Në thelb | Art

Art progresiv

Nga - 20.10.2016

Katër finalistë në tri projekte, synojnë të bëhen “Artistët e së Nesërmës”

Në vitin 2011, kur juria e zgjodhi Astrit Ismailin si fitues të çmimit Artisti i së Nesërmës, disa prej organizatorëve të garës ishin të shqetësuar. Në fund të fundit, puna me të cilën e kishte fituar ai çmimin ishte një seri e fotografive nga Ismaili, në të cilën ai morri poza në një kulm, i mbuluar vetëm me një vello, nëpërmjet të cilës mund të shihej ana tjetër, ku ishte vetëm trupi i tij lakuriq.

Frika e tyre doli të jetë e pavend. Mediat kosovare nuk krijuan polemika në lidhje me këtë çmim, dhe publiku, të paktën në qarqet e skenës së artit në Kosovë, e mirëpritën një ndryshim të tillë. Ndonëse për pjesën më të madhe të Evropës, ndikimi i lakuriqësisë në art është zbutur para disa dekadave dhe nuk është asgjë e re, në shekullin 21, në shoqërinë ‘e pafajshme’ dhe konservatore të Kosovës, mund të ketë qenë mjaft tronditëse.

Ndoshta ende mund të jetë, por prej çfarë kemi dëgjuar ne si K2.0 për atë se çfarë zihet në ceremoninë e sivjetme të Artistët e së Nesërmës, shoqëria kosovare më mirë të mësohet me ide që janë ndryshe prej atyre që shumica i perceptojnë si ‘normale’, dhe të përpiqen që t’i pranojnë të gjitha mënyrat në të cilat zgjedhin të ekzistojnë njerëzit.

Por para se ta eksplorojmë garën e sivjetme, së pari ta shohim historinë: si u themelua Artistët e së Nesërmës, dhe çfarë misione, synime e qëllime kanë.

Konceptim ndërkombëtar

Në vitin 1990, me lindjen e Demokracisë në atë që atëherë quhej Çekosllovaki, Presidenti i atëhershëm Vaclav Havel dhe një grup i artistëve çek themeluan një program të ri të titulluar “The Young Visual Artist Aëard” (Çmimet e Artistëve të ri Vizual). Synimi i këti programi ishte mbështetja e artistëve të ri dhe zhvillimi i shoqërisë civile.

Fituesit e çmimit e fitonin edhe mundësinë për të marrë pjesë në një program të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky qëndrim i ofronte atyre mundësi të ndryshme për të vizituar ndërmarrje të ndryshme kulturore, në të cilat fituesit mund të takoheshin me artistë tjerë të ngritur, të njoftonin njerëz të ri, të shfaqnin punën e tyre, e me gjasë edhe të diskutonin bashkëpunime të së ardhmës.

Kjo nismë u shpërnda nëpër Evropën juglindore dhe këto gara aktualisht mbahen në 10 shtete të ndryshme nën programin Young Visual Artist Awards. Në Kosovë kjo garë njihet si çmimi “Artistët e së Nesërmës” dhe organizohet nga Fondacioni për Shoqëri Civile, Residency Unlimited, dhe Trust for Mutual Understandings.

Çmimi shkon për Kosovën

Prej 2002 deri në 2014, gara Artistët e së Nesërmës u mbajt në Galerinë Kombëtare të Artit, pavarësisht faktit se misioni i çmimit ishte që të jetë i pavarur prej institucioneve që udhëheqen nga shteti. Megjithatë, kur Artistët e së Nesërmës u mbajt për herë të parë në Kosovë në 2002, u vendos që “nuk ka organizata të afta dhe të pavarura të artit që mund ta garantojnë integritetin, kualitetin dhe jetëgjatësinë e çmimit, më mirë se Galeria e Artit në Kosovë”. Në një kumtesë për media në shtator 2015, organizatorët deklaruan se skena artistike e Kosovës kishte përparuar mjaftueshëm për të patur mundësi që ta ndryshojë nikoqirin: tani ai është Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Kumtesa për media deklaroi se Stacioni “ka dëshmuar të jetë institucion udhëheqës për mbështetjen e artistëve të ri lokal, duke ekspozuar art ndërkombëtar në Kosovë, dhe duke nxitur diskutime dhe shkëmbime në mesin e këtyre artistëve dhe publikut”. Skena bashkëkohore e artit në Kosovë ka kaluar nëpër një udhëtim të vështirë për të arritur në këtë pikë. Pas luftës së vitit 1999, kur Kosova po i hapej me shpejtësi të gjitha llojeve të ndikimeve dhe kulturave, arti bashkëkohor thjeshtë nuk u konsiderua si ‘art real’ nga skena e themeluar e artit.

