Në thelb | Media

Më pak kërcënime apo më pak hetime?

Nga - 26.09.2018

Vrojtim mbi gjendjen e gazetarisë sportive në Kosovë.

Në vitet e para të pasluftës të punoje si gazetar sportiv në Kosovë, ishte një sfidë më vete. Raste të shumta të dhunës – qoftë prej zyrtarëve të klubeve ose prej grupeve të tifozëve – e shoqëronin në vazhdimësi këtë profesion.

Edmond Thaçi, nënkryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës (ShGSK), pretendon se tani situata është shumë më e mirë për gazetarët sportivë, përkundër pengesave të vogla, kryesisht teknike.

Mëgjithëkëtë, Driton Latifi, gazetar sporti me një karrierë të gjatë prapa vetes, pohon se përkundër përshtypjes se janë përmirësuar kushtet për punën e gazetarit të sportit, situata akoma është e vështirë – dhe është e domosdoshme që të kesh kurajo për të ndërmarrë hulumtime më të rrezikshme në sportin e Kosovës.

ShGSK-ja ka 116 gazetarë, fotoreporterë e kameramanë të sportit. Edhe pse ishte themeluar menjëhere pas luftës, kjo shoqatë nuk ka vepruar në kontinuitet dhe mandatet e bordeve të saj asnjëherë nuk janë përfunduar plotësisht. Sidoqoftë, bordi aktual ka nisur punën më 2015 dhe me sa duket do të jetë i pari që do ta kryej mandatin deri në fund, i cili do të përfundojë më 2019.

Duke folur për K2.0, nënkryetari i bordit, Thaçi, tha se për dallim nga lëmitë  tjera, si politika apo ekonomia, gazetarët e sportit kanë më pak pengesa. “Sidomos viteve të fundit ka rënë ndjeshëm numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve të sportit, edhepse aty-këtu ka ndonjë kërcënim sporadik”, ka thënë Thaçi.

Nënkryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi, thotë se ka raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve, por tani janë më të rralla. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Që kur ka filluar mandatin bordi aktual, ka pasur vetëm tri raste kur ka reaguar dhe që të tri rastet kishin të bënin me moslejimin e hyrjes së gazetarëve në stadiume. Një rast i tillë ka qenë në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, sikurse edhe një ndalesë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me ç’rast Klubi Basketbollistik Prishtina u mundua t’ia ndalonte hyrjen gazetarëve të KTV-së. Sipas Thaçit, pas intervenimit të ShGSK-së ishte zgjidhur gjithçka.

Nënkryetari i ShGSK-së e pranon se ka pasur edhe disa raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve, por këmbëngul se ato nuk kanë qenë serioze. “Më herët kanë qenë më të shpeshta, kurse tani më të rralla,” tha ai për K2.0. “Prej 2015-ës e këtej ka pasur raste që gazetarët kanë pranuar thirrje në telefon privat, por pa kërcënime të rënda.” tha ai.

Megjithatë, ai e përmend se vite më parë ka qenë “një rast kërcënimi në lidhje më Klubin e Futbollit Prishtina, rreth privatizimit dhe xhirollogarisë së klubit, por që nuk ka pasur ndonjë kërcënim serioz që rrezikonin jetën e gazetarit”.

Latifi ishte gazetari, i cili është marrë me rastin e privatizimit të KF Prishtinës. Ai thotë se ka marrë kërcënime pas artikullit të tij mbi këtë temë, por shton se nuk do të donte të paragjykonte se të gjitha kanë ndodhur vetëm për shkak të këtij rasti. “I kam lënë organet e drejtësisë që të merren me këtë punë,” tha ai për K2.0. “Edhepse nuk është që kam marrë ndonjë përgjigje më pas prej tyre rreth këtij rasti tash e katër vite e gjysmë prej se kam paraqitur [kërcënimet].”

Latifi e mendon që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mund të bëjë më shumë në këtë aspekt dhe se për shkak të asaj situate mendoi edhe ta linte profesionin, duke thënë se nuk ndihej sa duhet i mbrojtur prej ligjit.

“Kjo pastaj ndikon në punën e të gjithë gazetarëve të sportit,” tha ai. “Ka pasur telefonata, ka pasur sms-a, ka pasur kërcënime fizike, lloj-lloj nga këto gjëra. E, natyrisht ka pasur situata kur, sikurse shumë të tjerë, kam menduar nëse ia vlen barra qiranë që të vazhdoj të shkruaj për këto probleme në sportin kosovar, ndërkohë që nuk e ke as mbrojtjen elementare”

Pushteti dhe sporti

Karakteristikë e sportit – sidomos futbollit dhe deri diku basketbollit në Kosovë – është që shumë prej klubeve në një mënyrë a tjetër janë të lidhura me politikën dhe bizneset e mëdha. Kjo bën që shumë herë të përflitet se si këta njerëz të pushtetshëm ndikojnë në sport, por edhe se sa kanë liri gazetarët për të shkruar mbi këtë temë.

