Historia e organizimit sindikal është histori e veprimit kolektiv. Është histori përpjekjesh e konfliktesh, luftë për paga më të larta, kushte më të mira të punës, orar më të shkurtër në punë, siguri e mbrojtje në vendin e punës. Të gjitha këto janë arritur përmes organizimit kolektiv të punëtorëve. Ky organizim, mjetin më efektiv e ka pasur dhe vazhdon ta ketë grevën.
Nga 25 gushti, disa ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, nën ombrellën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), mësimdhënësit e Kosovës kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë mbështetje financiare prej 100 eurosh për të gjithë punonjësit e arsimit për ta përballuar inflacionin deri sa të miratohet Ligji për Paga dhe të përfshihen në hartimin e këtij ligji. Ndërkohë, qeveria ka inicuar pakon mbështetëse, përmes së cilës parasheh ndarjen e 50 eurove në muaj për të gjithë zyrtarët publikë deri në fund të këtij viti. Por, grevistët e kanë konsideruar këtë pako të pamjaftueshme.
Përveç mospërmbushjes së kërkesave të grevistëve, qeveria e kryeministri Albin Kurti janë lëshuar në kërcënime e nënçmim ndaj sindikalistëve, sjellje kjo që po e vë në pikëpyetje lirinë reale të organizimit sindikal, përtej të drejtës formale për një gjë të tillë. Vetë greva ka ngjallë diskutim thelbësor për rolin e sindikatave në vendin tonë dhe më duhet ta them, një diskutim i tillë përvijohet jashtë e përtej diskutimit dominant “Kush o ma i forti!”.
Një prej arsyeve pse një diskutim i tillë është me interes të jashtëzakonshëm është fakti që me këtë grevë sistemi publik i arsimit është paralizuar dhe bashkë me të është prekur drejtpërdrejt një pjesë e madhe e qytetarëve. Andaj, gjendja e krijuar e shqetëson shumicën e qytetarëve sepse janë përfshirë nga ndjesia e krizës.
E në krizë dhe në frikën nga kriza, njerëzit gjykojnë emocionalisht. Duke e vendosur arsyen në plan të dytë, kanë tendencë të mbrojnë pozicione që do të ishin në kundërshtim me bindjet e tyre parimore. Për shembull, i mbështesin kërcënimet, shpesh hakmarrëse, nga qeveria ndaj sindikalistëve, si për shembull për ndaljen e pagës për grevistët, me shpresë që këto e ndërprejnë grevën dhe i hapin shkollat.
Kjo situatë e krijuar duhet trajtuar në prizmin e grevës së punëtorëve dhe sjelljes së punëdhënësit karshi tyre. Andaj, që në krye të herës duhet qartësuar pozicionet formale të palëve të përfshira: qeveria dhe kryeministri janë punëdhënësi i punëtorëve të arsimit publik. Është e vërtetë se kjo pozitë e punëdhënësit nuk është formalisht e plotë meqë një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësive të punëdhënësit janë nën pushtetin lokal, së paku në aspektin financiar, si ekzekutimi i pagave, por në fund të fundit qeveria është përgjegjëse. Kjo i bën qeverinë dhe kryeministrin palë interesi në njërën anë dhe sindikatat në anën e tjetër.
Kjo marrëdhënie formale duhet vendosur sepse mundëson një qartësim analitik të mëtejmë të pse-së së sjelljes aktuale të të dyja palëve dhe na ndihmon ta qartësojmë se çfarë standardi e precedenti po vendos e mund të vendosë përplasja aktuale mes qeverisë dhe sindikatave, veçanërisht asaj të arsimit. Sepse këtu thehen shtizat. Kërkesat e sindikatës, legjitimiteti i tyre, mundësia e realizimit të tyre, këmbëngulja në to, ofertat e qeverisë e akuzat nga eksponentët e saj ndaj sindikalistëve janë më shumë mjete ilustrimi për tezat e ngritura se sa thelbi a shkaku i shkrimit.
Në këtë rast, sindikata e arsimit nuk është në dialog me qeverinë si palë neutrale anipse kjo gjë do të kishte qenë e vërtetë në shumicën dërrmuese të rasteve të grevës në vendet demokratike me klasë punëtore të organizuar.
