Në thelb | Demokraci

Frikë për përsëritjen e 2010-shit

Nga - 01.06.2017

Monitoruesit paralajmërojnë për mundësi të keqpërdorimeve në ditën e votimit.

Më pak se dy javë kanë mbetur, derisa kosovarët t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturen e tyre të re, dhe rrjedhimisht qeverinë e re. Por, tensionet e zgjedhjeve të sivjetme nacionale mund të vërehen qysh tash me parullat e premtimet, nganjëherë megalomane të partive në garë. Këto zgjedhje të parakohshme nacionale në Kosovë rezultuan pasi deputetë të opozitës, por edhe pozitës (madje edhe partnerit të koalicionit qeverisës), votuan pro mocionit me 10 maj të këtij viti, që rrëzoi qeverinë e Isa Mustafës dhe LDK-së gati një vit para se të përfundoj mandati i plotë katërvjeçar.

Fushata zgjedhore u hap zyrtarisht të mërkurën (31 maj). Koalicionet parazgjedhore veç u nënshkruan krejt në fillim të procesit zgjedhor dhe kosovarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes të ashtuquajturit “krahut të luftës” – koalicionit PDK, AAK, dhe Nisma, me Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër; koalicionit të ashtuquajtur të paqes, LDK, AKR dhe Alternativa, me Avduallh Hotin si kandidat për kryeministër, si dhe Vetëvendosjes me Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Për të siguruar që votat për këto parti do shkojnë në vendin e duhur dhe të drejtat e votuesve të mos shkelen në ditën e votimit (më 11 qershor), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) – që me Ligjin mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë njihet si organ i pavarur i ekspertëve që janë përgjegjës për administimin e zgjedhjeve – ia ka mundësuar organizatave jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare që të çertifikohen për monitorim të zgjedhjeve.

Foto nga zgjedhjet e fundit nacionale. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Politika në KQZ

Vendimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) merren me shumicë votash të anëtarëve që e përbëjnë trupin e saj. KQZ përbëhet nga 11 anëtarë: nga Kryesuesi dhe 10 anëtarë të tjerë. Kryesuesi emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe zgjidhet mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Aktualisht këtë pozitë e ka gjyqtarja Valdete Daka. Mandati i kryetarit të KQZ-së është shtatë vjet, duke filluar nga data e caktuar për njoftim të emërimit nga Presidenti. 10 anëtarët e tjerë të KQZ-së, janë emëruar si rezultat i nominimeve të gjashtë grupeve parlamentare më të mëdha të Kuvendit të Kosovës dhe, katër anëtarë që përfaqësojnë komunitetet e vogla në Kosovë. Aktualisht anëtarë të KQZ-së nga ana e partive politike janë: Betim Gjoshi dhe Ilir Gashi të dy anëtarë të PDK-së, Adnan Rrustemi nga LVV, Binak Vishaj nga AAK, Eshref Vishi nga Nisma, Bajram Ljatifi si përfaqësues i VAKAT-it, Ercan Spat përfaqësues i KDTP-së, Nenad Rikalo përfaqësues i SLS-së dhe nga Partia Liberale Egjiptiane Ergjit Qeli.

Afati për çertifikim të monitoruesve pritet të mbyllet me 6 qershor, pesë ditë para se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Në ndërkohë, KQZ ka njoftuar se tashmë mbi 2,000 monitorues janë çertifikuar. Vetëm nga zyra e Bashkimit Europian në Kosovë numërohen diku 100 sosh. Koalicioni i organizatave jo-qeveritare Demokracia në Veprim, lidere e së cilës është Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që nga 2008-ta, do të ketë në tërë Kosovën afër 2,000 vëzhgues.

KQZ po ashtu ka një qendër të thirrjeve, e cila në ditën e zgjedhjeve do të pranojë çdo informacion për parregullësitë gjatë votimeve. E nga zyra e Prokurorit të Shtetit tashmë u caktua edhe prokurorja speciale Laura Pula si koordinatore nga ky institucion për hetimin e veprave eventuale penale të zgjedhjeve. Diku 100 prokurorë janë vënë në dispozicion vetëm për procesin zgjedhor dhe hetimin e shkeljeve të mundshme. Kjo vjen edhe si rezultat i memorandumit i cili është lidhur mes KQZ-së, Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës (PK), Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), si dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 2 shkurt të 2016-ës.

