“Kemi ardhur sot prej pjesëve të ndryshme të Greqisë për ta thënë qartë: Secili grek është maqedon, dhe secili maqedon është grek!”, bëri jehonë një zë nga altoparlantët e vendosur në sheshin Syntagma në Athinë të shtunën (4 shkurt). Kjo turmë e përshkoi sheshin me flamuj bardhë e kaltër, duke reaguar plot gëzim: “Duart larg Maqedonisë!”
Edhe në këtë të diel (e dyta në dy javët e fundit) mbi 100,000 grekë u mblodhën para Parlamentit në Athinë për të protestuar kundër përdorimit të emrit ‘Maqedonia’ nga fqinji i tyre verior.
Konflikti për emrin ‘Maqedonia’ është çështje shumë e diskutueshme në Greqi në kohët e fundit. Politikanët po e sulmojnë njëri-tjetrin, ndërsa rrjetet sociale po digjen me komente të “padrejtësisë kundër grekëve”. E gjithë kjo temë e ka kapluar dhe e ka bashkuar shoqërinë greke më shumë se çdo çështje tjetër në dekadat e fundit.
Lojëra historike
Në ditën e protestave, grekët nga i gjithë vendi erdhën në kryeqytet. Sipas burimeve policore, gati 300 autobusë arritën në Athinë, duke sjellur dhjetëra mijëra protestues.
Rajoni i Maqedonisë shtrihet në tri shtete – Greqi, Bullgari dhe një pjesë të asaj që dikur ishte Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej në vitin 1991, njëra prej ish-republikave të saj shpalli pavarësinë me emrin Maqedonia.
Që atëherë, Greqia ka pohuar se përdorimi i këtij emri nënkupton pretendime territoriale ndaj krahinës së saj të Maqedonisë, ku thuhet se dikur lindi dhe jetoi Aleksandri i Madh, të cilin në Ballkan ndonjëherë e quajnë Aleksandri i Maqedonisë.
Për shkak të këtij konflikti, përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar institucioneve ndërkombëtare, duke përfshirë këtu Bashkimin Europian dhe NATO-n, vazhdimisht janë bllokuar (ndonjëherë edhe me veto) nga Greqia.
Në jetën e përditshme, grekët e quajnë Maqedoninë “FYROM”, akronim për “Former Yugoslav Republic of Macedonia” (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), ose thjesht Shkup, emri i kryeqytetit të saj. Emri ‘Maqedonia’ nuk përdoret asnjëherë për t’iu referuar fqinjëve të veriut. Për shkak të konfliktit për emër, edhe në nivel ndërkombëtar Maqedonisë i referohen si FYROM.
Muajin e kaluar, dy shtetet bënë përpjekje për t’i nisur bisedimet për zgjidhjen e konfliktit 27-vjeçar për emër. Bisedimet u ndërmjetësuan nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Më 7 shkurt, dy ditë pas protestave në Athinë, kryeministri Zoran Zaev u tha mediave se shteti i tij është i gatshëm ta ndryshojë emrin. Deri më tani janë dhënë disa propozime: Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re, Maqedonia Veriore dhe Maqedonia (Shkupi).
Ndonëse zyrtarët në Athinë e mirëpritën këtë deklaratë të Zaevit, ende nuk është e qartë se si do të pritet ajo nga mazhoranca në Greqi.
“Maqedonia është një, dhe është greke. Ky është i vetmi fakt historik. Ata e duan emrin sepse e duan edhe territorin tonë. A do t’i lejojmë ne?”, kumbuan këto fjalë nga altoparlantët në sheshin Syntagma në Athinë. Njerëzit e ngritën zërin: “Ne nuk do të dorëzohemi, derisa ata të thonë se ne kemi të drejtë!”
“Para disa shekujve u derdh gjak për Maqedoninë e pavarur, dhe tani ata duan t’jua marrin Maqedoninë tuaj të dashur”, vazhdoi zëri. Turma ishte një kor i sinkronizuar mirë. Ata u përgjigjën: “Hellas, Hellas, Macedonia!”
Protesta të ngjashme u mbajtën në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, në Selanik, dy javë më parë.
