Po ju thërrasim në festën tonë të ditëlindjes së 14, të shtunën më 6 korrik. Ju, lexuesit/et, kontribuesit/et dhe mbështetësit/et tanë/tona keni qenë me ne në secilin hap gjatë këtyre viteve, prandaj, bashkë me ju, duam të festojmë. Krejt janë të ftuar/a — merreni shoqërinë e hajdeni kënaquni me ta e me K2.0.
E kemi mbushur ditën tonë të festës me ngjarje, muzikë dhe argëtim me disa nga shumë nga blogerët/et, gazetarët/et, artistët/et, redaktorët/et e DJ-të me të cilët kemi punuar përgjatë jetës sonë si revistë. Shiheni programin më poshtë dhe bashkohuni me ne në HUB 2.0, prej orës 14.00.
Programi
Muzikë & lojëra
14:00 – 17:30
Një nga duot tona më të dashura muzikore, Blerta & Miranda, rikthehet për t’u siguruar që ne të kërcejmë me përzgjedhjen e tyre të muzikës pop synth, post-punk dhe new wave. Ejani teksa e çelim ditën me ushqim, pije, lojëra dhe shumë argëtim në oborrin tonë.
K2.0 ndër vite
17:30 – 19:30
Secili vit i ekzistencës sonë ka qenë vit i ripërtëritjes në përmbajtje, formate e tema. Jemi munduar të qëndrojmë të vëmendshëm ndaj rrëfimeve të reja e njëkohësisht kemi shikuar kah e kaluara e kemi ndihmuar në formësimin e një kornize për të ardhmen. Teksa bëhemi 14 vjeç, pyesim: Qysh kemi ardhë deri këtu?
Për çdo vit, nga 2010 deri në 2024, kemi zgjedhur një pjesë të përmbajtjes për të eksploruar. Me autorë/e, bashkëpunëtorë/e, redaktorë/e që kanë qenë me ne prej fillimit, ne skanojmë K2.0 ndër vite.
2010
Fjala e kryeredaktores
Besa Luci
Cilat ishin fjalët e para të K2.0? Hapat e parë? Frika, ëndrrat e aspiratat e para? Bashkëthemeluesja dhe kryeredaktorja, Besa Luci do të ndajë historinë e krijimit të K2.0, duke diskutuar se si nisi gjithçka, cili ishte frymëzimi i ditëve të hershme dhe rrugëtimi që e bëri K2.0 atë që është sot.
2011
“Imazhi”
Atdhe Mulla
Si shihemi dhe nga kush? Si angazhohemi me vështrimin e tjetër kujt? Pse imazhi ka rëndësi dhe kujt i bie hise ta ndërtojë atë? Këto dhe shumë pyetje të tjera të vështira i bëmë në numrin tonë të parë të shtypur, përmes të cilit, prezantuam veten si revistë. Si ishte procesi?
Do të lexojmë një letër të hapur nga redaktori i fotografisë i K2.0, Atdhe Mulla, i cili do të përqendrohet në revistën “Imazhi”. Ai do të flas për synimet e revistës, aspektet pamore, temën dhe vendimet e dizajnit që formësuan krijimin e saj.
2012
“Seks”
Në vitin 2012, K2.0 botoi numrin e revistës “Seks”. Ne donim të nisnim një diskutim të hapur, kuptimplotë dhe politik për një nga temat më tabu asokohe — seksin. Ndërsa K2.0 donte të këpuste heshtjen rreth identitetit gjinor, kënaqësisë, queerness, disa donin të mirëmbanin atë heshtje. Në ngjarjen e lansimit të revistës, një turmë burrash, duke brohoritur fyerje homofobike sulmuan ekipin e K2.0, lexuesit/et, individët LGBTQ+ dhe aleatët/et. K2.0 rezistoi duke dokumentuar, folur dhe duke zënë hapësirë publike. Të sigurohemi që të mos harrojmë kurrë.
2013
A janë hapësirat publike dikur të rimarra të kërcënuara sërish?
Alban Muja dhe Era Qena
Në artikullin e vitit 2013 “Një artist në kërkim të hapësirave alternative” nga numri i revistës sonë “Hapësira Publike”, gazetari Firhad Mirza dhe artisti Alban Muja eksploruan hapësirat e braktisura dhe të neglizhuara të Prishtinës dhe potencialin e tyre. Gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit, kemi parë krijimin dhe ngritjen e shumë hapësirave, nismave, organizatave dhe kolektiveve që kanë rimarrë dhe gjallëruar hapësirat publike të papërdorura ose të braktisura, duke i kthyer ato në qendra të angazhimit të komunitetit, artit dhe kulturës.
