Në thelb | BE

Guraleci në formë të Kosovës në këpucën e Spanjës

A kanë filluar të shkrihen marrëdhëniet Spanjë-Kosovë?

Nga - 28.08.2020

Në fund të viteve 1990, kur ai vetë ishte në të 20-tat, Pedro Sánchez i kalonte ditët e pushimit duke luajtur basketboll me ushtarët spanjollë në Sarajevë. 

Puna e tij e përditshme si shef i stafit të Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Bosnjë e Hercegovinë, ndër të tjera përfshinte detyra si negocimi i detajeve për marrëveshjet rreth targave të makinave dhe arritja e pajtimit për flamur e himn të pranuar nga të dy palët. Lufta që për vite me radhë kishte shkatërruar republikën ish-jugosllave kishte mbaruar, por një tjetër tashmë po e kërcënonte Kosovën fqinje. 

Sánchez vështirë se mund të parashikonte që dy dekada më vonë, Kosova do të paraqiste një çështje të pazgjidhur në agjendën e politikës së jashtme të vendit të tij. Dhe si kryeministër i Spanjës i rizgjedhur së fundi, kreu i Partisë Socialiste të Punëtorëve do të ishte përgjegjës për përcaktimin e zhvillimeve. 

Çështja e Kosovës zor se do të ishte në krye të listës së prioriteteve të tij, e cila përfshinte reagimin ndaj pandemisë së shtrirë në të gjithë botën, megjithatë do të përbënte një çështje që kërkon vëmendjen e tij.   

Më 6 maj të vitit 2020, pas një fitoreje të ngushtë të votave në parlament për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të COVID-19 në Spanjë, Sánchez u përgatit për samitin e radhës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti ishte paraparë të mbahej në Zagreb, por në vend të kësaj, liderët e rajonit dhe BE-së u lidhën përmes një video konference nga shtëpitë dhe zyrat e tyre.    

Kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez mori pjesë në samitin virtual mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në maj të vitit 2020, dy vite pasi paraardhësi i tij e bojkotoi atë për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës. Foto: Pool Moncloa / JM Cuadrado.

Ashtu siç ishin pajtuar: pa flamuj, pa emra vendesh. Megjithatë, kjo paraqiste përparim. 

Dy vite më parë, në Sofje, kryeministri i atëhershëm Mariano Rajoy nga Partia Popullore (PP) që tani është në opozitë kishte refuzuar të ulej në të njëjtin takim me delegacionin kosovar. Kjo shënoi pikën më të ulët në marrëdhëniet Spanjë-Kosovë, të cilat në nivelin zyrtar pothuajse nuk kanë ekzistuar që kur kjo e fundit shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Spanja refuzoi ta njihte. 

Në Zagrebin (virtual) 2020, Z. Pedro Sánchez, kryeministër i Spanjës, ishte aty. Dhe Z. Hashim Thaçi, president i Kosovës, ishte aty po ashtu. Autoritetet spanjolle dhe kosovare ishin në të njëjtin takim, dhe kjo përbënte lajm.

Por a ishte kjo shenjë e ndryshimit në politikën e jashtme spanjolle kundrejt Kosovës dhe shkëputje nga e kaluara? Apo thjesht një tjetër lajm që shkon e vjen për disa klikime më shumë?

Përtej njohjes

Për ta kuptuar të tashmen, fillimisht duhet të shikojmë nga e kaluara. Arsyet e Spanjës për mosnjohjen e Kosovës duhet të kuptohen, të paktën pjesërisht, brenda kontekstit politik të brendshëm të Spanjës. 

Në vitin 2008, pavarësia e Kosovës ishte shpallur tri javë para zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë, në të cilat kandidati i PSOE-së José Luis Rodríguez Zapatero po garonte — ku dhe do të fitonte — për një mandat të dytë.

Katër vite më parë, në 2004-tën, fushata fituese e Zapateros kishte përkrahur zëshëm respektimin e ligjit ndërkombëtar, kryesisht për të kritikuar kryeministrin e atëhershëm José María Aznar dhe mbështetjen e partisë së tij për pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Zëra në Spanjë nga i gjithë spektri ideologjik kanë hedhur poshtë analogjitë që krahasojnë Kosovën me Kataloninë.

Përgjatë viteve, zbehja spontane e këtij episodi në kujtesën kolektive mund të ketë lejuar një rimendim të rolit të Spanjës në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në raport me Kosovën ku Spanja në atë kohë kishte ende rol aktiv përmes ushtarëve të vet të KFOR-it të vendosur në Istog. 

Por rritja e separatizmit katalanas në debatet lokale — dhe në veçanti shfrytëzimi i përvojës kosovare të vetëvendosjes nga partitë katalanase pro-pavarësisë —  dekurajuan çdo qasje të paanshme ndaj marrëdhënieve. 

Sot, zëra në Spanjë nga i gjithë spektri ideologjik kanë hedhur poshtë analogjitë që krahasojnë situatën në Kosovë me atë të Katalonisë. Refuzimi i këtij krahasimi është edhe më i dukshëm në Prishtinë, ku ata që e njohin mirë politikën spanjolle theksojnë dallimet mes modelit spanjoll të komuniteteve autonome — në të cilin Katalonia ka status të veçantë me kompetenca të konsiderueshme — dhe shtypjes sistematike të Kosovës nën Jugosllavinë e Slobodan Milošević-it.

Por analogjia vazhdon të përdoret haptas nga partitë politike që e promovojnë pavarësimin katalanas dhe të cilat e krahasojnë situatën e Katalonisë me lëvizje të tjera për pavarësi në të gjithë globin, nga Skocia te Kaledonia e Re.

Pas shpalljes së referendumit të vitit 2017 për pavarësinë e Katalonisë si të paligjshëm nga gjykatat spanjolle, presidenti aktual i Qeverisë së Katalonisë Quim Torrá iu referua Kosovës dhe Sllovenisë si modele inspiruese për arritjen e pavarësisë së tyre. Analogji të tilla nxitën frikë publike për një Spanjë të “ballkanizuar”, duke kontribuar në tabunë politike rreth mbështetjes së Spanjës për shtetësinë e Kosovës. 

Analisti politik dhe autori Miguel Roán beson se për Spanjën ishte e vështirë të kishte rol në rajon që kur Kosova shpalli pavarësinë. Foto nga Miguel Roán.

 

Miguel Roán, analisti politik i cili në vitin 2018 shkroi një libër mbi përvojat e tij të një dekade të jetës në Beograd dhe udhëtimit në rajon, është ndër komentuesit më të respektuar rreth kësaj çështjeje. Roán beson se një frikë e tillë vjen nga njerëzit e shumtë në Spanjë të cilët kanë pak kontakte me rajonin andaj dhe pak njohuri të sakta rreth tij.

Ai thotë se fjalët si “pavarësi” apo “shpallje e njëanshme” kanë kuptim më të fuqishëm në vetvete se sa veçoritë specifike, andaj refreni standard i Spanjës se po mban “një pozicion të respektueshëm dhe koherent duke mos njohur shpalljet e njëanshme të pavarësisë” pranohet me aq sukses nga opinioni publik spanjoll.  

“Më pak ka të bëjë me atë çfarë në të vërtetë ka ndodhur, se sa me atë çfarë njerëzit besojnë se ka ndodhur”, thotë ai. “Votuesit nuk kanë kohë të analizojnë historinë e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, dhe shumë politikanë — si separatistët katalanas — përfitojnë nga kjo gjë”. 

Roán thotë se në rajonin e Ballkanit ka mjaft dashamirësi ndaj Spanjës, por Spanja asnjëherë nuk ka gjetur mënyrën se si të sillet në raport me këtë gjë. Ai thotë se mungesa e një interesimi gjeopolitik të Spanjës në rajon nënkupton se “Kosova nuk paraqet përfitim të drejtpërdrejtë” dhe se prej kur Spanja tërhoqi trupat e saj në vitin 2010, “pozicioni spanjoll ka qenë më i pëqendruar t’i kapërcejë goditjet diplomatike në vend se t’i kuptojë dhe menaxhojë ato”.  

Spanja mbajti një nga pozicionet më të ashpra ndaj Kosovës në të gjithë kontinentin ndërmjet viteve 2008 dhe 2018.

Ruth Ferrero-Turrión, studiuese e respektuar e Politikave të Evropës Lindore e cila ligjëron në Universitetin Complutense të Madridit, pajtohet se një pjesë e madhe e problemit është mungesa e interesimit dhe e vetëdijes historike.

Ajo beson se qasja e Spanjës ndaj Kosovës duhet të shihet nga një perspektivë më komplekse se sa thjesht ajo e njohjes apo e mosnjohjes, duke theksuar se ka mënyra të shumta për bashkëpunim me një shtet me njohje të kufizuar, të cilat shkojnë përtej pranimit eksplicit të sovranitetit të tij. 

publikimet e fundit që adresojnë qëndrimin e Spanjës kundrejt Kosovës — kryesisht në krahasim me atë të shteteve tjera të BE-së, përfshirë katër vendet e tjera mosnjohëse — Ferrero-Turrión thekson se Spanja mbajti një nga pozicionet më të ashpra në të gjithë kontinentin ndërmjet viteve 2008 dhe 2018. 