Sindikatat fuqizohen në kohë krizash
Dialogu social dhe historiku i tij i zhvillimit, veçanërisht në vendet nordike, është dialog domosdoshmërisht tre-palësh. Në njërën anë janë punëdhënësit, në anën tjetër punëtorët. Pala e tretë është qeveria, e cila shërben si mundësi ndërmjetësimi, garantues i zbatimit të marrëveshjes dhe vendimmarrës institucional për legalizimin e të arriturave nga dialogu social — amandamentim të ligjeve për të akomoduar progresivitetin e kushteve dhe trajtimit në punë të punëmarrësve. Ky lloj trinomi ka treguar një sukses të jashtëzakonshëm në përmirësimin e kushteve e trajtimit të punëtorëve nëpër vendet ku është aplikuar, por edhe jetëgjatësi të qeverisjes social-demokrate.
Megjithatë, në grevën e mësimdhënësve në Kosovë nuk i kemi tri palë, por vetëm dy. Qeveria e kryeministri, edhe pse kanë interes të shihen si palë neutrale, agjentë arbitrarë të së mirës publike, nuk janë të tillë, siç do të kishin qenë ta zëmë në një grevë të përgjithshme të punëtorëve të shitjes me pakicë (supermarketeve). Aty qeveria do të kishte qenë palë neutrale, e cila do të ndërmjetësonte një marrëveshje që nuk do të kishte implikime të drejtpërdrejta buxhetore për të. Dhe së këndejmi do ta mbronte interesin publik – kushte më të mira për punëtorët dhe përballueshmërinë e tyre për biznesin.
Në rastin e grevës së mësimdhënësve, duke qenë punëdhënës, qeveria kujdes primar e ka përballueshmërinë, në këtë rast financiare, të kërkesave të grevistëve. E deri tash e ka dëshmuar që karshi financave publike ka një qasje të theksuar konzervatore — duke insistuar të mos bëjë ndryshime — mbase me të drejtë në disa raste. Mirëpo, kjo qasje e bën efektivisht secilën kërkesë sindikale të papërballueshme. Ndryshe nga progesiviteti, që synim thelbësor ka përparimin shoqëror, pra ndryshimin, konzervatorizmi ngjallë frikë dhe pesimizëm, përmes së cilës kriza shihet vetëm si rrezik e jo edhe si mundësi. Frika natyrshëm të dërgon te kërbaçi, gjë që e pamundëson marrëveshjen.
E kërbaçi deri tash ka marrë formën e përjashtimit — sikur në rastin e vendimit për pagën minimale ku nuk u konsultuan sindikatat; kërcënimit me ndalje të pagave, temë kjo qendrore e diskutimit për një kohë të gjatë dhe tentim njollosjes për qëllime diskreditimi të sindikalistëve. Secila prej tyre në kundërshtim flagrant të idesë së dialogut social. Rreziku vjen nga precedenti që mund të vendoset.
Përjashtimi i sindikatave nga dialogu social veç pse nuk pajtohen është akt jodemokratik dhe zhbërje e dialogut social. Kjo ua pamundëson punëtorëve realizimin e të drejtave të tyre përmes veprimit kolektiv sepse rrezikohet seriozisht e drejta për grevë. Pa të drejtën për grevë, sindikatat përfundojnë në organizata që dërgojnë punëtorë në pushime në plazh dhe eventualisht organizojnë ndeja lamtumirëse për punëtorët e pensionuar.
Ta marrim ndalesën e pagesës mujore për grevistët, e cila u përdor nga qeveria për t’i kërcënuar grevistët. Në Ligjin për Greva ka një paqartësi rreth kësaj çështjeje. Ligji i parë për grevat nuk e ka lejuar këtë mundësi. Por, ai i amandamentuar në vitin 2012 është eksplicit në Nenin 18, që thotë “Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.” . Mirëpo, Neni 13 i të njëjtit ligj i nuk lejon marrjen e “…masa[ve] disiplinore apo materiale…” ndaj “…organizuesve të grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë…”
Pyetja është çka quajmë masë materiale në kuptim të këtij ligji? Është e vërtetë që një ndalesë e tillë e pagës për kohën e grevës është standard gati në secilin vend të Bashkimit Evropian dhe pagesa eventuale e pjesëmarrësve në grevë vjen nga fondet e sindikatës apo një fond i themeluar veçanërisht për grevën. Megjithatë, përtej ngurtësisë ligjore, a nuk do të duhej ta trajtojmë këtë çështje më gjerësisht dhe në përputhje me rrethanat tona ekonomike e sociale?
A do të mund të zbatohej një rregull i tillë në rastin tonë? Sindikata e arsimit edhe mund të ketë një mundësi të tillë meqë ka anëtarësi të gjerë dhe mund të mbledhin fonde nga anëtarësia e tyre për të financuar grevën. Por, çfarë të bëjmë më shumicën dërmuese të punëtorëve në sektorin privat, i cili në pjesën më të madhe të tij nuk është fare i sindikalizuar? Edhe po të ekzistonte pagesa e anëtarësisë do të ishte sfidë serioze kur e kemi parasysh nivelin e pagave në këtë sektor. Andaj, aplikimi i kësaj ndalese pagash në rast greve do ta pamundësonte grevën si të tillë.
E nëse greva do të kishte qenë efektivisht e pamundur, atëherë çfarë do t’u duhej punëtorëve të tillë organizimi sindikal? Çka do të mund të bënte një sindikatë, e cila efektivisht e ka të pamundur të futet në grevë? Si do të luftonte për kushte më të mira pune e paga më të larta për punëtorët? Prandaj, një përcaktim i tillë në ligjin për grevat është i dëmshëm për organizimin sindikal në të tashmen dhe të ardhmen. Natyrisht që do të ishte lehtësisht i zbatueshëm për sektorë që do të kishin dhjetëra-mijëra të punësuar dhe një përvojë domethënëse të organizimit sindikal, përmes të cilit fondi për grevën do të kishte qenë i arritshëm. Por, në kushtet tona kjo duket të jetë e pamundur.
Punëdhënësit — edhe qeveria — shpesh thonë që rritja e pagave është e pamundur sepse do ta cenonte ndjeshëm konkurrueshmërinë dhe mundësitë investive të biznesit, veçanërisht në kohë krize. Por, duhet kuptuar një gjë në këtë drejtim: sindikatat bëhen atraktive dhe të fuqishme pikërisht në kohë krize.
Në kohët kur ka punësim të madh e kushte të mira të punës, punëtorët përgjithësisht janë të kënaqur dhe nuk shohin nevojë për organizim sindikal. Historikisht, sindikatat kanë ardhur në shprehje në kohë krizash, atëherë kur, për shkak të çregullimeve në treg, ka tendencë që profiti të mirëmbahet përmes rritjes së shkallës së eksploatimit të punëtorëve ose kur çregullimet në treg shkaktojnë inflacion, rritje të çmimit të mallrave në treg, e që duhet të përcillet me rritje të çmimit të punës në treg. Kjo s’është diçka që ndodhë vetvetiu dhe automatikisht, por me ndërhyrje sindikale.
Përdorimi i krizës si arsyetim për t’i përjashtuar sindikatat nga dialogu social është absolutisht i papranueshëm. Ashtu si e thotë Isabelle Schömann, sekretare e Konfederatës Evropiane të Sindikatave, e drejta për grevë është e drejtë fundamentale dhe si e tillë nuk është e tjetërsueshme e as e suspendueshme për shkak të krizave. Së paku jo demokratikisht. Kjo e drejtë fundamentale është e mbrojtur edhe me parimet e Organizatës Botërore të Punës (ILO), e cila në Deklaratën e miratuar në Konferencën Ndërkombëtare të Punës më 1998 u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare dhe jo anëtare, si Kosova, që t’i “…respektojnë, promovojnë, dhe mundësojnë, në mirëbesim dhe në përputhje me Kushtetutën, parimet e të drejtave fundamentale…” e të cilat përfshijnë lirinë e tubimit dhe asociimit.
Pa këtë liri ose thënë më mirë, pa organizata të punëdhënësve dhe punëtorëve, të cilat janë autonome, të pavarura, përfaqësuese e të pajisura me të drejtat dhe garancat e nevojshme për përparim të të drejtave të anëtarëve dhe të së mirës së përgjithshme, parimi i tre-palëshit do të dëmtohej ose do të pamundësohej plotësisht, dhe me të, gjasat për drejtësi më të lartë sociale do të dëmtoheshin seriozisht.
Qeveria ka gabuar në qasjen karshi sindikatave sepse i sheh ato si organizata armiqësore. Edhe si punëdhënës, por veçanërisht si qeveri, sindikatat duhen parë si partner, si pjesë e zgjidhjes së problemit e jo si problem në vete. Një mësim të tillë do të duhej ta kishte nxjerrë nga historia social-demokrate, së paku një qeveri progresiste do të duhej ta kishte këtë qasje demokratike e përfshirëse ndaj punëtorëve e sindikatave.
Imazhi i ballinës: K2.0
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.