Mentorimi | Në thelb | Art

Fondacioni Shtatëmbëdhjetë: Katalizator për progres

Nga - 14.03.2019

Përdorimi i artit dhe kulturës për të promovuar ndryshime në nivel të komunitetit.

Vlera e artit dhe kulturës për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim në komunitet shpeshherë matet nëpërmjet shtrirjes së tij. Shpesh mendohet që është e nevojshme që tema dhe shkalla e projektit të jetë e një madhësie të madhe kombëtare, e më mirë akoma me shtrirje ndërkombëtare.

Por, Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli, themeluese të fondacionit Shtatëmbëdhjetë në Prishtinë, ngulin këmbë se ndryshimi nis me secilin prej neve, veçanërisht në lagjet dhe qytetet në të cilat jetojmë.

Bashkëpunimi i Nitës dhe Ajetes fillimisht nisi si duo bashkëpunues me qëllim të krijimit të veprave artistike vizuale dhe intelektuale të cilat eksplorojnë perspektivat psikologjike dhe sociale nëpërmjet Video – Artit Eksperimental. Duke ndërtuar këtë eksperiencë dhe nevojën për të rifunksionalizuar hapësirat publike alternative, ato themeluan Fondacionin Shtatëmbëdhjetë i cili mëton të sjell ndryshime pozitive në shoqëri nëpërmjet mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit.  

E panë të rëndësishme zgjerimin edhe në programe të tjera të intervenimit sepse arti dhe kultura janë një mjet që mund të përdoret për nxitjen e temave të rëndësishme shoqërore. Së bashku ato patën idenë për të krijuar një organizatë që mund të sillte ide të tjera nga njerëz të profesioneve të ndryshme duke e bashkuar artin, duke prekur tema të ndryshme sociale dhe duke u munduar që të angazhojnë dhe të rinj e të reja në forma të ndryshme.

Siç shprehet dhe Ajetja “Fondacioni Shtatëmbëdhjetë është krijuar për të nxitur aktivizmin kulturor për ndryshime pozitive në shoqëri”.

Sihana Klisurica, e cila më parë kishte punuar si gazetare dhe ka raportuar kryesisht për kulturë dhe art, iu bashkua idesë në kohën kur po fillonte realizimi i saj. Nita dhe Ajetja janë aktiviste për rreth një dekadë, të përqëndruara kryesisht në të drejta të njeriut dhe grave. U deshën 2-3 vjet për ta përpiluar idenë përfundimtare për themelimin e fondacionit Shtatëmbëdhjetë, që nisi operimin më në fund në verën e vitit 2018.

Organizatoret kanë dashur që emri të përshkruajë në mënyrë afatgjatë misionin e fondacionit. Siç e shpjegojnë dhe ato vetë, “numri 17 ka kuptimin e rritjes personale dhe dashurisë për njerëzimin”.

Nëse i zbërthejmë të gjitha programet e Shtatëmbëdhjetë vëmendja është në rritjen individuale fillimisht që më pas të jemi qytetarë/e aktiv/e që përkthehet pastaj në ndihmë dhe dashuri për komunitetin në të cilin jetojmë. Pra emri është një tregues i planit afatgjatë për rritjen dhe misionin e fondacionit Shtatëmbëdhjetë. Nëpërmjet fondacionit, Nita, Ajetja dhe Sihana po mundohen ta zgjerojnë aktivizmin kulturor dhe ta ngrisin nivelin e ndërgjegjësimit nëpërmjet artit dhe kulturës.

Shtatëmbëdhjetë i ka organizuar disa projekte në muajt e tij të parë dhe ka tri programe kryesore të cilat pasqyrojnë misionin e tij: Arti dhe Kultura përdorimi i artit dhe kulturës për ndryshime pozitive në shoqëri; Qytetaria Aktive-aktivizmi qytetar nëpërmjet vullnetarizmit dhe bisedave të hapurave; dhe Project Space (Projekti Hapësira) ripërdorimin e hapësirave të lëna anash për qëllime të mira për komunitet, kthimin e tyre në qendra për artin bashkëkohor, apo qendra për komunitetin.

