Blogbox | BiH

Gjeopolitika e luftës së parashikuar

Si zërat e njerëzve në Bosnje dhe Hercegovinë janë bërë të parëndësishëm.

Në muajin e fundit apo aty diku, Bosnja dhe Hercegovina (BeH), fillimisht me hezitim, dhe pastaj dukshëm, u rikthye në mediat globale. Siç duket, një luftë e re është gati të shpërthejë. Të paktën kështu thonë titujt: “Bosnja është në prag të shpërbërjes”, “Kriza në Bosnje dhe Hercegovinë po intensifikohet”, “Nëse ngurrojmë, Ballkani do të shpërthejë prapë” dhe vazhdojnë.

Por në këtë kakofoni zërash që zgjojnë luftë, a e dini se kush nuk po e konsideron luftën as si opsion? Qytetarët që jetojnë aty.

Njerëzit e BeH janë kureshtarë të dinë se çfarë dinë elitat kurse ata jo, apo nëse kjo është pjesë e trendit të ri të të vërtetave të dyshimta të krijuara përmes lajmeve të rreme. Nuk jemi naivë kur e themi këtë. E morëm mësimin në vitet e 90-ta, kur lufta filloi, pavarësisht bindjeve tona se ishte e pamundur. Por këtë herë thjesht nuk ka asnjë arsye që mund t’i motivojë njerëzit të shkojnë në luftë.

Prodhuesit e krizës

Elitat e korruptuara etno-nacionaliste në BeH kanë dëshmuar gjatë viteve se krejt çka u ka interesuar ndonjëherë është përfitimi i tyre personal. Këtë e dinë të gjithë. Është e vështirë të imagjinohet se në këtë vend ka ende prej atyre që janë të përgatitur të shkojnë në luftë për këta njerëz. Nëse krijohen kushtet për luftë, nuk do të jetë nga duart e popullit të BeH.

Zhurma e fundit për një luftë të mundshme ka një burim.

Elitat etno nacionaliste kanë krijuar edhe një krizë tjetër në vargun e gjatë të krizave dhe konflikteve të krijuara që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit (MPD) në fund të vitit 1995. Kësaj here, ndoshta, duket më serioze se herët e mëparshme. Por kur një vend është në një gjendje të përhershme krize, atëherë çdo krizë e re që prodhohet duhet ta kalojë atë të mëparshmen. E vetmja konstante është se elitat e ruajnë teknikën e tyre të destabilizmit të situatës si rrugë për të kërkuar më shumë pushtet.

Dinamika ku etno-nacionalistët prodhojnë krizë dhe komuniteti ndërkombëtar i pranon kërkesat e tyre është po aq e vjetër sa MPD-ja.

Në nivel entiteti (MPD-ja e ndan vendin në dy entitete dhe një qark), institucionet e Federatës së BeH janë të bllokuara që nga zgjedhjet e fundit të vitit 2018, por meqë zgjedhjet e reja po afrohen në tetor të vitit 2022, etno-nacionalistët kanë vendosur ta ngrisin volumin dhe ta zgjerojnë bllokadën në institucionet shtetërore. Institucionet e Republikës Serbe nuk janë të bllokuara sepse kontrollohen nga një njeri i vetëm: Milorad Dodik, dikur politikani i preferuar i Perëndimit në vend, sot i parë si problemi më i madh.

Për momentin, në nivel shtetëror Këshilli i Ministrave, Asambleja Parlamentare dhe Presidenca trepalëshe janë të bllokuara nga etno-nacionalistët serbë. Dinamika ku etno-nacionalistët prodhojnë krizë dhe komuniteti ndërkombëtar pranon kërkesat e tyre është po aq e vjetër sa MPD-ja.

Nën kuadrin e MPD-së, BeH e pasluftës u shndërrua në një vend dominimi neokolonial. Në këtë dinamikë, bashkësia ndërkombëtare u fut në çdo aspekt të shoqërisë dhe mori pushtetet e gjera, por megjithatë i përgjigjet çdo teke të elitës etno-nacionaliste duke u dhënë atyre veç pak më shumë hapësirë, pak më shumë pushtet për të ushtruar mbi ne. Në këmbim, komuniteti ndërkombëtar duhet ta luajë paqeruajtësin dhe ta bëjë atë që e bën më së miri ​​— të imponojë kapitalizmin neoliberal, të fitojë qasje në tregun e vendit tjetër, ta përvetësojë një lumë apo një minierë tjetër, ta komodifikojë edhe një jetë tjetër.

Kjo ka lejuar që jo vetëm disa elita dhe korporata politike të përfitojnë, por edhe rivaliteti gjeopolitik global të zhvillohet brenda strukturave të brendshme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit.

Thirrjet për luftë

Si një shfaqje e ushtruar mirë, komuniteti ndërkombëtar i përgjigjet me nxitim krizës së prodhuar nga etno-nacionalistët. Kjo përgjigje vetëm sa krijon më shumë tensione. Në këmbim, këto tensione ofrojnë arsyetime shtesë si për elitat etno-nacionaliste ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar që të qëndrojnë në pushtet edhe për një kohë të pacaktuar.

Akoma më keq, MPD-ja dështoi krejtësisht në pajisjen e BeH me zgjidhje të mundshme për t’u marrë me ndërhyrjen agresive të Serbisë dhe Kroacisë në punët e brendshme të BeH.