Në mesin e njerëzve të mbledhur ishin edhe disa politikanë të partive opozitare, duke përfshirë këtu partinë e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, partinë socialdemokrate PASOK, Unionin e Centristëve dhe partinë e vetëshpallur fashiste, Agimi i Artë. Kishte edhe anëtarë nga partia e vetme që është në koalicion me partinë udhëheqëse Syriza – Grekët e Pavarur.
Zorbë greku në mesin e protestuesve
Në demonstratë ishte edhe një kompozitor 93-vjeçar, Mikis Theodorakis, ikonë e së majtës greke dhe nacionalist, dikur i burgosur politik gjatë juntës ushtarake të viteve të ‘60-a në Greqi.
“Grekë të dashur, vëllezërit e mi, fashistë, nazistë, terroristë, anarkistë, ngucakeqë”, e nisi fjalimin e tij kompozitori “Zorbë greku”. Turma u çmend, duke derdhur lot e duke bërtitur deri sa ai lexonte. Një banderolë gjigante u zbulua: “Maqedonia është Greqi”.
“Po, jam patriot. Gjithmonë do të luftoj kundër fashizmit në të gjitha format, veçanërisht kundër formës më të rrezikshme: majtiste”, tha Theodorakis, i cili ishte deputet i partisë komuniste nga viti 1981 deri më 1990. “Ne qeverisemi prej tradhtarëve, të cilët po na shkatërrojnë”.
Gjatë bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, Theodorakis e mbështeti publikisht qeverinë e Millosheviqit dhe organizoi koncerte në Beograd dhe Athinë në vitin 1999. Pasi Kosova shpalli pavarësinë, Theodorakis e fajësoi SHBA-në dhe pretendoi se po zhvilloheshin “plane dinake kundër shtetit tonë jo vetëm në bazë të detit Egje dhe Qipros, por edhe pakicës muslimane në Trake, e cila pas shembullit të Kosovës mund të kërkojë pavarësinë”.
Në tubimin e 4 shkurtit, Theodorakis kërkoi “referendum për mosmarrëveshjen në lidhje me emrin ‘Maqedonia’”.
Syriza në vetmi
Sipas sondazheve të opinionit, po të mbahej një referendum sot, 70 deri në 75 për qind të grekëve nuk do të pranonin kurrfarë reference me emrin ‘Maqedonia’ nga fqinjët e tyre.
Sa i përket trajtimit të çështjes me Maqedoninë, Syriza – parti e krahut të majtë e cila u zgjodh falë platformës kundër masave të rrepta – ka mbetur e vetme. Qasja e tyre në lidhje me mosmarrëveshjen për emër dhe kërkimi i tyre për zgjidhje politike nuk ka gjetur mbështetje të partnerit të vetëm të tyre në koalicion, Grekët e Pavarur, parti e krahut të djathtë.
Këtë javë, politikanët nga Syriza dhe Grekët e Pavarur filluan të fëlliqen në publik, duke zhvilluar një luftë fjalësh në media.
Deputeti i Syrizas, Dimitris Papadimoulis e etiketoi tubimin si “të së djathtës ekstreme”. Më pas, mbështetësi i tubimit dhe deputeti i Grekëve të Pavarur, Dimitris Kammenos, e quajti Papadimoulisin “politikan spiun” dhe kërkoi që Qeveria “ta dëgjojë zërin e popullit”.
Sondazhet e zhvilluara në fund të vitit 2017 tregojnë se Syriza aktualisht gëzon nivel të ulët të mbështetjes në mesin e opinionit publik grek; vetëm 16 apo 17 për qind të njerëzve shprehën qëllimet e tyre për të votuar për partinë udhëheqëse. Demokracia e Re, parti e krahut të djathtë e cila bashkë me Socialdemokratët PASOK drejtoi shtetin për katër dekada, përsëri është duke udhëhequr në të gjitha sondazhet.
Pavarësisht këtyre shifrave të ulëta, anëtarët e Qeverisë të cilët po merren me çështjen e Maqedonisë po ngulin këmbë se ata kanë mandat të veprojnë për shtetin.
