Pikëpamje | Korrupsioni

DORËHEQJA E GRABOVCIT NUK DUHET T’I MASKOJË PROBLEMET E KOSOVËS

Dorëheqja e Adem Grabovcit nuk duhet t’i fshehë problemet më të thella të ekspozuara nga përgjimet e zbuluara.

Të martën u panë pasojat e para si rezultat i “Dosjes së Shefave”. Adem Grabovci, burri që shpeshherë quhet ‘shef’ nga anëtarët e partisë së tij politike, më në fund dha dorëheqje nga pozita e kreut të grupit parlamentar të PDK-së, duke përmendur arsyet “morale dhe politike”. Gjatë 17 ditëve të fundit, Grabovci ka qenë figurë qendrore e një serie të përgjimeve të publikuara nga portali investigues i lajmeve Insajderi, që haptazi shfaqin nepotizëm, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shpërfillje të dukshme të përgjegjësive të posteve politike në partinë më të madhe politike në Kosovë.

Dorëheqja e tij nga pozita e kreut parlamentar të PDK – por jo nga pozita e deputetit – është thelbësore për integritetin e Kosovës, dhe e përshtatshme politikisht për partinë e tij që udhëheq me koalicion. Me Insajderin që pohon se i ka më shumë se 1,000 përgjime të thirrjeve telefonike të Grabovcit – të gjitha nga një periudhë dy-mujore në fund të vitit 2011, kur Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) po hetonte zëvendësministrin e atëhershëm të Transportit dhe Postë-Telekomit për vepra penale të krimit të organizuar, shpërdorim të detyrës zyrtare, dhe nënshkrim të kontratave në dëm të shtetit – duke dhënë dorëheqje, figura e lartë e PDK-së shpreson që ta zvogëlojë skandalin, para se të eskalojë. Asnjë akuzë nuk u ngrit kundrejt Grabovcit si rezultat i hetimit të EULEX-it, por pas daljes së përgjimeve të para më herët gjatë këti muaji, Kryeprokurori i Kosovës lajmëroi se kishte themeluar një komision për të hetuar çfarëdo keqbërje të mundshme kriminale.

Në 12 përgjimet e dala deri më tani, Grabovci dhe figura tjera të larta të PDK-së – përfshirë Presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, dhe liderin e partisë Kadri Veselin – dëgjohen duke zgjedhur gjykatës të lartë dhe anëtarë të bordeve publike, duke ndikuar në punësime të agjencive të ‘pavarura’, dhe duke larguar persona që nuk janë të PDK-së nga listat e aplikimeve. Ata gjithashtu dëgjohen duke përqeshur kolegët e partisë, kundërshtarët e tyre politik, e madje edhe shtetin.

Zbulimet e deritanishme, të lansuara çdo ditë në copëza pikante, vështirë se i kanë befasuar kosovarët, apo anëtarët e komunitetit ndërkombëtar. Korrupsioni, nepotizmi, papjekuria politike dhe veprimet pa vend janë të gjitha fenomene që diskutohen shumë në kafenetë, rrugët dhe zyret e Kosovës, si dhe në rrjetet sociale. Por kjo nuk ka bërë që zbulimi publik i përgjimeve të jetë më pak shokues. Të ‘kesh njohuri’ për diçka abstrakte është një gjë – kur një çështje diskutohet aq shumë fillon ta humb kuptimin dhe lidhjen me realitet. Ta dëgjosh dhe ta shohësh në formë fizike është tjetër gjë.

Të gjitha tiparet më të këqija politike dhe sociale të Kosovës, që shpesh mbahen pas një mbulese të hollë nën sipërfaqe, tashmë janë duke dalë në shesh; fasada është thyer.

Në formën më ilustruese, përgjimet konfirmojnë historinë e vjetër e asaj se si abuzimi me pushtetin dhe nepotizmi po i’a mohojnë të drejtën themelore për të punuar përafërsisht 35 përqind të qytetarëve të Kosovës që janë zyrtarisht të papunë. Ato elita që janë përgjegjëse për krijimin e vendeve të punës dhe mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve të tyre, në vend të kësaj janë më të interesuar që të kujdesen për të vetët, duke i dëmtuar ata të cilëve pretendojnë se u shërbejnë.

Një prej grupeve që i kanë humbur shpresat për punësim vazhdon të jenë komuniteti i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (RAE). Të gjitharaportet për RAE tregojnë për dështimin e qeverisë së Kosovës sa i përket integrimit të këtyre komuniteteve në çfarëdo forme. Por përgjimet e zbuluara kanë treguar se, sa i përket fitimit të pikëve politike në Bruksel dhe para komunitetit ndërkombëtar, liderët politik të këti vendi nuk pritojnë që t’i instrumentalizojnë komunitetet më të margjinalizuara.

