Gjatë muajve të fundit, imazhet dhe raportimet nga ShBA-ja po shfaqin një sistem në dërrmim e sipër. Me numrin më të lartë të vdekjeve prej COVID-19, 41 milionë të papunë, prospekte të zymta ekonomike dhe vazhdimësi të papenguar të dhunës policore dhe racizmit sistematik, miti jetëgjatë i jashtëzakonshmërisë së vendit është shkundur deri në thelb.
Krizat e shumta dhe të ndryshme kanë arritur buzën e greminës me vrasjen e George Floyd në Mineapolis. Incidenti i zënë me video shkaktoi zemëratë dhe ndezi protesta masive që po vazhdojnë anekënd vendit.
Me një president që mbështet haptas thyerjen e dhunshme të protestave, përgjigja e të cilit përfshiu një fotografi të çoroditur duke mbajtur biblën para një kishe të blinduar me dërrasa, a mundet Amerika vërtet ta ndryshojë kahjen para se të bëhet vonë?
Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Nju-Jorkut për t’iu bashkëngjitur të tjerëve në ShBA në protestat kundër racizmit dhe dhunës policore. Foto: Amir Husak.
Përtej kësaj, çfarë ndikimi do ta kenë këto zhvillime në rrafshin ndërkombëtar, ku përpjekje të tjera kundër racizmit dhe dhunës policore bëhen çdo ditë?
Problem i gjithkujt
Padrejtësia sociale dhe supremacia e bardhë nuk janë dhe s’kanë qenë kurrë probleme vetëm amerikane. Edhe pse kontekstet dhe trajektoret historike dallojnë dukshëm, Ballkani dhe e tërë Evropa duhet të ballafaqohen me bashkëfajësinë e tyre në shtypjen e dhunshme të minoriteteve racore dhe etnike.
Sikur COVID-19, dhuna policore dhe racizmi janë sëmundje të përhapura që duhet t’iu kundërvihemi me vrull dhe vendosmëri. Protestat në ShBA mund të shërbejnë si frymëzim për t’i fuqizuar zërat rajonalë të të shtypurve dhe pikësëpari për t’i sfiduar politikat katastrofale të migracionit në Bashkimin Evropian dhe policimin racist që kanë shndërruar Detin Mesdhe dhe Gadishullin Ballkanik në një varrezë masive për mijëra njerëz që kërkonin jetë më të mirë.
Është po ashtu me rëndësi të kujtojmë, siç na thotë Michelle Alexander, se drejtësia racore nuk do të arrihet pa transformimin e sistemeve ekonomike. Ndërsa ecim përpara, duhet të adresohet dëmi i shkaktuar prej politikave shtrënguese shumëvjeçare, ndërprerjes se shërbimeve shoqërore e publike dhe shfrytëzimit të shfrenuar të punës.
Është koha për të ndërtuar solidaritete të shumta.
Protestat funksionojnë!
Shfinancimi i departamenteve policore dhe shfuqizimi i legjislacionit që mbron zyrtarët policorë — propozime që janë parë si tejet të skajshme dhe periferike për të ndodhur — tash po bëhen realitete për shkak të protestave.
Ç’është e vërteta, portestat e tanishme mund të jenë shansi më i mirë që Amerika të çlirohet prej kapjes së supremacisë së bardhë dhe padrejtësisë racore.
Ky momentum — po parafrazoj Keeanga-Yamahtta Taylor — është i jashtëzakonshëm për nga solidariteti i grupeve të ndryshme racore dhe është i ndërtuar mbi një themel të punës madhështore paraprake të lëvizjes Black Lives Matter (Jetët e Zeza Vlejnë).
Edhe të tjerët kanë nisur të vënë re.
Pyetja qëndron: si do t’i transformojnë protestat pjesët e tjera të botës? Foto: Amir Husak.
Gjithandej botës, njerëzit po tubohen dhe po marshojnë në mbështetje të protestave. Disa ditë më parë, rrugët e Londrës, Berlinit, Parisit, Adelajdes dhe të shumë qyteteve të tjera u mbushën me protestues që, në shenjë solidariteti, thirrën: Black Lives Matter! Disa po e përdorin këtë mundësi për ta identifikuar dhe për ta dënuar racizmin në mesin e tyre, duke i sfiduar narrativat e zbardhura dhe duke bërë thirrje për dekolonizim.
Në Bristol për shembull, protestuesit shembën statujën e tregtarit famëkeq të skllevërve Edward Colston dhe e hodhën në Limanin e Bristolit. Në Australi, protestuesit tërhoqën vëmendjen drejt profilizimit racor dhe dhunës policore ndaj indigjenëve, shumë prej të cilëve kanë vdekur në mbajtje policore gjatë viteve të fundit.
Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin ku, paradoksalisht, disa nga nismat më të rëndësishme për të drejtat e njeriut janë mbështetur nga institucionet, agjencitë qeveritare, OJQ-të dhe programet ndihmëse nga ShBA-ja?
Dhuna policore, paragjykimi dhe “qytetet e rrënuara”
Ballkani ka formën e vet të veçantë të racizmit dhe dhunës policore që përdoret kundër trupave të zinj dhe të kafenjtë. E ngjashmja e shumicës së vendeve të rajonit është pikësëpari historia e gjatë dhe e turpshme e diskriminimit dhe dhunës ndaj komunitetit rom.
Si grup i përndjekur vazhdimisht, romët kanë vuajtur nga diskriminimi ekonomik, politik dhe shoqëror prej qeverive rajonale në të tashmen dhe të kaluarën.
