Në thelb | Të Drejtat e Grave

Gratë kosovare në biznes

Nga - 17.04.2019

Mundësi dhe barriera për gratë ndërmarrëse.

Për Fahrije Hotin hapat drejt krijimit të Kooperativës Bujqësore “Krusha” kanë qenë zgjidhja e vetme. Paslufta e vitit 1999 e gjeti atë në Krushë të Madhe me shtëpi të djegur, dy fëmijë të vegjël dhe prindërit e moshuar të burrit, pa askënd që të sigurojë të ardhura. Bashkëshorti i saj ishte listën e gjatë të personave të zhdukur, që ishin vrarë në masakrën e fshatit, në Komunën e Rahovecit.

Për të siguruar bukën e gojës për familjet e veta, ajo bashkë me fqinjet, me fatin e ngjashëm si të Fahrijes, filluan të shfrytëzonin arat pjellore për të mbjedhur speca, që pastaj do të pëfundonin në kavanozët me ajvar dhe turshi.

“Nuk na lejonin të hynim në panaire se nuk ishim të regjistruara dhe shisnim jashtë. Kështu krijuam klientelën dhe kontaktet e para”, shpjegon Fahrija fillimet e ndërmarrjes. Sot kooperativa çdo mëngjes i hap dyert për rrreth 60 gra të Krushës së Madhe – pjesa më e madhe janë gra të veja të fshatit dhe zonave përreth.

Puna e tyre rezulton në 43 produkte në treg, që shiten në 200 markete nëpër Kosovë dhe gjithashtu në Zvicër, Gjermani, por dhe shtete të tjera të Evropës.

Fahrije Hoti drejton një nga 136 kooperativat bujqësore që janë të regjistruara në Kosovë. Rreth gjysma e tyre janë në pronësi të grave. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Por rrugëtimi i gjatë dhe i mrekullueshëm i Fahrijes dhe grave të tjera nuk ka qenë aspak i lehtë. Ajo tregon se si paragjykimet shoqërore për rolet gjinore e kanë ndjekur vazhdimisht gjatë zhvillimit të biznesit të saj.  

“Të tjerët presin që ti duhesh të rrish e të lash, të pastrosh, të gatuash, të kujdesesh për fëmijët e të vjetrit, t’i rrish gati burrit, ndryshe të del emri i zi”, thotë ajo.

Në Kosovë perceptimet e tilla vazhdojnë të qëndrojnë krahas realitetit të zymtë të pabarazisë së përhapur gjinore, përfshirë tregun e punës. Vit pas viti statistikat vazhdojnë të dëshmojnë që vetëm deri në rreth 13 përqind gra kosovare kanë një vend pune. Madje edhe në raste kur janë të punësuara, gratë kanë më pak gjasa të mbajnë pozita drejtuese, qoftë në sektorin publik apo privat.

Raporte të ndryshme tregojnë që ekziston një mosbalancim i thellë në mes burrave dhe grave sipërmarrëse në Kosovë. Sipas platformës elektronike Bizneset e Hapura, vetëm rreth 11 përqind të bizneseve aktive në Kosovë udhëhiqen nga gratë. Me fjalë të tjera Fahrija është në krye të një prej rreth 21,000 bizneseve aktive që janë në pronësi të grave, 69 prej të cilave janë kooperativa bujqësore.

Biznese të vogla të lindura nga pasioni

Nga të gjithë bizneset në pronësi të grave, dominojnë sallonet e floktarisë dhe ato për trajtime të tjera estetike.

Por, një shikim i shpejtë i dyqaneve të vogla nëpër rrugët e kryeqytetit lë mjaft të kuptohet që shumë biznese të vogla të grave zanafillën shpesh e kanë te një pasion e prirje e vjetër.

Rudina Qosja për disa vite kishte përgatitur ëmbëlsira në kafenenë që e kishte udhëhequr bashkëshorti i saj. Në vitin 2017 ajo vendosi që zellin e saj për të gatuar ëmbëlsira ta përkthejë  në një biznes individual me të ardhme afatgjatë. Me ndihmën e një kredie të vogël për start-up të marrë nga banka u realizua Rudi’s Cake Factory.

Rudina Qosja punonte në kafene të bashkëshortit para se të hapte biznesin e saj të prodhimit të ëmbëlsirave, i cili është rritur vazhdimisht që nga hapja në vitin 2017. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Me më pak se 10 punëtorë, Rudi’s Cake Factory zyrtarisht klasifikohet si “mikrondërmarrje”, kategori që përfshin 98 përqind të të gjitha bizneseve të regjistruara në Kosovë.

