Gratë pioniere në letërsi dhe art në Kosovë - Kosovo 2.0
Bursa | Kulturë

Gratë pioniere në letërsi dhe art në Kosovë

Portrete të artisteve në letër dhe pëlhurë

Nga - 10.12.2019

Me fillim në vitet ’60 dhe duke vazhduar në të ’70-at pas hapjes së Universitetit të Prishtinës, gratë shqiptare në Kosovë filluan të hynin në sferën publike. Ato punonin në fabrika, komuna dhe institucione publike. Gjithashtu, filluan ta shprehnin veten në mënyrë artistike nëpërmjet mediumeve si poezia dhe piktura. 

Sipas artikullit “Poezia e Liricizmit, Meditimit dhe Ironisë” të shkruar nga Ibrahim Rugova në 1983, poezitë e para të grave shqiptare u botuan në 1972 nga Edi Shukriu, Flora Brovina, Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda, Miradije Ramiqi, Sadete Emërllahu, Shefkije Bërbatovci, Merrushe Gjoshaj, Afërdita Skënderi, Qibrije Demiri dhe Nerimane Kamberi, për t’i përmendur vetëm disa.

Në botën e arteve pamore gratë hynë më vonë. Ekspozita e parë kolektive ishte “Femrat Krijuese ’82’”, që përfshinte artiste si Violeta Xhaferi, Lubica Haxhiu, Vesta Nura, mes tjerash.

Vendosa të njoftohesha me disa prej këtyre grave, të cilat janë mishërim i luftës së gjeneratës së tyre për mundësi të barabarta dhe liri për ta shprehur veten në mënyrë kreative.

Violeta Xhaferi

U takova me Violeta Xhaferin në shtëpinë e saj, disa minuta me veturë larg Prishtinës. Një galeri e artit në vete, shtëpia e ka një dhomë të madhe të ditës dhe një kuzhinë në të cilën qoshet janë të personalizuara me vizatimet dhe punimet e gdhendura të saj.

Muret janë të mbushura me piktura, art grafik dhe fotografi të vjetra dhe të reja të saj, si dhe me vizatime të nipave. Ajo i ka dizajnuar dritat, llusterat dhe vazot me materiale të recikluara.

Në katin e dytë është studio dhe biblioteka ku ende punon dizajne të mobiljeve dhe piktura. Disa perde të bukura, plot detaje dhe të punuara me dorë — me një model plot zogj dhe lule, të cilat poashtu i kadizajnuar vetë — e ndajnë studion nga dhoma e saj e fjetjes.

Violeta Xhaferi (73) është artiste me vepra të shumëllojshme dhe me bollëk, nga pikturat e deri te dizajni i interiereve dhe kostumeve. 

Xhaferi diplomoi në vitin 1972 në degën e dizajnit të kostumeve nga Akademia e Arteve Pamore në Beograd.

“Jeta studentore në Beograd ishte e shkëlqyeshme. Lexonim shumë letërsi dhe filozofi. Mbledheshim kohë pas kohe me studentët shqiptarë të cilët studionin në Beograd, Sarajevë apo Zagreb. Udhëtonim shumë, për shkak se në atë kohë nuk kishim nevojë për viza, kështu që shkonim në Paris dhe i vizitonim galeritë për të parë artin e mjeshtërve të mëdhenj. Na jepte një ndjesi të lirisë së pafund”, thotë Xhaferi.

Pasi kreu studimet në Beograd, ajo u kthye në vendlindje, në Prishtinë, dhe filloi të punonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Xhaferi ka dizajnuar tesha për më shumë se 100 shfaqje dhe ka qenë dizajnerja kryesore e kostumeve për dy filma nga Kosova Film, kompania e produksionit të filmit në pronësi publike. Dy filmat quhen “Kur Pranvera Vjen Vonë” (1979) dhe “Proka” (1984). Gjatë kësaj kohe, ajo gjithashtu punoi në Fabrikën e Lëkurës dhe Këpucave në Pejë, ku dizajnonte jakne, këpuca dhe produkte tjera cilësore të lëkurës. Dizajnet e këtyre produkteve nga Peja u ekspozuan në panaire dhe sfilata të modës anembanë Jugosllavisë. 