Racizmi i institucionalizuar ndaj romëve është i vërejtshëm në diskriminimin gjyqësor dhe në sulmet e dhunshme policore kudo në Ballkan. Në këtë kontekst, është po ashtu me rëndësi të shënohet normalizimi i llojeve të ndryshme të shtypjes ndaj minoriteteve të tjera etnike dhe grupeve LGBTQ+ në mënyrë të papenguar.
Që nga viti 2015 kemi parë po ashtu dhunë të rëndë policore ndaj emigrantëve që kalojnë tranzit nëpër të ashtuquajturën Udhë Ballkanike. Raportimet për abuzime kanë ardhë nga secili vend i rajonit, por për hir të kohës do të flas kryesisht për gjërat që po ndodhin në Bosnjë dhe në Kroaci, dhe për atë se për çfarë kam qenë dëshmitar vetë.
Vuçjaku, një kamp i stisur në Bosnjë që ekziston tash e gjashtë muaj, është fytyra e shëmtuar e politikave të migracionit në Evropë. Foto: Amir Husak.
Emigrantët, shumica e të cilëve ikin nga konflikti dhe varfëria në Lindjen e Mesme, në Afrikën Qendrore dhe në Azinë Jugore, gjejnë veten të kurthuar mes kufijve nën mëshirën e shkopinjve të policisë, operativëve të dyshimtë të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (ONM) dhe turmave të zemëruara vendase.
Punëtorët e organizatave ndihmuese, personeli mjerkësor dhe zyrtarët e OKB-së tregojnë për shpërdorim dhe dhunë sistematike të kryer nga policia, që lë emigrantët të vjedhur, të rrahur dhe të turpëruar në mënyrat më shqetësuese.
Incidentet ku emigrantët janë goditur me armë dhe janë lënduar tashmë janë bërë ndodhi të zakonshme, përfshirë lëndimin e rëndë të dy fëmijëve emigrantë nga policia kufitare kroate në maj të vitit 2018.
Verën e kaluar, imazhet dhe raportimet nga Vuçjaku, kampi i hapur famëheq në veriperëndimin e Bosnjës, vërtet mishëruan edhe fatkeqësinë e emigrantëve, edhe çnjerëzinë e autoriteteve lokale.
Përveç grupeve të punëtorëve zemërdhembshur ndihmës si dhe vullnetarëve dhe aktivistëve lokalë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKQ), askush në fakt nuk çau kokën për kushtet e rënda të kampeve.
E ndodhur në një ish-deponi në dalje të Bihaqit, e rrethuar me fusha të minuara (që kanë mbetur nga lufta e viteve të 90-ta) dhe me një pyll të dendur, ky kamp i stisur është ngritur nga qeveria lokale për ta zgjidhur “problemin e emigratëve” në rajon”, pra, për t’i hequr me dhunë emigrantët nga zona e qytetit.
I ruajtur nga policia dhe pa ujë të rrjedhshëm dhe rrymë, kampi u shndërrua në një purgator të njëmendtë dhe shumë shpejt arriti një gjendje emergjente. Pas gjashtë muajsh operimi, Vuçjaku më në fund u mbyll në dhjetor të vitit 2019. Por kriza humanitare nuk u zgjidh.
Kjo situatë vazhdon të marrë jetë ndërsa emigrantët përballen me stërlodhje dhe lëndime të shkaktuara nga dhuna policore, kushtet e këqija të strehimit, aksidentet, grindjet fizike dhe shumë lloje sëmundjesh.
Përgjatë pesë viteve të fundit, trupat e shumë emigrantëve janë varrosur në varrezat, fushat dhe pyjet lokale, duke e shënuar peizazhin tashmë të njollosur me tmerret e një tragjedie të radhës.
Përveç kësaj, portretizimet e vrerta të emigratëve nga mediat vetëm sa e keqësojnë situatën dhe shpesh e shndërrojnë racizmin lokal të fshehur në shprehje të plota të dhunës dhe urrejtjes.
Me COVID-19, shtrirja dhe thellësia e krizës vazhdon të zgjerohet. Së fundi — ndoshta pa vetëdije për ngjashmëritë e forta mes popullizmit djathtist të ShBA-së dhe atij të vendeve të tjera — të famshmit e shoubizit rajonal kanë shpallur planet për kandidime politike në mënyrë që t’i frenojnë migrantët ndërsa “shkatërrojnë qytetet tona”.
Thuajani emrin
Njëri nga çastet më prekëse dhe të fuqishme në protestat e ShBA-së janë thirrjet grupore të emrave të atyre që kanë vuajtur në duart e policisë: George Floyd, Breonna Taylor, Ahmaud Arbery… lista është e gjatë. Tepër e gjatë.
Emrat e atyre që kanë vuajtur nga dhuna policore mund të shihen dhe dëgjohen kudo. Foto: Amir Husak.
Thirrja e emrave të tyre nuk do t’i sjellë sërish në jetë, por është e nevojshme për t’i promovuar rrëfimet e tyre, për ta ditur se kush janë dhe përse kanë pësuar një fat kaq të tmerrshëm.
Përveç nderimit të jetëve të humbura, thirrjet janë po ashtu apele therëse për drejtësi.
Të mos harrojmë se Udha Ballkanike ka listën e vet tragjike të emrave. Në protestën që u organizua në mbështetje të Black Lives Matter në Zagreb para disa ditësh, një grua e re mbante një pankartë që thoshte: “Drejtësi për Madina Hussiny”, një vajzë gjashtëvjeçare nga Afganistani që u vra nga një tren pasi grupi me të cilin qëndronte u shty në anën tjetër të kufirit nga policia kroate.
S’mund të mos pyetësh, sa prej nesh e njohim atë emër dhe çfarë kuptimi ka ai për ne?
Imazhi i ballinës: Amir Husak.