Është ora 09:00, data 3 prill 2023. Përshpëritjet e dhjetëra gazetarëve e familjarëve i ndalë ngritja e perdes në galerinë e mysafirëve të ndërtesës me dritare ngjyrë portokalli, në rrugën “Raamweg 47”, në Hagë.
Pas perdes shfaqet një dhomë e mbushur plot me njerëz. Vëmendja menjëherë shkon në anën e djathtë, te bankat e të akuzuarve. Aty qëndrojnë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.
Selimi kthen kokën shpesh kah galeria në drejtim të bashkëshortes, Shqipe Mehmeti-Selimi. Edhe Krasniqi e Veseli kohë pas kohe i takojnë sytë me njerëzit e tyre të afërt. I vetmi që nuk kthehet asnjëherë kah galeria është Thaçi. E gjithë sy e vesh kah ai janë dikur bashkëpartiakët e tij, Memli Krasniqi, tani kryetar i PDK dhe Uran Ismaili e Ableard Tahiri, deputetë të kësaj partie, që qëndrojnë ulur me të tjerët në galeri.
Gresa Krasniqi, e bija e Krasniqit, përcjell me vëmendje zhvillimet poshtë në gjykatore. Dita e parë ishte e tëra e Prokurorisë, e cila për pesë orë renditi të gjitha akuzat e pretenduara për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” për ish-udhëheqësit e UÇK.
Por, fillimisht katër të akuzuarit deklarohen për versionin e fundit të redaktuar të aktakuzës.
“Jam plotësisht i pafajshëm”, thotë Thaçi, pasi ngritet në këmbë. “Shpreh pakënaqësinë time për shtyerjen e nisjes së gjykimit. Jam tërësisht i pafajshëm”, thotë Veseli. Vazhdon Selimi: “E kuptoj aktakuzën. Deklarohem plotësisht i pafajshëm për të gjitha pikat”. Më së shumti nga ta flet Krasniqi, “Unë nuk e kuptoj aktakuzën, sepse nuk kam asnjë përgjegjësi për krimet që më përshkruhen. Jam plotësisht i pafajshëm”.
Vëmendja bartet në anën tjetër të gjykatores, te Prokurori i Specializuar, i cili qysh në fillim i përshkruan katër burrat përballë tij si prijës të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”. Ai numëron viktimat e shfaq pamje nga vendet ku pretendohet se qindra serbë, shqiptarë dhe të tjerë janë torturuar dhe vrarë në Kosovë, në luftën e viteve 1998-1999.
Në galeri dëgjohen ofshama.
Historik i gjatë e kontravers
Historia kontraverse me Dhomat e Specializuara, që nisi punimet më 3 prill, e ka fillin tek para më shumë se një dekade.
Në dhjetor 2010, doli raporti i titulluar “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi me organe në Kosovë”, me autor ish-senatorin zviceran, Dick Marty, i përgatitur për Komitetin për Çështje Juridike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE). Marty ishte prokuror i shtetit të Ticinos dhe bëri emër në vitet 2006-2007 kur hetoi e përpiloi dy raporte për kampet e supozuara të torturës të CIA në territorin e shteteve anëtare të KE.
Në janar 2011, raporti i tij për Kosovën u miratua në Asamblenë Parlamentare të KE, në bazë të pretendimeve se ishin kryer krime të rënda gjatë luftës në Kosovë. Menjëherë pas miratimit të raportit, Misioni i Sundimit të Ligjit i BE në Kosovë, EULEX, themeloi Task Forcën Speciale Hetuese, e cila filloi të hetonte çështjet e ngritura në raport.
Ndërkohë, EULEX kishte trashëguar 1,200 lëndë për krimet e luftës nga UNMIK, gati gjysmën e të cilave i hodhi poshtë. Sipas hulumtimit të vitit 2020 “Aministia e Krimeve të Luftës në Kosovë”, hartuar nga Instituti Kosovar për Drejtësi, nga viti 2008 deri në vitin 2014 kur kishte kompetenca ekzekutive, EULEX ka ngritur aktakuza për krime lufte kundër 39 shqiptarëve, 11 serbëve, 1 malazezi dhe 1 romi.
Në korrik të vitit 2014, Task Forca e EULEX shpalli për herë të parë se, në hetimet e tyre, kishin gjetur prova të fuqishme, të cilat do t’u mundësonin të ngritnin aktakuza kundër disa ish-zyrtarëve të lartë të UÇK, në lidhje me pretendimet për krimet e përmendura në raportin e KE.
Komuniteti ndërkombëtar këmbënguli në krijimin e Gjykatës Speciale nga Kosova, duke përsëritur shpesh argumentin se nëse Kosova nuk e formon Gjykatën, kjo do të mund të ndodhte nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Pas shumë muajsh përpjekjesh e presioni të jashtëzakonshëm, në korrik 2015, u votua për formimin e asaj, që u quajt fillimisht Gjykata Speciale e që e ka emrin zyrtar Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë të Holandës.