“Fillimisht ka qenë shumë vështirë, në fillim kam qenë vetëm unë dhe një punëtore, kur e kam hapur si punëtori”, thotë Rudina. “E tani jemi rreth 8 punëtore”.

Rudina thotë që ajo ende vazhdon të marrë pjesë nëpër trajnime që të përmirësohet vazhdimisht sepse beson që suksesi përfundimisht varet në kualitetin e produktit. “Nëse produkti s’ësht i mirë e s’e ka shijen e mirë nuk do e kisha rekomanduar askënd të fillonte”, thotë ajo.

“Ne nuk njohim ndonjë grua që ka biznes, burra po. Prandaj nuk dimë kujt t’i drejtohemi që të na japë këshilla”.

Gresa Krasniqi, krijuese e bizhuterive

Edhe Gresa Krasniqi dhe Jorikë Sadiku shpresojnë që një ditë ndërmarrësia e tyre të ketë të ardhme të sigurtë. Dy 22 vjeçaret, studente të arkiktekturës në Universitetin e Prishtinës bëjnë bizhuteri me dorë për t’i shitur pastaj online. Pavarësisht pasionit që kanë për këtë projekt të tyrin dhe krenarisë që ndjejnë që kanë arritur të krijojnë produkte që pëlqehen, ato janë skeptike për ecurinë e mirëfilltë të punës së tyre.  

“Ne nuk njohim ndonjë grua që ka biznes, burra po. Prandaj nuk dimë kujt t’i drejtohemi që të na japë këshilla”, shprehet Gresa ndërkohë që Jorika pohon me kokë.

Një raport i Riinvest i vitit 2017 thekson arsye të ndryshme që i shtyn gratë drejt hapjes së një biznesi. Sipas raportit, motivi kryesor për hapjen e një biznesi është fitimi potencial, me rreth 50 përqind të grave që e japin këtë si arsye parësore. Bazuar në të gjeturat, autorët e raportit argumentojnë se si motivimi prapa bizneseve të grave tregon një rritje të numrit të grave që nxiten nga sipërmarrësia e tyre vetanake, dhe jo nga rrethanat e jashtme.

Sidoqoftë, raporti po ashtu përmend se në rreth 23 përqind të rasteve gratë ishin të motivuara për të filluar një biznes për shkak të papunësisë — ashtu sic ishte për Granita Grezda Lilën. Dy vite e papunë, Granita kishte vendosur ta përdorë shkathtësinë me punëdore si avantazh.

Pronarja e biznesit të punimeve të argjilës me dorë, Dhè, e ka filluar biznesin e saj në vitin 2017.

Ajo ka mbaruar Fakultetin e Arteve në degën pikturë, por thotë që nuk ka arritur t’i përkushtohet shumë biznesit për shkak të angazhimit me kujdesin ndaj dy fëmijëve të saj.

Granita Grezda ka biznesin e saj të qeramikës, të cilin ajo arrin ta mbajë së bashku me punën e papaguar, si përkujdesja për fëmijët e saj. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Në momentin kur kërkimi i punës u bë çështje e pashpresë, ajo vendosi t’i përkushtohet pasionit të saj rreth qeramikave.

“E bleva materialin, argjilën, që e përdor për punimet”, thotë ajo. “Idenë e kam patur moti sepse kam qenë e inspiruar nga qeramikat”.

Granita thotë se në fillim, ajo thjesht ndihej mirë dhe ishte diçka për të bërë gjatë ditës, por pastaj filloi të rritet organikisht.

“Fëmijët u rritën kështu që i bëja punimet dhe fillova t’i dërgoj si dhurata”, thotë ajo. “Njerëzit po i pëlqenin. Pas 6 muajsh punim e hapa faqen në Instagram edhe fillova në këtë mënyrë gradualisht t’i shes”.

Tejkalimi i pengesave

Në fakt edhe në rastet e sukseshme, bizneset në pronësi të grave ballafaqohen me shumë barriera që pengojnë zhvillimin dhe zgjerimin e tyre.

