Pikëpamje | Maqedonia e Veriut

Frika nga Shqipëria Etnike si fushatë propaganduese në Maqedoni

Nga - 05.05.2017

Stigamtizimi i minoriteteve me gjuhë nacionaliste.

Kufinjtë e Ballkanit kanë sjellur luftëra, përçarje etnike dhe kanë destabilizuar Ballkanin si rajon për një kohë mjaft të gjatë. Fakti qe etnitë dhe komb-shtetet në Ballkan nuk përkojnë me njëra tjetrën gjeografikisht ka qenë apo është marrë si burim i konflikteve të cilat kanë sjellur luftëra, vdekje dhe dhimbje për popujt e Ballkanit.

Konceptet e një shteti më të madh si Serbia e Madhe, Kroacia e Madhe, Shqipëria e Madhe apo edhe Kosova e Madhe janë koncepte që biejnë ndesh me njëra tjetrën në idenë se deri ku i takon një kombi të shtrihet gjeografikisht për të funksionuar, e për të akomoduar interesat e popullsisë që shtrihet në ato territore.

Me 3 mars të këtij viti, në një deklaratë zyrtare Ministria e Jashtme Ruse e akuzoi Perëndimin se po përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se po mbështet një Shqipëri Etnike përmes opozitës që synon të nënshkruaj platformën shqiptare të partive te minoritetit shqiptar në Maqedoni. Kështu Rusia pas përpjekës së atentatit në ish-kryeminstrin e Malit të Zi, dhe armatimit të vazhdueshëm të Serbisë, tani mbështet partinë më të madhe të Maqedonisë VMRO-DPMNE, që është në pushtet që nga viti 2006. Kjo parti sipas këndvështrimit rus synon ta krijojë qeverinë dhe ta ruaj sovranitetin e shtetit Maqedon.

Por përderisa VMRO-DPMNE si partia më e madhe në Maqedoni po dështon të formojë qeverinë me proces demokratik të krijimit të koalicionit dhe numrave të mjaftueshëm në parlament; dhe përderisa presidenti Gjorge Ivanov po bllokon opozitën të krijojë qeverinë, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit ka filluar një kampanjë të demonizimit të shqiptarëve maqedonas si etni që kinse po synon të copëtojë Maqedoninë e ta krijojnë Shqipërinë e Madhe përmes platformës së tyre të ndërmjetësuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Nëse dalim nga retorikat nacionaliste anti-shqiptare dhe retorikat nacionaliste shqiptare, atëherë çështja e krijimit del të jetë politikisht jo edhe aq e mbështetur nga vet shqiptarët.

Por, përderisa demonizimi i shqiptarëve në Maqedoni e “kërcënimi i sovranitetit“ nuk po dhezë, dhe opozita maqedonase po vazhdon të kërkojë formimin e qeverisë me shqiptarët, VMRO vendosi të përdor kartën e destabilizmit përmës rreth 200 mbështetëve të saj që ja mësyen parlamentit te Maqedonisë, lënduan rreth 70 persona  dhe sulmuan deputet të opozitës përfshirë liderin e opozites Zoran Zaev dhe deputetin shqiptar Zijadin Sela.

Në një situatë të tillë të kampanjës demonizuese ku minoriteti akuzohet nga partia më e madhe maqedonase dhe nga Rusia për krijimin e Shqiperisë Etnike është e rëndësishme të shtrohet pyetja se a është Shqipërisë Etnike projekt realisht i zbatueshem dhe i mbështetur nga shqiptarët e Maqedonisë, apo edhe atyre të Kosovës dhe Shqipërise.

Apo është Shqipëria etnike rrezik i konstruktuar që përdorët për të stigmatizuar shqiptarët si popull që tenton të zgjerohet territorialisht (ekspansionist) apo të ndahet (separatist)?

Nëse një individ lexon media nacionaliste të Serbisë si B92, apo media maqedonase që mbështesin Gruevskin, por edhe nëse dikush flet me ndonjë nacionalist shqiptar, atëherë beson se Shqipëria Etnike është projekt i gjithë shqiptarëve, i pashmangshëm në të ardhmen. Së fundmi edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi “kërcenuan“ me bashkim kombëtar në rast se humbet perspektiva evropiane.  Pra, sa është ky projekt i zbatueshëm dhe sa me ngulm kërkohet nga shqiptarët?

