Pas një viti të jashtëzakonshëm në të cilin u mbajtën dy palë zgjedhje të cilat e tronditën skenën politike në Kosovë, edhe viti 2018 me sa duket do të jetë plot poterë, meqë veprimtaria e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe konflikti i brendshëm i partive politike pritet t’i shtohen sfidave gjithnjë e më të theksuara politike në vend.
Institucionet politike qendrore vazhduan punën të hënën (15 janar), ndërsa K2.0 i analizoi partitë politike vendore për ta vlerësuar qëndrimin e secilës në fillim të këtij viti kaq të rëndësishëm, duke filluar nga ato që janë pjesë e koalicionit qeverisës.
Humbja dhe ruajtja e pushtetit: Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Partia më me rëndësi në periudhën pas pavarësisë hyri në vitin e ri e dëmtuar dhe e lënduar pas rezultateve të dobëta zgjedhore. Ajo përballet me çështjen e Dhomave të Specializuara, çështje e cila mund ta ndajë partinë nga aleatët e saj tradicionalë ndërkombëtarë, e madje edhe të shkaktojë konflikt të brendshëm.
Viti 2017 ishte vit sfidues për PDK-në. Kryetari i ri i partisë, Kadri Veseli, e udhëhoqi partinë në zgjedhje për herë të parë në qershor, pasi PDK-ja mbështeti një mocion për ta shpërbërë koalicionin e saj qeverisës me LDK-në. Veseli e justifikoi vendimin duke thënë se ai erdhi për shkak të paaftësisë për të marrë “vendime të mëdha” dhe se ka nevojë për një “fillim të ri” – e kjo më pas u bë sllogani i PDK-së në zgjedhjet parlamentare.
Por vendimi i partisë për të formuar koalicion parazgjedhor me AAK-në dhe Nismën ishte pasqyrim i humbjes së pushtetit të tyre. PDK-ja bëri kompromis për kandidatin për Kryeministër me një ofertë bujare për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Në zgjedhje PDK-ja si parti e vetme fitoi 20 ulëse në Kuvend, ndërsa në mandatin e kaluar i kishte 20. Ndonëse rezultat i dobët, koalicioni megjithatë arriti të bëhet entiteti më i votuar politik, duke i mundësuar kështu ta formojë Qeverinë, dhe duke e shpëtuar PDK-në nga një fiasko që do të kishte prodhuar pakënaqësi të brendshme.
Zgjedhjet lokale në tetor e matën pushtetin e vërtetë të PDK-së kur garoi e vetme dhe jo në koalicione të mëdha, meqë fuqia e saj pothuajse u zhduk në nivel komunal. Dikur i qeveriste disa prej komunave më të mëdha në vend, si Prizrenin, Gjilanin, Mitrovicën dhe Vushtrrinë. Tani PDK-ja mbajti pushtetin vetëm në Drenas, Kaçanik dhe Shtime, si dhe ia mori përsëri Ferizajin LDK-së.
Këto rezultate të dobëta duhet të jenë sinjal për lidershipin e ri partiak të PDK-së që sivjet ka nevojë për reforma rrënjësore, meqë ndryshimet kozmetike nuk kanë prodhuar rezultate të mira në vitin 2017. Elektorati nuk i pranoi fytyrat e reja të shërbimit civil dhe të shoqërisë civile, të cilët u përdorën nga PDK-ja si kandidatë në zgjedhjet komunale në Prizren (Shaqir Totaj) dhe Mitrovicë (Valdete Idrizi), pavarësisht përvojës së respektueshme profesionale.
Rezultatet e dobëta zgjedhore nuk kanë qenë e vetmja arsye për shqetësim për këtë parti. Si shumë parti në spektrin politik, edhe PDK-ja ka pasur një vit i cili mund të përcaktohet nga veprimet e Dhomave të Specializuara në Hagë. Në dhjetor, një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për pezullimin e ligjit që e legjitimoi gjykatën u thirr nga 43 anëtarë të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë këtu 20 anëtarë të PDK-së, por seanca nuk kaloi. Kjo ndodhi pavarësisht fakti se votat e PDK-së ishin vendimtare për krijimin e kësaj gjykate në vitin 2015.