Në një bisedë të publikuar në mes të Grabovcit dhe Veselit, i pari i përgjigjet pyetjes për një vizitë në Bruksel, duke thënë: ” …kur i përshëndetsha, e ju thosha kom kënaqësinë, t’ju përshëndes në emër të delegacionit, ma domethonsë dhe ma përfaqësor që, është mesazhi ma i miri… se çfare është gjendja n’Kosovë n’emër t’shkive e t’hashkalive, e tanë…” Veseli dëgjohet duke qeshur më pas.

Prej kur erdhi në fuqi në 2007, PDK-ja i ka lëvduar publikisht virtytet e Kushtetutës së Kosovës: Që Kosova është shtet multikulturor që synon të sigurojë të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet. Megjithatë, toni përqeshës i Grabovcit dhe termi nënçmues kur flet për serbët, dhe reagimi i Veselit, tregon qartë se dy prej figurave më të larta në PDK as që besojnë në retorikën e tyre.

Ky boshllëk kredibiliteti në mes të thirrjeve publike dhe besimeve prapa skenës vërehet edhe më shumë kur Veseli e përshkruan figurën udhëheqëse të opozitës, Albin Kurtin, me fjalën ‘peder’. Fjalimet e guximshme politike për ligjet e mira të vendit për komunitetin LGBTI dhe momentet e rëndësishme si atëherë kur Thaçi e udhëheqi marshin kundër homofobisë sivjet në Prishtinë, krejtësisht e humbin vlerën kur kolegët e partisë përdorin gjuhë ofenduese që mund të kontribuojë në nxitje të urrejtjes ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI. Kjo nuk është hera e parë që Veselit publikisht i ka rrëshqitur maska e inkluzivitetit – më herët gjatë vitit ai u dëgjua duke bërtitur “ma hongsh…” ndaj deputetes së opozitës, Albulena Haxhiut në Kuvendin e Kosovës, para se ta kuptojë se mikrofoni ishte i ndezur.

Gjuha fyese e përdorur gjatë përmendjes së komuniteteve minoritare, grave dhe komunitetit LGBTI, në shumë mënyra e pasqyron shoqërinë që i ka prodhuar liderët politik të PDK-së- brenda shoqërisë kosovare, ka ende shumë punë për t’u bërë për garantimin e të drejtave të barabarta dhe respektin ndaj të gjithë qytetarëve. Por si elitë politike e Kosovës, veçanërisht ata që vazhdimisht mburren për tolerancë liberale, Grabovci, Veseli dhe të tjerët, kanë përgjegjësi më të madhe për të pasur rol aktiv për t’i mbrojtur të drejtat e qytetarëve që mbrohen nga Kushtetuta.

Pasi që aq shumë njerëz preken nga zbulimet e përgjimeve, kjo sagë po shërben për të theksuar në mënyrë indirekte një plagë sociale. Pavarësisht të gjitha dëshmive poshtëruese të nepozitmit dhe diskriminimit të harlisur, që buron nga skalionët më të lartë të pushtetit në Kosovë, pa forcën mobilizuese të partive politike duke i thirë aktivistët e tyre në rrugë, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk janë nxitur që të dalin e të kërkojnë më mirë. Protestat e vazhdueshme të qytetarëve kanë qenë të vendosura dhe të këmbëngulëse, por vështirë se janë pritur me vëmendje të njejtë si më herët gjatë vitit kur qindra mijëra njerëz iu përgjigjën thirrjeve të opozitës së unifikuar të atëhershme, dhe i mbushën rrugët e Prishtinës.

Është e kuptueshme që qytetarët ndihen të pafuqishëm, kur ‘përfaqësuesit’ e tyre e shesin të ardhmen e tyre, që ndihen të pafuqishëm për të kontribuar në ndryshimin e praktikave dhe qëndrimeve të ngulitura thellë nga ‘liderët’ e tyre. Eliminimi i i këtyre zakoneve të neveritshme nuk ndodh për një ditë, pa marrë parasysh se sa të zëshëm janë qytetarët në protesta; por kur nuk bën e nuk thua asgjë, je duke e pranuar status-quonë, je duke i dhënë miratim të nënkuptuar vazhdimit të nepotizmit dhe diskriminimit.

Qytetarët, qoftë gratë, qoftë burrat, qoftë të punësuarit, të papunësuarit, shqiptarët, serbët, romët, LGBTI, personat të lidhur me ndonjë parti ose jo – të gjithë përfundimisht e paguajnë çmimin e një shoqërie të pabarabartë që karakterizohet nga një elite politike që i shërben vetëm vetës. Pavarësisht faktit se margjinalizohet, dëmtohet dhe denigrohet në mënyrë të padrejtë, çdo kosovar mund ta ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e tyre demokratike për të kërkuar llogari nga ata që e abuzojnë besimin e qytetarëve, ose duke u angazhuar në debat, ose duke i’u bashkuar një proteste, ose nëpërmjet votës.

Siç bërtisnin ata qindra protestues në marshin e së martes ndaj atyre që pinin makiato në Sheshin “Nëna Terezë”: ‘Me kafe, me kafe – nuk ka shtet”.

KOMENTO