Disa nga këto vështirësi që hasin gratë në drejtimin e bizneseve përfshijnë edhe menaxhimin e kohës për përkujdesin ndaj familjes, si përgatitja e ushqimit dhe kujdesi ndaj fëmijëve. Në një vend ku rolet dhe sjelljet gjinore shpesh ndahen në mënyrë strikte, puna e kujdesit të papaguar zakonisht merret si e mirëqenë si “punë e gruas”. Përgjegjësitë e vazhdueshme që gratë kosovare ndjejnë ndaj detyrave familjare janë përmendur në mënyrë të përsëritur si pengesa kryesore për pjesëmarrjen ekonomike të grave në studimet që vlerësojnë problemin në rajon, të udhëhequra nga qeveria dhe organizatat ndërkombëtare.

Granita tregon për orarin fleksibël të punës së saj që është dashur ta përshtasë me kujdesin e papaguar që e bën në shtëpi. Kjo po ashtu krijon pengesa që personat si Granita të zgjerojnë biznesin e vet; më shumë se 75 përqind të bizneseve të regjistruara në Kosovë në pronësi të grave janë “biznese individuale”.

“E ndaj dhomën e punës me djalin. Ai flen aty dhe unë e kam kthyer një cep të dhomës në mini-studio”.

Granita Grezda, Dhè

Disa arsye të tjera, që pengojnë zhvillimin e bizneseve të grave në Kosovë, përfshijnë që gratë nuk kanë pronë të tyren ku mund ta zhvillojnë biznesin e vet. Edhe pse e ka të regjistruar biznesin Granita punon në shtëpi. Ajo thotë që mungesa e një hapësire për të punuar e bën të vështirë që ajo të punësojë një punëtore.

“Nëse do kisha studion time, menaxhimi i biznesit do të ishte pak më i lehtë. E ndaj dhomën e punës me djalin. Ai flen aty dhe unë e kam kthyer një cep të dhomës në mini-studio”, thotë ajo.

Në Kosovë vetëm 16 përqind e pasurisë së paluajtshme është e regjistruar në pronësi të grave, ndërsa sipas Riinvest, vetëm 8 përqind e grave sipërmarrëse në Kosovë kanë pronë të tyren. Kjo përqindje mund të jetë edhe më e vogël për shkak se jo të gjitha gratë që kanë biznese në Kosovë e kanë të regjistruar biznesin e tyre.

Një barrierë tjetër e grave sipërmarrëse në Kosovë është financimi i biznesit, duke marrë parasysh që edhe bankat komerciale nuk ofrojnë shumë mundësi financimi për bizneset e reja.

Rudina tregon që financimi i hapjes së biznesit ka qenë shumë i vështirë për shkak se asnjë bankë nuk ofronte kredi për bizneset e reja për shkak të frikës së falimentimit. Ajo ka patur fatin të fitojë një grant për branding — mbështetje për logon, karvizitat, posterat e gjithcka që lidhet me imazhin e një firme — të Rudi’s Cake Factory nga European Bank for Reconstruction and Development (EBRD) — (Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim). Vetëm pas fitimit të këtij granti, Rudina nëpërmjet EBRD-së arriti që të mund të bie në kontakt me bankën komerciale vendore e cila ia dha kredinë dhe ia financoj biznesin.

"Mendojnë që më mirë të shesin me çmim pak më të lartë në treg se sa të kenë një kontratë afatgjatgjatë me kompaninë e një gruaje".

Fahrije Hoti, Kooperativa Krusha

Në anën tjetër Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe shton që në disa raste vetëm të qenit grua udhëheqëse e biznesit ka ndikuar sjelljen e bashkëpunëtorëve të saj. Ajo thotë që shpesh i është dashur të bëjë kontrata të momentit të fundit e të gjejë furnizues të rinj sepse furnizuesit e kontraktuar s’e kanë zbatuar kontratën.

“Ka patur raste që furnizuesit në ditën që duhet të na e sillnin produktin kanë shkuar ta shesin në treg. Mendojnë që më mirë të shesin me çmim pak më të lartë në treg e të fitojnë këtë vit se sa të kenë një kontratë afatgjatgjatë me kompaninë e një gruaje”, thotë ajo. “Më është dashur të bëj kontrata me ferma nga Shqipëria në moment të fundit e të paguaj transportin pak më shtrenjtë për shkak të sjelljeve të kompanive vendore”.

Por pavarësisht vështirësive që Fahrija se bashku me të intervistuarat shprehen që të pasurit një biznes të tyrin ka patur gjithashtu shumë avantazhe. Ato kanë mundur të hapin vende të reja pune, kanë avancuar aftësitë e tyre, dhe gjithashtu po shërbejnë si idhuj për vajza e gra të reja.K

Foto kryesore: Fikret Ahmeti / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.