Hajde folim: Kundërsulmi ndaj ndryshimeve klimatike

  • Rreth kësaj bisede
  • Javët e fundit, në lajme dhe rrjete sociale kanë dominuar pamjet e Australisë duke u djegur. Zjarret masive kanë bërë që dhjetëra njerëz të humbin jetën, mijëra shtëpi të shkatërrohen dhe miliona kafshë të ngordhin — disa specie gati se janë zhdukur.

    Ekspertët thonë se ky është vetëm shembulli i fundit ekstrem i një “emergjence klimatike” që po e rrezikon botën. Të dhënat shkencore tregojnë se nëse vazhdojmë kështu, toka do të ngrohet aq shumë saqë do të ketë pasoja katastrofike të përhershme.

    Ndërkohë, përmbytjet dhe thatësirat e përkeqësuara nga ngjarjet e motit ekstrem anembanë botës i kanë detyruar miliona njerëz t’i lënë shtëpitë e tyre, duke shtyrë njerëzit drejt migrimit masiv, dëshmitarë të së cilit kemi qenë në vitet e fundit.

    Ndikimet e degradimit të ambientit nuk janë vetëm probleme të largëta. Këtu në Prishtinë e kemi një pamje të mirë të Obiliqit (kur s’ka smog të dendur) dhe çdo ditë i ndiejmë efektet në fyt dhe mushkëri kur marrim frymë tymin e liruar nga djegia e qymyrit.

    Mund të duket si fundi i një bote të mjegullt, por në Kosovë — si gjetiu — ka filluar kundërsulmi ndaj ndryshimit klimatik!

    Çfarë po bëhet këtu për ta luftuar ndryshimin klimatik? Çfarë mund të bëjmë në jetën e përditshme? Si mund të prioritizohet ambienti kur Kosova është duke u ballafaquar me plot probleme tjera? Dhe a na intereson me të vërtetë të bëjmë ndryshim?

    Për të nisur diskutimin kemi ftuar:

    1. Delvina Haxhijaha – Balkan Green Foundation
    2. Edonis Hashani – Termokiss
    3. Granit Gashi – GAIA Kosovo
    4. Learta Hollaj – Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

    Ju ftojmë në edicionin e radhës të diskutimeve “Hajde Folim” më 21 janar prej orës 17:30 në Hub 2.0.K

    Kjo ngjarje zbatohet me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy.

  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Rreth folësve/eve
  • Time:

    5:30 pm

    Place:

    Hub 2.0

    Date:

    21/01/2020