Edmond Thaçi thotë se ka pasur tendenca që klubet e caktuara të hakmerren ndaj ndonjë gazetari në lidhje me ndonjë shkrim, duke tentuar që ta pengojnë për të hyrë në stadium. Por, ai thotë se ata fatmirësisht nuk e kanë arritur këtë.

Njëjtë mendon edhe Jon Ajeti, gazetari i sportit në Klan Kosova: “Aq sa e di unë, këso pengesa nuk ka pasur,” tha ai për K2.0. “Unë flas për redaksinë e sportit të Klan Kosovës dhe e them me siguri se presion prej krerëve të klubeve nuk kemi pasur ndonjëherë, por vetëm bashkëpunim, përkundër se ata disa herë janë ankuar në redaksinë tonë për ndonjë raportim”.

Driton Latifi beson se rastet që involvojnë lidhjet ndërmjet bizneseve të mëdha, politikës dhe sportit po kalojnë pa u raportuar për shkak të frikës nga pasojat. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por, Driton Latifi e ka një shpjegim tjetër. Ai thotë se ekziston një ndërthurrje e drejtëpërdrejtë mes sportit, politikës dhe biznesit. Madje thotë se që nga përfundimi i luftës ka pasur disa faza të implikimit në futbollin kosovar të grupeve që kanë punuar për interesa të veta e jo për sportin, përfshirë grupet kriminale.

“Kemi pasur fazën fillestare kur janë përmendur komandantët e luftës dhe ndikimi i tyre në futboll. Pastaj, kemi pasur implikime edhe të politikës përmes grupeve të caktuara, deri tek ndikimet direkte të nivelit komunal të politikës,” tha Latifi.

Ai e nënvizon rastin e privatizimit të KF Prishtinës, ku thotë se përkundër që e ka informuar opinionin për atë se çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht nuk ka pasur ndonjë hetim të mëtutjeshëm. “Madje, edhe prej disa kolegëve të mi gazetarë reagimi ka qenë disi i vakët,” thotë ai. “Ata nuk e kanë shtyrë më tutje përpara këtë temë.”

Latifi thotë se njeh shumë kolegë të tij që janë të gatshëm të zhvillojnë një gazetari me qasje më hulumtuese, por thjesht ia kanë frikën situatës që mund të krijohet, sigurisë dhe hakmarrjes së mundshme. “Shpresoj që kanë për të ardhur ditë më të mira – njerëz të rinj me një përkushtim më të madh profesional”, ka thënë gazetari.

Teksa Latifi është i shqetësuar për të ardhmen e gazetarisë investigative, Ajeti thekson problemet në të tashmen që kanë të bëjnë me raportimin e përditshëm e prozaik. Sipas tij, kushtet për gazetarët sportivë nuk janë shumë të mira për disa arsye, përfshirë dhe ato teknike. Në kohën kur janë ndërtuar stadiumet në Kosovë, ato nuk kanë qenë të parapara për të pranuar një numër të madh të gazetarëve.

Gazetari Jon Ajeti u godit me gurë në kokë në Stadiumin e Podujevës pas përfundimit të një ndeshjeje. Foto:Atdhe Mulla / K2.0.

Në fakt, viktimë e mungesës së kushteve teknike për të bërë punën e reporterit sportiv ishte vetë Ajeti. Vitin e kaluar, ai u godit me gurë në kokë në Stadiumin e Podujevës pas përfundimit të ndeshjes së gjysmëfinales të Kupës së Kosovës ndërmjet Llapit dhe Drenicës.

“Pas përfundimit të ndeshjes, bashkë me kolegun tim, kameramanin Alban Bellopoja, jemi drejtuar kah zhveshtoret e futbollistëve, aty ku zakonisht marrim intervista”, tregoi gazetari. “Por, gjatë shkuarjes, për një moment është bërë një tollovi mes dy palë tifozëve. Tifozët e Llapit filluan të gjuajnë me gurë, me ç’rast  njëri atyre gurëve më goditi mua në ballë!”

Ajeti poashtu cek se shpeshherë hasin në probleme nga raportimi jashtë Superligës të Kosovës, pra nw ligat më të ulta. Megjithëkëtë, gazetari e vlerëson se pas pranimit të federatave vendore në asociacionet ndërkombëtare ka ndryshuar qasja e klubeve, sepse tashmë ata po e dinë rëndësinë e respektimit të kushteve për gazetarët dhe domosdoshmërinë e një imazhi të mirë.

Ai njashtu shpreson se duke u futur në federata evropiane, ata ia kanë arritur ta kuptojnë se si krijohen kushtet për punën e një gazetari. Si Ajeti mendon edhe Edmond Thaçi. Ai thotë se pranimet “kanë ndihmuar në vetëdijësimin e klubeve, gjersa në fazën e licencimeve të stadiumeve nga UEFA do të jetë si kusht edhe hapësira e veçantë për gazetarë.” Për Latifin, megjithatë, këto ndryshime praktike s’janë të mjaftueshme për të sjellë një ndryshim të theksuar të përgjithshëm.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull u përkrah nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura janë të Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyrojnë medoemos mendimet dhe qëndrimet e OSBE-së.”