Qëllimi i bashkërendimit të veprimeve të këtyre institucioneve ka të bëjë me garantimin e të drejtës së votës dhe eliminimit të shkeljeve zgjedhore.

Por krejt këto veprime, për monitorues të zgjedhjeve paraprake, nuk duken të jenë të mjaftuara për të eliminuar keqpërdorimet eventuale të sivjetme – disa edhe kanë shprehur shqetësimin se mund të jenë një përsëritje e zgjedhjeve të 2010-shit, të cilat përgjithësisht u cilësuan si “vjedhje industriale” e votave.

Isuf Zejna nga organizata jo-qeveritare Demokracia Plus ka monitoruar zgjedhjet në Kosovë që prej vitit 2007. Fillimisht si vëzhgues nga organizata “Ora”, mandej si pjesë e Demokracisë në Veprim si dhe së fundi me organizatën Demokracia Plus.

Zenja i tha K2.0 se rreziku i tentimeve për të manipuluar procesin zgjedhor këtë vit, sikurse në vitin 2010, është evident për disa arsye.

"Në të kaluarën është thënë se janë komisionerët ata që zgjedhin deputetët e jo qytetarët. Kjo si pasojë e asaj që këta komisioner gjatë numërimit shumë herë kanë transformuar vullnetin e qytetarëve".

Isuf Zejna

“E para, këto janë zgjedhje të parakohshme dhe organizohen në një afat shumë të shkurtër. Andaj institucionet nuk arrijnë të bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura, siç është pastrimi i listave të zgjedhësve, trajnimi i stafit zgjedhor, blerja e materialeve kualitative për zgjedhje”, ka thënë ai.

Të gjitha këto, sipas Zejnes, mund të ndikojnë që të cenohet integriteti elektoral dhe zgjedhjet të jenë më të ndjeshme ndaj mashtrimeve apo abuzimeve.

“E dyta, është se rezultatet zgjedhore pritet të jenë të ngushta në mes të koalicioneve dhe partive politike. Apo edhe tjetra që kandidatët të tentojnë të marrin sa më shumë vota brenda listave të tyre. Pra kandidatët e të njëjtës listë mund të manipulojnë votat e kandidatëve të tjerë në listë”, ka thënë Zejna. “Në të kaluarën është thënë se janë komisionerët ata që zgjedhin deputetët e jo qytetarët. Kjo si pasojë e asaj që këta komisioner gjatë numërimit shumë herë kanë transformuar vullnetin e qytetarëve”.

Pasojat nga e kaluara

Janë pikërisht manipulimet dhe veprat penale të kryera gjatë vitit zgjedhor 2010, ato të cilat kanë lënë një hije dhe mësim të keq sa i përket zgjedhjeve dhe organizimit të tyre në Kosovë.

1,594 kallëzime penale ishin dorëzuar lidhur me ditën e votimit nga zgjedhjet nacionale të vitit 2010 në Prokruorinë e Shtetit. Prej tyre një numër shumë i vogël, krahas kallëzimeve penale që kanë rezultuar edhe me aktakuza, janë zgjedhur me vendim të prerë gjyqësor.

Një raport i organizatës jo-qeveritare Lens, i titulluar “Fshetësia e votës dhe përpunimi i të dhënave të votuesve”, i publikuar në mars të këtij viti, thekson dështimin e shtetit për të adresuar si duhet manipulimet e vitit 2010.

Lens numëron se ndër shkeljet më të shpeshta që kanë ndodhur në mes të zgjedhjeve 2009 dhe 2014 kanë qenë ato që lidhen me shkeljen e të drejtës së votës dhe cenimin e privatësisë si: tentimet e vëzhguesve ose anëtarët e këshilleve të vendvotimeve për të ndikuar tek votuesit për të votuar për një parti të caktuar; ndërhyrje gjatë votimit; votimi familjar; keqpërdorim i votimit me asistencë; shënjimi i votës nga votuesit jashtë kabinës së votimit; fotografimi i votës; kërcënimet dhe incidentet; mbajtja e shënimeve nga vëzhguesit për mbiemrat e personave në listën e votuesve; blerja e votave; mashtrime gjatë procesit të numërimit në vendvotime, etj.

