Blogbox | Drejtësi

‘Hajt se bohet mirë’

Nga - 11.02.2022

Nuk na duhen fjalë shpresëdhënëse, por vepra që rasti i Kujtim Veselit të mos përsëritet.

‘Hajt se bohet mirë’ është shprehja që po na mban gjallë tash e shumë vjet. Të njëjtën ma tha babai im, babait tim ia tha gjyshi im, gjyshit ia kishte thënë babai i tij, e ky i fundit e kishte dëgjuar prej të parëve të tij. 

Patjetër që sot, të njëjtën ua them fëmijëve të mi edhe pse neve, shpresën po na e mbysin herët. Shpesh më pyesin: “Kush je ti? Çka je ti”? Ua kthej: Nuk është me rëndësi se kush jam unë, por unë do t’ju tregoj se ku jetoj. Jetoj në një vend që quhet demokratik, por ku njerëzit nuk e përjetojnë demokracinë. Në një vend ku respektimi i ligjit shihet si akt ilegal. Ku komunitetet pakicë kanë shumë të drejta, të cilat nuk mund t’i gëzojnë.

Unë jam ashkali. Mbase, pasi e mësuat këtë gjë për mua, disa prej juve mund t’iu shkojë në mendje menjëherë që unë jam i pastrehë, që unë nuk jam i edukuar, që unë nuk di të respektoj, që nuk di të dua, që jam i dhunshëm, që kam shumë fëmijë apo mbase që mund të jem i dehur. Shkurt, mund t’ju shkojë mendja që të gjitha të këqijat që ekzistojnë në botë, i gjen te unë. Po, çka nëse të gjitha këto që mund t’iu kenë shkuar në mendje janë të vërteta? A keni menduar ndonjëherë për pse-në? A ju ka shkuar mendja se unë dua të jem i tillë? Apo kujt ia keni vënë fajin për këtë, mua? Është koha të kërkoni tjetërkund. Të ngreni pyetje tjera, jo ndaj meje.

Shkollën e kam ndalur sepse nuk kam qenë i mirëpritur. Herë-herë, është dashur që ta mbaj familjen për shkak të varfërisë, ashtu siç u duhet të bëjnë shumë fëmijëve nga komunitetet pakicë. Mbase edhe nuk di të respektoj, sepse kurrë nuk më kanë respektuar.  Ndoshta, as të dua nuk di, sepse kurrë nuk më kanë dashur. Mbase ndonjëherë jam i dhunshëm, por vetëm sepse me dhunë më kanë pritur gjithnjë. E në respektin e munguar përreth vetes, çdo natë para se të fle, i them vetes: Të dua, më fal, të lutem, faleminderit! Jam një person i fortë sepse nesër kur do të zgjohem do të përballem me sfidat e njëjta si një ditë më herët. 

Pra, ja ku jetoj unë. Në një vend ku komunitetet pakicë përbuzen si të padëshiruar. Në një vend ku përbuzja duhet të jetë e padëshiruar. Ku jetohet për të ardhmen pa të drejta në të sotmen. Jetoj në një një vend ku një prej nesh u vra në sy të shtetit. Jetoj aty ku mbytet shpresa herët, ashtu siç iu mbyt Kujtim Veselit që në vegjëli. 

Kujtimi dhe kujtimet tona për të 

Në moshën 11-vjeçare, më 1 korrik 2019, Kujtim Veseli u gjet i vdekur nën shkallët e një kompleksi banesor në Fushë Kosovë. E si mund t’i thuhet Makfire Ilazit, nënës së Kujtimit ‘hajt se bohet mirë’ kur e dimë që vdekja e Kujtimit mund të parandalohej, po të mos ishte për neglizhencë të institucioneve gjegjëse. Çka t’i themi asaj kur edhe pak muaj, në vend të ditëlindjes, do ta shënojë 3-vjetorin e vdekjes së djalit të saj. 

Humbëm dashurinë e tij, buzëqeshjen dhe shpresën.

Gjallëria e Kujtimit binte në sy kudo, në lagje, dyqane. Ishte plot energji dhe gjithnjë i buzëqeshur. Kjo na lidhte shpirtërisht me të, aq sa për ta konsideruar dhe trajtuar si anëtar të familjeve tona. Prandaj, edhe po të kishte vdekur nga shkaqe të pashmangshme natyrore, sërish do të ishte shumë e rëndë për ta pranuar. 

