Në rrënojat e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Nga Blerta Hoçia - 17.05.2020U zgjova sot herët me lajmin se po e shembinin Teatrin Kombëtar në Tiranë. Pashë pamjet e aktivistëve dhe qëndrestarëve të kauzës së Teatrit, të tërhequr zvarrë nga një numër absurd i forcave të rendit. Më erdhi të vjell, mora aparatin dhe u nisa drejt ngjarjes. Hera e parë në jetën time që nuk arrija të shkrepja aparatin. Qava shumë në atë pamje të mjerë të fadromës që e shembte pa të keq një ndërtesë, që për ne ishte simbol i lirisë së fjalës dhe i rezistencës.
Teatri ishte kështjella e fundit e pakontaminuar prej korrupsionit, i cili në vendin tonë është virus akoma më infektiv se sa Covid-19. E pra pandemia botërore u përdor paturpësisht për interesat meskine dhe të përfitimeve të një pakice në pushtet.
Dita e sotme do të mbahet mend si Dita e instalimit të diktaturës në Shqipëri. Sepse diktatura fytyrë tjetër nuk ka.
Ervin Goci, aktivist për mbrotjen e Teatrit.
Aktivisti Titi Seranja, i cili sapo ishte liruar nga policia. Shumë të tjerë ende janë në Komisariat të Policisë.
Disa nga aktivistët për mbrojtjen e Teatrit, që kanë bërë rezistencë për më shumë se dy vite.
Regjisori Edmond Budina, një nga simbolet e qëndresës.