I njëjti raport thotë se nga viti 2009 e deri 2014, numërohen 1,619 vepra penale të zgjedhjeve. Derisa vetëm 206 persona janë dënuar për krejt këto vepra.

“Krimet zgjedhore nuk janë trajtuar fuqishëm dhe me prioritet nga autoritetet përkatëse. Duke pasur parasysh se zgjedhjet janë procese ciklike, këto raste do të duhej të trajtohen në kohën e duhur”, thuhet në raportin e Lens.

Konferenca e përbashkët e KQZ-së me Prokurorinë, Policinë, PZAP-in dhe KGJK-në. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

KQZ ka mbajtur një konferencë të përbashkët me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi zëvendësdrejtorin e PK-së, Naim Rexha, kryesuesin e KGJK-së, Nehat Idrizin dhe anëtaren e PZAP-it Gyltene Sylejmani, më 15 maj të këtij viti.

Në këtë konferencë, përfaqësuesit e të gjitha këtyre institucioneve u zotuan se janë të gatshëm për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti dhe se kanë marrë të gjitha masat për parandalimin e veprimeve joligjore.

Megjithatë, kur K2.0 pyeti prokurorin e shtetit dhe kryesuesin e KGJK-së për atë se si mund të besohet se këtë vit nuk do të ketë manipulime, kur dihet që ka aq pak dënime krahasuar me kallëzimet penale dhe aktakuzat, për manipulimet në zgjedhjet paraprake, asnjëri nuk dha përgjigje konkrete.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi paralajmëroi dënime me burg për shkeljet eventuale zgjedhore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kryeprokurori Lumezi tha se institucioni që ai përfaqëson ka kryer të gjitha obligimet e tij, duke ia atribuar ekskluzivitetin për dënime gjykatave.

Por sipas tij, fakti që Policia dhe Prokuroria ka proceduar kaq raste (1,594) dhe persona për ndjekje penale, tregon që ka ndikuar në vetëdijësimin e qytetarëve, dhe komisionerëve të përfshirë në procesin e zgjedhjeve që të mos keqpërdorin pozitën zyrtare.

“Si rezultat në vitin 2014 ka pasur vetëm 108 kallëzime penale, që janë proceduar në prokurori dhe gjykatë”, ka thënë ai. “Por edhe në këto zgjedhjet e vitit 2017 nëse kemi informacione edhe fakte që vërtetojnë se persona të caktuar kanë kryer vepra penale, jeni të bindur që Prokuroria e shtetit do të kryejë detyra dhe obligimet ligjore dhe kushtetuese”.

Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi, ndërkohë nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë se pse ka aq pak dënime krahas numrit të kallëzimeve penale dhe aktakuzave për manipulimet në zgjedhjet e viti 2010. Në vitin 2014, ta zëmë nuk ka asnjë të dënuar.

“Tash numrin e saktë sa kanë përfundu nuk e kam, por Këshilli Gjyqësor në koordinim me gjykatat ju ka dhënë prioritet këtyre lëndëve”’, ka thënë Idrizi duke shtuar se prioritet do të kenë sërish këto lëndë.

Një çështje e diskutueshme ka qenë ajo e dënimeve të ulta, kryesisht me gjoba, që kanë shqiptuar gjykatat për krimet e zgjedhjeve në vitet paraprake ani pse Kodi Penal parasheh edhe dënim me burg efektiv deri në pesë vite. Idrizi megjithatë tha se në shkallën e dytë, në Apel, dënimet ishin kthyer prej gjobave në dënime me burg efektiv, por nuk tregoj sa.

Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi nuk dha arsye për numrin e ulët të dënimeve për veprat penale të zgjedhjeve të kaluara. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Nuk mund t’i komentojmë vendimet e gjykatës, është gjykata e Apelit dhe Supremja që i shikon a kanë qenë vendimet meritore apo jo. Procesi 2014 ka pasur shumë pak lëndë pikërisht si pasojë e dënimeve të shqiptuara prej zgjedhjeve të vitit 2010”, ka thënë Idrizi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ndërkaq ka treguar se asnjë komisioner për të cilin ka pasur kallëzim penal nuk ka pasur mundësi të jetë pjesë e zgjdhjeve të reja, e nuk do të ketë as kësaj radhe. “Ne kemi shkuar edhe përtej prezumimit të fajësisë, dhe nuk i kemi angazhuar asnjë komisionerë vetëm pse emrat e tyre kanë qenë në kallëzime penale”, ka thënë Daka.

Krejt në fund kryeprokurori Aleksandër Lumezi përmendi edhe nevojën e reformave të sistemit zgjedhor për inicimin e të cilave kërkoi ndihmën e mediave dhe shoqërisë civile. “Presioni juaj në institucione ekzekutive apo ligjvënëse në të ardhmen mundet me ndiku që të bëhen reforma brenda sistemit zgjedhor në mënyrë që të kemi një proces sa më të rregullt dhe të sinqertë”, ka thënë ai.

Problemi në Kosovë në organizimin e zgjedhjeve nuk qëndron tek legjislacioni, por tek personat që ekzekutojnë këto ligje".

Isuf Zejna

Në fakt nevoja për reformën zgjedhore në Kosovë kishte rezultuar pikërisht pas shkeljeve të shumta në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010. Reformat mendohej se do të preknin tërë sistemin zgjedhor, pragun zgjedhor si dhe listat. Megithatë ato nuk ishin realizuar asnjëherë. Se fundmi, reformat zgjedhore ishin aktualizuar nga liderët politik në vitin 2016. Presidenti Hashim Thaçi kishte thirrur disa tryeza për këtë qëllim, në fund të vitit të kaluar, megjithatë ishte bojkotuar nga opozita.

Ndër propozimet e para që Thaçi i ka bërë gjatë takimeve në vitin e kaluar kishin të bëjnë ndryshimet Kushtetuese për sa i përket zgjedhjes së presidentit përmes votës së popullit dhe zvogëlimi i numrit të deputetëve, përkatësisht që Kuvendi në të ardhmen të mos i ketë 120, por 100 ulëse.

Megjithatë, Isuf Zejna nga Demokracia Plus thotë se sistemi zgjedhor nuk është se ka mangësi që japin shumë hapësirë për manipulime. Sipas tij, është thjesht çështje e mobilizimit të institucioneve në organizimin e zgjedhjeve dhe institucioneve të drejtësisë.

“I njëjti sistem zgjedhor, i njëjti legjislacion ka qenë në fuqi edhe në vitin 2010 edhe në vitin 2014. Sidoqoftë, kualiteti i organizimit të zgjedhjeve ka dalluar shumë. Kjo ilustron më së miri se problemi në Kosovë në organizimin e zgjedhjeve nuk qëndron tek legjislacioni, por tek personat që ekzekutojnë këto ligje”, ka thënë Zejna. “Shkeljet më të shpeshta lidhen me numërimin e votave apo tentimin për të votuar më shumë sesa një herë”.

Isuf Zejna nga Demokracia Plus thotë se koha e shkurtër për organizimin e zgjedhjeve dhe koalicionet parazgjedhore janë arsye për manipulime të mundshme më 11 qershor. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas Isuf Zejnes, komunat më të nxehta në të cilat shkeljet janë të përsëritshme që nga 2010 janë Drenasi dhe Skënderaj. Mirëpo jo edhe të vetmet.

“Edhe në Komunat e tjera si Gjakova, Prizreni dhe të tjera ka pasur shkelje të identifikuara të cilat e kanë cenuar integritetin zgjedhor. Vëzhguesit në të shumtën e rasteve nuk janë ata të cilët kryejnë këto krime elektorale. Janë anëtarët e vendvotimeve të njohur si komisionerë, ata të cilët kryejnë këto krime zgjedhore”, ka thënë Zejna.

