si në vitet e para, pajisjet dhe materialet e tjera të nevojshme të festivalit ruheshin në një depo në ish-fabrikën e duhanit, bashkë me pajisjet e vjetruara të ish-fabrikës rrinin bashkë me gjërat e Dokufestit.

Puna e Bytyçit nuk përfundon me mbarimin e festivalit. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

“Tash e kemi një bodrum 400 metra katrorë, ku janë krejt senet edhe është infrastrukturë e mirë, hin me kamion, me traktor, me kerre – krejt i kemi aty pajisjet”, tregon ai.

Bytyçi, ashtu si Karahoda, është pjesë e organizatës së Dokufestit dhe angazhohet në të gjatë tërë vitit, me projekte të ndryshme përgjatë muajve kur nuk merren me organizim dhe mirëmbajtje të festivalit.

Punët për organizimin e edicionit të ri nisin rreth muajit mars, kur Bytyçit i duhet të sigurohet që festivali i ka të gjitha lejet e nevojshme nga komuna për shfrytëzimin e hapësirave përkatëse nëpër qytet përgjatë nëntë ditëve sa zgjat festivali. Pastaj, diku në gjysmën e muajit korrik, ai dhe ekipet e tij hyjnë në një periudhë të vështirë dyjavore kur bëhet ngritja e strukturave e të gjitha kinemave të improvizuara, si dhe çdo element tjetër që ka të bëjë me aspektet organizative logjistike.

Këtë vit, Bytyçit dhe ekipit të tij i është dashur ta ndërtojnë një skenë të re kinemaje që nuk ka qenë në mesin e kinemave në edicionet e shkuara – Kino Oborrin – si zëvendësim për Kino Lumbardhin që ka hyrë në një proces rinovimi dhe është përkohësisht jashtë përdorimit. Emri iu vendos pasi kinemaja u ndërtua në një oborr shtëpie të huazuar për periudhën e festivalit.

Në të gjitha kinematë dhe hapësirat tjera, disa prej të cilave tashmë janë tradicionale për festivalin, ekipet bartin gjithçka, duke përfshirë ulëset, projektorët, dritat, kabllot e llojeve të ndryshme e gjithfarë materialesh e pajisjesh tjera që nevojiten. Ndër pjesët më të rëndësishme është ndërtimi i kuadrove të projektorëve, që ai i quan “golla”.

“Krejt çka ka me ndërtim janë përgjegjësi e jemja, duke përfshi transportin në krejt lokacionet. Në kala shkojmë me traktor”, tha Bytyçi, duke iu referuar lokacionit që Dokufesti përdor brenda Kalasë së Prizrenit. Këtë vit, ajo skenë u përdor për të mbajtur koncertet në ditët e fundit të festivalit, të njohura si DokuNights. Ai kujton emocionet që ia shkaktonte rruga drejt kalasë kur ishte më i ri.

“Kam hypë me traktor për kala kur kam qenë shumë i ri, kur i kemi çu materialet, për herë të parë më dukej wow. Tash me m’i mshelë sytë shkoj”, tha ai.

Dokufesti është një prej ngjarjeve kryesore kulturore në Kosovë. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

Megjithëse procesi i organizimit të festivalit dhe kujdesit përgjatë ditëve të tij është i vështirë, sipas Bytyçit pjesa më e vështirë vjen pas festivalit. Çdo gjë që është shpërndarë duhet mbledhur nga të gjitha lokacionet që përdoren gjatë festivalit gjithandej qytetit në tetë kinema e disa hapësira të tjera, ndërkohë që entuziazmi i punëtorëve bie dhe secili nis t’i planifikojë pushimet.

“Njerëzit janë krejt të lodhur, kqyrin me ikë, mbes une t’u u sillë qetu nja një javë. Secili don me kry punën e vet edhe me ecë”, tha ai.

Boshllëku i ditëve pas

Më 11 gusht, në të hënën e parë pasi festivali kishte lëshuar perdet, në hapësirat e Dokufestit kishin mbetur vetëm punëtorët. Për ta, përfundimi i një edicioni, që merr një vit planifikim e punë, vjen pak më vonë.

Në anën e majtë të rrugicës përtej Urës së Gurit gjendet Kino Lumbardhi, që për shkak të rinovimit mbeti pa marrë pjesë në këtë edicion të festivalit. Dyert e gjata, që mysafirët e Dokufestit, të mbledhur përpara i vështronin teksa pritnin hapjen e tyre, janë zëvendësuar me pajisje ndërtimtarie, por objekti vazhdon ta ketë praninë e tij, sikur dëshiron të thotë që do të kthehet së shpejti për ta rikthyer shkëlqimin që ia kanë marrë kinematë tjera.

Pak metra më tutje, në Shtëpinë e Kulturës, gumëzhimën e njerëzve që vinin për filmat e kishte zëvendësuar zhurma e bezdisshme e një makine thithëse që po përdorej nga stafi për t’i pastruar hapësirat. Bytyçi me ekipin e tij tashmë po ngarkonin një frigorifer në një kamionetë të huazuar nga komuna e Prizrenit për nevoja të festivalit. Ai dhe ekipet e tij po punonin që nga mëngjesi për t’i mbledhur gjërat nga të gjitha pikat dhe për t’i kthyer ato në hapësirat e Doku Kino, ku janë të vendosura edhe zyrat e Dokufestit.

Brenda nuk kishte mbetur pothuajse askush. Ata pak punëtorë që merreshin me pastrimin e hapësirës shkëmbenin aty-këtu ndonjë fjalë të nevojshme mes vete. Nëpër dysheme rrinin të shpërndara kabllo e pajisje të ndryshme që po barteshin; punëtorët lëviznin përmes tyre në mënyrë krejt të zakonshme, gati të shkujdesur. Posterët e filmave, të varur në mure, jepnin ndjesinë që gjallëria e festivalit do të kthehej prapë. Siç ndodh çdo vit, organizatorët fillojnë të mendojnë për edicionin e vitit tjetër edhe gjatë festivalit, ndërkaq puna për të nis me t’u kthyer nga pushimet.

Bytyçi dhe Karahoda tashmë ishin bërë bashkë duke u koordinuar për punët e asaj dite. I nxehti po përvëlonte qytetin. Në kinemanë e madhe, ku Karahoda kishte testuar një film para disa ditësh, perdet e lëshuara sikur ia kishin rimarrë vendin dritës së projektorit të filmit; skena ishte shndërruar sërish në teatër. Drita që hynte nga jashtë ndriçonte vetëm disa prej ulëseve të kuqe pranë derës, të tjerat përziheshin me errësirën. Një poster me fjalën “VOID” (në shqip: boshllëk) – pjesë e temës së sivjetme të Dokufestit – qëndronte ende i ngjitur në xhamat e ndërtesës.

 

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.