Edhe pse në princip shqiptarët do të dëshironin të jetonin në një shtet, rrallë e asnjëherë kërkohet ndarje apo bashkim i territoreve shqiptare.

Nëse dalim nga retorikat nacionaliste anti-shqiptare dhe retorikat nacionaliste shqiptare, atëherë çështja e krijimit del të jetë politikisht jo edhe aq e mbështetur nga vet shqiptarët. Edhe pse vetëdija kombëtare e shqiptarëvë në Ballkan ekziston dhe shqiptarët e identifikohen si shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, shumë pak nga ta do të mbeshtesnin një luftë për të krijuar një Shqipëri të Madhe. Ajo të cilën shqiptarët në Ballkan synojnë politikisht janë lëvizja më e lirë e shqiptarëve në Ballkan, edukimin në shqip, zyrtarizimin e gjuhës se tyre amëtare, të drejta civile dhe të drejta ekonomike.

Në vendet si Maqedonia, Serbia, Mali i zi e Greqia ku shqiptarët janë minoritet, ajo çka zakonisht kërkohet është të drejta të barabarta vis-a-vis shumicës së popullësisë, edukim në shqip, mos-diskriminim, më shumë autonomi brenda shtetit, e drejta e rikthimit të refugjatëve në rastin e Greqisë, etj. Kërkesa këto që janë shumë normale për çdo minoritet në botë. Edhe pse në princip shqiptarët do të dëshironin të jetonin në një shtet, rrallë e asnjëherë kërkohet ndarje apo bashkim i territoreve shqiptare, kjo sepse ky projekt është politikisht vështirë i zbatueshëm pa ndonjë luftë të cilën shumica nuk do e mbështeste. E para nuk do ta kishte mbështetjën e faktorit ndërkombëtar që në Ballkan luan rol vendimtar, dhe e dyta kjo do të rrezikonte perspektiven e tyre për integrim në Bashkimin Evropian dhe në struktura Euroatlantike.

Historikisht ka pasur lëvizje të ndryshme që kanë  kërkuar krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Por sipas Paulin Kolas dhe librit të tij të titulluar “Në kërkim të Shqipërisë Etnike”  institucionet shqiptare vendim-marrëse nuk kanë qenë asnjëherë aq të fuqishme sa për të krijuar një shtet të vetëm shqiptar; liderët shqiptarë kanë qenë gjithmonë të varur nga ndikime ndërkombëtare; ata ishin më të koncentruar në ruajtjen e pozitës së tyre brenda shtetit dhe ishin të goditur nga rrethanat e kohës, saqë nuk ka pasur asnjëherë ndonjë nismë serioze për krijimin e një Shqipërie Etnike. Edhe pse miti i “Shqipërisë Etnike“ ekziston dhe diskutohet në mënyre jo-koherente dhe sporadike që nga koha e Perandorisë Osmane, asnjëherë nuk ka qenë platformë politikë serioze që është synuar të implementohet.  

Edhe pse miti i “Shqipërisë Etnike“ ekziston dhe diskutohet në mënyre jo-koherente dhe sporadike që nga koha e Perandorisë Osmane, asnjëherë nuk ka qenë platformë politikë serioze që është synuar të implementohet.

Për shkak të madhësisë së këtij shkrimi nuk dua të koncentrohem në lëvizjet e deshtimet e mëhershme pan-shqiptare brenda Perandorisë Osmane, kohës së Ahmet Zogut, Luftës së dytë botërore apo kohës së Enver Hoxhës së Shqipërisë dhe Titos së Jugosllavisë. Për të vënë në një kontekst bashkëkohorë çështjen e Shqipërisë së Madhe duhet të shikohet se sa ishte e pranishme “Shqipëria Etnike“ si ide gjatë luftërave të fundit në Ballkan dhe sa është sot në agjendat politike të partive në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, shtete këto me shumicë shqiptare, respektivisht minoritet të madh shqiptar.

Platformë serioze politike?