Privatësia e votës dhe e-voting

Privatësia për votuesit është një çështje akoma e diskutueshme në Kosovë meqë ekspertë vlerësojnë se nuk është sa duhet e garantuar pasi që në disa raste ajo mund të cënohet si pasojë e mangësive në sistemin zgjedhor apo si papërgjegjësi e organizatorëve të zgjedhjeve, vëzhguesve apo edhe personave të tjerë të pa-autorizuar të cilët qëndrojnë në vendvotime.

Zejna nga Demokracia Plus ka treguar se cënim të privatësisë gjatë votimit mund të ketë gjatë votimit me asistencë, kur ta zëmë vie në shprehje kur një person është i paaftë të votojë në mënyrë të pavarur dhe i duhet ndihma e të tjerëve. “Në këtë pikë shumë shpesh është raportuar se një person asiston shumë votues dhe kjo është në kundërshtim me rregullat zgjedhore”, tha ai.

"Vetë publikimi i listës së votimit është një lloj i shkeljes së privatësisë, pasi që aty ka të dhëna personale të cilat mund të keqpërdorën nga subjektet politike, bizneset apo edhe të tjerët".

Isuf Zejna

Votimi familjar po ashtu është fenomen shqetësues, sipas Zejnes, pasi që në shumë raste burrat ndërhyjnë dhe vendosin për shumë anëtarë të familjes se për kënd të votojnë. Kjo më së shumti, sipas tij, cenon privatësinë e grave.

Raste tjera për të cilat është raportuar në zgjedhjet e kaluara kanë qenë ato të fotografimit të votës. Në shumë raste iu është kërkuar personave të caktuar si dëshmi se kanë votuar për një subjekt apo kandidat të caktuar të fotografojnë votën e tyre. Kjo sipas Zejnes është shkelje e privatësisë. Por edhe vetë databaza e KQZ-së e cila supozohet se do t’i ndihmojë me gjetjen e vendvotimeve votuesit, në shumë raste sipas tij publikon të dhëna personale për shumë persona në mënyrë të paautorizuar.

“Kështu, kush do që kërkon emrin dhe mbiemrin e një personi mund të marr edhe një numër të madh të të dhënave personale, duke përfshirë numrin e letërnjoftimit dhe të tjera. Vetë publikimi i listës së votimit është një lloj i shkeljes së privatësisë pasi që aty ka të dhëna personale të cilat mund të keqpërdorën nga subjektet politike, bizneset apo edhe të tjerët”, tha Zejna.

Një alternativë për të eliminuar shkelje të tilla ishte menduar të jetë votimi elektronik, mënyrën e të cilit për herë të parë në Kosovë e ka prezentuar përmes disa projekteve në Universitetin e Prishtinës, profesori dhe ligjëreuesi i Sigurisë së të dhënave personale në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, Blerim Rexha. Shqipëria kishte provuar një sistem të votimit elektronik përmes dy pilot projekteve por, kishte dështuar meqë nuk kishte arritur të sigurojë makinat votuese me specifika të duhura.

Në konferencën e lansimit të raportit (mars 2017) të organizatës Lens, Rexha kishte shpjeguar se votimi elektronik do të ndihmonte që të evitohen shkeljet e mundshme si dhe do të gjeneronin më shpejtë, brenda orëve, rezultatet e zgjedhjeve.

“Kjo do të eliminonte edhe mundësitë e keqpërdorimit apo manipulimit të mundshëm”, tha ai.

Megjithatë në Kosovë kjo është menduar, siç shpjegoi ai, se do të ketë një kosto tepër të lartë. Andaj nuk është vënë në praktikë idea, edhe për shkak të vështirësive për të siguruar makinat e duhura votuese që kushtojnë shumë.

Telashet me Diasporën

Lista e votuesve nga diaspora u publikua me 28 maj derisa të nesërmën më 29 maj KQZ ka shpërndarë edhe fletëvotimet për mërgimtarët që kanë arritur të regjistrohen për votim. Megjithatë, reagime nga ata që nuk kanë arritur të regjistrohen, nuk kanë munguar.