Fondacioni Shtatëmbëdhjetë ka filluar funksionin në Prishtinë si fillim duke synuar përhapjen nëpër të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Hapësira Project Space, rreth 10-15 min në këmbë larg sheshit Zahir Pajaziti, është një vend shumë i rehatshëm i cili i ka hapur dyert në fund të vitit të kaluar. Mund të uleni ku të doni dhe të punoni në projektet tuaja, të mësoni për provimin e radhës, të shijoni një çaj apo kafe, e njëkohësisht të merrni pjesë në aktivitete rreth temave më të stigmatizuara të shoqërisë si dhe të rriteni kulturalisht.

Madje mund edhe të diskutoni me njërën nga drejtueset e fondacionit Shtatëmbëdhjetë rreth ideve apo projekteve tuaja, bashkëpunimeve të mundshme dhe rritjen e mirëqenies së jetës në komunitet. Ato do t’i gjeni të ulura duke punuar, por më se të gatshme të diskutojnë me ju.

Siç e përshkruan dhe Ajetja ky vend mund të shërbejë si “një hapësirë pak a shumë e ndarjes së mendimeve që në kuptimin më të gjerë të fjalës, njerëzit mund ta shfrytëzojnë që të sfidojnë metodat e zakonshme jo vetëm të të menduarit por edhe të të punuarit. Kjo është një hapësirë e përbashkët që na ndihmon që ne të dalim me ide dhe nisma që mund të bëhen pjese e aktiviteteve më gjerë”.

Një nga aktivitetet e mbajtura është bashkëpunimi me dramaturgen Fjolla Hoxha. Ajo është pjesë e platformës INTENT New Theater (Teatri i Synimit të Ri). Çdo muaj në Shtatëmbëdhjetë Project Space projektohet një shfaqje teatrale në versionin HD. Këto janë shfaqje të dramaturgëve të mëdhenj botëror që realizohen nëpër teatro të Londrës apo diku tjetër nëpër botë.

“E rëndësishme është që ne po ofrojmë një mënyrë tjetër për të parë një shfaqje teatrale”, thotë Sihana. “I ftojmë studentët, pra të rinjtë dhe të rejat, por edhe çdo adhurues tjetër të teatrit që të vijnë t’i ndjekin këto aktivitete dhe të shohin nga afër si janë realizuar”.

Sihana Klisurica. Foto: Besarta Breznica / K2.0.

Pas shfaqjes, njerëzit kanë mundësi të disktuojnë me Hoxhën për regjinë dhe temën e shfaqjes.

Temat e përzgjedhura, jo vetëm në këtë projekt por edhe në të tjerë, janë përherë të tilla që ngjallin diskutim. Këto diskutime janë në formën e bisedave të hapura me tema të caktuara diskutimi.  Më 31 Janar, 2019, për shembull, pati një diskutim për shëndetin mendor me psikologen Vesa Kadriu.

Pavarësisht rëndësisë që ka shëndeti mendor, në Kosovë trajtohet shumë pak si temë dhe shpesh shihet si stigmë. Ajetja shprehet që pikërisht për këtë arsye u mundua që të bëhet një bisedë e hapur që kjo temë të bëhet më e kuptueshme dhe e prekshme për njerëzit. Sa më shumë të flitet për këtë temë aq edhe më të lirë do të ndihen njerëzit, që ta konsiderojnë si temë të rëndësishme dhe të bëjnë diçka për këtë.

“Pak nga pak mund të fillojmë të flasim edhe për shëndetin mendor si për cdo aspekt tjetër të shëndetit tonë”, thotë Ajetja.