Artistët që prodhuan art bashkëkohor nuk patën mbështetje institucionale. Herën e parë kur ky art u konsiderua ishte kur u hapën galeritë e pavarura të artit, si Stacion në 2006 dhe më vonë Tetris Hapësira Manipuluese në 2010.

Me zgjedhjen e Erzen Shkolollit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Artit në 2011, skena moderne e artit në Kosovë iu nënshtrua një lloj renesance, pasi që për herë të parë arti bashkëkohor gjeti vend në institucione që udhëheqen nga shteti. Qëndrimi i artit bashkëkohor brenda Kosovës së shpejti u bë më i njohur e i pranuar; kulmin e arriti me Pavijonin e Kosovës në Bienalet e Venedikut në 2013 dhe 2015.

Para kësaj, çmimi Artistët e së Nesërmëspër shumë vite ishte e vetmja strehë e sigurt për artistët alternativ kosovar, një vend ku punimet e tyre mund të çmoheshin. Prej zanafillës së tij deri më tani, qindra kanë aplikuar por vetëm dhjetëra artistë e kanë fituar çmimin dhe udhëtimin për në Nju Jork.

Tani është radha e Stacionit

Bashkëthemeluesi i Stacionit, Albert Heta, tha për K2.0 se para se t’i ipeshin të drejtat e organizimit galerisë së tij, u bënë disa ndryshime sa i përket drejtimit të Young Visual Artist Awards. Ai e identifikoi një ndryshim në veçanti si jo të favorshëm për Kosovën: “Katër shtete [Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova] prej 10-ve tani do ta jepin çmimin çdo dy vjet, në vend se si më parë [çdo vit]”.

fikret-ahmeti-_-albert-heta

Heta thotë se Stacioni e ka sfiduar këtë vendim, dhe është duke negociuar për ta ndryshuar atë, edhe pse Heta thotë që do të jetë proces i vështirë. “Arsyeja e dhënë [për këtë vendim] është se një numër jo i kënaqshëm i artistëve kanë aplikuar, [dhe se] kualiteti i punimeve dhe pjekuria artistike nuk është ashtu siç e kanë pritur ata prej këtyre katër shteteve”.

Prej sivjet, artistët duhet të përfshijnë në aplikacionet e tyre: një biografi, dëshmi për të paktën dy vite përfshirje në aktivitete artistike, tri deri në pesë punime artistike, dhe propozimin e tyre për ekspozitë përfundimtare. Fituesi(t) udhëtojnë në maj. Deri atëherë, artistët do të qëndrojnë me Stacion për t’u përgatitur për rezidencën amerikane, që tani zgjatë tetë javë.

Heta ka kërkuar që fituesit nga Kosova ta ndajnë rezidencën në Nju Jork me artistë prej shteteve tjera që janë sa më larg prej Kosovës që është e mundur, në vend se me artistë të shteteve fqinje, në mënyrë që artistët vendas të kenë mundësi të njohin edhe kultura tjera.

Gara

Sivjet, juria e Artistët e së Nesërmës përbëhet prej: Anne Barloë, kreu i jurisë, kuratore me përvoja dhe drejtoreshë e Art in General (organizatë e pavarur e artit vizual), Petrit Halilaj, artist konceptual vendas, Miran Mohar, artist vizual që është anëtar i grupit IRëIN – kolektiv i artistëve slloven, Milica Tomic nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Beograd, dhe Anna Vitt, artiste që punon me ndërhyrje përformuese dhe video instalacione.