Publicisti i njohur Enver Robelli i cili jeton në Zvicër është njëri ndër ta. Në postimin e tij në Facebook më 28 maj, Robelli e ka quajtur ‘masakër burokratike të KQZ-së’, gjithë procesin e regjistrimit të mërgatës për votim meqë nuk e kishte gjetur emrin e tij në regjistër.

“Deri më sot s’ka arritur asnjë konfirmim se KQZ ka pranuar aplikimin për t’u regjistruar si votues. Afati i regjistrimit ka qenë 22 maji. Ndërkohë pas kësaj date, pra pas skadimit të afatit, kanë ardhur me postë formularët për t’u regjistruar si votues. E sot qarkullon një regjistër i votuesve në botën e jashtme, ku nuk e gjen emrin fare. Unë si gazetar kam paksa mundësi të bëjë potere publikisht kundër KQZ-së. Por, qindra-mijëra njerëz të tjerë këtë mundësi nuk e kanë. Dhe mbesin të përjashtuar nga gara demokratike. Kjo është njëra prej padrejtësive më të mëdha që po bëhet në këto zgjedhje”, ka shkruar ai.

Më 30 maj ndërkaq, edhe për çudinë e tij, Robelli ishte njoftuar se tash mund të votoj. Emri i tij ishte kthyer në listën e votuesve, dhe kjo sipas tij ka ndodhur për shkak të protestës së tij publike.

“Ka ndodhur një gabim administrativ – ky ishte arsyetimi që dëgjova jozyrtarisht dhe indirekt. S’po e komentoj më shumë këtë çështje. Tash fletëvotimin e shtypa dhe po ushtroj të drejtën time demokratike. Kushdo që del i pari më 11 qershor – urime që tani, me shpresën dhe me kusht që zgjedhjet të jenë të lira. Dhe mos harroni: asnjë çorbë s’hahet aq e nxehtë siç zihet”, ka shkruar Robelli.

Por ai nuk është i vetmi kosovar që jeton në diasporë e që hasi në telashe me KQZ-në për shkak të regjistrimit nga diaspora. Numri i saktë sa kanë mbetur jashtë këtij votimi nuk dihet akoma, por ka pasur reagime të shumta në ditën kur lista e votuesve u publikua.

Vlorian Molliqaj, aktivist i VV-së, që jeton në Suedi u raportua nga KQZ në Polici për shkak të një formulari online që u shpërnda nga ai për të ndihmuar diasporën në regjistrim për votim. Foto e dërguar nga Vlorian Molliqaj.

Telashet e diasporës me procedurat për regjistrim dhe vështirësitë që hasin, sipas Vlorian Molliqaj  – aktivist i Vetëvendosjes që jeton në Suedi – janë arsyet kryesore pse ai dhe një mik i tij kanë marrë inicativën që të ndihmojnë mërgimtarët në këtë proces.

“Ne krijuam një formular online, në të cilin gjithsecili me vetdëshirë mund t’i shkruante kontaktet e tij në mënyrë që të pranoj informata nga ne lidhur me procedurat e votimit me postë”, tha ai për K2.0.

Por ky veprim i Molliqaj, që është njëherit vëllai i sekretarit organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, nuk është mirëpritur nga KQZ e cila e ka raportuar atë në Polici në njëjtën ditë kur ai e ka shpërndarë formularin (12 maj).

Valdete Daka, kryesuese e KQZ-së, ndër sfidat në organizimin e zgjedhjeve përmendi edhe lodhjen kronike të stafit të saj. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

KQZ kishte reaguar edhe përmes një njoftimi për media duke thënë se formulari i shpërndarë nga Molliqaj nuk është zyrtar, ani pse përmbante fotografi me logo të KQZ-së.

“Formulari i KQZ-së për këtë çështje është krejtësisht i ndryshëm nga ky që po qarkullon. Me kohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë informimin e saktë për periudhën e Votimit Jashtë Kosovës”, thuhej në njoftimin për media të datës 12 maj.