Duke qenë nënshkrues të marrëveshjes së paqes, por pa asnjë detyrim që të paguajnë dëmshpërblime apo që të pranojnë përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë për përpjekjen gjatë kohës së luftës për ta copëtuar BH-në, përkundrazi janë inkurajuar t’i vazhdojnë agjendat e tyre ekspansioniste. Nën pretendimin se janë roje të MPD-së, i japin vetës të drejtën të përzihen në punët e brendshme të BeH. Ndërhyrja e tyre çdo herë nënkupton mbështetje për projektet etno-nacionaliste.

Shpesh është pretenduar se vetëm akterët ndërkombëtarë mund të na shpëtojnë nga vetja.

Të tria palët që flirtojnë me kufirin përfitojnë edhe nga rrëfimi orientalist që historiania Maria Todorova e quajti ballkanizëm. Si pjesë e fenomenit të ballkanizmit është edhe shikimi i dhunës dhe ndarjeve si të natyrshme dhe të ngulitura thellë në psikikën e popullatës ballkanike. Ballkanizmi përdoret rregullisht si një arsyetim nga elitat ndërkombëtare për ta mbajtur pjesën e tyre të pushtetit, duke u paraqitur si lehtësues midis vendasve të cilët supozohen si të pacivilizuar dhe portretizohen si të dhunshëm, të egër dhe në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin.

Shpesh është pretenduar se vetëm akterët ndërkombëtarë mund të na shpëtojnë nga vetja. Këto pretendime çdoherë, dhe vetëm, e kanë kuptuar kontekstin e BeH në prizimin e antagonizmit etnik. Dhe sigurisht, elemente të ndryshme të ballkanizmit përdoren nga elitat etno-nacionaliste dhe mentorët e tyre gjithnjë të pranishëm nga vendet fqinje. Kur u duhet të rrëmbejnë më shumë burime dhe pushtet publik apo natyror, e pohojnë zellshëm këtë tregim.

Me çdo krizë komuniteti ndërkombëtar dhe elitat etno-nacionaliste vazhdojnë ta mundësojnë njëri-tjetrit, të veprojnë në koordinim dhe të insistojnë në ruajtjen e strukturave politike dhe ekonomike të krijuara nga dhuna e luftës. Flasin dhe negociojnë vetëm me njëri-tjetrin, kryesisht në godinën e Delegacionit të BE-së apo rezidencat e ambasadorëve, duke shmangur kujdesshëm edhe vizitat në institucionet e BeH.

Më të kujdesshëm tregohen që mos t’i pyesin njerëzit e BH se çfarë mendojnë. Në vend të kësaj, u pëlqen të na tregojnë se çfarë mendojmë, duam apo kemi nevojë.

Arti i injorimit

Anëtarët e nderuar të komunitetit ndërkombëtar duket se dinë më mirë se të gjithë njerëzit e BeH së bashku. Diplomatët e klasit të dytë, anëtarët individualë të parlamentit të BE-së, përfaqësues të ndryshëm specialë, parlamentet e vendeve të tjera, Përfaqësuesit e Lartë aktualë dhe të vjetër dhe institucionet e krijuara nga MPD-ja, të gjithë po na sigurojnë se jemi në prag të një luftë të re.

Zërat e qytetarëve që jetojnë në BeH duken të parëndësishëm (përsëri!).

Me sa duket, diçka duhet bërë për ta ndaluar BeH çdoherë problematike të zhytet në gjakderdhje të tjera. Propozimet variojnë nga sanksionet, ndryshimet në Kushtetutë dhe Ligjin Zgjedhor, deri tek ndërhyrja e NATO-s. Gjermanët, britanikët, rusët, amerikanët, turqit, deputetët e BE-së, epo, gati se të gjithë kanë nxituar të na demonstrojnë ekspertizën e tyre dhe të na sigurojnë se na duan të mirën.

Por nëse dëgjoni me vëmendje se çka thonë disa nga njerëzit e BeH, të paktat hera që u jepet hapësirë për të folur, do të dëgjoni se nuk duan të nisin luftë, se boshnjakët dhe hercegovinasit nuk janë më të gatshëm të marrin armë. Por duket sikur bashkësia ndërkombëtare (së bashku me homologët e tyre etno-nacionalistë dhe rajonalë) janë të shurdhër ndaj asaj që ne po e themi.

Në vend të kësaj, vazhdojnë ta përsërisin, pothuajse duke brohoritur: luftë, luftë, luftë. Është thellësisht traumatizuese. Por më shumë se kaq, është tmerrësisht zemëruese.

Zërat e qytetarëve që jetojnë në BeH duken të parëndësishëm (përsëri!). E shohim të njëjtën shpërfillje ndaj zërave tanë si gjatë negociatave për MPD-në. Duket se nuk arrijmë të dëgjohemi kundrejt kakofonisë së tre elitave, njëra etno-kombëtare, tjetra ndërkombëtare dhe e treta nga vendet fqinje. Në të njëjtën formë e kanë ndihmuar krijimin dhe mbështetjen e njëri-tjetrit gjatë luftës së viteve 1992-1995, ndërsa në periudhën e pasluftës po vazhdojnë lojërat e tyre.

Nuk mund të mos e pyesim veten: a po përpiqen të nxisin luftë?

Sepse një gjë është e sigurt. Nëse BeH nuk përdoret si shesh lojërash për betejat gjeopolitike globale midis NATO-s/BE-së dhe Rusisë, ShBA-së dhe Kinës, nuk do të ketë luftë në BeH. Njerëzit e BeH nuk duan luftë.

Çfarë njerëzit duan është një jetë të denjë, ajër dhe ujë të pastër, ushqim dhe strehim të përballueshëm. Duan t’i planifikojnë pushimet e tyre. Duan t’i lënë pas vitet e luftës.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.