S`fundmi | Politika

Formohet qeveria e re në krye me Avdullah Hotin

Nga - 03.06.2020

Koalicioni kalon pragun e votave në Kuvend me ndërhyrje të dyshuar nga Thaçi.

Avdullah Hoti është kryeministri i ri i Kosovës, pasi koalicioni i tij qeverisës siguroi mbështetjen e Kuvendit për një votë të vetme.

Një shumicë e thjeshtë nga 120 deputetë e Kuvendit të Kosovës votuan pro koalicionit të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim. Koalicioni i ri qeverisës po ashtu përfshin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën, Listën Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë pakicat kombëtare.

Deputetët nga Vetëvendosja (VV) nuk pranuan të marrin pjesë në votim; VV-ja fitoi zgjedhjet në tetor me fushatë të përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe e udhëhoqi qeverinë paraprake para se të rrëzohej me një mocion mosbesimi të nisur nga partneri koalicionar LDK vetëm 52 ditë pas marrjes së detyrës. VV-ja ka thënë se rrethanat e formimit të qeverisë së re janë simptomë e një “shteti të kapur”.

Shala u tha deputetëve se ishte bindur ta ndërronte mendjen pas një vizite në shtëpinë e tij nga Presidenti Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, e cila ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e tetorit — si dhe doli më e votuara në parti — ka qenë e zëshme kundër manovrave vijuese të partisë së saj dhe nuk mori pjesë në seancën e jazhtëzakonshme. Osmani kishte propozuar një qeveri të përkohshme teknike deri në zgjedhjet e radhës.

Deputetët e PDK-së votuan kundër qeverisë së re, por shumica e nevojshme prej 61 votash u mbërri pasi Haxhi Shala i Nismës pranoi të votonte për.

Në ditët e fundit, Shala kishte thënë se do të votonte kundër qeverisë së re, por gjatë seancës të së mërkurës, ai u tha deputetëve se ishte bindur ta ndërronte mendjen pas një vizite në shtëpinë e tij nga Presidenti Hashim Thaçi — të cilit Kushtetuta i kërkon të jetë politikisht i paanshëm — dhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Koalicioni i ri vjen pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës mbështeti dekretin e Presidentit Thaçi për ta formuar një qeveri pa nevojë për zgjedhje të reja, vendim i cili u prit me mosbesim nga  shumë qytetarë dhe analistë që nuk i zënë besë pavarësisë së gjyqësorit apo presidentit.

Pulsi Publik i UNDP-së, një sondazh i publikuar ditëve të fundit, tregon se vetëm 25% të qytetarëve janë të kënaqur me gjyqësorin ndërsa vetëm 19% me presidentin. Për dallim, sondazhi tregon mbështetje të paparë për qeverinë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti; 61% të qytetarëve janë shprehur të kënaqur me qeverinë, pra dyfishi i mbështetjes më të madhe të gëzuar prej të gjitha qeverive të mëhershme në historinë e vonë të Kosovës.

Lideri i VV-së, njëherësh kryeministri në largim Albin Kurti kishte përshkruar vendimin e gjykatës si “përtej imagjinantës” edhe në nivelin logjik, edhe në atë ligjor. “Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë,” ka shkruar ai në një deklaratë publike.

Qeveria e re e udhëhequr nga LDK-ja do ta rrisë numrin e ministrive prej 15 në 16, kurse numri i zëvendëskryeministrave do të shkojë prej dy në katër. Qeveria e Hotit nuk do ta ketë një ministri të veçantë të integrimit evropian, ndërsa njëra nga “superministritë” e krijuara para disa muajsh — Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) — do të copëtohet sërish.

Shihni listën e plotë të ministrave të rinj në fund të artikullit.

Hoti ka emëruar Besnik Tahirin e AAK-së, Albulena Balajn e Nismës dhe Goran Rakiqin e Listës Serbe si zëvendës të tij, përfshirë edhe kolegun e partisë së vet Driton Selmanajn. Ndërkaq kritikët në të kaluarën kanë theksuar faktin se së paku dy prej ministrave të rinj kanë qenë të përfshirë në skandale korrupsioni.

Duke folur në Kuvend para mbajtjes së votimit, Hoti tha se ndien përgjegjësi ndaj qytetarëve, deputetëve dhe Kushtetutës.

“Jemi një komb që i duhet një qeveri që i shërben, jo anasjelltas, një qeverie që i duhet një komb për të eksperimentuar”, ka thënë ai. “Jemi nisur vetëm nga interesi shoqëror. Qeveria e re nuk do të ketë asnjë fuqi tjetër përveç asaj që buron nga Kushtetuta”.

Një orë para fillimit të planifikuar të seancës së Kuvendit, qeveria në largim mbajti një takim të rregullt — pa ministrat e LDK-së — ku aprovoi ndarjen e 12 milionë eurove për MEPTINIS-in për ta zbatuar Pakon Emergjente Fiskale për zbutjen e pasojave të pandemisë.

Ajo po ashtu ndau 60,000 euro për familjet e dy minatorëve që vdiqën gjatë një incidenti në Minierën e Artanës të martën (më 2 qershor) dhe votuan për ta shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, duke e emëruar një bord të përkohshëm drejtorësh në vend të tij. 

Prioritetet e qeverisë së re

Hoti po ashtu shpalosi programin e ri qeverisës, duke thënë se prioritetet kryesore do të jenë lufta kundër pandemisë së COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike, si dhe “forcimi i shtetit”, “rritja e punësimit” dhe “fuqizimi i aftësive konkurruese”.