Sipas Grupit Ndërkombëtarë të Krizave (ICG) dhe hulumtimit të tyre rreth lëvizjes pan-shqiptare gjatë luftës të fund viteve 1990 në Kosovë, u vlerësua se organizimet ushtarake si LPK dhe LKÇK që kërkonin bashkim me Shqipërinë ishin më pak të popullarizuara, ndërsa UÇK-ja që krijoi mbështetje në Kosovë dhe Diasporë synonte pavarësinë e Kosovës. Partia më madhe e krahut të paqës në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, dhe dy partitë e rrjedhura nga UÇK, Partia Demokratike e Kosovës, PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, AAK, kërkonin pavarësinë e Kosovës. Dhe këto parti u bënë forcat më të mëdha politike në Kosovë, ndërsa partitë që kërkonin bashkim kombëtar dështuan në zgjedhjet e vitit 2002. Nga 920 ulëse të 31 komunave LPK fitoi katër ulëse, Balli Kombëtar (lëvizje nacionaliste) fitoi dy ulëse, dhe LKÇK nuk e fitoi asnjë.

Në Maqedoni, Ushtria Çlirimtare Kombëtare gjatë luftës civile në vitin 2001 filloi të merr mbështetje, sipas Grupit të Krizave, pikërisht kur u largua nga platforma pan-shqiptare dhe u fokusua në më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë. Brenda Shqipërisë partitë të cilët kanë ndjekur agjendën e një “Shqipërie Etnike“ kanë pasur gjithmonë mbështetje tejet të vogël dhe të parendësishme.

Sa i përket luftërave separatiste të shqiptarëve në Maqedoni dhe Serbi, mbështetja nga Shqipëria ishte shumë e vogël, ndërsa për pavarësinë e Kosovës mbështetja ishte më e konsiderueshme më shumë shkaku dhembshurisë që ndjenin për popullin kosovar se sa për shkak synimit të bashkohen eventualisht me Kosovën. Partitë më të mëdha shqiptare në Shqipëri nuk kanë avokuar asnjëherë seriozisht Shqipëri Etnike, por kanë avokuar gjithmonë më shumë të drejta për shqiptarët dhe më shumë lidhje ekonomike e kulturore.  

Ish-ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë (1997-2001) Paskal Milo ishte i tronditur nga pyetjet e shumta që i bëheshin në qarqet ndërkombëtare rreth “Shqipërisë Etnike” saqë e ndjeu të nevojshme të shkruaj një broshurë.

Ndërkaq, pas  luftës në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni në vitet 1999-2001  u formua edhe Armata Kombëtare Shqiptare në vitin 2001, që kishte anëtarë nga Maqedonia, Serbia dhe Kosova. Ky grupacion ushtarak synonte bashkimin e trojeve shqiptare dhe kundërshtonte Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 që ndali luftën në Maqedoni. Ky grup asnjëhere nuk pati mbështetje të konsiderueshme nga shqiptarët. Pra ishin pikërisht ato lëvizje ushtarake në Maqedoni që kërkonin më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë, dhe në Kosovë ato që kërkonin pavarësinë, që patën mbështetjë më të gjerë sesa lëvizjet që kërkonin krijimin e Shqipërise Etnike.

Pas luftës 1999 së Kosovës dhe kryengritjeve në Preshevë dhe Maqedoni shqiptarët anëmbanë Ballkanit vazhdonin të ishin të vetëdijshëm se fati i tyre varet në masë të madhe nga fuqitë e mëdha. Shqipëria e cila kishte qenë e izoluar në Ballkan nga komunizmi me hapjen e saj dhe tranizicionin demokratik filloi të fokusohej në përmisimin e marrëdhënieve tregtare me Kosovën dhe rajonin.

Raporti i Grupit Nderkombëtar të Krizave  përmend sesi vet ish-ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë (1997-2001) Paskal Milo ishte i tronditur nga pyetjet e shumta që i bëheshin në qarqet ndërkombëtare rreth “Shqipërisë Etnike” saqë e ndjeu të nevojshme  të shkruaj një broshurë të titulluar “Shqipëria Etnike-mes trillimit dhe realitetit“ ku shpjegon se nocioni i “Shqipërisë Etnike”  nuk është synim i partive të zakonshme shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ndër të tjerash në këtë broshurë ai argumenton se e ardhmja e shqiptarëve të Ballkanit është integrimini në strukturat Euro-Atlantike. Për qeverinë e Shqipërisë, e ardhmja prosperuese është në integrimin evropian bashkë me Kosovën dhe rajonin. Edhe pse populli në Shqipëri ndoshta do të ishte pro një bashkimi kombëtar, ata kanë prioritete të tjera dhe nuk mbështesin dhunë për t’u arritur ky bashkim.