Ajo insiston se edhe nëse Spanja vazhdon të mos e njohë Kosovën, kjo nuk duhet të përjashtojë mundësitë për bashkëpunim, meqë shtetet si Greqia kanë zhvilluar lidhje komerciale dhe delegacione zyrtare në Kosovë edhe pse nuk e kanë njohur atë. 

Në të shumtën e rasteve prej kur Kosova shpalli pavarësinë, kjo nuk është rruga që ka zgjedhur Spanja. Në vend të kësaj, kryesisht ka zgjedhur të ketë sa më pak përfshirje që është e mundur. 

Shenja të ndryshimit   

Që nga refuzimi i Rajoy-s për të qenë në të njëjtin takim me delegacionin kosovar në Bullgari në maj të vitit 2018, ka pasur disa momente që tregojnë një zbutje — edhe pse të kufizuar — të qasjes së mëhershme ndërkombëtare të pakompromis të Spanjës kundrejt Kosovës. 

Në përgjithësi, këto kanë qenë reagime pragmatike ndaj rrethanave, jo ndryshim i bashkërenduar i politikës së jashtme, dhe sërish mund të shpjegohen pjesërisht përmes politikës së brendshme spanjolle.

Një nga momentet më të diskutuara ishte vendimi i qeverisë spanjolle në nëntor të vitit 2018 për të lejuar atletët kosovarë të merrnin pjesë nën flamurin e tyre në garat sportive në tokën spanjolle. Ky vendim erdhi pas vërejtjes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar se Spanja nuk duhet të lejohet të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha sportive derisa të pranonte që kosovarët të garonin në mënyrë të barabartë.

Gati dy vite më vonë, fusha e sportit mbetet sfera e vetme ku simbolet e Kosovës dhe të Spanjës qëndojnë krahas njëra-tjetrës. Kur më herët gjatë këtij viti kryeministri Sánchez mori pjesë në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor krahas përfaqësuesve nga Kosova, paraprakisht ishte siguruar se nuk do të shfaqej asnjë simbol kombëtar apo emra vendesh. 

Disa media dhe anëtarë të Parlamentit Evropian e paralajmëruan këtë zhvillim si heqje të vetos së Spanjës mbi delegacionet kosovare, por kjo gjë nuk u përcoll nga ndonjë njoftim zyrtar për një vendim të tillë.

Në fakt, pozicioni nuk ishte madje as tërësisht i ri. Përfaqësuesit spanjollë edhe më herët kishin qenë në takime të përbashkëta me delegacione kosovare, më së fundi në vitin 2010 në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sarajevë.  

Qeveria spanjolle insiston se nuk ka ndryshuar asgjë.

Në ndërkohë, administrata vendore e Spanjës ka ndryshuar disa herë, dhe që nga viti 2015 vështirësitë në qeverisje dhe formim të qeverive kanë çuar në katër zgjedhje të përgjithshme në po aq vite.

Partia Popullore e Rajoy-s — e cila erdhi në pushtet në vitin 2011 dhe qëndroi deri kur u rrëzua nga një mocion mosbesimi — u zëvendësua nga Pedro Sánchez dhe PSOE e qendrës së majtë në vitin 2019. 

Që nga janari i këtij viti, PSOE është në koalicion të pakicës me partinë Unidas Podemos të krahut të majtë — koalicioni i parë qeveritar i Spanjës që prej viteve 1930. Formimi i këtij koalicioni u mbështet në abstenimin e një numri partish që përkrahin pavarësinë e Katalonisë, duke e lënë Sánchez-in nën akuzat e opozitës për partneritet me parti që synojnë “ndarjen e Spanjës”. 

Politika e brendshme relativisht jostabile e Spanjës — dhe nevoja për t’u marrë me çështje tjera më urgjente të brendshme dhe ndërkombëtare — bën të jenë të paktë ata që presin të ketë ndryshim radikal të qasjes së Spanjës ndaj Kosovës së shpejti.  Një zëdhënës i Podemos tha për K2.0 se partia nuk dëshiron të komentojë mbi këtë çështje, përderisa qeveria spanjolle insiston se asgjë nuk ka ndryshuar. 