Çfarë ka ndryshuar që nga viti 2013? A janë sërish të kërcënuara këto hapësira, të cilat gjatë këtyre viteve kanë pritur ngjarje të ndryshme kulturore në Prishtinë? A sfidohen nga mundësia e privatizimit? Sa të qëndrueshme janë ato? A përballen me pengesa financiare? Në vitin 2024, a kanë institucionet tona një qasje strategjike se si t’i mbështesin këto hapësira, apo janë të papërcaktuara?
Artisti Alban Muja dhe Era Qena, përfaqësuese e “Termokiss” do të flasin se ku jemi tani, çfarë ka ndryshuar dhe çfarë mbetet për t’u bërë.
2014
Në lëvizje
Hana Marku
Dikur redaktore në K2.0, Hana Marku tani punon si avokate e migrimit dhe refugjatëve në Toronto, Kanadë. Artikulli i saj “Fëmijët e diasporës” u botua në revistën “Migrimi” në vitin 2014. Ajo flet për diasporën shqiptare dhe përvojat e saj të lundrimit nëpër identitet dhe përkatësi pas migrimit në Kanadë. Në bisedën e saj, Marku do të reflektojë për këto përvoja dhe rreth asaj se si këto përvoja e informojnë punën e saj sot.
2015
“Sporti” – mbulimi i suksesit të Majlinda Kelmendit në K2.0
Në vitin 2015, K2.0 botoi numrin e revistës “Sporti”, ku përfshiu sportisten Majlinda Kelmendi, një kulminacion i mbulimit tonë të karrierës së Kelmendit ndër vite, karrierë që filloi pak pas themelimit të revistës sonë. Në vitin 2016, Kelmendi u bë sportistja e parë kosovare që fitoi medalje në Lojërat Olimpike, duke fituar medaljen e artë në xhudo. Bashkohuni me ne për një prezantim rreth mbulimit të K2.0 për suksesin e Kelmendit vit pas viti.
2016
Tregimet personale, kujtesa kolektive dhe revista “Vitet ‘90”
Jeta Rexha
Në vitin 2016, K2.0 botoi numrin e revistës “Vitet ‘90”, duke hequr nga harresa, frymën e solidaritetit dhe rezistencës së dekadës, betejat dhe aktivizmin e njerëzve, muzikën, ngjyrat dhe historitë më personale të asaj kohe.
Për t’u kthyer në vitin 2016, ne kemi ftuar Jeta Rexhën, drejtore e Iniciativës për Histori Gojore, e cila do të diskutojë se si narrativat personale mund të informojnë të kuptuarit tonë për të kaluarën dhe të shërbejnë për të sfiduar narrativat para-ekzistuese. Përmes punës me histori gojore dhe arkiva, Rexha do të eksplorojë se si personalja është e pandashme nga politikja.
2017
#Qenjëstorie
Qe një storie, gratë e kthejnë fjalën. Në një nga videot tona më të shikuara, #Qenjëstorie, ne destabilizojmë dhe sfidojmë gjuhën e rrënjosur në patriarki. Për kë mendojmë kur përmendim fjalën “prind”? Çfarë mesazhesh përcjellim me gjuhën tonë? Kë e përjashtojmë dhe si kjo pasqyron përjashtimin diku tjetër, përkthehet në përjashtim dhe e nxit përjashtimin.
2018
Politika dhe shtypi
Eraldin Fazliu
Ish-gazetari i K2.0, Eraldin Fazliu, do të flasë për mbulimin medial të politikës në Kosovë. Liria e shtypit është thelbësore për çdo demokraci që funksionon qysh duhet. Në Kosovë, raportimi i lirë dhe i paanshëm kërcënohet prej ndërhyrjeve politike a interesave të korporatave. Fazliu do të flasë për përvojën e tij si gazetar i politikës dhe se si mediet si Kosovo 2.0 i shtjellojnë këto çështje në mbulimin e tyre të sferës publike.
2019
Shfaqja e “A e keni pyetur veten ndonjëherë?”
