“Mendoj se ka kuptim ta themi këtë në Kosovë, këtu ku përçarja dikur tragjikisht e ktheu Serbinë me shekuj prapa dhe e rrezikoi atë, e ku uniteti i ringjallur mund ta përparojë atë dhe t’ia kthejë denjësinë. Një vetëdijësim i këtillë për marrëdhëniet e ndërsjellta përbën një domosdoshmëri elementare edhe për Jugosllavinë, sepse fati i saj është në duart e përbashkëta e të të gjithë popujve të saj”.
Këto ishin fjalët që, inter alia, i tha Slobodan Miloševići-it pothuajse tri dekada më parë, në Fushën e Mëllenjave, pranë qytezës së Fushë Kosovës, aty ku 600 vjet më parë princërit mesjetarë serbë në aleancë me popujt e tjerë ballkanas, përfshirë shqiptarët, u munduan pa sukses t’i bënin ballë invazionit osman.
Kishin kaluar vetëm 3 muaj e pesë ditë prej kur Beogradi dhunshëm ia shfuqizoi autonominë e asaj që asokohe quhej Krahina Socialiste Autonome e Kosovës. Në këtë fushë ishin tubuar qindra mijëra serbë prej tejendanë Jugosllavisë për të përkujtuar këtë betejë të humbur, por e cila ishte gurëthemeli i mitit nacional dhe nacionalist serb.
Në podium është Slobodan Milosević, lideri i ri komunist serb, i cili me një nuhatje makiaveliane e ka kuptuar se ndjenja e viktimizimit e ndjellur ndër serbët e thjeshtë mund një ditë hipotetikisht të përkthehej në një mizëri votash. Carpe diem. Dhe Miloševići e kapi momentin dhe u transformua prej një burokrati socialist në një flamurtar të shpëtimit të kombit serb.
Por, transformimet e personazheve të skenës politike serbe nuk janë të rralla. Presidenti aktual, Aleksandar Vučić, e nisi karrierën e tij politike si një nacionalist i zjarrtë që synonte ta ndiqte ëndrrën e liderit të tij radikal, Vojislav Šešelj, për t’i zgjeruar kufijtë dhe për ta krijuar Serbinë e Madhe përgjatë vijës Viroviticë-Karlovac-Ogulin-Karlobag, si një kujtim i largët i të famshmit Traktati i Londrës të vitit 1915, kur Fuqitë e Antantës i premtuan Serbisë zgjerim në drejtim të perëndimit.
Vučić ishte Ministër i Informacionit në një nga qeveritë e Milosević-it në kohën e luftës në Kosovë dhe kur po ndodhnin bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë. Ishte koha kur u akuzua për gjobitje të gazetarëve të cilët e kundërshtonin qeverinë dhe ndalimin e rrjeteve të huaja televizive.
Ky tipar i urrejtjes ndaj mediave me sa duket e ka ndjekur edhe në vizitën e tij në Kosovë gjatë fundjavës. Të dielën (më 9 shtator) u raportua se njëri nga producentët e serisë “Rikošet”, Saša Mirkovići, u sulmua në Mitrovicë pasi u mundua ta pyes Presidentin Vučić për vrasjen e Oliver Ivanovićit. Rikošet shkruan se Mirkovići u godit papritmas dhe pa paralajmërim me pistoletë nga prapa në kokë nga “disa prej banditëve të Vučićit”, duke shtuar se Vučići bashkë me grupin ia mbathën me shpejtësi. Nëpërmjet një deklarate, Mirkovići tha se Vučići “është aq frikacak sa që gjithmonë është i rrethuar me të paktën dhjetë gorilla”.
Së bashku me Hashim Thaçin, Presidentin e Kosovës, Vučići u zotua se do të sjellin një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por gjersa njëri flet për ta marrë çdo centimetër të mundshëm të Kosovës, tjetri flet për atë se si duhet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.