Diskursi për Dhomat e Specializuara përfaqëson thyerjen e parë ndërmjet PDK-së dhe komunitetit ndërkombëtar, meqë ambasada e SHBA-ve dhe Grupi i Quint-it e dënuan atë. Veseli nxitoi në përpjekjet e tij për t’i rregulluar marrëdhëniet, duke deklaruar se nisja e procedurave të gjykatës është e pashmangshme. Disa prej figurave kyçe të partisë janë monitoruar shpeshherë si të dyshuar të mundshëm nga kjo gjykatë. Në këtë mes bën pjesë edhe njëri prej themeluesve të partisë dhe Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.
Pragmatizmi dhe përfitimet: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Viti 2017 ishte viti më i jashtëzakonshëm për AAK-në prej krijimit të saj si parti në vitin 2001 nga themeluesi i saj Ramush Haradinaj, i cili e nisi vitin duke u mbajtur në arrest në Francë dhe e mbylli si Kryeministër. Megjithatë, ka mundësi që ai ta humbë pushtetin deri në fund të këtij viti për shkak të natyrës së dobët të Qeverisë së tij dhe faktit që disa figura kyçe brenda partisë së tij mund të gjykohen në Dhomat e Specializuara.
AAK-ja kaloi nga opozita në pozitë në nivelin qendror në vitin 2017, duke shtyrë përpara një mocion për shpërbërien e Qeverisë përkrah Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në maj, para se t’i bashkohej koalicionit parazgjedhor me partinë e cila deri në atë kohë ishte në pushtet, PDK-në. Ky koalicion fitoi më shumë vota se çdo entitet tjetër politik. Kjo i mundësoi formimin e Qeverisë, ndonëse të brishtë për sa u përket numrave.
Hapi për bashkim me PDK-në u përshkrua nga shumëkush si dyfytyrësh, meqë Haradinaj e ka akuzuar shpeshherë këtë parti për “kapje të institucioneve”. Por pavarësisht kritikave, politikat pragmatike me sa duket prodhuan fryte për AAK-në, kandidatët e së cilës shpeshherë kanë premtuar se janë të mbështetur nga Qeveria qendrore në zgjedhjet komunale të tetorit, duke prodhuar kështu suksese.
AAK-ja fitoi kryesinë në tetë komuna, duke përfshirë këtu rimarrjen e pushtetit në Gjakovë. Përhapja e AAK-së shkoi përtej bastionit tradicional të kësaj partie, rajonit të Dukagjinit, duke fituar edhe në komuna më qendrore siç është Suhareka dhe Rahoveci.
Ndonëse pozita e liderit të saj i solli përfitime AAK-së në tetor, performanca e tij si Kryeministër me gjasë do ta përcaktojë të ardhmen e kësaj partie në vitin 2018. Mandati i Haradinajt është karakterizuar me kritika të shpeshta, ndërsa pozita e dobët e Qeverisë së tij brenda Kuvendit të Kosovës do ta bëjë të vështirë trajtimin e disa prej çështjeve politike kyçe në Kosovë. Ndonëse AAK-ja udhëheq vetëm dy ministri, roli i saj në Qeveri do të gjykohet kryesisht në bazë të liderit të saj.
Më 6 janar, Haradinaj lajmëroi se do të mbahen zgjedhjet e brendshme në AAK për të gjitha strukturat e partisë. Kjo parti është dalluar gjithmonë për stabilitet të brendshëm, meqë Haradinaj asnjëherë nuk është sfiduar prej zërave apo fraksioneve disidente brenda partisë, dhe gjithmonë e ka marrë rolin qendror. Distribuimi i pushtetit brenda AAK-së mund ta shtojë nivelin e demokracisë së brendshme brenda partisë, por edhe ta ndryshojë perceptimin e publikut, i cili e sheh Haradinajn si vendimmarrësin e vetëm.
Edhe e ardhmja e AAK-së mund të ndikohet nga veprimet e Dhomave të Specializuara. Kjo parti e ka kundërshtuar gjykatën prej krijimit të saj, dhe të gjithë anëtarët e saj në Kuvend e mbështetën seancën për shfuqizimin e ligjit i cili e legjitimon punën e kësaj gjykate. Në diskutimet për emrat e mundshëm të atyre që mund të paditen u përfshinë disa deputetë të AAK-së, duke përfshirë këtu edhe vëllaun e Ramush Haradinajt, Dautin.
Pragmatizëm dhe pushtet: Nisma për Kosovën
Nisma e nisi vitin si pjesë e Qeverisë për herë të parë në historinë e shkurtër të kësaj partie. Pakkush e ka parashikuar ndikimin e Nismës në politikën kosovare në vitin 2017. E nisi vitin si partia më e vogël në Kuvendin e Kosovës dhe si partner i vogël në koalicionin e opozitës, e shtyu përpara mocionin e suksesshëm për shpërbërien e Qeverisë në maj, dhe në fund të vitit u bë pjesë e Qeverisë, duke drejtuar tri ministri.
Në këtë vit të jashtëzakonshëm, Nisma formoi partneritet me PDK-në, partinë të cilën themeluesit e Nismës, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi e braktisën në fund të vitit 2013. Me sa duket, një marrëdhënie më bashkëpunuese filloi të zhvillohet në prill, kur Krasniqi u fotografua në takim me deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin.
Një muaj më vonë, Nisma e përkrahu mocionin e mbështetur nga PDK-ja për shpërbërjen e Qeverisë. Në zgjedhjet e parakohshme që pasuan, Nisma iu bashkua PDK-së dhe AAK-së në koaliconin parazgjedhor që më pas u bë entiteti më i votuar dhe formoi bazën për Qeverinë e re.
Ndryshe nga rasti i AAK-së, pushteti qendror i Nismës nuk u përkthye në sukses lokal. Kjo pati e rimori kryesinë vetëm në Malishevë, prej nga vjen bashkëthemeluesi dhe kryetari i partisë, Fatmir Limaj. Kjo parti shpreson ta ruajë pushtetin në Qeverinë aktuale për kohë sa më të gjatë, për t’i demonstruar aftësitë e qeverisjes dhe për t’u rritur më shumë.
Sikurse PDK-ja, edhe kjo parti i ka rrënjët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo do të thotë se veprimet e Dhomave të Specializuara mund të kenë ndikim edhe te kjo parti në vitin 2018. Të gjithë deputetët e kësaj partie i mbështetën thirrjet për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit i cili funksionalizon gjykatën. Spekulohet se disa prej anëtarëve të profilit të lartë të Nismës mund të gjykohen në Dhomat e Specializuara. Shukri Buja, i cili kryesoi komunën e Lipjanit në kohën kur ishte pjesëtar i PDK-së, është përmendur si person që potencialisht mund të gjykohet në Hagë.
Pragmatizëm dhe pragmatizëm: Aleanca Kosova e Re (AKR)
AKR-ja e nis vitin 2018 në një pozitë të cilën zor se e kishte paramenduar në fillim të vitit të kaluar. Ndonëse viti 2017 u dallua me lëvizjet pragmatike të Haradinajt, AKR-ja e udhëhequr nga Behxhet Pacolli, i bëri disa lëvizje zigzage dhe u bë kampion i pragmatizmit.
Pasi dështoi ta fitonte 5-përqindëshin e nevojshëm për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2014, kjo parti iu bashkua LDK-së në koalcion parzgjedhor para zgjedhjeve të përgjithshme në qershor. Ishte ky një vendim i mençur dhe strategjik. Përkrah LDK-së dhe partisë së re Alternativa, AKR-ja jo vetëm që arriti të siguronte më shumë se 5 për qind, por i siguroi vetes katër ulëse.
Manovrat e AKR-së nuk u ndalën pas zgjedhjeve. Kjo parti e braktisi koalicionin me LDK-në dhe iu bashkua koalicionit fitues “PAN”, për të ndihmuar formimin e Qeverisë. Kjo marrëveshje bëri që Pacolli ta merrre pozitën e ministrit të punëve të jashtme. AKR-ja gjithashtu është duke i udhëhequr katër ministri të tjera. Kjo është një marrëveshje e jashtëzakonshme për një parti me kaq pak përfaqësim.
Megjithatë, si Nisma ashtu edhe AKR-ja mund ta shndërrojë pozitën e saj të re brenda Qeverisë në pushtet të nivelit lokal, sepse Agim Bahtiri – në Mitrovicë – ishte kandidati i vetëm që fitoi kryesinë e një komune nga radhët e kësaj partie.
Si pjesë e Qeverisë së Kosovës, AKR-ja ka mundësi ta forcojë pozitën e vet në vitin 2018. Megjithatë, meqë kjo qeveri po shihet si e dobët, dhe me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, sivjet AKR-ja mund të përballet me vështirësi sa i përket ruajtjes së pushtetit.
Sidoqoftë, viti 2017 dëshmoi se AKR-ja ka aftësi për formim të koalicioneve dhe arritje të marrëveshjeve për të fituar pushtet. Nëpërmjet ndikimit të saj politik, AKR-ja mund të luajë rol kyç në formimin e Qeverisë së ardhshme.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.