Në vitin 2018, në bashkëpunim me Qendrën për Barazi dhe Liri dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, filluam programin e Bursës së Gazetarisë për të Drejtat e Njeriut të financuar nga BE-ja, me aspiratën për të përgatitur gazetarët që përmes punës së tyre gazetareske të përkrahin të shtypurit, të heshturit dhe të përjashtuarit.
Që prej tri vitesh, bursistët tanë kanë shtruar pyetje shpesh të vështira për t’iu përgjigjur dhe kanë nxjerrë në sipërfaqe çështje që të shumtën e herave neglizhohen në ciklin 24-orësh të lajmeve. Njëzet e nëntë pjesëmarrës janë bërë pionierë të një gazetarie që jo vetëm informon, por sfidon qëndrimet dhe narrativat e rrënjosura përjashtuese; që ka kureshtje dhe nuk ka frikë të gjurmojë përtej titujve kryesorë.
Në bashkëpunim me redaktorët e tyre, në gjashtë muajt e kaluar bursistët kanë ndjekur të vërtetat që lihet jashtë narrativave dominuese. Kanë treguar përkushtim për t’u kushtuar vëmendje qytetarëve, komuniteteve, individëve të cilët prej shumë kohësh janë lënë në margjina të diskursit publik.
Përgjatë viteve programi është rritur si në llojllojshmërinë e historive të treguara, ashtu edhe në formatet përmes së cilave janë treguar ato histori. Duke përdorur formate të reja si dokumentarë dhe foto-ese, bursistët tanë dhe redaktorët kanë arritur që rrëfimet e njerëzve në margjina të lexohen, të dëgjohen dhe të shikohen.
Ata kanë trajtuar tema për personat LGBTI+, drejtësinë sociale, minoritetet, personat me aftësi të kufizuara, të drejtat e punës, shëndetin mendor, sigurinë e ushqimit, mbrojtjen e ambientit dhe të drejtat e njeriut. Bursistët tanë u kanë kushtuar vëmendje përpjekjeve të atyre që luftojnë për drejtësi dhe kanë paraqitur përvojat e atyre që përjetojnë padrejtësi — duke kërkuar zëshëm një njohje më të gjerë të këtyre përvojave.
Këtë vit, rrethanat në të cilat realizuam programin kanë ndryshuar tërësisht. Padrejtësitë të cilat vendosëm t’i tregonim përmes programit të bursës janë thelluar gjatë një viti për shkak të pandemisë që na ka prekur të gjithëve, por që gjithashtu i ka dërrmuar disa prej nesh.
Prandaj, ngjarja hapëse e këtij viti do të jetë ndryshe po ashtu. Bashkë me bursistë nga cikli i parë, i dytë dhe i tretë dëshirojmë të diskutojmë se pse këto histori kanë veçanërisht rëndësi në rrethanat e sotme dhe se çfarë do të thotë të jesh gazetar që mbulon të drejtat e njeriut në një kohë kur edhe gazetaria edhe të drejtat e njeriut po sfidohen dhe cenohen. Ndërsa informatat po mbahen fshehur dhe dhuna po izolohet në sferën private, çfarë roli luan gazetaria?
Për të biseduar rreth këtyre çështjeve, kemi ftuar katër bursistë:
- Besnik Boletini (bursist i ciklit të parë dhe redaktor i ciklit të tretë)
- Shqipe Gjocaj (bursiste e ciklit të dytë)
- Bekë Veliu (bursist i ciklit të dytë)
- Saranda Ramaj (bursiste e ciklit të tretë)
Fjalë hyrëse: Përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë;
Diskutimi do të moderohet nga Besa Luci, kryeredaktore e K2.0;
Ky diskutim do të mbahet online dhe do të transmetohet më 10 dhjetor, prej orës 17:30 në faqen e K2.0 në Facebook.
Për përkthim në gjuhën serbe dhe angleze, ju lutem na shkruani në mesazh.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.