Në një deklaratë të dhënë për K2.0, Ministria e Jashtme e Spanjës konfirmoi se Spanja nuk ka ndryshuar pozicionin e vet zyrtar ndaj Kosovës, përkundër pjesëmarrjes në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ministria insiston se politika e Spanjës për “mosnjohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, bazohet në ligjin ndërkombëtar dhe respekton Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, duke iu referuar rezolutës së vitit 1999 që ndihmoi në arritjen e përfundimit të luftës në Kosovë. 

Salvador Llaudes, ekspert i çështjeve të BE-së, i cili më herët ka punuar si hulumtues në organizatën Real Instituto Elcano në Madrid dhe së fundi si këshilltar i lartë në Ministrinë e Spanjës për Punë të Jashtme, thotë se pozicioni i Spanjës “është dëshmuar të jetë plotësisht i vlefshëm” sepse “ka bazë ligjore dhe nuk është i izoluar nga pjesa tjetër e botës”. 

Por ai gjithashtu shton se ka vërejtur se si “autoritetet spanjolle ngadalë kanë filluar një debat të brendshëm rreth asaj se çfarë roli duan të kenë në rajon”, dhe beson se për autoritetet kosovare është e rëndësishme “të gjejnë mënyra përmes së cilave zyrtarët spanjollë mund të flasin lirshëm” në vend se të kërkojnë njohje të menjëhershme nga Spanja.

Sipas Ruth Ferrero-Turrión, në të ardhmen e afërt ky lloj i përparimit simbolik është perspektivë reale e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Spanjës, deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Ajo përmend ndryshimet e lehta që ishin “të pamendueshme tri vite më parë” si vizitat universitare, delegacionet private të biznesit dhe takimet personale jozyrtare mes përfaqësuesve publikë.

“Mund të jemi të hapur për një skenar me më shumë lirshmëri dhe një shkallë mirëkuptimi, por kjo do të ndodhë përmes kanaleve dytësore”, thotë ajo.

Ekspertja e politikave të Evropës Lindore Ruth Ferrero-Turrión konsideron se edhe pa njohjen e Kosovës nga Spanja, të dy vendet duhet të bëjnë përpjekje për zhvillimin e praktikave bashkëpunuese. Foto: Complutense University of Madrid.

Ligjëruesja akademike kujton që nuk i kishte pëlqyer procesi përmes të cilit Kosova përfundimisht kishte shpallur njëanshëm pavarësinë në vitin 2008, por tani e kupton që janë bërë një “sërë zhvillimesh” që tregojnë se procesi është “i pakthyeshëm”. 

Megjithatë, ajo thotë se “njohja e Kosovës nuk do të kishte kuptim nëse nuk do t’i ndihmonte zgjidhjes përfundimtare” të statusit të Kosovës. 

Ajo thekson se “zgjidhja përfundimtare” është e lidhur me procesin e vazhdueshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilit tani si Përfaqësues i Lartë për Punë të Jashtme i BE-së është spanjolli Josep Borrell. 

Kur u emërua në këtë pozitë në korrik të vitit 2019, disa vëzhgues shprehën skepticizëm rreth marrjes së një pozite të tillë të rëndësishme nga Borrel, duke qenë se vjen nga Spanja mosnjohëse. Por të tjerët kanë konsideruar se prejardhja e tij mund t’i japë përparësi në rolin e ndërmjetësuesit të negociatave pasi mund të kuptojë se sa e dëmtojnë BE-në çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Si një katalanas që fuqishëm e kundërshtoi pavarësinë e Katalonisë gjatë rolit të tij të mëparshëm si Ministër i Punëve të Jashtme të Spanjës, prioritizimi i normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mundet madje të shërbejë si mjet për delegjitimimin e kërkesave separatiste dhe analogjive mes rasteve të Kosovës dhe Katalonisë. 

Që prej marrjes së detyrës në dhjetor të vitit 2019, Borrell ka bërë përpjekje të sjellë një dinamikë të re në procesin e “normalizimit”, dhe një prej iniciativave të tij të para ishte realizimi i një vizite zyrtare në Prishtinë.

Mundet vetëm të hamendësohet nëse rezultatet e procesit të dialogut dhe ndonjë marrëveshjeje eventuale në të ardhmen mes Beogradit dhe Prishtinës do të shënonin ndryshim zyrtar të qëndrimit të Madridit mbi statusin e Kosovës, pasi ende ka shumë paqartësi dhe zhvillime. 

Por i pyetur më herët në rolin e tij si ministër i jashtëm i Spanjës për këtë gjë, Borrell me përgjigjen e tij la të kuptohet se do të ishte e vështirë për Spanjën ta ruante pozicionin e tanishëm: “Nuk mund të jemi më katolikë se Papa”. K

Imazhi i ballinës: Juan Manuel Montoro / K2.0.