Mentorimi | Ekonomia

Festivalet po përpiqen të sjellin diçka më shumë sesa kulturë

Nga - 30.12.2019

Festivalet nuk janë vetëm për të bërë qejf.

Muajt e verës janë të rëndësishëm për financat e kosovarëve, por për Agnesa Çipa Laçin nga Prizreni, fitimet gjatë muajve të verës ia diktojnë mënyrën e jetesës, nganjëherë edhe për tërë vitin.

Laçi është një nga shumë pronarët e shtëpive që e lëshojnë me qira një pjesë të shtëpisë për të akomoduar mysafirë e vizitorë të DokuFestit, përgjatë ditëve të festivalit kryesor kosovar, që shndërrohet në oazë të artistëve e filmbërësve nga rajoni e bota.

Shtëpia e Laçit gjendet në një lagje afër qendrës së Prizrenit, pranë Kishës Katolike. Ajo banon aty përgjatë vitit me familjen e saj, por gjatë ditëve të Dokufestit, shtëpia shndërrohet në bujtinë, ndërkohë që Prizreni në ato pak ditë shndërrohet në qendrën kryesore të navigimit për artdashësit dhe për ata që kërkojnë argëtim e jetë nate në ditët e nxehta të verës në Kosovë.

“Ndikimi ekonomik i DokuFest-it në PBB-në e Kosovës ishte 3.1 milion euro, ndërsa kjo shifër pritet të arrijë në 21.9 milion euro në katër vitet e ardhshme.”

Instituti GAP

Për Laçin, dhe për shumë pronarë tjerë të shtëpive e bujtinave, DokuFesti “është ndihmë materiale që për tanë Prizrenin është infuzion shumë i mirë”. Laçi tregon që të ardhurat nga lëshimi i shtëpisë si bujtinë arrijnë deri në 800 euro për një sezonë.

“Në përgjithësi qendra e Prizrenit e përjeton shumë mirë. Të gjitha bizneset në qendër përjetojnë ngritje të të ardhurave, madje edhe qendrat tregtare përfitojnë sepse të rinjtë kanë qejf me i vizitu”, thotë ajo. “Shtëpitë rreth 200-300 metra përreth Shadervanit përfitojnë dhe është mirë që DokuFesti bën përpjekje që çdo e mirë të pikë në secilën shtëpi”.

Kosova ka një mori festivalesh që mbulojnë filmin, muzikën, artin dhe verën. Ato mund të bëhen themeli i industrisë së turizmit.

Në edicionin e vitit 2015, në DokuFest vizitorët shpenzuan mesatarisht 102 euro për person. Agjencia e Statistikave të Kosovës tha se 45,000 njerëz i panë filmat në DokuFest në 2018.

Sipas një raporti të publikuar në vitin 2011 nga Instituti GAP, “ndikimi ekonomik i DokuFest-it në PBB-në e Kosovës ishte 3.1 milion euro, ndërsa kjo shifër pritet të arrijë në 21.9 milion euro në katër vitet e ardhshme”.

Sipas profilit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për sektorin e turizmit, që u publikua në mars 2014, janë disa çështje të ndryshme që ndikojnë në industrinë e festivaleve, duke përfshirë fondet e kufizuara dhe mungesën e infrastrukturës.

Dr. Shpëtim Reka, profesor i Menaxhimit të Turizmit në Sheffield University në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se Kosova ka nevojë për një organ publik kombëtar që promovon turizmin. Ky organ do të bënte hulumtime dhe do të promovonte atraksionet turistike njëlloj si atraksionet tjera”. MTI thotë se është duke u zhvilluar një projektligj i ri për turizmin, dhe se në përputhje me këtë ligj do të krijohet kjo agjenci. 

Megjithatë, këtë vit numri i vizitorëve në Dokufest ka rënë, dhe pronarët e bizneseve e lidhin rënien me faktin që Dokufesti koincidoi me një festival tjetër të famshëm, SunnyHill, që u mbajt në Prishtinë më 2, 3 dhe 4 gusht.

“Muajt e kalum' pazari ka qenë pak ma i ultë, kurse tash si ka fillu DokuFesti shihet që ka turista të huaj edhe puna ka hypë ma shumë."

Denis Dushi, menaxher i kafiterisë Hemingway

Në një komunikim përmes e-mailit, përfaqësuesit e Dokufestit thonë që humbjet nga festivali SunnyHill janë të ulëta “sepse ai është festival i muzikës e Dokufesti i filmit”, por ndikimi kryesor në Dokufest është vërejtur gjatë eventeve të DokuNights, pjesës përmbyllëse të një dite të Dokufestit ku zakonisht organizohet natë e gjatë me muzikë. Në këto netë, që kanë shumë meritë për masën e njerëzve që viziton Prizrenin gjatë Dokufestit, interesimi ka qenë më i ulët se në vitet paraprake.  

