Blogbox | Muzikë

Fishkëllimat nëpër vreshta

Nga - 21.10.2016

Albumi i parë i Oborrit është një komponim i shumëngjyrshëm për projektimet e animuara të kujtesës sonë kolektive.

Në botën e klisheve mediale, njerëzit po kanë prirje të magjepsen nga e rëndomta, nga mesatarja. Në botën time, njerëzit gati se nuk magjepsen me asgjë, dhe as që e çajnë kokën se çka është kah ndodh në oborrin e tyre. “Perspektiva e frigoriferit” mbizotëron në narrativën e jetës së përditshme, së paku për shumë njerëz që jetojnë në favellën time.

Në këtë klinikë të vrugët sociale vlerash të fabrikuara dhe pëlqimesh të Facebook-ut, janë dy djem që po e zhvillojnë një betejë të denjë për ta kultivuar një narracion të ri, pozitiv të mjedisit tonë të turbullt duke përçuar një mesazh muzikor. E mira e mesazhit muzikor është se nuk ke nevojë ta lexosh; do ta kuptosh në momentin kur e krijon lidhjen me shqisat e tua.

Këta dy djem, Arbri dhe Tomori, janë në të vërtetë si dy personazhe imagjinare, apo më shumë si njerëz hologrami ata jetojnë brenda tingujve që i prodhojnë. Ata e shohin muzikën pikërisht ashtu siç e shikoj unë frigoriferin natën vonë, dhe ta them të drejtën, frigoriferi im më tregon rrëfime të pabesueshme. Për ata që dinë, ai është një medium, një portë, një korridor, sikur dollapi nga kronikat e Narnias.

Para disa ditësh, diçka më shtyu të shkoj në vendin ku jeton muzika e Oborrit. Ky vend gjendet në zemër të një përqendrimi të hatashëm shtëpish të mëdha, të palyera e pa jetë, në një rrugë të ngushtë të emërtuar sipas një heroi lokal por me emër të lezetshëm: ‘Shyt Mareci.’ Vetëm pëllumbaxhitë belaxhinj me dhëmbë të arit dhe qafore të trasha ari mund të jetojnë në atë rrugë. Ndërmjet këtyre shtëpive është një shtëpi njëkatëshe me një oborr të vogël plot mace. Ata të cilëve u kujtohet Nakata, pëshpëritësi i maceve në librin e Murakamit ‘Kafka në breg,’ mund të vënë bast se ai jeton në ndonjë prej kaçubeve diku në këtë oborr.

Alkimia e përzierjes

Gjithmonë më ka magjepsur shkenca e kimisë, apo më specifikisht procesi i përzierjes e shpërbërjes, i gjetjes së bërthamës ku substancat shkrihen në njëra-tjetrën dhe zbulojnë një varg gjendjesh, ndjesish e aromash të tyre… por jo edhe tingujsh.

Këtë çast të jetës sime po e prisja pa qenë i vetëdijshëm për këtë për një kohë të gjatë; të takoja kimistë tingujsh. Pasi kanë peshkuar për tinguj të ri me shumë durim, dhe pasi kanë kaluar nëpër fazat e tyre kreative, Tomori dhe Arbri po e pjekin tortën e tyre të parë, dhe po e them me plot gojë, do të jetë kjo një tortë që nuk e keni provuar kurrë; e freskët dhe e lëngshme si shalqini. Tingujt e tyre të ri burojnë prej guximit, diçka që më ka munguar për një kohë të gjatë.

majlinda-hoxha-oborri-arifs-story-10-2016-4

Ndërsa provon të krijosh një ide se çka është Oborri, tingujt e tyre t’i sheqerosin shqisat; pop ritmet nomade dhe kinematografike ta japin dozën e duhur të kënaqësisë; nuk ka këtu vokale regjistrash të lartë dhe as pordha të kapashme distorcioni të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë nga shumica e bendeve nga vitet e 90-a.