Shumica e deputetëve të partive në pushtet në atë kohë, PDK dhe LDK si dhe deputetët e Listës Serbe bashkë me ata të grupit të minoriteteve jo-serbe 6 +, krijuan ⅔ të votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese –– të domosdoshme për krijimin e një Gjykate të këtij lloji.
Më pas, në gusht të vitit 2015 u miratua një ligj për themelimin dhe rregullimin e organizimit, funksionimit dhe juridiksionit të këtij mekanizmi të ri — Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas këtij ligji, Dhomat e Specializuara do të kenë jurisdiksion vetëm për krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës sipas ligjeve ndërkombëtare, si dhe krimet që kanë lidhje me raportin e Dick Marty dhe pretendimet e tij për “krime të rënda ndërkufitare dhe krime ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”.
Po ashtu, jurisdiksioni kufizohet vetëm në krimet, të kryera nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
Themelimi i Gjykatës Speciale u prit me emocione e reagime të përziera dhe për një kohë të gjatë mbeti një nga temat më kontraverse në Kosovë. Një përpjekje për ta zhbërë këtë Gjykatë u ndërmor nga PDK, AAK dhe NISMA, të cilat më 23 dhjetor 2017 tentuan ta sillnin në votim zhbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale. Kjo përpjekje u bllokua pas presionit të komunitetit ndërkombëtar.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe ambasadorë të tjerë të shteteve të QUINT, shkuan me urgjencë në ndërtesën e Kuvendit, ku takuan përfaqësues të LDK dhe Vetëvendosje, natën vonë për t’u siguruar që ata nuk do të kontribuonin në përpjekjet për zhbërje të Gjykatës. Delawie e quajti përpjekjen si “nata më e rrezikshme e Kosovës së pasluftës”.
Deri në 2020, shoqatat e dala nga lufta nuk ndaluan së kërkuari zhbërjen e Gjykatës as pas këtij tentimi, por hetimet e Speciales vazhduan dhe shpejt diskutimi kaloi në përmendjen e emrave se kush do të jenë të akuzuarit e parë të Gjykatës.
Në qershor 2020, derisa Thaçi ishte rrugës për në Washington, Prokurori i Specializuar e dërgoi në Gjykatë Speciale aktakuzën kundër tij për krime lufte. Me 5 nëntor të po të njëjtit vit, Dhomat e Specializuara publikuan akuzën prej 68-faqëshe për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi, i cili atë kohë ishte president, dha dorëheqje menjëherë atë ditë.
Ata u akuzuan për krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat sipas akuzës, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999.
Në aktakuzë thuhej se midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999, këta të katër dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Pas disa vitesh hetimesh, më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u bartën për në qendrën e paraburgimit në Sheveningen, Hagë. Pas një pritjeje në mbajtje për më shumë se dy vjet, më 3 prill ndodhi paraqitja e tyre e parë për nisjen e gjykimit. Momenti ktheu vëmendjen e opinionit publik kah Haga, me studiot televizive që vluan për një javë me debate për luftën dhe protagonistët e saj.
Proces i gjatë përpara
Të nesërmen, në ditën e dytë të gjykimit Thaçit i jepen pesë minuta për të folur. Ai, përbrenda shtatë minutave thotë: “Iu dëshmua botës se nuk ka pasur trafikim organesh. Lufta na u imponua dhe unë ndiej keqardhje për të gjitha viktimat. Jam plotësisht i pafajshëm”.
Tash ishte koha e mbrojtjes, që nisi të hedhë poshtë pretendimet e Prokurorisë. E përbashkëta e pesë avokatëve ishte argumenti se UÇK nuk kishte hirearki, as Shtab të Përgjithshëm të konsoliduar dhe rrjedhimisht, të akuzuarit nuk mund të mbahen përgjegjës për krimet e supozuara.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), një nga organizatat kryesore jo-qeveritare në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, e ka ndjekur nga afër javën e parë të gjykimit në Hagë. Ai ka treguar për prendimet kryesore të palëve në gjykim.
“Prokuroria përmes dëshmitarëve dhe provave materiale do të mundohet që të dëshmojë se UÇK ka pas një hierarki vertikale dhe do mundohet që ta bëjë ndërlidhjen mes vartësve të cilat i kanë bërë ato veprimet e pretenduara në aktakuzë dhe eprorëve të akuzuar”, tha Alija. “Kurse mbrojtja do të përpiqet që të tregojë të kundërtën se UÇK nuk ka pasur një strukturë të mirëfilltë organizative dhe se shtabi i UÇK nuk ka pasur kontroll efektiv në terren”.
Avokati kosovar, Skender Musa, i licensuar nga Dhomat e Specializuara për përfaqësim potencial të të akuzuarve, mendon se Prokuroria do ta ketë të vështirë ta vërtetojë organizimin hierarkik të UÇK.
“E gjithë aktakuza varet nga sqarimi i mënyrës së komandimit të UÇK dhe shtrirja horizontale e komandës, nga niveli qendror deri në nivelet më të ulëta të strukturave ushtarake. Pa dyshim që kjo do të jetë sfiduese për t’u vërtetuar sepse UÇK nuk ka pasur strukturë komanduese nga lart-poshtë, madje as pjesërisht”, tha Musa.