Në fillim të viteve të 90-a, kur Milošević erdhi në pushtet dhe situata politike u përkeqësua në Kosovë, Xhaferi vendosi të migronte në Norvegji për ta bërënjë jetë normale me dy fëmijët e saj, si dhe për ta zhvilluar karrierën. 

Në 10 vitet kur jetoi jashtë vendit, Xhaferi i ekspozoi punimet e saj në disa solo ekspozita dhe ekspozita kolektive në Oslo, Kristiasand dhe qytete tjera. Në këtë fazë, ajo punoi pareshtur me pikturë dhe art grafik. Arti i saj është përfshirë në ankande prestigjioze dhe në revista të mirënjohura të artit në Norvegji.

“Gjithmonë e kam dashur pikturën, edhe pse studiova dizajnin e kostumeve. Unë e shprehi veten më natyrshëm në pikturë. Sigurisht, më vonë u fokusova më shumë në art dhe pikturë se në atë që e studiova [dizajnin e kostumeve].”

Në 2003, Violeta Xhaferi i hapi dy solo ekspozita, në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare të Artit në Tiranë, ku ekspozoi një seri punimesh nga 1994 deri në 2002.

Në këto seri të pikturave të ekspozuara në Prishtinë dhe Tiranë, të cilat janë të mëdha dhe plot ngjyra, ajo kombinon ngjarje, imazhe dhe simbole tjera që i sheh çdo ditë në TV. Ekspozita apo seria si tërësi shërben si një kritikë ndaj mediave që vendosin çfarë duan të theksojnë dhe çfarë duhet të shohin njerëzit. 

“Sot në art është bërë gjithçka. Nuk mund të ketë asgjë të re dhe nuk mund të ‘zbulosh’ asgjë. Artistët në ditët e sotme mund të jenë të mirë vetëm kur dinë prej cilave ide të zgjedhin, të kopjojnë dhe t’i modifikojnë ato në mënyrën e tyre origjinale”, shpjegon Xhaferi.

Ajo pikturon ende dhe punon me dizajn të interiereve, dhe bashkë me të birin e saj ka dizajnuar interieret e restoraneve dhe kafeneve moderne në Prishtinë si De Rada Brasserie, që ishte pronë e familjes së saj për një kohë, dhe Soma Book Station, të cilën e dizajnoi pjesërisht.

“Gratë e kanë shumë të vështirë ta ndjekin karrierën. Kështu ka qenë atëherë, dhe kështu është sot. Kur isha e re në vitet e 70-a, ata [qeveria] nisën fushata për ‘emancipimin e grave’ dhe mendonin që punësimi është kyç. Deshën t’i bindin gratë t’i bashkohen fuqisë punëtore dhe kështu menduan që do të ishim të barabarta”.

“Por nuk mendoj se kjo është e vërtetë. Na e bëri jetën më të vështirë në atë kohë. Mendoja pse nuk po bënin fushata për t’i ‘emancipuar’ burrat në vend të grave. Ata duhet të emancipohen dhe të mësohen t’i respektojnë gratë dhe të marrin pjesë në jetën e përditshme familjare, duke ndihmuar me pastrim, përgatitje të ushqimit dhe kujdesin për fëmijët. Kjo do të krijonte një balanc dhe gratë nuk do të duheshin ta lënë karrierën pasi të bëhen nëna”, thotë Xhaferi duke buzëqeshur. 

Edi Shukriu

“A mendoni që ka njerëz të cilët nuk shkruajnë?” pyet Edi Shukriu, tani 69 vjeçe, pothuajse menjëherë pasi takohemi dhe ulemi për kafe. “Vështirë është të mendoj që ka njerëz që nuk e bëjnë. Të gjithë e bëjnë. Vet jeta është poezi, pra në atë kuptim, nuk mendoj që të shkruarit është diçka aq e jashtëzakonshme”, thotë ajo duke qeshur, dhe i vë syzat e fillon të m’i tregojë disa prej librave të saj të fundit.