Gjithashtu e kanë mbajtur një diskutim me Uta Ibrahimin, alpinisten shqiptare nga Kosova. Diskutimi u fokusua në aspektin e ciklit menstrual gjatë ngjitjes. Është një aspekt që në shumë biseda apo prononcime që ka patur Uta, është diskutuar shumë pak ose aspak. Qëllimi i përzgjedhjes së kësaj teme ka qenë shikimi i aspektit gjinor dhe sa pak konsiderohen nevojat fizike që mund të kenë gratë gjatë ngjitjes.

Nëse lindin ide për projekte të mëtejshme në këto diskutime, ideatorët janë të mirëpritur që ta shfrytëzojnë hapësirën Project Space për të mbajtur aktivitete. Për ide që janë më të rëndësishme fondacioni Shtatëmbëdhjetë e luan rolin e ndërmjetësit me organizata të ndryshme dhe ndihmon në realizimin e projekteve. Pra Project Space po shërben në arritjen e misionit të fondacionit për sa i përket qytetarisë aktive dhe përdorimit të artit dhe kulturës.

Projekti i parë që bëri të mundur ndërthurjen e tri programeve të fondacionit Shtatëmbëdhjetë në një ishte projekti Metamorfoza, i cili është zhvilluar vitin e kaluar. Ky ka qenë projekti për të tërhequr vëmendjen dhe për të ndërgjegjësuar publikun, dhe të rinjtë e të rejat, për rëndësinë e historisë dhe objekteve të vjetra dhe për të treguar pse duhet t’i mbrojmë dhe t’i rikthejmë në përdorim.

Qëllimi kryesor ishte ndërgjegjësimi për rëndësinë e kujtesës kolektive. Organizimi i këtij aktiviteti zgjati rreth dy javë, megjithatë, për shkak të mungesës së financimit, galeria e historisë kolektive të kësaj ndërtese të braktisur ishte e hapur për publikun për vetëm një ditë.

Si fillim organizatoret identifikuan një objekt të braktisur, ish-mensën e punëtorëve të kompanisë Ramiz Sadiku, e cila ka qenë një nga kompanitë më të mëdha në vend gjatë kohës së ish- Jugosllavisë. Objekti përveç se i braktisur ka qenë edhe në gjendje shumë të keqe.

U vendos që të paktën për një ditë të kthehej historia e këtij objekti. Për shkak se në arkiva nuk mund të gjendej asnjë informacion rreth historikut të ndërtimit dhe funksionit të objektit, Fondacioni Shtatëmbëdhjetë bëri thirrje për rreth 20 vullnetarë të rinj. Vullnetarët pastaj u ndanë në grupe dhe dolën në teren për të mbledhur pjesë të kujtesës kolektive të banorëve të lagjes Pejton në Prishtinë, ku gjindet objekti. Pas hulumtimeve në teren, vullnetarët u ndanë në dy grupe: grupi i performancës dhe grupi i ndërtimit.

Përmes këtyre u arrit të krijohej një lloj historiku duke u bazuar në çfarë ka ndodhur në atë objekt prej kur ishte ndërtuar rreth vitit 1950. Dy javë pas punëtorisë ish-menza e punëtorëve të kompanisë Ramiz Sadiku, u rivitalizua për një ditë përmes një performance dhe ekspozite.

Idea kryesore ishte që të rikthehej dhe një herë atmosfera që krijohej dikur në mensë, për shkak se punëtorët e kanë shfrytëzuar objektin edhe për festimin e ngjarjeve dhe festave të ndryshme si ditëlindje, fejesa, martesa, natën e Vitit të Ri, apo festa të ndryshme fetare. Përveç ngjarjeve që banorët lidhnin me objektin, ekspozita gjithashtu përmbajti edhe planimetrinë e tij dhe në formë kronologjike paraqiti atë se si ka arritur ky objekt në gjendjen e tanishme i braktisur.

