Blogbox | Rinia2020

Gjendja shpirtërore e Kosovës

Nga - 07.08.2020

Përse rinia po kërkon të ikë?

Toka ekziston tash e 4.5 miliardë vjet, kurse njerëzit kanë 2 milionë vjet që rrojnë në të. Gjatë kësaj kohe, njerëzit kanë evoluar vazhdimisht dhe janë shtuar në mënyrë eksponenciale deri në kohën e sotme. Ndër ndarjet e tjera, bota pjesëtohet gjeografikisht në shtatë kontinente dhe politikisht në 195 shtete.

Kjo do të thotë që, pasi njerëzimi ka ekzistuar për miliona vjet, ti sillesh në këtë botë dhe të jepet një emër e të vishen identitete të tjera. Ti po ashtu lind në një nga 195 shtetet dhe pranon identitetin e një kombi, ku një numër i caktuar i njerëzve rritet dhe jeton se paku gjatë pjesës së parë të jetës, kurse në disa raste për tërë jetën.

Disa përpiqen të gjejnë mundësi më të mira për punë, kurse disa të tjerë duan t’u bashkohen familjarëve jashtë vendit. E, për njerëz të tjerë të caktuar, arsyeja mund të jetë më e thellë dhe më personale.

Varësisht nga kultura dhe shteti ku lind, pritet të orientohesh përmes të mirave dhe të ligave dhe ndërkohë dëgjon që njerëzit e tjerë kërkojnë të jesh patriotik dhe krenar për mënyrën si je rritur. Për fat të keq, shumë njerëz nuk ndihen se identiteti i tyre i vërtetë përputhet me kulturën ku kanë lindur dhe duke pasur parasysh çështjet e tjera sikur korrupsioni në qeveri dhe ekonomia e dobët, vetëm një gjë rëndon në mendjet e këtyre njerëzve: ta lënë vendin sa më shpejt për ta kërkuar një të ardhme më të mirë.

Kosova është një ndër shtetet më të reja të pavarura në botë dhe ka një histori të pasur kulturore, si dhe një truall që shumë njerëz janë flijuar për ta mbrojtur. Ne jemi këtu për shkak të sakrificave fisnike të grave dhe burrave të cilët kanë dhënë jetën për lirinë që gëzojmë. Megjithëkëtë, gjendja e vendit dhe popullit tonë tashmë është sigurisht më pak e dëshirueshme për një varg arsyesh.

Nuk ka thjesht të bëjë me ekonominë

Pak qytetarë janë të kënaqur me pozitën e vendit tonë tani dhe shumë prej tyre po lypin mënyra për të dalë. Por varësisht nga personat që pyet, arsyeja ose arsyet dallojnë njëra prej tjetrës. Disa përpiqen të gjejnë mundësi më të mira për punë, kurse disa të tjerë duan t’u bashkohen familjarëve jashtë vendit. E, për njerëz të tjerë të caktuar, arsyeja mund të jetë më e thellë dhe më personale.

Si vend thellësisht patriarkal, fetar dhe që paraqitet si i bardhë, Kosova vuan nga shumë probleme shoqërore. Ka pak vende të tjera që trajtojnë pakicat me aq nëpërkëmbje sa Kosova; kjo është për shkak të racizmit sistematik, injorancës së përgjithshme dhe racizmit të pastër. Mandej është mizogjinia e zakonshme që ka qenë e gjithmbarshme në historinë e vendit dhe, paçka se gratë kanë më shumë liri dhe mundësi se kurrë më parë, barazia gjinore është ende shumë larg.

Grupi i tretë që po ashtu është keqtrajtuar dhe është shpërfillur është komuniteti LGBTQ+. Edhe pse situata qartazi është përmirësuar përgjatë viteve edhe në këtë front, duke pasur parasysh mbajtjen e përvitshme të Paradës së Krenarisë nga viti 2016, opinioni i popullatës së përgjithshme duhet të ndryshojë më shumë nëse duam barazinë. Pra, tash që kemi një lloj ideje për problemet me të cilat përballen individëd kur lindin dhe rriten në Kosovë, le të shkojmë pakëz më thellë në atë se si duket jeta e një personi kur ballafaqohet me disa nga këto fobi anekënd vendit.