Më tej, Hoti foli edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, një çështje që ka mbizotëruar diskutimin rreth politikave të jashtme të Kosovës dhe është quajtur arsye kyçe për dorëzimin e mocionit të mosbesimit ndaj koalicionit me VV-në ku vetë merrnin pjesë.

Gjithmonë ka pasur tensione mes VV-së dhe LDK-së për këtë çështje, meqë Kurti bënte përpjekje për ta zbatuar premtimin zgjedhor — që u bë edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes VV-së dhe LDK-së — për ta zëvendësuar taksën 100% ndaj mallrave serbe me “reciprocitet”. Serbia është tërhequr nga procesi i dialogut me Kosovën në vitin 2018 pasi ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vendosi taksën si kundërpërgjigje ndaj fushatës së vazhdueshme të Beogradit për t’i nxitur shtetet e ndryshme ta “çnjohin” Kosovën.

“Marrëveshja finale [me Serbinë] është interes jetik i Kosovës; Autoritetet e Kosovës do ta respektojnë në plotni Kushtetutën e Kosovës gjatë këtyre bisedimeve”, ka thënë Hoti. “Dialogu do të bazohet në objektivat e qarta që duhet të arrihen nga kjo marrëveshje përfundimtare si dhe transparencën e nevojshme që duhet të raportohet gjatë këtij procesi. Marrëveshja gjithëpërfshirëse do të bazohet në njohjen reciproke në mes këtyre dy shteteve”.

Sidoqoftë, Hoti hodhi poshtë shprehimisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve dhe foli për pozicionin e partisë së tij për të mbajtur “miqësinë e përhershme” me ShBA-në.

Pasiguria rreth të ardhmes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rritur në muajt e fundit teksa ShBA-ja ka marrë një rol më ndërhyrës të udhëhequr nga i dërguari Riçard Grenell, i cili ka qenë shkak i shumë polemikave. Analistët kanë lidhur interesin e shtuar të ShBA-së me dëshirën e Presidentit Donald Tramp për të pasur “lajm të mirë” në politikat ndërkombëtare para zgjedhjeve në ShBA në nëntor.

Qasja e ShBA-së është ndjekur nga hapja e të çarave me BE-në — e cila ka qenë lehtësuese e procesit të dialogut prej fillimit të tij në vitin 2011 — por është mbështetur fuqishëm nga Thaçi i cili ka instaluar veten si negociues kryesor. Thaçi është shprehur në mbështetje të një marrëveshjeje polemike të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila po ashtu është përmendur nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, paçka se detajet nuk janë zbuluar kurrë.

Sidoqoftë, Hoti hodhi poshtë shprehimisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve dhe foli për pozitën e partisë së tij për të mbajtur “miqësinë e përhershme” me ShBA-në.

“Do ta çojmë përpara procesin e dialogut bashkë me BE-në dhe ShBA-në duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve”, ka thënë ai. “Ne nuk kemi dilema të llojit me Amerikën apo me dikë tjetër. Për ne partneriteti me SHBA-në nuk ka alternativë. Prandaj ne do ta kthejmë zotimin tonë 30-vjeçar që raportet tona me SHBA-në janë raporte të një miqësie speciale dhe të përhershme”.

Duke iu përgjigjur paraqitjes së kabinetit dhe ekspozesë së programit, kreu i grupit parlametar të VV-së Rexhep Selimi akuzoi LDK-në se ka mashtruar qytetarët dhe ish-partnerin e koalicionit.

“Kjo qeveri është ilegale dhe jolegjitime”, ka thënë ai. “Ajo që po tentoni ta votoni sot, nuk është as Qeveria Hoti madje as Qeveria Thaçi 3, është më shumë. Është qeveri e Thaçit, që do të jetë e përdorur dhe në fund e hedhur si një leckë, pasi që t’i ketë arritur qëllimet e tij. Kjo do t’i duhet atij për legjitimim të ndarjes së Kosovës dhe që të përfitojë edhe një mandat si president”.

Mandati i presidentit do të përfundojë në prill të vitit 2021.K

Ministrat e rinj të Kosovës

1. Ministria e Financave — Hykmete Bajrami (LDK)
2. Ministria e Shëndetësisë — Armend Zemaj (LDK)
3. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike — Agim Veliu (LDK)
4. Ministria e Infrastrukturës — Arban Abrashi (LDK)
5. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural — Besian Mustafa (LDK)
6. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit — Vlora Dumoshi (LDK)
7. Ministria e Mbrojtjes — Anton Quni (LDK)
8. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës — Meliza Haradinaj-Stublla (AAK)
9. Ministria e Drejtësisë — Selim Selimi (AAK)
10. Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit — Blerim Kuçi (AAK)
11. Ministria e Arsimit — Ramë Likaj (AAK)
12. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal / Zëvendëskryeministër — Goran Rakiq (Lista Serbe)
13. Ministria për Komunitete dhe Kthime — Dalibor Jevtiq (Lista Serbe)
14. Ministria e Punës — Skënder Reçica (NISMA)
15. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë — Vesel Krasniqi (NISMA)
16. Ministria e Zhvillimit Rural — Enis Kervan (6+)

Artikull është plotësuar me raportim shtesë nga Tringë Sokoli dhe Plator Gashi.

Imazhi i ballinës nga Zyra e Kryeministrit.