Në bazë të portofoleve, arritjeve, ekspozitave dhe potencialit të demonstruar të artistëve, juria i ka zgjedhur tri projekte për të qenë finalistë, prej gjithsej 19 aplikimeve. Artistët e zgjedhur janë Qëndresa Deda dhe Faton Mazreku, që punojnë veçmas, dhe duo Arbërore Sylaj dhe Dardan Zhegrova.

Fituesi do të zgjedhet me 20 tetor, në ekspozitën e hapjes së punimeve të finalistëve, të Klubi i Boksit, në Prishtinë.

Faton Mazreku – jeta nëpërmjet pikturave

faton-mazreku

Faton Mazreku, njëri prej finalistëve, u zgjodh nga juria pasi që ata ishin të mendimit që ai “solli dimension social dhe politik, në një formë të veçantë që përzien atëqë shihet me elemente të së pamundurës”.

Mazreku është piktor nga Malisheva që ka patur shumë ekspozita në Kosovë, si dhe disa në Shqipëri. “Pikturat, ato që unë i krijoj, më bëjnë që të flas nëpërmjet furçës dhe ngjyrave, kur i qasem temave sociale”, tha ai për K2.0. “Piktura është pjesë e pandashme e jetës sime personale, është gjithçka që unë shoh, preki dhe dëgjoj – gjithmonë mendoj se si t’i modifikoj në kanavacën time”.

Ai hyri në garë me dy piktura në të cilat burrat paraqiten si subjekt kryesor. Mazreku tha për K2.0 se burrat që ai i pikturon të gjithë mbajnë një realitet që i bënë ata individë, si dhe grup, duke e lejuar atë që të mendojë e shprehet për realitetin social të grupeve.

Kur pikturon, Mazreku thotë se nuk është i vetëdijshëm për vendndodhjen e tij, sepse “humbem në mosqenie, sepse realiteti i burrave që i pikturoj e ka këtë veçanti. E shoh që ata e kanë këtë udhëtim të përbashkët. Jetojnë në një rutinë dhe janë të heshtur. Lëvizjet e tyre nuk janë pa destinacion”.

Si një ‘artist i vërtetë i së nesërmës’, Mazreku e identifikon vetën me pikturat e tij. Ato e lejojnë atë që të shprehet për psikologji dhe sociologji, për mosqenië dhe për jetë, për skenën sociale e politike. Ai mund të jetë në rutinë, por është edhe në një udhëtim pa destinacion.

Mazreku tha për K2.0 që përzgjedhja e tij si finalist, dhe ekspozita e radhës, erdhën në kohën më të mirë për të, sepse do t’i ndihmojnë ati që të jetë aktiv në skenën e artit, dhe do ta nxisin atë që të jetë kreativ dhe inovativ.

Qëndresa Deda – Arti i vizatimeve, letrave dhe selfies

Gjatë jetës së saj, finalistja Qëndresa Deda ka eksploruar shumë forma të artit, prej shkrimit, e deri te selfiet artistike e pikturat. Deda jeton në Prishtinë por së fundmi nisi studimet e artit dhe mediave të reja në Ljubljanë, Slloveni. Juria shkroi se ata ishin “intriguar me mënyrën se si një praktikë tepër personale dhe një vazhdimësi e përditshme mund të transmetohet në kontekstin e një ekspozite”. Kjo nuk është hera e parë që Deda po merr pjesë në çmimin Artistë e së Nesërmës, ajo u zgjodh si finaliste edhe në vitin 2014.

Deda tha për K2.0 që ajo do të prezantojë shkrime dhe fotografi që ka krijuar gjatë një periudhe të gjatë kohore. “Mundohem që të flas për jetën dhe gjendjen e njeriut”, deklaroi ajo.

Punimet e saja njihen mjaft shumë në mesin e artdashësve të Prishtinës. Subjekt i artit të saj është shpesh ajo vet. Vishet me tesha dhe lyhet me shminka e i merr pozat më kurioze, me parapavija të dalluara: një botë e selfies të veçanta.