Kryesuesja e KQZ-së i ka treguar K2.0 se kanë raportuar Molliqajn në Polici për shkak se ka përdorur logon e KQZ-së për interesa personale. “Ne e kemi raportuar rastin dhe ua kemi lënë Policisë që të hetojë tutje atë”, ka treguar Daka pa dhënë detaje nëse kanë dyshime se për çfarë dyshimesh bëhet fjalë.

Zyra për informim e Policisë i ka treguar K2.0  që rasti ka kaluar tek organet e drejtësisë tashmë. “Lidhur me çështjen në fjalë ju informojme se, Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtim dhe procedim të mëtejm të informcionit/publikimit në fjalë dhe për të njejten i ka njoftuar organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së. Prokuroria e shtetit nuk ka kthyer akoma përgjigje për revistën lidhur me veprimet e mëtejme pas referimit të rastit nga PK.

Derisa Vlorian Molliqaj ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se përvojat e zgjedhjeve të kaluara për të janë tregues se KQZ po “kontrollohet nga pushteti”, dhe sipas tij kryesuesja Valdete Daka  qëllimisht nuk angazhohet për t’ua mundësuar mërgimtarëve pjesëmarrjen në zgjedhje, duke votuar për shembull me postë apo përmes ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës.

“Një shok më pyeti se si po ndihem pas gjithë këtyre akuzave dhe me shaka iu përgjigja: ”KQZ-ja do të duhej të më paguante për gjithë këtë punë që po ua bëj e që në fakt ata do të duhej ta bënin vet”, tha Molliqaj, sipas të cilit rreth 2,000 persona janë regjistruar në formularin e tij.

Zejna nga Demokraci Plus  pohoi për K2.0 se diaspora kosovare vazhdimisht është e diskriminuar në votim, kjo për shkak se së pari ka procedura shumë të komplikuara për tu regjistruar e pastaj edhe për të votuar.

“Nuk ka fushata edukuese për diasporën për t’i njoftuar me kohë ata për kërkesat për regjistrim dhe të tjera kushte. Asnjëherë deri më tani diaspora nuk ka qenë prioritet i KQZ-së dhe si e tillë nuk ka qenë as në këto zgjedhje dhe fakti se zgjedhjet duhet të organizohen në kohë më të shkurtër vetëm sa e vështirëson procesin e votimit për diasporën”, tha Zejna.

Por krejt këto akuza, Valdete Daka në paraqitje mediale i ka arsyetuar me kohën e shkurtër të organizimit të zgjedhjeve, por duke mos pranuar të marrë përgjegjësi si KQZ.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në një intervistë të shkurtër për Radio Evropën e Lirë, Daka ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë sfiduese. “Aq më tepër që tash kemi një afat minimal prej 30 ditësh dhe tashmë kanë mbetur jo më shumë se dy javë”, ka thënë ajo.

Duke folur për sfidat ajo ka përmendur edhe votimin jashtë Kosovës. “Ne padrejtësisht jemi sulmuar dhe atakuar se kinse me qëllim po i parandalojmë votuesit nga mërgata që fare nuk është e vërtetë”, ka thënë Daka por duke mos harruar që në cilësinë e kryetares së organit kryesor për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjidhjeve, të përmend edhe jetën personale dhe lodhjen kronike që ndjejnë si staf i KQZ-së.

“Ka edhe shumë sfida të tjera, duke filluar, nga ato që janë më banale, që është lodhja kronike që e përcjell gjithë stafin e KQZ-së, anëtarët, duke më përfshirë edhe mua, ku tanimë nuk kemi kohë për familje e as, si ta them, një jetë personale”, ka thënë kryetarja e KQZ-së Daka.

Sidoqoftë, zgjedhjet po afrohen dhe Daka dhe zyrtarët e saj do të kenë sigurisht akoma shumë punë, meqë më pak se dy javë i ndajnë votuesit nga dita kur do të zgjedhin se kush do të jetë pjesë e legjislacionit të ri. Deri atëherë i mbetet popullit të vlerësojë se kush do ta meritojë drejtimin e vendit.K

Fotografia kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.