“Ana” rrëfen historinë tonë

Le ta marrim si shembull një person të trilluar, por të besueshëm, të quajtur Ana, e cila është një vajzë 18 vjeçe e lindur dhe e rritur në Prizren, ku është në përfundim të vitit të fundit të shkollës së mesme dhe planifikon të diplomohet pas dy muajsh. Ana është grua e bardhë dhe queer* që kurrë nuk është ndier rehat në shtëpi ose kudo tjetër.

Refuzimi dhe pamundësia për t’u zhvilluar dhe për t’u përshtatur me vendet më përparimtare është arsyeja përse shumë të rinj kanë përshtypjen se nuk mund të marrin frymë mirëfilli.

Kjo është sepse familja e saj është shumë fetare dhe kurrë nuk do ta pranonte identitetin e saj queer, ndërsa në anën tjetër, edhe pse është mjaft e re, ajo ka përjetuar mizogjininë gjatë gjithë jetës së saj. Prej familjes deri te shokët e shoqet e klases, ajo asnjëherë nuk është ndier e mirëpritur në asnjë vend si vetvetja e saj, pra për t’u orientuar në këtë situatë ajo jeton me një identitet të shtirë prej ditës së parë të jetës shoqërore.

Teksa është në shtëpi mendon vetëm të dalë dhe kur del mendon vetëm ta lë shtetin për një vend tjetër ku mund të jetojë si vetvetja e saj e njëmendtë. Ajo kupton privilegjin e të qenit e bardhë sepse po të kishte lindur me një ngjyrë tjetër, jo vetëm që do të përballej me racizmin këtu, por thuajse kudo tjetër që do të shkonte në botë.

I është thënë se nuk mund t’i bëj disa gjëra dhe i janë mohuar disa dëshira sepse duhet “të sillet si vajzë e mbarë” dhe ta gjejë një burrë për martesë, ndaj të cilit duhet të jetë e bindur dhe t’ia lind fëmijët, ndërsa vetë plaket brenda shtëpisë duke kryer rangë dhe duke i shërbyer atij dhe familjes së tij, sikur një burrë i pjekur nuk mund të kujdeset fare për vetveten.

Për Anën dhe njerëzit sikur ajo, Kosova është vend jo aq ideal për jetë për disa arsye. Ky është realiteti që shumë njerëz, sidomos brezat e rinj, e përjetojnë çdo ditë duke jetuar në një vend të mbrapshtë me mentalitet të prishur dhe të vjetruar.

Vënia e vetes në rrezik për një shans më të mirë

Refuzimi dhe pamundësia për t’u zhvilluar dhe për t’u përshtatur me vendet më përparimtare është arsyeja përse shumë të rinj kanë përshtypjen se nuk mund të marrin frymë mirëfilli.

Dështimi i vazhdueshëm për të pasur liberalizim të vizave, korrupsioni dhe gënjeshtrat e qeverisë i kanë rraskapitur shumë njerëz dhe i kanë shtyrë të kërkojnë ndryshim. Braktisja e vendit natyrisht nuk garanton që jeta do të përmirësohet menjëherë, por njëmend ofron më shumë mundësi dhe si popull jemi të varfër në këtë drejtim. “Shansi për një jetë më të mirë” është një nga mundësitë më intriguese që mund të ta presin rrugën, njerëzit e dinë që garancia nuk ekziston, por ata janë të gatshëm të vënë shumë gjëra në rrezik për të pasur diçka më të mirë dhe më të sigurt.

Këtë sigurisht nuk e them për t’i bashkuar të gjithë qytetarët në një thes meqë ka njerëz që janë shumë të lumtur me jetën në Kosovë ashtu siç është tash. Ata madje mund të zemërohen nëse u tregon se ke në plan ta lësh vendin, por ideja është që njerëzit mund ta mbajnë litarin vetëm për një kohë të caktuar, dhe kjo kohë po harxhohet për disa.

Nuk mund ta fajësosh dikë që do diçka më të mirë në një vend tjetër, sepse në fund të fundit, për kaq po bëhet fjalë; një shans për diçka më të mirë në një vend me kushte më të mira të jetesës. Kësaj i thonë thjesht të qenët njeri dhe të pasurit standarde.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

*Shënim nga përkthyesi: Queer (shqiptohet kuir, me i të gjatë) është identitet gjinor apo seksual që nuk përputhet me idetë tradicionale të gjinisë apo seksualitetit, sidomos me normat heteroseksuale.