Ministri i punëve të jashtme, Nikos Kotzias, i cili është pjesë e “procesit të bisedimeve për Maqedoninë”, e etiketoi protestën si lëvizje politike dhe e theksoi vlefshmërinë e punës së tij. “Lakuriqësia e Demokracisë së Re ishte e qartë”, shkroi në Twitter Kotziar. “Miliona patriotë grekë e bënë zgjedhjen e tyre. Pra, unë vazhdoj të bisedoj për të mirën e vendit, me një ndërgjegje të heshtur dhe me përgjegjësi”.
Nazistët të infiltruar në tubim
Situata jostabile politike po i shton benzinë zjarrit të rrezikshëm ultranacionalist. Anëtarë të Agimit të Artë – udhëheqësia e të cilit vazhdimisht ka shprehur admirim për nazizmin – u mblodhën para selisë së tyre në Athinë një ditë para tubimit, ku brohoritën kundër qytetarëve maqedonë dhe dogjën flamurin kombëtar maqedon.
Gjatë tubimit të ditës së diel ata u paraqitën pa këmisha, flamuj dhe kapela të tyre të dalluara dhe me simbole, të shkrirë në turmë duke mbajtur lart një banderolë të madhe: “Greqia u takon grekëve!”
Mbështetësit e tyre i mirëpritën me ngrohtësi. U formua një radhë e gjatë për t’u fotografuar me “plejbojin e së djathtës ekstreme të Greqisë”, 37-vjeçarin Ilias Kasidiaris.
Pas përfundimit të tubimit, një grup i neo-nazistëve hodhën gurë drejt teatrit të okupuar Ebros në qendër të Athinës. Ky lokacion është i njohur për veprime antifashiste, si dhe ngjarje kulturore që mbështeten nga emigrantët dhe refugjatët.
“Maqedonia u përket arinjve të saj”.
Paralelisht me tubimin nacionalist të së dielës, rreth 1,000 njerëz u mblodhën vetëm disa qindra metra larg Parlamentit për ta kundërshtuar këtë demonstratë.
“Mobilizimi nacionalist nuk e vazhdon përpjekjen kundër rreptësisë, por e bën të kundërtën”, deklaruan organizatorët në rrjete sociale. “Po flasim për kundërrebelimin urban, ku të vetmit fitues do të jenë mbështetësit e së djathtës dhe të krahut të tyre fashist”.
Në këtë anti-tubim, i cili ishte i izoluar nga forcat policore për të mos i lënë dy grupe të takoheshin, morën pjesë kryesisht grupe anarkiste. Në këtë tubim u ngritën banderola si “Paqe për Ballkanin. Luftë kundër fashizmit dhe imperializmit” dhe “Maqedonia u takon vetëm arinjve të saj”.
Partitë e tjera më të vogla të krahut të majtë, Antarsya dhe Uniteti Popullor, të udhëhequra nga ish-ministri i Syrizas, Panagiotis Lafazanis, nuk morën pjesë në tubimin që u mbajt kundër tubimit në Syntagma, por dhanë deklarata publike nëpërmjet të cilave e dënuan ngjarjen nacionaliste.
Megjithatë, një mbështetës i tubimit në Syntagma i befasoi njerëzit. Ishte Zoe Konstantopoulou e së majtës greke. Ajo më parë kishte shërbyer në Qeverinë e parë të Tsiprasit si Kryeparlamentare. Pasi e la Syrizan, ajo formoi partinë e saj, Rruga e Lirisë, në vitin 2016.
Javën e kaluar, Konstantopoulou u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj t’i bashkohen tubimit të së dielës: “Ju që doni të merrni pjesë në tubim nuk jeni fashistë, sepse ju jeni të shqetësuar për shtetin tuaj dhe për çështjen e Maqedonisë”. Në mesin e së majtës së çarë të Greqisë, Konstantopoulou ishte e vetmja figurë politike e cila bëri haptas thirrje publikut për pjesëmarrje në tubim.
Në 25 vitet e fundit (në 1992 në Selanik, një milion grekë u mblodhën për ta kundërshtuar emrin e Maqedonisë), as masat e rreptësisë, e as lufta për ekzistencë në një shtet të goditur nga kriza, nuk i ka frymëzuar grekët të dalin rrugëve dhe të protestojnë me pasion të tillë, siç po dalin aktualisht për fushatën nacionaliste për emrin ‘Maqedonia’.
Foto kryesore: Katja Lihtenvalner.