Në këtë kimi tingujsh të fermetuar mirë, albumi i Oborrit jehon me inteligjencë të Brian Eno-së (me ritmin e ‘Taking Tiger Mountain’ dhe karakterin e ‘Another Green World’), derisa futen në përdorim truqet e lezetshme, veshzgjeruese të Zappa-së. E gjithë kjo me një dozë mesatare të Thom Yorke-imit. Sinqerisht, pak gjëra janë të parashikueshme në muzikën e tyre dhe befasia vjen me tingullin më të thjeshtë, në gati secilën këngë.

Këta djem nuk janë si gjithë të tjerët. Tregimi për aranzhmanet e tyre soditëse artistike vetëm me një vështrim e rrëzon injorancën e rëndomtë, drejtpërdrejt dhe guximshëm. Muzika e tyre paraqitet si një Dirty Harry me lëpirëse në gojë. Shkathtësia për t’i konceptualizuar me mjeshtëri meloditë pa zhanër dhe për t’i bërë ato bashkë e për të vendosur shtresa tingush mbi tinguj tjerë… është si përsëritja e një përralle legjendare pas së cilës secili mbetet i shtangur.

Në një moment rehatie në studion e tyre, pata mundësinë të kuptoja se kishte një varg rrëfimesh që e lidhnin secilën prej 12 këngëve të tyre. Ato lidhen me atë që danezët e quajnë ‘hygge.’ Mund të bësh të pamundurën të mos buzëqeshësh apo të kujtosh diçka të mirë duke i dëgjuar këto melodi, por të paktën nuk do t’ia dalësh të mbetesh brenda kornizës së asaj që ndodh në jetën tënde të parëndësishme dhe jofrymëzuese nga ora nëntë deri në pesë.

Ka kohë që nuk kam dëgjuar shumë muzikantë të sinqertë si Oborri; muzika e tyre do të ishte kolona më e mirë zanore nëse Lars von Trier-i do të vendoste ta bënte një film të animuar bazuar në cilindo nga rrëfimet magjike të Marquez-it.

Kontrabandimi i pranverës në iglunë e Prishtinës

Tingujt e Oborrit ilustrojnë rrugëtimin përmes derës; nëse ju kujtohet dera e vogël në filmin ‘Being John Malkovich.’ Mbetesh i shtangur nga ndodhitë e rëndomta të jetës; nga vendimet, rrëfimet e përvojat tua. Është si kur i shikon dritat e largëta nga ulëset e pasme të veturës derisa udhëton nga aeroporti për në shtëpi gjatë natës, apo kur ndahesh nga mësuesi, nga frymëmarrja e ngrohtë e gjyshit në një mëngjes të akullt, si kur ecën rreth e qark me çorape të lagura, si kur rrëohesh nga bicikleta për herë të parë, si aroma e bukës së nxehtë nga furra e lagjes.

Lista e këngëve:

1. Tash njejtë pi ujë
2. Karrigat
3. Alfabeti ecën vetë
4. I vjeshtun
5. Po zihet supa
6. Oh more djali i nones
7. Plaku i ri
8. Gjuj me dritë
9. Shpia ka mbetë vetë
10. Kangë janari
11. Hajde te unë
12. N’ kohna

Rrallëherë sintisajzeri ka tingëlluar me aq potencë siç është rasti në këngët e Oborrit. Duket se Arbri dhe Tomori këngët i kanë komponuar duke ngarë biçikletae e tyre rrugëve të Prishtinës, apo duke luajtur me qentë dhe macet e rrugës në studion e tyre. Thonë se gjërat e bukura të lënë pa fjalë kur ato të shfaqen para syve. E po, në një moment s’kam mundur as të belbëzoj.

Si Arbri ashtu edhe Tomori janë produkte të diçkaje që njihet si status special; të dytë janë prej vëllezërve më të vegjël të familjes. Vëllezërt e tyre të mëdhenj janë në fakt shumë TË MËDHENJ në grupin minoritar të Artistëve Kosovarë, i cili ende nuk njihet me kushtetutë dhe ende nuk e ka yllin në flamur. Ata i kanë ikur atyre kornizave të portretit familjar dhe janë takuar për të krijuar rrëfimin e tyre. Ky është veç rrëfimi i tyre i parë.

Fotografija: Majlinda Hoxha / K2.0