E kur e kuptuam se si vdiq Kujtimi, është pak të them, u tronditëm. Ai vdiq pasi kishte përjetuar dhunë psikike, fizike e seksuale. Lajmi për vdekjen e një njeriu që e kemi njohur kaq afërsisht ishte i papërballueshëm. Na u këput shpirti, sepse humbëm vëllain, djalin, familjarin dhe shokun që aq i gjallë ishte saqë e gjallëronte të gjithë lagjen. Humbëm dashurinë e tij, buzëqeshjen dhe shpresën.

Humbëm shpresën sepse kuptuam që rasti kishte qenë i njohur për organet kompetente. Ndihesha i zhgënjyer sepse kemi pasur me qindra sesione informuese nga institucionet e ndryshme për raportim të dhunës dhe shpeshherë na kanë akuzuar se nuk raportojmë mjaftueshëm rastet e dhunës. E tani? Si ta pranojmë vdekjen e një 11-vjeçari, i cili u bë viktimë e neglizhencës nga ata që vazhdimisht na ankohen se nuk po raportohen rastet. Rasti i Kujtimit ishte raportuar. Dhunuesi i Kujtim Veselit edhe pse kishte pranuar fajin, ishte lënë i lirë. Ai, edhe pse kishte gjithsej 26 kallëzime penale dhe 15 aktakuza, ishte lënë i lirë. I lirë për ta dhunuar më shumë Kujtimin dhe në fund për ta vrarë.

E përkundër neglizhencës që çoi tek lejimi i vrasjes së Kujtimit, përkundër faktit që mijëra qytetarë nënshkruan peticionin “Drejtësi për Kujtim”, ku, ndër tjera, u kërkua nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kërkimfalje për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhim të rastit, nuk ka pasur kërkimfalje. Kështu, në një jetë veç të vështirë tashmë, rasti i Kujtimit është kulmi. Jeta e tij ishte e pambrojtur.

Të gjithë jemi fajtorë

Ajo që i ndodhi Kujtimit nuk është rast i izoluar, por pjesë e një diskriminimi të gjerë ndaj komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Nesër fëmijët tanë do të bëhen prokurore e prokurorë, police e policë, gjyqtare e gjyqtarë. Nëse vazhdojmë t’i rrisim fëmijët me paragjykimet e njëjta, me fjalë përçmuese ndaj komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, atëherë do të vazhdojmë ta përforcojmë qasjen përjashtuese, do të vazhdojmë të rikrijojmë rrethanat e njëjta të cilat e mundësuan vrasjen e Kujtimit.

Le të jetë Kujtimi, përkujtim i vazhdueshëm dhe i përhershëm i asaj që ndodh kur dikush kthen kokën apo mbyll sytë përpara padrejtësive.

Nëse vazhdoni t’i qortoni fëmijët duke u thënë “rri urtë, se ka me ardhë maxhupi”, nëse e keni ende hall që fëmija juaj të jetë në një klasë më fëmijë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, nëse fëmijës suaj i thoni “mos rri me maxhup”, nëse shakatë tuaja ende janë të thelluara në portretizimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë si të ndotur, të paditur, të parëndësishëm, atëherë kur këta fëmijë të bëhen prokurore e prokurorë, police e policë, gjyqtare e gjyqtarë do ta nënvlerësojnë jetën e një njeriu rom, ashkali apo egjiptian dhe kështu, nuk do ta mbrojnë atë. Kështu, padrejtësia do të vazhdojë.

Le të jetë Kujtimi, përkujtim i vazhdueshëm dhe i përhershëm i asaj që ndodh kur dikush kthen kokën apo mbyll sytë përpara padrejtësive. Le të jetë Kujtimi, i fundit që vritet. T’i rrisim fëmijët pa paragjykime, që nesër shokët e shoqet e Kujtimit ta jetojnë jetën të plotë dhe të lirë. T’i edukojmë fëmijët në frymën e dashurisë dhe pranimit, në vend të urrejtjes e përjashtimit. Të mbjellim drejtësi, që më pas ta korrim atë. 

Le të jehojë zëri i Kujtimit, për të na e kujtuar që neglizhenca vret e ata që neglizhojnë jetën, duhet të dënohen. Deri atëherë ‘hajt se bohet mirë’ do të mbetet vetëm fjalë boshe, pa kuptim.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0

***

Ky publikim është pjesë e serisë së shkrimeve të fushatës Drejtësi për Kujtimin, mbështetur nga skema e granteve “Kujtim Veseli” që menaxhohet nga “OJQ Zëri i Romëve Ashkalive dhe Egjiptasve”.