Sipas tij, UÇK ka qenë një lëvizje guerile e organizuar në mënyrë vullnetare nga qytetarët, nëpër fshatra dhe bashkësi lokale, të cilët nuk kanë qenë në dijeni se kush është komandant i UÇK dhe nuk kanë pranuar urdhëra nga një strukturë komanduese.
Megjithatë, në seancën e parë, më 3 prill, Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, pasi lexoi akuzën e plotë, tha se ky nuk është një proces gjyqësor kundër UÇK.
“Kjo çështje gjyqësore, nuk kërkon të procedojë UÇK. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë. Akuzat ngrihen kundër katër personave…se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin ’98 dhe ’99”, tha ai.
Prokurori tjetër, Mathew Halling, u fokusua se strukturën dhe kompetencat brenda UÇK.
“Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin organizativ, secili nga katër të akuzuarit kishin kompetenca, autoritet dhe ndikim që ua bënë atyre të mundur që të zbatonin dhe të vinin në jetë qëllimin të përbashkët të ushtronin kontroll efektiv”, tha prokurori Halling. “Në këtë gjykim do të jetë e rëndësishme të bëhet dallimi midis asaj që aspironte të bënte UÇK-ja dhe asaj që bëri faktikisht. Në mënyrë që të mbijetonte UÇK duhet të kishte një strukturë të organizuar”.
E përderisa shumë parashikojnë se procesi mund të zgjasë disa vjet në Hagë, Alija i FDHK thotë se ka ende shumë punë për të bërë, kur është fjala për ballafaqimin me të kaluarën.
Sipas tij, nëse përfshihet edhe gjyqësori vendor, në të ardhmen pritet të ngriten ende aktakuza për krimet e luftës në Kosovë kundër profilit të ulët të ushtarëve jugosllavë dhe policëve serbë.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për gjykimet në mungesë pritet të fillojnë edhe proceset gjyqësore në mungesë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj eprorëve serbë për disa prej masakrave në Kosovë”, thotë ai.
Me 2 prill të këtij viti, një ditë para se të niste gjykimi, në Prishtinë protestuan mijëra qytetarë në mbështetje të të katër të akuzuarve. Shumë nga ta protestuan me argumentin që Gjykata është duke e akuzuar luftën e UÇK në tërësi dhe jo vetëm individë të caktuar.
Pikërisht kjo ka bërë që Gjykata Speciale, përgjatë dekadës së fundit, të jetë një çështje kontraverse në Kosovë. Pakënaqësive ndaj saj i ka ndihmuar sidomos mungesa e angazhimit të Serbisë për përndjekjen e kriminelëve të luftës dhe ndëshkimin e krimeve të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) në Hagë për ish-Jugosllavinë gjykoi ish-presidentin serb, Slobodan Milosević dhe gjashtë zyrtarë tjerë të lartë për krime lufte në Kosovë. Pesë nga ta u dënuan, një u lirua nga akuza, ndërkaq Milosević vdiq gjatë gjykimit, në vitin 2006.
Ndërkohë, ndjekjet penale të brendshme në Serbi për krimet e kryera në Kosovë janë të ngadalshme dhe i shmangin zyrtarët e lartë të policisë dhe ushtrisë.
Sipas një raporti të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd e Prishtinë, 13,535 persona janë vrarë ose zhdukur nga janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, duke përfshirë civilë dhe pjesëtarë të forcave të armatosura. Lista e shfaqur në Librin e Kujtimit të Kosovës, përfshinë 10,415 shqiptarë, 2,197 serbë, 529 romë, boshnjakë dhe jo-shqiptarë të tjerë.
Ndërkohë, nuk dihet saktë numri i shqiptarëve të vrarë nga forcat e armatosura serbe gjatë viteve ‘97 – ‘99. Sipas Departamentit të Shtetit të ShBA, dëshmitë tregojnë se gjasat janë që rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës janë vrarë nga forcat serbe. Sipas të të njëjtit raport, gjatë luftës, forcat serbe dhe paramilitarët implementuan një fushatë sistematike për spastrimin etnik në Kosovë. Një tjetër raport i Human Rights Watch, tregon se gjatë kohës së bombardimeve të NATO, rreth 850,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan me forcë nga vendi.
Ndërkohë, gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit i ka paraprirë gjykimi i Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt dhe Salih Mustafës. Në maj të vitit 2022, Gjykata Speciali shpalli fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për medie në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.
Po ashtu, në fund të vitit 2022, ish-komandanti i UÇK, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Gjykata Speciale financohet nga vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera kontribuese si: Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia e ShBA. Deri më tani, në shtatë vitet e fundit, për Gjykatën Speciale janë shpenzuar mbi 275 milionë euro, përfshirë edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Një javë pas fjalëve hyrëse të palëve, Prokuroria ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve të saj, por në seanca të mbyllura. Sipas kalendarit të Hagës, brenda vitit 2023 do të mbahen 81 seanca, me të fundit të planifikuar për 18 dhjetor.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0