Para dhjetë vitesh, pas përplasjes së tyre me liderin e Partisë Radikale Šešelj, Vučići bashkë me Tomislav Nikolićin – asokohe nënkryetar i partisë dhe më vonë President i Serbisë – vendosën ta braktisin partinë dhe ta krijojnë një parti të re, Partinë Progresive Serbe. Së bashku me braktisjen e partisë së vjetër, Vučići pretendon se i braktisi edhe bindjet nacionaliste dhe tha se nuk i vjen turp t’i pranojë të gjitha gabimet politike të tij.
Pas transformimit erdhi fitorja. Në vitin 2012, partia e tij hyri në qeveri dhe pas zgjedhjeve të vitit 2014 ajo u bë partia më e madhe në Kuvendin Popullor të Serbisë. Vučići vet u deklarua se është në favor të barazpeshimit të politikës së jashtme, duke synuar marrëdhënie të mira si me NATO-n, ashtu edhe me Rusinë.
Por, muajve të fundit ai ka filluar të flas edhe për një zgjidhje historike në raport me Kosovën. Së bashku me Hashim Thaçin, Presidentin e Kosovës, Vučići u zotua se do të sjellin një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por gjersa njëri flet për ta marrë çdo centimetër të mundshëm të Kosovës, tjetri flet për atë se si duhet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.
Analistët tani po flasin mbi mundësinë e shkëmbimit territorial ndërmjet dy shteteve. Kjo ide është kundërshtuar nga opozita politike e të dy vendeve, si dhe nga disa shtete të fuqishme evropiane, si Gjermania dhe Britania e Madhe, por nuk ka hasur në kundërshtimin e njëjtë as nga ShBA-ja, as nga BE-ja dhe as nga OKB-ja.
Në shtjellën e këtyre ngjarjeve, Presidenti Vučić e vizitoi Kosovën. Fillimisht u tha se Qeveria e Kosovës do ta lejonte vizitën e tij, por nuk do t’i jepte leje për vizitë në Liqenin e Gazivodës (Ujmanit), i cili, në rast të shkëmbimit territorial, do të ishte një lokacion i kontestueshëm ndërmjet dy shteteve.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Vučić nuk ka se çfarë kërkon në Gazivodë. Më vpasonë u raportua se Prishtina, si rrjedhojë e presionit ndërkombëtar, kishte vendosur t’i jap leje Vučićit për të vizituar edhe liqenin.
Serbët e Kosovës mbesin një grup i cili jo rrallëherë janë gjendur në mëshirë të fatit, ndërmjet shpërfilljes dhe përçmimit të Beogradit në njërën anë dhe paranojës e paragjykimit të Prishtinës në anën tjetër.
President Vučić u fut në Kosovë paraditen e 8 shtatorit në pikën kufitare në Bërnjak. Bashkë me të, në një mënyrë simbolike, në enturazh ishin edhe kreu i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe Metohijë, Marko Durići, dhe shefi i Shërbimit të Sigurisë dhe Intelegjencës (BIA) të Serbisë, Bratislav Gašići.
Vučići vizitoi plot lokacione. Bëri përplot premtime. Mori plot e përlot duartrokitje. Por në fjalimin e tij serbëve lokal iu tha: “E di çfarë doni të ndëgjoni, por nuk mund t’ua them atë, jo sepse nuk dua, por sepse jam përgjegjës ta di kur është koha e duhur”.
Megjithatë, Vučići nuk harroi ta theksonte ndryshimin e metodës në rrugën drejt fitores në këtë ‘luftë’: “Qëllimi im është të fitojmë, që Serbia të fitojë, për herë të parë në nuk e di sa vjet, pa gjak, pa vdekje, pa tmerr dhe varreza, por me punë, dituri dhe me fëmijë”.
Por derisa fliste për fitoren e Serbisë, Vučići nuk dha sqarime se çfarë do të fitonin serbët e Kosovës në këtë fitore. Ata mbesin një grup i cili jo rrallëherë janë gjendur në mëshirë të fatit, ndërmjet shpërfilljes dhe përçmimit të Beogradit në njërën anë dhe paranojës e paragjykimit të Prishtinës në anën tjetër.