Elemente që kontribojnë në ‘zhurmën’ dhe sharmin e Prizrenit, jo vetëm gjatë Dokufestit, janë kafiteritë, të shpërndara në secilën qoshe të Shadërvanit.

Denis Dushi, menaxher i ‘Hemingway’, një prej kafiterive ikonike të pjesës kryesore të Shadërvanit, shprehet i kënaqur me faktin që Prizreni përgjatë verës shndërrohet në pikë të rëndësishme të turizmit në Kosovë, dhe thotë që muaji gusht është më i rëndësishmi për funksionimin e mirëfilltë të biznesit të tij.

Shfaqje e filmit në DokuFest. Foto nga Elmedina Arapi.

“Muajt e kalum’ pazari ka qenë pak ma i ultë, kurse tash si ka fillu DokuFesti shihet që ka turista të huaj edhe puna ka hypë ma shumë”, tregon Dushi.

Mirëpo, si Denisi nuk mendon edhe Dashnor Hajdari, pronar i lokalit Ora në Prizren, i cili thekson se këto vite qarkullimi i njerëzve ka rënë dhe fitimet janë ulur dukshëm, krahasuar me katër vite më parë.

“Në krahasim me vitet e tjera është ma dobët, por përgjithësisht ka punë”, tregon ai. Edhe Hajdari e përmend Sunny Hillin me tone të ankesës. 

“Një got’ për mot” në Hardh Fest

Hardh Fest synon ta promovojë rajonin e prodhimit të verës në Kosovë. Mbahet afër vreshtave të Rahovecit, një qytet me traditë të prodhimit të verës. Hardh Fest bashkëorganizohet me Komunën e Rahovecit, e cila ka kontribuar 20,000 euro për edicionin e sivjetëm.

"Hardh Fest me të vërtetë na ndihmoi ta promovojmë më mirë qytetin tonë dhe të nxisim turizmin."

Veli Gashi, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Rahovecit

Ky edicion u mbajt nga 16 deri më 18 gusht, ndryshe nga vitet e kaluara kur festivali organizohej në muajin shtator. 

“Festivali është në rritje, ai po organizohet në gusht sepse pritshmëritë janë shumë më të mdhaja, ka qenë kërkesë shumë e madhe e bashkëatdhetarëve që festivali të mbahet në këtë muaj”, tregon një zëdhënës i Hardh Fest.

Si festival me bazë në traditën e një vendi të vogël, dalja jashtë ‘kufijve’ të qytetit është parë si sukses. Rritja e interesimit dhe pjesëmarrjes është evidente pas secilit vit, thonë organizatorët.

“Hardh Fest pati efekt në numrin e njerëzve që kanë vizituar Rahovecin. Me të vërtetë na ndihmoi ta promovojmë më mirë qytetin tonë dhe të nxisim turizmin”, tha Veli Gashi, shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Rahovecit.

Hardh Fest. Foto nga ArtVision.

Përfaqësuesit e festivalit thonë që ndikimi i festivalit në ekonominë e Rahovecit është i madh.

“Shumë ka ndikim ekonomik. Ka shumë biznese që janë pjesëmarrëse në panairin e festivalit”,  tha për K2.0. zyrtari për media i Hardh Fest.

Në këtë edicion kishte dhe rreth 50 biznese pjesëmarrëse në panairin e festivalit. Çdo vit ka rritje në numrin e bizneseve që marrin pjesë në festival. Pjesëmarrës janë dhe prodhuesit e verës dhe artizanatet e Komunës së Rahovecit, sipas zyrtarit për media nga festivali. 

Si pjesëmarrëse në këtë festival që pesë vjet, Teuta Kurshumliu, menaxherja e Stone Castle — një ndër prodhuesit kryesorë të verës në Kosovë — thotë që ndikimi i festivalit në biznes është i vogël.

“Të ardhurat që i fitojmë gjatë ditëve të festivalit Hardh Fest nuk janë shumë të mëdha në krahasim me muajt e tjetër të vitit” tregon ajo. 

Dr. Reka thotë, “Kosova duhet ta ketë një portfolio të festivaleve me atraksione mujore. Festivalet në Edinburg përbëjnë një shembull të përkryer me ngjarje që kontribuojnë jo vetëm në turizëm, por edhe në ekonominë dhe edukimin e masave në art, shkencë, kulturë, performanca, letërsi dhe teatër”. K

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.