Një tjetër projekt i rëndësishëm në të cilin fondacioni Shtatëmbëdhjetë po punon që prej një viti tashmë, është rikthimi në funksion i një objekti të lënë anash, me synim të shndërrohet në qendër të artit. Nita shpjegon se fondacioni Shtatëmbëdhjetë po punon ngushtë me dy organizata tjera, Cultural Heritage Without Borders dhe Multimedia Center. Kjo është vetëm iniciativa e parë sepse fondacioni Shtatëmbëdhjetë po identifikon objekte të tjera për shtrirjen e projektit edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Nita Zeqiri. Foto: Besarta Breznica / K2.0.

Kur u pyetën nga K2.0 rreth suksesit të projektit, Nita, Ajetja, dhe Sihana qeshin me krenari, por shprehen që është pak vështirë për ta matur suksesin në këtë pikë. Nita thotë se fondacioni Shtatëmbëdhjetë po ecën në bazë të një planifikimi strategjik tre-vjeçar dhe se akoma nuk i kanë parë frytet e punës së tyre, gjegjësisht qasjes së re drejt problematikave shoqërore.

Gjithsesi, pavarësisht se fondacioni Shtatëmbëdhjetë po operon për një kohë shumë të shkurtër, janë organizuar evente të ndryshme të cilat kanë trajtuar cështje të rëndësishme për shoqërinë e Kosovës.

“Në një farë forme, fondacioni Shtatëmbëdhjetë po kthehet në katalizator të ndryshimit”, thotë Sihana.

Njerëzit kanë filluar ta kuptojnë edhe më shumë qëllimin e hapësirës së re dhe e shfrytëzojnë edhe për punë. Nëse shkoni në Shtatëmbëdhjetë Project Space, do të shihni grupe të rinjsh të cilët pinë çaj apo kafe, kanë përballë laptopët e tyre, lapsa e letra, e diskutojnë me njëri tjetrin dhe janë pjesë e aktiviteteve që mbahen zakonisht gjatë mbrëmjes.

Përveç punës që e bëjnë me fondacionin Shtatëmbëdhjetë, Nita, Ajetja, dhe Sihana, kanë punuar vazhdimisht gjatë karrierës së tyre për fuqizimin e vajzave dhe grave. Pra duke qenë aktiviste në këtë fushë, kjo nismë e tyre nuk është pritur me çudi prej atyre që i njohin. Ato shprehen se e dinë që në Kosovë është shumë vështirë për gratë dhe vajzat, sepse paragjykohen shumë shpesh dhe e kanë të vështirë të përvetësojnë role udhëheqëse.

Me anë të fondacionit Shtatëmbëdhjetë, ato po mundohen gjithashtu të tregojnë që ka hapësirë edhe për gratë dhe vajzat, duke u siguruar që ta promovojnë barazinë gjinore si një nga pikat kyçe të programeve të tyre.

Ajete Kërqeli. Foto: Besarta Breznica / K2.0.

Ajetja thotë që mund të kenë sfida në momente të caktuara, por po tentojnë që t’i thyejnë këto tabu të shoqërisë.

“Duam jo vetëm të ndikojmë në heqjen e paragjykimeve të përgjithshme në shoqëri, por edhe t’i fuqizojmë vajzat e reja që të besojnë që mund të ia dalin, dhe që t’i kenë kapacitetet dhe mjetet e duhura”, thotë Ajetja. “Vajzat e reja nuk duhet ta lejojnë shoqërinë t’i limitojë ato që të mos marrin nisma të reja. E gjithë puna që kemi bërë ne këto 10 vitet e fundit lidhet drejtpërdrejtë me aspektin gjinor dhe rëndësinë e fuqizimit të vajzave dhe grave”.

Puna e tyre njëkohësisht përfshin krijimin e mundësive të barabarta për çdo person, pavarësisht gjinisë apo etnisë. Kjo u kthye në një nga vlerat kryesore të fondacionit Shtatëmbëdhjetë.K

Foto kryesore: Fondacioni Shtatëmbëdhjetë.

Shënim nga redaksia: Ky artikull është rishikuar pas publikimit për të përmirësuar disa atribute të citateve dhe për të sqaruar detaje mbi formimin e fondacionit.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.