Edi Shukriu, e njohur si një nga gratë e para kosovare që kanë botuar poezi në gjuhën shqipe, është autore e shtatë librave të poezisë. I pari ishte “Sonte Zemra Ime Feston”, që u botua në 1972 nga Rilindja, dhe i fundit është “Ungëshimë”, i botuar në 2014 nga Jeta e Re. Poashtu, Shukriu është autore e tri shfaqjeve, e para prej të cilave, “Kthimi i Euridikës”, u publikua në 1968 nga Rilindja; dhe e një novele të titulluar “Pasqyra e Thyer”, që u botua në 2015 nga Koha në Prishtinë. Kjo novelë është biografi e ish-bashkëshortit të saj Ukshin Hoti, i cili u burgos në mes të 90-ave nga autoritetet jugosllave, dhe prej atëherë mbetet i zhdukur.

“Unë nuk jam shkrimtare grua, poete grua… dua të kujtohem si shkrimtare, si poete”, ngul këmbë Shukriu. “Kam luftuar t’u shpëtoj këtyre paragjykimeve dhe të kem mundësi të garoj me të gjithë si shkrimtare, jo të grupohem me shkrimtaret gra”, thotë ajo me vetëbesim dhe ton të mprehtë të zërit.

Kualifikimet e saj në degën e arkeologjisë kanë ndikim të qartë në poezinë e saj, ku kombinon shkrime letrare me fakte historike. Në poezi tjera si “Nëna” nga libri “Gjakim” (1979) ajo e shtjellon imtësisht luftën e grave për liri shpirtërore dhe intelektuale.

Libri i saj i parë me poezi “Sonte zemra ime feston” u botua kur ajo ishte 23 vjeçe, dhe pati sukses të madh, duke e ngritur emrin e Shukriut në qarqe lokale letrare. Poashtu, Shukriu u bë anëtare e Shoqatës së Botuesve të Kosovës në 1973, një vit pasi e botoi librin e parë të saj.

“Më linde nënë në dhembje…
të linda bijë në dhembje
për gëzim.
Ti do të lindesh në dhembje, gëzim
Dhe bijë e jote do të lind gëzim,
Do të ngritemi mbi dhembjen tonë. ”

- Edi Shukriu

“Pas kësaj… situata politike vetëm u përkeqësua dhe u bë shumë kohë e vështirë në përgjithësi. Nuk mendoja se çfarë po bëja në atë kohë, si grua, si shkrimtare; vetëm u mundova të punoja dhe ta bëja më të mirën në ato rrethana”, thotë Shukriu.

“Kishte mbështetje në mesin e grave — shumica prej nesh që po i ndjeknim në mënyrë aktive profesionet tona në atë kohë e mbështetnim njëra tjetrën në mënyra të ndryshme. Unë isha themeluese e organizatës së parë demokratike të grave, Forumi i Grave, i cili ende funksionon sot si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ne avokuam për të drejtat e grave”. 

Shukriu ende jep mësim në Universitetin e Prishtinës, merr pjesë në ngjarje letrare dhe kalon një pjesë të madhe të kohës së lirë me mbesën e saj në parkun e lagjes Ulpiana në Prishtinë, ku jeton që nga vitet ‘70.

Alije Vokshi

U takova me Alije Vokshin në banesën e saj në qendër të Prishtinës. Ajo ka një pamje elegante dhe me stil, pavarësisht moshës dhe demencës së saj. Është e shoqëruar nga e bija Zana, dhe nipi, artisti Lorik Sylejmani. Nga larg e shoh “Plaku në të zeza”, një pikturë mahnitëse dhe një nga portretet më të njohura të Alije Vokshit, që gjendet afër disa pikturave tjera. 

Alije Vokshi njihet si gruaja e parë kosovare që studioi pikturën. Ajo diplomoi në degën e arteve të bukura nga Universiteti i Beogradit në 1969, disa vite para se të themelohej Akademia e Arteve në Prishtinë; në një kohë kur ishte e pazakontë për gratë të studionin jashtë vendit, posaçërisht artin. Më vonë, e kreu magjistraturën në Beograd dhe Paris. 

“Ajo gjithmonë ka qenë grua ambicioze. Çfarëdo që dëshironte të bënte, e bënte. Donte ta ndjekte pikturën si profesion, dhe e bëri”, thotë Zana, e bija e Alijes. 

Punimet e Vokshit kanë qenë pjesë e disa ekspozitave kolektive dhe tetë solo ekspozitave.