Në Kosovë e vetmja parti që kërkon bashkim me Shqipërinë është Lëvizja Vetëvendosje e cila sidomos jashtë Kosovës njihet për një retorike nacionalistee populiste, por ironikisht suksesin më të madh elektoral e ka pasur në vitin 2013, kur fitoi kryeqytetin me një kampanjë krejtësisht të bazuar në politika social-demokrate e aspak nacionaliste. Politikat me të cilat Lëvizja Vetëvendosje pati sukses bazoheshin në shqetësimet e popullsisë lokale, si furnizimi me ujë 24/7, ndalja e ndërtimeve pa leje, hapja e çerdheve, përmismi i rrjetit të transportit publik, etj. Kjo parti është në rritje ndër të tjerash Kosovë për shkak të konsistencës, qëndrimit radikal kundër korrupsionit dhe shtetit të kapur, si dhe dështimit të partive qeverisëse.

Problemi në Maqedoni nuk është miti i Shqipërise Etnike apo Platforma Shqiptare, problemi nuk është aspak etnik.

Në Maqedoni në anën tjetër, partitë shqiptare kanë bashkëqeverisur me partitë maqedonase, mjaft gjatë me VMRO-DPME që tash po përdor kampanjën demonizuese ndaj shqiptarëve pikërisht kur nuk po mund të qeveris më me ta. Kryekuvendari konsensual i opozitës i kontestuar nga VMRO që u zgjodh në natën kur huliganët sulmuan parlamentin, Talat Xhaferi, ishte në fakt ministër i mbrojtjës gjatë viteve 2013-2014 në kabinetin qeveritar Gruevski 3. Ndër të tjerash shqiptarët maqedon në zgjedhjet e fundit ishin ata që në masë të madhe votuan partinë opozitare LSDM, pikërisht se nuk donin qeveri të Gruevskit. Ishin shqiptarët maqedon që 16 vjet pas luftës civile në Maqedoni, votuan jashta etnisë së tyre për të përmbysur partinë që e cilësojnë si të korruptuar dhe që akuzohet për kapjen e shtetit Maqedon. Ishin shqiptarët bashkë me Maqedonët që protestuan pas daljes së përgjimeve të Gruevskit ku dëshmoheshin abuzimet e mëdha që ai dhe shume njerëz të lidhur me të (përfshirë edhe anëtarë të familjës) kishin bërë përgjatë qeverisjës së tyre.

Është absurde dhe qesharake të thuhet se LSDM si partia e dytë më e madhe maqedonase që fokusohet në integrim Evropian dhe integrim ne NATO, do të mbështiste një Platformë Shqiptare që do ta coptonte Maqedoninë. Është gjithashtu shumë e rrezikshme të etnizohet gjendja aktuale në Maqedoni dhe të demonizohen shqiptarët me stigmën e separatistëve dhe mitin e Shqipërisë Etnike. Ajo çka po ndodh në Maqedoni dhe në Ballkan tani është diçka e re, shkruan Marko Prelec, profesor në “Central European University” në Budapest. Ai thotë se “sot konfliktet më të hidhura dhe të rrezikshme janë ato që joshin më së shumti ose ekskluzivisht shumicës etnike të popullsisë”. Minoritetet janë spektatorë të ngrehur në konflikt pa dëshirën e tyre.

Përderisa shqiptarët e Maqedonisë nuk dëshirojnë konflikt, Gruevski që mbështetet nga Rusia dhe kryeministri hungarez Orban, synon që përmes propagandës së Shqipërise Etnike ta kthej konfliktin për pushtet në konflikt etnik, (paralelisht Gruevski si  shok i Orbanit propagandon për de-sorosizmin e shtetit).

E vërteta është që Gruevski i frikësohet burgut nëqoftëse e humb pushtetin, prandaj problemi në Maqedoni nuk është miti i Shqipërise Etnike apo Platforma Shqiptare, problemi nuk është aspak etnik. Në Maqedoni nuk kemi një grup patriotësh që po mbrojnë atdheun e tyre, por një elitë ryshfetgjinjshë që me çdo mjet refuzon të heq dorë nga pushteti i konsoliduar që e kanë krijuar për 11 vite përmes patronazhit dhe korrupsionit. Përfshirë këtu edhe mësymjen e parlamentit apo krijimin e kërcënimit imagjinar të Shqipërisë Etnike, që po e tërheq minoritetin në një konflikt etnik që askush nuk e do.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO