Biseda | Muzikë

Shkrirja e muzikës, artit dhe trashëgimisë – “Visions of Beyond”

Nga - 06.09.2016

K2.0 foli me DJ Uran B., një prej organizatorëve të festivalit “Visions of Beyond” në Kalanë e Harilaqit.

Rreth 15 kilometra në jug-perendim të Prishtinës, në qendër të Kosovës, është një kala antike mesjetare, e ndërtuar në një vendbanim parahistorik: Kalaja e Harilaqit. Të dielën (11 shtator), ky lokacion i braktisur i trashëgimisë kulturore do të ngjallet me muzikë, art dhe njerëz, kur të mbahet edicioni i parë i evenimentit konceptual Visions of Beyond.

Visions of Beyond synon të krijojë një hapësirë intime larg jetës hektike urbane, në të cilën arti dhe muzika mund të shkrihen me rrënojat e trashëgimisë së harruar kulturore; është metodë e pazakonshme e rritjes së ndërgjegjësimit për mbrojtje të kësaj trashëgimie, dhe përpjekje për të promovuar aktivitete turistike dhe artistike në zona rurale.

Këtë eveniment po e organizon Hapësira, organizatorë të projekteve tjera të suksesshme, si Warehouse Project, seri e ndejave të muzikës tekno që mbahen në depon e vjetër të shtypshkronjës Rilindja.

K2.0 u takua me anëtarin e Hapësira dhe njërin prej organizatorëve të Visions of Beyond, Uran Badivuku. Ai njihet më gjerë si Uran B., DJ i ngritur i muzikës underground i cili nisi të merret me muzikë elektronike si 14 vjeçar, dhe ka performuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit.

K2.0: Na tregoni pak për Hapësira. Kush është prapa kësaj organizate dhe evenimentit?

Uran B.: Hapësira është ekip i disa profesionistëve të rinj me përvoja të ndryshme të cilët besojnë në avancimin e shoqërisë nëpërmjet kulturës, arsimit, artit dhe muzikës, duke ndarë vlera të përbashkëta kulturore, që arrihen me bashkëpunim të individëve mendjehapur që synojnë të prezantojnë projekte, aktivitete dhe evenimente unike. Një prej dimensioneve më të rëndësishme të Hapësira është nocioni se organizimi nuk definohet prej individëve që e kanë themeluar, por prej ideve dhe konceptualizimit të skenës bashkëkohore të artit në Kosovë, që janë në thelb të saj.

Si erdhi idea për Visions of Beyond?

Hapat e parë ishin te ajo që tani është bërë emër i njohur në skenën e jetës së natës në Prishtinë: projekti ‘Rilindja Warehouse’. Warehouse Project e Hapësira mund të duket si koncept i rrezikshem, ku idea është që të guxojmë që të shkojmë përtej rrugës së vendosur të klubeve, duke gjetur vetën në hapësira që nuk janë përdorur më parë në këtë mënyrë.

Uran B. është anëtar i Hapësira, grupi që e organizon projektin Rilindja Warehouse dhe Visions of Beyond. (Foto: K2.0)

Ngjashëm nocioni për të përdorur lokacione që shpeshherë neglizhohen në shoqërinë tonë ka ndihmuar me formësimin e Visions of Beyond, ose VoB. VoB karakterizohet nga një qasje holistike që mund të ndahet në tri nocione themelore teorike.

I pari, dhe më i rëndësishmi, është realizimi se trashëgimia kulturore është një prej sferave më të shpërfillura në shoqërinë tonë, dhe nevoja që ne të nxisim një reagim.

I dyti, muzika përdoret si mjet për t’i ndihmuar komunitetit për t’u lidhur dhe për ta vlerësuar natyrën e ndërlikuar të historisë sonë, si dhe për të inkurajuar një pikëpamje me më shumë nuanca për atë se si muzika mund të inicojë ndryshime sociale.

I treti, nëpërmjet tejkalimit nga jeta e zakonshme urbane në lokacione tjera, ne mundohemi që të eksplorojmë pasuritë shpirtërore dhe fizike që shpeshherë janë harruar në pjesët tona rurale. Përfundimisht, nëpërmjet këtyre nocioneve mundohemi që të krijojmë diçka organike, një frymë karakteristike të VoB.

Çfarë synoni të arrini nëpërmjet Visions of Beyond?

Edhe pse shumica e evenimenteve në Kosovë në vitet e fundit janë munduar që të maksimizojnë përfitimet materiale, VoB synon që të maksimizojë kapitalin njerëzor. Në fund të fundit, edhe pse fondet në shërbimin tonë mund të jenë të kufizuara, energjia pozitive e prodhuar nëpërmjet VoB kalon në ndihmë për integrimin e komuniteteve tona rurale.

A mund të tregoni më hollësisht se çfarë do të ndodh në festival, dhe më shumë për strukturën e festivalit?

Synimi kryesor është që të maksimizojmë talentin vendas në Kosovë, Ballkan, si dhe në skenën ndërkombëtare. Nëpërmjet partneriteteve të afërta me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Culture Heritage ëithout Borders dhe Muzeun Kombëtar, VoB synon që të prezantojë një qasje më të ngrohtë të riformësimit të trashëgimisë sonë kulturore.

Për më tepër, vlenë të përmendet edhe se, deri sa fryma karakteristike e VoB rritet, aspektet e ndryshme të evenimentit do të pjeken në mënyrë organike gjithashtu. Të gjitha informatat tjera të rëndësishme  në lidhje me këtë pyetje mund t’i gjeni në faqet tona në rrjete sociale, ku postojmë çdo ditë informata të reja.

Një falenderim special shkon për departamentin e trashëgimisë të Ministrisë së Kulturës dhe Sportit dhe për Komunën e Fushë Kosovës, të cilët kanë qenë shumë të hapur që të na ndihmojnë me formësimin e këti evenimenti. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka qenë kyçe për neve, duke na lejuar që ta largojmë epiqendrën nga jeta e përditshme urbane.

Visions of Beyond do të mbahet te Kalaja e Harilaqit, kala mesjetare e ndërtuar në vendbanime parahistorike.

Pse u zgjodh Kalaja e Harilaqit si lokacion për këtë festival?

Një prej problemeve kryesore që ne kemi identifikuar është se gjatë viteve njerëzit vazhdojnë ta vizitojnë zonën rreth Kalasë së Harilaqit por nuk e vërejnë sa afër është kalaja. Në thelb kështu ndodh me shumicën e lokacioneve të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Historia dhe esenca e këtyre lokacioneve shpesh harrohen në krahasim me pjesët më moderne në Kosovë. Kalaja e Harilaqit është tokë pjellore për atë që ne e konsiderojmë se është sprova më e rëndësishme e Hapësira deri më tani.K

Fotografitë: Visions of Beyond.