Përveç pikturës “Plaku në të zeza”, për të cilën u frymëzua nga një plak të cilin e pa kur e vizitoi qytezën e saj të lindjes, Pobergjën afër Deçanit, një prej pikturave më të njohura të Vokshit është “Plaka në të zeza”, portreti i një gruaje të moshuar dhe stoike shqiptare me vello të zezë. Ky punim u bë në 1972 dhe ka qenë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës prej vitit 1981.

“Ajo i kishte portretet e shkëlqyeshme. I pëlqente t’i kapte shprehjet e fytyrave të njerëzve për shkak se në atë mënyrë mund ta shfaqte anën emocionale të tyre. Por ajo pikturoi edhe peisazhe, piktura abstrakte dhe projekt vizatime të papërpunuara”, shpjegon Sylejmani, cili e ka përcjellur punën e hallës së tij prej kur ka qenë fëmijë. Ai ishte kurator i solo ekspozitës së saj të fundit në galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë në 2018. 

Rinia e Alije Vokshit ishte poaq magjepsëse dhe interesante sa portretet e saj. Vokshi ishte sportiste e mirë dhe para se ta ndjekte karierrën artistike, ajo e donte basketbollin. Por edhe atëherë, Alija pikturonte dhe vizatonte me fiksim.

“Ajo ishte një grua e lirë. Ajo e bëri pikërisht të kundërtën e asaj që dëshironte shoqëria. Nuk kishte frikë të ishte ndryshe, e përqafonte!” shpjegon Sylejmani.

Pasi u kthye nga studimet në 1975, deri në pension, Vokshi ligjëroi për pikturën në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

“Ajo e kishte vështirë aty; e mbanin si asistente edhe pse ishte poaq apo më e kualifikuar se kolegët e saj meshkuj”, shpjegon Zana. “Por ajo e donte mësimdhënien, i donte studentët e saj, dhe kënaqej duke i frymëzuar të tjerët”. 

Punimet e Alije Vokshit janë ekspozuar në solo ekspozita të ndryshme anembanë Kosovës, por deri më sot, ende nuk e ka organizuar një ekspozitë retrospektive me të gjitha punimet e saj.

Miradije Ramiqi

Në fillim të ‘70-ave, Miradije Ramiqi filloi t’i publikonte poezitë e para në revistat dhe gazetat e asaj kohe: Fjala, Zëri i Rinisë, Jeta e Re, Sfiga, Rilindja, etj. 

Sot, në moshën 66 vjeçare, Miradije Ramiqi ende shkruan, pikturon dhe jep mësim në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. 

Miradije Ramiqi është piktore dhe poete me karrierë të bujshme në këto dy mediume të shprehjes. Ajo diplomoi nga Akademia e Arteve e Universitetit të Prishtinës në 1978 dhe e kreu magjistraturën në 1997 në të njëjtin fakultet. 

Ajo është autore e katër librave të poezisë: “Drithërimë Ngjyrash”, botuar në 1981 nga Rilindja; “Shi në Pasqyrë”, botuar në 1990 nga Rilindja; “Pëshpërimë Mbretërie” (2000) dhe libri i saj i fundit “Hirësi Prrallore” (2010). Ramiqi ka botuar edhe disa antologji dhe përpilime të punimeve të saj në gjuhë të ndryshme si anglisht, italisht dhe rumunisht. 

Në anën tjetër, pikturat e Ramiqit janë ekspozuar në shumë ekspozita kolektive anembanë Kosovës dhe jashtë vendit. Deri sot, Ramiqi i ka pasur 20 solo ekspozita dhe retrospektiva. Pikturat e saj përfshijnë arte grafike, portrete (në punimet e hershme të saj) dhe peisazhe me ngjyra shumë të ndezura. 

Ramiqi, një grua shumë e shoqërueshme, nuk ngurron të diskutojë për secilën nga këto ekspozita dhe publikime, një nga një dhe në hollësi. Poashtu, ajo flet me dashuri për qytezën e saj të lindjes, Pozharanin afër Vitisë, për rininë e saj në Prishtinë dhe për karierrën e jetën e saj.

“Gjithmonë e kam dashur artin dhe të bukurën” Gjithmonë kam dashur ta studioj pikturën, e më vonë fillova ta shprehja veten edhe duke shkruar.’

