Nuk do të shkruaj për faktet në lidhje me krimet e kryera në qytetin tim të lindjes, Prijedor apo në pjesët tjera të Bosnjes dhe Hercegovinës. Këto fakte veç se janë në dispozicionin tonë, siç janë plot dëshmi dhe vendime gjyqësore.
Kemi qasje në emrat e viktimave dhe autorëve të krimeve. Dimë për skenat e krimit, dimë për varrezat masive, dimë për procedurat. Për ta thënë shkurt, dimë për mizoritë që shënuan fillimin e 90-ave në këtë vend.
Të mos kesh njohuri për këto sende është thjesht një zgjedhje. Duke e zgjedhur këtë, njeriu zgjedh ta injorojë një lidhje jetike në zhvillimin e një shoqërie në të cilën të gjithë ne jetojmë, me apo pa dëshirën tonë.
Vendimi final në rastin kundër Radovan Karadžićit përsëri e kthen fokusin te krimet e luftës, vrasjet, internimet, përdhunimet, spastrimi etnik dhe gjenocidi. Në fakt, këto çështje kurrë nuk kanë mbetur jashtë diskursit publik. Praktikisht të gjithë kanë dhënë mendimin e tyre për këto çështje dhe kështu kanë marrë pjesë në interpretim. Megjithatë, në shumicën e rasteve, kjo ka ndodhur pa kuptim bazik të ligjit, strategjisë ushtarake, sociologjisë apo etikave.
Sidoqoftë, ato që janë diskutuar rrallëherë janë llogaridhënia, fajësia dhe proceset të cilave duhet t’i nënshtrohet një shoqëri shumë e traumatizuar për ta kaluar rrugën e vështirë drejt rikuperimit.
Kur u kryen krimet masive në Prijedor, unë isha gati tre vjeç. Nuk isha mjaft i moshuar për t’i perceptuar si krime e as për t’i kuptuar ndryshimet tektonike që kishin për ta ndryshuar përgjithmonë ambientin në të cilin u rrita.
Fëmijët i adaptohen mjaft mirë ndryshimit të rrethanave. Ndonëse plot miq të prindërve të mi e lanë Prijedorin, unë nuk e qortova askënd për këtë situatë; pasi mësuesi im më tha që nuk duhet të shoqërohemi më me muslimanë, nuk bëra pyetje; kur e gjeta veten duke u arsimuar në një klasë të spastruar etnikisht, heshtja ime vazhdoi. Unë isha fëmijë, një fëmijë që po i adaptohej zhvillimeve shoqërore, pa marrë parasysh se a ishin apo nuk ishin ato në përputhje me “zakonet e luftës”
Qasje në internet morrëm në 1999. Sendi i parë që e bëra online si djalosh 10 vjeçar ishte kërkimi i qytetit tim të lindjes në Google.
U shokova. Të gjitha rezultatet në faqen e parë të kërkimeve përfshinë fotografi të krimeve masive. Nënvetëdija ime ishte e vetëdijshme për gjithçka, por vetëdija ime u godit nga një krizë.
Disa pyetje e kapluan mendjen time. U shemb, u shemb krejtësisht – kjo rrëfenjë e vazhdueshme që sillej rreth asaj që ne jemi viktimat e disa fantazmave imagjinare të luftës. Nga ky moment, fillova të pyes. Ndonjëherë më jepnin përgjigje të kënaqshme, e ndonjëherë të rriturit më thonin se isha tepër i ri.
U mundova të merrem me këto pyetje pa përgjigje nëpërmjet filozofisë dhe etikave, disiplina për të cilat gjithmonë kam pasur interesim. Fatmirësisht, po më zhvillohej një imunitet ndaj të gjitha formave të padrejtësisë. Vendosa të formuloj parime të cilave i përbahem edhe sot.
Spastrimi etnik nxiti zgjerim moral tek unë. Sikur të ishim të gjithë kaq me fat.
Meqë kisha privilegjin të konsiderohem serb në territor serb, e gëzova luksin e mbijetesës. Më mësuan për viktimat serbe, dinastinë Nemanjić dhe Perandorinë e Dušanit. Lexova prozë e poezi të shkruara nga autorët serbë – kryesisht meshkuj.
Isha pjesë e një sistemi që përsëri vendosi të shlyente pjesë përmbajtësore të kulturës dhe qenësisë së tij. Kisha nevojë për shumë kohë që t’i mbuloja ato që më kishin ikur, madje edhe sa i përket hollësive më të vogla. Prandaj dyshoj se do të arrijë ndonjëherë ta mbulojë secilën prej këtyre fragmenteve që mungojnë.
Edhe më pak do të kem mundësi të kompensoj për të gjithë njerëzit që ndjeshëm mungonin në rrethin tim, edhe pse kurrë nuk i kam njohur. Sidoqoftë, prania tyre mund të ndjehet, ditë pas dite. Më mungojnë të internuarit, më mungojnë të turpëruarit, më mungojnë ata që janë shlyer nga sistemi. I mungojnë kësaj shoqërie dhe gjithë civilizimit tonë – është e tmerrshme.
Pikërisht për këtë arsye, secili vendim dhe konkluzion i secilit proces gjyqësor brenda institucioneve të ndryshme na jep mundësi të re për t’i mbushur zbrazëtitë në skeletin osteoporotik të shoqërisë sonë, pa marrë parasysh atë se sa kozmetike mund të jenë këto korigjime.
Vendimi final kundër Radovan Karadžićit jo vetëm që do të na qortojë përsëri, por do të na jep gjithashtu mundësinë për ta kapur një moment në kohë për të reflektuar. Në këtë mënyrë, shoqëria jonë e gjymtë mund të jetë në pozitë për ta arritur katarsisin.
Dhe nuk është i rëndësishëm vetëm katarsisi. Janë edhe falja, turpi dhe përgjegjësia, qoftë në kuptimin e propozuar nga Karl Jaspersi – sa i përket rritjes si shoqëri morale e bazuar në dështimet dhe veprimet e së kaluarës – qoftë në ndonjë kuptim tjetër. Duhet ta përdorim këtë moment për hir të kthimit të dinjitetit për të vdekurit dhe të gjallët.
Shpresoj se nuk do ta prishim këtë mundësi siç kemi bërë me të kaluarat.
Foto kryesore: Nga ngjarja e përvjetshme përkujtimore në Prijedor. Foto nga arkiva private e Nikola Kuridzas, e adaptuar nga Besnik Bajrami.