Blogbox | Viza

Hallet e kosovarëve me vizat

Nga - 06.07.2019

Mendime nga cepi i padëshiruar i Evropës.

Më duhet një vizë, por më bezdisin jashtë mase procedurat e aplikimit dhe në fund mbetet pikëpyetje a e merr vizën apo jo. Për këto punë po flas këto ditë, pasi afati i vizës më ka skaduar dhe më duhet të aplikoj për një tjetër. 

Kur po i mendoj lodhjen, shpenzimin e kohës e të parave, vërtet po nis të mendoj nëse ia vlen të riaplikoj. Mirëpo, dëshira për t’i vizituar të afërmit, ose thjesht për të shkuar me pushime, së fundi më bëjnë të aplikoj.

Deri tash kam marrë viza nga Ambasada Italiane dhe kurrë nuk më kanë refuzuar. Për këto viza, me kohëzgjatje disamuajshe, ma kanë kërkuar një mori dokumentesh, si dëshminë e punësimit, gjendjen e llogarisë bankare, dëshminë se ku do të rri gjatë vizitës, e shumë e shumë dokumente të tjera, plus pagesën prej 60 eurosh. 

Unë i kisha të gjitha dokumentet, por më refuzuan mbi bazën e mungesës së ftesës.

Përkundër kësaj pagese dhe të gjitha dokumenteve, gjasat që të refuzohesh janë të mëdha, qoftë edhe për më të voglën arsye. Të presësh për përgjigjen është ndjenjë fort e keqe. Pret jashtë portës kryesore të ambasadës derisa roja të ta thërrasë emrin, dhe mendohesh me vete: “Më kanë refuzuar… ose ndoshta more e kam marrë,” dhe emocionet e përziera vazhdojnë derisa të hysh brenda për ta mësuar përgjigjen definitive. 

Kjo situatë është shkurajuese kur e mendon se krejt përpjekjet për ta marrë vizën mund të të shkojnë huq. Dhe jo vetëm shpenzimet. Është zhgënjim i vërtetë.

Megjithëse mua s’më kanë refuzuar kurrë, fatin tim nuk e kanë pasur edhe shumë qytetarë të tjerë. Atyre jo vetëm u është refuzuar viza, por  stafi i ambasadës nuk ka qenë aspak i sjellshëm, madje as ndaj të moshuarve. Përvoja të pakëndshme, që prej procedurave rraskapitëse e deri te refuzimi, dëgjon përditë. 

Një të tillë ma tregoi një shoqe. Kishte aplikuar për vizë turistike njëmuajshe, i kishte dorëzuar të gjitha dokumetet, përfshirë edhe ftesën, por ishte refuzuar.

“Po më ftonte një shok për dasmë në Gjermani. Kishte shkruar se mund të rrija te ai. Ai atje është i punësuar, me leje qëndrimi e të gjitha. Unë i kisha të gjitha dokumentet, por më refuzuan mbi bazën e mungesës së ftesës. 

“Nuk e lashë me aq. I dërgova ankesë Ambasadës Gjermane. E bashkëngjita ftesën, atë që ishte edhe në dokumente, por ka një muaj që nuk kam marrë përgjigje, që do me thënë se më kanë refuzuar”, tregonte ajo.

Problemin e vazhdueshëm me vizat e ilustron edhe një tjetër rast. Teuta Hoxha-Jahaj, si drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, pavarësisht se kishte vizë dhe ftesë prej zyrtarëve të lartë në Bruksel, në aeroportin e Vjenës u pengua nga udhëtimi i mëtejmë, me arsyetimin se vizën Schengen e kishte me një hyrje. Vetë procesin e marrjes së kësaj vize e pëshkruan si të lodhshëm dhe absurd. 

“Procesi i aplikimit dhe kalimi nëpër procedura shumë absurde, përbën vështirësi në vetvete”, më tha gjatë intervistës. “Fakti se po më ftonin në takim institucionet e Brukselit nuk e lehtësoi procesin e aplikimit. Përkundrazi, prapë kalova nëpër të njëjtat peripeci. 

I vetmi lehtësim ishte se shpenzimet i mbulonte organizatori, por prapë mbetej e pasigurt nëse do ta merrja vizën”, tregon ajo. “Kjo ka bërë që marrja e vizës të mbetet në mëshirën e fatit të personit, sepse dokumentet e përgatitura janë të parëndësishme. Madje varet edhe nga disponimi i punonjësve të ambasadës”, shpjegon Teuta. 

Kur e sheh këtë gjendje dhe këtë lloj trajtimi, dhe e mendon se vihemi në pozitë të tillë veç pse kërkojmë një vizë, duke e ditur se kemi mbetur të izoluar pa fajin tonë, fillon të shpresosh për një ditë kur edhe ne do ta gëzojmë lirinë e lëvizjes, si e drejtë themelore për të gjithë.

Ajo që ne qytetarët e dimë është se do të vazhdojmë të presim jashtë ambasadave edhe për muaj të tërë.

Në anën tjetër, zyrtarët tanë shtetërorë vazhdojnë të na e premtojnë liberalizimin e vizave dhe të na urojnë për të. Ishte viti 2010 kur kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi premtoi lëvizje të lirë të shtetasve tanë, duke thënë se do të udhëtonim drejt Evropës brenda 15 muajsh, por kjo nuk ndodhi.

Viti 2016 solli “fitoren” e radhës për vizat. Ministri i Integrimeve Evropiane në atë kohë, Bekim Çollaku, me shampanjë në dorë tha se shtetasit e Kosovës brenda pak javësh do të lëvizin drejt Evropës, dhe këtë e quajti “lajm historik”. 

Nuk janë këto dy rastet e vetme: kemi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili pas kthimit nga Samiti i Berlinit sivjet, doli në konferencë shtypi për të shpallë gjithë gëzim se në takimin me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë kishte marrë një “po” për vizat. Gjithë entuziazëm, kryeministri nuk kishte harruar ta uronte vendin e vet me fjalët: “Mundem me i  thënë Kosovës vetëm – urime liberalizimin!”. 

Ajo që ne qytetarët e dimë është se do të vazhdojmë të presim jashtë ambasadave edhe për muaj të tërë. Në një anë, çdo shtyrje e procesit është dëshpërim për ne kosovarët, si të vetmit që kemi mbetur të izoluar në Evropë.

Feature image: Faton Selani

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.