Gjuha është më shumë se thjesht një mjet i koduar komunikimi midis grupeve. Si na formësojnë fjalët? Si i formësojmë ne fjalët tona? Si pjesë e pandashme e kulturës dhe formave të ndryshme të artit, duket se gjuha shtron më shumë pyetje sesa përgjigje. Bashkohuni me ne për një shfaqje të videos “A e keni pyetur veten ndonjëherë?” nga Qerim Ondozi, Majlinda Hoxha dhe Trëndelina Halili.
2020
“Shpresë”
Defy them
Në vitin 2020, gjatë kulmimit të pandemisë COVID-19, ne botuam numrin tonë të revistës “Shpresë”, në kuadër të së cilës edhe artikullin “Muzika do të na shpëtojë”. Ky tekst eksploroi skenën e ringjallur të zhanrit metal të Kosovës dhe përfshiu një intervistë me shtëpinë diskografike “Defy Them”, ku diskutoheshin sfidat dhe rëndësia e krijimit të një hapësire për grupet alternative të muzikës rock. Sot, “Defy Them” ka krijuar me sukses një hapësirë fizike për muzikë alternative.
Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballet skena e muzikës alternative në vitin 2024? Si ka ndryshuar gjatë viteve të fundit? Si u ndikuan artistët/et nga pandemia? Bashkohuni me ne për të dëgjuar teksa “Defy Them” reflektojnë për rrugëtimin, misionin dhe kontributin e tyre për fuqizimin e një brezi të ri rokerësh/esh.
2021
Duke qëruar shtresat e historisë përmes kujtimeve personale
Lura Limani
Marrëdhënia mes kujtesës personale dhe asaj kolektive ndërmjetësohet nga nostalgjia, siç dëshmon Lura Limani në artikullin e saj “Gjyshja ime, jugonostalgjia dhe një përrallë e papërfunduar”. Në këtë artikull, Limani e ka bazuar diskutimin e saj në historinë personale të familjes së saj. Ajo do të flasë se përse vendosi ta tregojë rrëfimin në këtë mënyrë dhe çfarë i shton narrativa personale studimit dhe ruajtjes së historisë.
2022
Sistemi alternativ postar i Ballkanit
Ilir Gashi
Në “Sistemi alternativ postar i ballkanit”, Ilir Gashi flet për mënyrat alternative të transportit të gjërave ndërmjet kufijve në Ballkan. Gashi përshkruan sarmat e gatuara në shtëpi, kukullat, cigaret, disqet, filmat analogë, çelësat e shtëpisë dhe të gjitha llojet e tjera të pakove misterioze që kalojnë në këtë rrjet transportues joformal nga Sarajeva në Beograd apo Prishtinë. Gashi do të prezantojë artikullin dhe do të reflektojë rreth mënyrave se si marrëdhëniet midis njerëzve mbushin boshllëqet institucionale.
2023
Jemi në një geto të vërtetë
Aulonë Kadriu
Më 18 prill 2023, Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave afatshkurtëra për Kosovën. Më në fund. Të ngujuar në zemër të Evropës, kosovarët/et kanë pritur tepër gjatë për të arritur në këtë pikë, duke duruar vite të tëra premtimesh të zbrazëta nga BE.
Redaktorja e lartë e K2.0, Aulonë Kadriu do të diskutojë hulumtimin e saj për shkeljet e kodit të vizave të BE dhe shtrirjen e plotë të regjimit shtypës të vizave.
2024
Lansimi i zinës sonë multimediale digjitale “Hovi ynë rinor”
14 vjet më parë ne filluam si një platformë e blogging dhe sot festojmë me blogerët/et tanë/tona. Gjatë dy viteve të fundit, kemi punuar me dhjetëra blogerë/e dhe aktivistë/e për të prodhuar një zinë digjitale dhe të shtypur, të cilën me krenari do ta ndajmë me ju në këtë ditë. Më shumë se 20 blogje, tre dokumentarë, video dhe reflektime tjera, blogerët/et dhe K2.0 eksplorojnë aktivizmin rinor.
DJ + party
20:00 – 23:00
Për të përmbyllur ndejën tonë të ditëlindjes, Yll Megi do ta nisë natën me një përzgjedhje disko, soul dhe funk.
Lekë Berisha më pas do të luajë electronica, nu disco & deep house, duke e mbyllur natën ashtu siç i ka hije. Dokuni e kënaquni me ne.