Ramiqi, e cila ka fituar plot çmime për poezitë dhe pikturat e saj, i përdorë këto dy mediume për ta shprehur veten — ato që nuk mund t’i thotë me fjalë, i thotë me pikturë, dhe anasjelltas.

“Vështirë është për gratë, shumë vështirë. Por jeta është e vështirë në përgjithësi. Kjo është motoja ime! Duhet të kesh motiv dhe të punosh shumë —- pastaj gjithçka është e mundur”, thotë Ramiqi duke buzëqeshur, deri sa m’i tregon pikturat në studion e saj në Prishtinë.

Temat dhe subjektet në poezitë e saj ndryshojnë, nga preokuptimet me antikën (figura qendrore e mitologjisë poetike të saj është mbretëresha ilire Teuta), trashëgimia kombëtare, e deri te natyra e të qenurit grua dhe preokupimet e përditshme.

Në poezinë e fuqishme të saj “Gratë e Hasit të thatë”, ajo flet për malësoret, jetët e tyre që preokupohen me “lindjen e fëmijëve, gatimin dhe bindjen ndaj burrave të tyre”, dhe atë se si identifikohet me ato.

“...Mos ua lexoni rrudhat
Trishtimi u lidhet nyje
Por shtroni sofrat dhe hani
Bukën e tyre prej mundit
Në trajtën e burrave të tyre.
Dua t’i kthej në një ngjyrë dheu
Në studion time në pikturë
Ua shlyej gjeografinë e kurbetit
Sa shume u gjasoj atyre,
Në nje portret të piklluar oval. ”

- Miradije Ramiqi

Qibrije Demiri Frangu

Qibrije Demiri Frangu është mbase shkrimtarja e parë që ka botuar poezi për fëmijë në Kosovë.

Demiri Frangu studioi letërsinë shqipe dhe ligjëron në Universitetin e Prishtinës prej vitit 1986. Ajo është autore e dhjetë librave me poezi. I pari, “Buzëqeshja s’është larg”, u botua në 1985 nga Rilindja. Ndonëse është e specializuar në poezi të fëmijëve, Qibrija, të cilën tani e thërrasin Dije, shkruan edhe për të rritur.

“Unë fillova me poezi për fëmijë sepse kam shkruar poezi nga një moshë shumë e re, dhe i botova në revista për fëmijë dhe të rinj të asaj kohe, si Pionieri. Më vonë, u inkurajova nga redaktorët dhe shkrimtarët si Agim Deva dhe Rifat Kukaj të botoja verzione të këtyre poezive që po i botoja në ato revista. Ata thanë “pse jo, do të jesh poetja jonë për fëmijë”, thotë Demiri në zyrën e saj në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.

“Unë kurrë nuk jam ndalur së shkruari. Prej asaj kohe, për mua është si një lloj nevoje, një lloj mbijetese.”

Demiri Frangu m’i tregon të gjithë librat për fëmijë, që janë të ilustruar dhe me ngjyra. Poezitë në ta janë gazmore dhe me humor intelegjent. 

“U mundova të jem edhe kritike në ato poema, për sendet që janë të rëndësishme për mua, si të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave. Sigurisht në atë kohë, shumë punime letrare u censuruan, por shumë prej punimeve qesharake u lejuan, çuditërisht”, thotë Demiri Frangu me entuziazëm.

Në poezinë e saj “Babai Im” nga libri “Ta shoh botën si gotën” që u botua në 1989 nga Rilindja, ajo tallet me figurën e mashkullit patriarkal të stilit të vjetër.

Babai do ta sundojë nënën,
Shpesh n’qafe i bie për cikërrime
Mua motrën si pionat e shahut na lëviz:
Shko në vetëshërbim
Te daja Gëzim
E rrallë herë nga ai kemi ndonjë befasi
Ai sundon TV’në edhe veturën
Një ditë mora guxim i thashë:
Babi ka ikur kohë e mbretërve!
Ai pjerrtas më shikoi
Dhe dhëmbët skërmiti.

- Qibrije Demiri Frangu

Redaktuar nga Ferdi Limani.
Redaktim shtesë: Tringë Sokoli.

Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.

  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.
  • -->