Përveç fotografive, ajo edhe pikturon e vizaton, kryesisht njerëz. Por jo portrete, larg tyre. Pikturat e saj mund të përshkruhen më shumë si figura njerëzore, që shpesh përfaqësojnë disponime dhe emocione të veçanta, ose fytyra haluçinatore.

Arbërore Sylaj dhe Dardan Zhegrova – Rebelë për një kauzë

fikret-ahmeti-_-dardan-zhegrovalola-sylaj

Arbërore Sylaj dhe Dardan Zhegrova hynë në garë si duo. Juria i zgjodhi ata si finalistë sepse ata u fascinuan “me punën e tyre individuale, dhe potencialin e bashkëpunimit të tyre, për krijim të punimeve të reja”.

Sylaj dhe Zhegrova thanë për K2.0 se ata bashkëpunojnë moti, prej kur filluan të eksperimentojnë me mediume të ndryshme të artit, si fotografi e film, si adoleshentë. Tani ata kanë një studio ku shpeshherë punojnë së bashku, por edhe krijojnë punime individuale. Gara Artistët e së Nesërmës paraqiti një mundësi shumë të mirë për ta bërë edhe një projekt të përbashkët.

“Ajo që na ka interesuar neve, ose është vazhdimësi e ideve tona për projekte, është mënyra se si transformohet diçka publike në diçka personale”, shpjegon Zhegrova. “Mënyra se si shoqëria na imponon ide prej momentit kur lindim, [se si] i personalizojmë ato dhe fillojmë t’i bindemi atyre, ose t’i prezantojmë si besime personale, e të veprojmë për to”.

Duam që të krijojmë një zonë neutrale, ku individi mudn të jetë i lirë prej disa përkatësive që krijohen nga shoqëria, qoftë gjinia, religjioni apo etnia."

Dardan Zhegrova

“Sa mund të kemi ndikim nëse i adresojmë disa tema që nuk diskutohen shumë?” pyet Sylaj. “Duam që t’i shtrojmë disa pyetje për atë se sa mund të flasim për tema tabu”.

Punimi që Sylaj dhe Zhegrova do ta prezantojnë do të jetë një instalacion multimedial, por ata nuk i zbuluan specifikat, sepse do të jetë punim i ri i prezantuar për herë të parë në ekspozitë me 20 tetor.

“Duam që të krijojmë një zonë neutrale, ku individi mudn të jetë i lirë prej disa përkatësive që krijohen nga shoqëria, qoftë gjinia, religjioni apo etnia. Një zonë ku të gjithë mund të ndihen të lirë [prej tyre], ose t’i shtrojnë në pyetje gjithçka që imponohet nga shoqëria”, thotë Zhegrova.

“Nuk është punim që jep përgjigje, por që shtron pyetje. Është proces që ne po e kërkojmë edhe në punime tjera. Duam të flasim për të, dhe jo ta injorojmë”, përfundon Sylaj.

Sylaj është gjithashtu pjesë e grupit “HaveIt”, grup ky që shpesh i ka sfiduar paragjykimet LGBT dhe çështje tjera të ndjeshme sociale. Kolegu i saj Zhegrova është gjithashtu i fokusuar në provokimin e ndryshimit brenda artit të tij. Në punimin e tyre të ardhshëm me 20 tetor ata pretendojnë se gjinia, religjioni dhe etnia janë role të imponuara nga shoqëria, e jo zgjedhje individuale.

Këto tema shpeshherë provokojnë reagime të fuqishme, dhe gara e sivjetme e Artistët e së Nesërmës mund të shkaktojë tronditje në Kosovë përsëri. Por sidoqoftë, arti dhe kultura mund të jenë mjetet më të mira për të provokuar ndryshim dhe emancipim. Nëpërmjet tyre mund të zbulohen të vërtetat e fshehta ose të dukshme, dhe të sfidohen besimet e kahmotshme sociale, e si rezultat, mund të bëhen njerëzit më tolerant për diversitetin njerëzor.K

Fotografija: Fikret Ahmeti / K2.0.