“Nuk do të jetë lehtë të arrijmë marrëveshje”, tha Vučići, duke iu referuar përmbylljes së negociatave të qëmotshme me Kosovën që janë parakusht për hyrjen e Serbisë në BE, para se të shtonte: “A kemi ndonjë draft zgjidhje në Bruksel? Nuk kemi, as afër nuk jemi”.
Pasi veteranët e luftës në Kosovë i bllokuan rrugët që të çojnë tek fshati i Banjës në rajonin e Drenicës, qeveria e Kosovës e anuloi vizitën e Vučićit në këtë fshat, por me sa duket nuk e kishte problem që ai të mbante tubim në Mitrovicën e Veriut.
Dy udhëtimet e dy presidentëve në Kosovë kanë zënë t’i shëmbëllejnë një citatit të Karl Marxit: i pari një tragjedi, i dyti një farsë.
Në fakt, përpjekja e kotë e Vučićit për ta vizituar Banjën duket si një provokim për të hyrë në një situatë ku në çdo variant do të fitonte: Ose hyj në Drenicë dhe i them opozitës serbe ‘kësaj i themi guxim’ ose protestuesit më sulmojnë dhe populli serb e sheh se kush është heroi, si dhe kurbani i shqiptarëve.
Vučići theksoi se ideja e tij ishte që ta ruante paqen dhe që të mundohet “të ndërtojë ura drejt shqiptarëve”. Ai shtoi se serbët duhet të “përpiqen për një marrëveshje [me shqiptarët e Kosovës] edhe kur e dimë se është pothuajse e pamundur, sepse gjithçka tjetër na çon në një humnerë dhe katastrofë”.
Përgjithësisht, Vučići e mbajti një diskurs të moderuar, përkundër faktit se shumëkush mendoi se do të vinte dhe t’i binte daulleve të patriotizmit për ta konsoliduar elektoratin e tij në Serbi duke e luajtur letrën e Kosovës. Në vend të kësaj, ai tha se ndihet i pafuqishëm para Merkelit dhe se fjalët e saj duhet të merren parasysh.
Ai foli për një marrëveshje e cila do t’i qetësonte gjakrat e armiqësisë së kryehershme mes dy kombeve – shqiptarëve dhe serbëve. Njëherazi, ai tha se Thaçin s’e ka as shok dhe as e pëlqejnë njëri-tjetrin, por se dikush nga udhëheqësit serbë dikur është dashur ta marrë përsipër barrën e negociimit të një marrëveshjeje të fundme me Kosovën.
Sidoqoftë, tubimi në Mitrovicë nuk i shpëtoi dot të qenit kontroverz. Gjatë fjalimit të tij – si për ta ilustruar titullin e këtij artikulli – ai tha se ish-Presidenti jugosllav, Slobodan Milošević, ishte lider i madh serb por se dëshirat e Serbisë në atë kohë ishin joreale dhe se Serbia nuk e kuptonte se nuk ishte e vetme në botë dhe se asnjë shtet nuk mund të jetojë pa pjesën tjetër të botës, e prandaj e pagoi çmimin.
Mund të themi se vizita e Miloševićit në Gazimestan më 1989 dhe vizita e Vučićit në Gazimestan më 2018 nuk janë të krahasueshme, për shkak se i pari kishte kryer krime mizore kundër popullsisë civile. Por poenta është se që të dy, gjatë fjalimeve të tyre, rendën të bëheshin figura të babait të kombit me diskurs të matur.
Njashtu, që të dy presidentët njëkohshëm i folën edhe elektoratit vendor dhe qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes, por përderisa nga fjalimi i parë erdhi lufta, pas fjalimit të dytë me sa duket do të ketë vetëm retorikë të luftës. Dy udhëtimet e dy presidentëve në Kosovë kanë zënë t’i shëmbëllejnë një citatit të Karl Marxit: i pari një tragjedi, i dyti një farsë.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha