Më 21 mars 2024, BE hapi negociatat e pranimit me Bosnjë e Hercegovinën (BeH). Më parë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i tha Parlamentit Evropian se BeH ka bërë më shumë përparim në vitin e kaluar sesa në 10 vitet e mëparshme. Komisioni Evropian lavdëroi gjithashtu “pajtueshmërinë e plotë” të BeH me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE, duke deklaruar se një pajtueshmëri e tillë është “vendimtare në këto kohë trazirash gjeopolitike”.
Komisioni Evropian tani po përgatit kornizën e negociatave, duke krijuar radhë rezultatesh që politikanët/et në BeH do t’u duhet të arrijnë. Ligjvënësit/et boshnjakë/e kanë nisur tashmë miratimin e reformave të nevojshme, si Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, i cili kishte ngecur për shtatë vjet, si dhe Ligji për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Këto ligje u miratuan pas negociatave mes partive në pushtet të BeH gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, mosmarrëveshjet e shumta politike, të cilat BeH nuk ka qenë në gjendje t’i zgjidhë në pothuajse tri dekada që nga lufta, kërcënuan t’i linin nën hije ato ligje.
BeH ende përpiqet t’i kapërcejë problemet e veta strukturore dhe trazirat që shfaqen në çdo diskutim lidhur me të ardhmen e vendit. Problemi qëndron në vizionet e ndryshme rreth të ardhmes dhe të së shkuarës së një vendi me narrativa historike thellësisht kundërthënëse. Kjo shtron pyetjen nëse BE ia ka dhënë dritën e gjelbër hapjes së negociatave të pranimit thjesht sepse nuk dëshiron që tensionet nga BeH ta vërshojnë rajonin dhe kontinentin.
Problemet strukturore
Struktura e ndërlikuar politike e BeH paraqet sfidë të veçantë. Vendi u nda në dy entitete — Republika Srpska dhe Federata e BeH — bazuar në Marrëveshjen e Dejtonit, një marrëveshje e paqes e përfunduar në 1995, në një bazë të forcave ajrore të ShBA afër Dejtonit (Dayton), në Ohajo (Ohio). Republika Srpska zotëron një strukturë qeveritare shumë të centralizuar, ndërkaq Federata e BeH është e ndarë në 10 kantone. Kështu, BeH është e mbipopulluar me qeveri dhe kuvende, edhe pse përbëhet nga një popullsi që po zvogëlohet dita ditës.
Komuniteti ndërkombëtar është i pranishëm përmes zyrës së përfaqësuesit të lartë (OHR). Përfaqësuesi i lartë mbikëqyr zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit dhe ka fuqinë për të imponuar ligje në BeH. Zyra e përfaqësuesit të lartë ka imponuar ligje lidhur me tema të ndryshme, duke filluar nga vendosja në fuqi e dënimeve me burg për mohimin e gjenocidit deri te ligji zgjedhor, duke nxitur ndjenjën se institucionet politike të BeH nuk kanë kapacitet për t’i trajtuar në mënyrë efektive çështjet e brendshme. Vetëm partitë politike boshnjake dhe shumica e qytetarëve me prejardhje boshnjake mbështesin OHR, ndërsa akterët politikë kroatë dhe serbë thonë se vendimet në BeH duhet të merren në mënyrë të pavarur.
Serbët janë shumicë demografike në Republika Srpska, ndërsa për pakicat boshnjake dhe kroate ngrihen shqetësime për diskriminim. Njëkohësisht, lufta politike mes kroatëve dhe boshnjakëve përshkon Federatën, pasi të dy shqetësohen për diskriminimin në zonat ku ata janë në pakicë.
Një shembull i qartë i pabarazisë është presidenca e përbërë prej tre anëtarësh, e cila rezervon vende për një boshnjak/e, një kroat/e dhe një serb/e. Kjo do të thotë se “të tjerët”, për shembull, pjesëtarët e komunitetit rom apo hebre, nuk mund të kandidojnë për poste të larta në vendin e tyre. Për më shumë, për disa mandate, përfaqësuesi kroat është zgjedhur me vota boshnjake. Kroatët janë më pak në numër në Federatë dhe kështu përfaqësuesi kroat jo domosdo zgjidhet vetëm nga vota kroate. Kjo bën që shumë kroatë/e ta shohin atë përfaqësues si të paligjshëm.
Megjithatë, problemi më i madh, ose më saktë më i zhurmshmi, është lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik. Dodik mbështet haptazi politikat ruse, mohon gjenocidin dhe kërcënon ta shkatërrojë shtetin e BeH. Dodik dhe bashkëpunëtorët e tij janë nën sanksione të shumta nga ShBA për praktika korruptive dhe shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit. Kësisoj, drita e gjelbër e BE mund të jetë një formë për ta qetësuar Dodikun dhe për ta zbutur zhurmën e tij, duke e bërë atë më pak pengues pëmes ofrimit të një rruge të qartë për anëtarësimin në BE.
Hapja e negociatave nuk do ta ndryshojë perceptimin e qytetarëve të BeH për vendin e tyre
Politikisht, dhe rrjedhimisht ekonomikisht, përparimi i vendit ngadalësohet nga pamundësia për t’u pajtuar për çështjet kryesore, kërcënimet për separatizëm nga Republika Srpska dhe unitarizmi nga boshnjakët. Boshnjakët janë grupi më i madh, që do të thotë se në këtë kontekst politik nacionalist të mbizotëruar nga partitë etnike, ata do të fitonin më së shumti nga një shtet qendror më i bashkuar.
Reformat e dobëta të zbatuara deri më tani janë të pamjaftueshme për ta përmirësuar situatën e përgjithshme politike dhe sociale të BeH. Strukturat aktuale politike, të mbushura me njerëz që nuk i kanë lënë postet e tyre qe dy dekada, nuk janë në gjendje të koordinohen për politikbërjen dhe rregullat e reja që kërkohen për t’u anëtarësuar në BE.
Për shembull, Ligji për Gjykatën ka ngecur për shkak të diskutimeve nëse Gjykata e Apelit duhet të jetë në Sarajevën Lindore apo në Banja Luka, qendra administrative e Republikës Srpska. Lufta politike prej muajsh lidhur me këtë çështje tregon se çdo gjë mund të bëhet arsye për t’u grindur, kur bëhet fjalë për ruajtjen e ndikimit mbi gjykatën në çfarëdo forme të mundshme.
Për më tepër, korrupsioni mbetet endemik në strukturat politike të BeH. Një ditë pasi BE miratoi hapjen e negociatave të pranimit, ish-kryeministri i Federatës së BeH filloi ta vuante një dënim për korrupsion. Njëkohësisht, presidenti i Gjykatës së BeH dhe udhëheqësi i shërbimit të inteligjencës janë në paraburgim dhe në pritje të gjykimit për përgjim të paligjshëm të kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm.
Është e vështirë për popullin të jetë i kënaqur dhe i përmbushur kur fushatat parazgjedhore pothuajse nuk ndalen dhe glorifikohen kriminelët e dënuar të luftës. Qytetarët janë të vetëdijshëm se hapja e negociatave nuk çon drejtpërdrejt në rritje të pagave. Aktualisht, këto paga janë të mira dhe të sigurta vetëm nëse lidhen me njërin nga buxhetet e panumërta që shterojnë thesarin e shtetit.
Fatkeqësisht, shumë qytetarë të BeH duan të largohen nga vendi. Disa studime sugjerojnë se arsyet e tyre nuk janë thjesht ekonomike, pasi kostoja e jetesës është rritur dhe sfidat ekonomike janë të shumta edhe në vendet e BE. Përkundrazi, qytetarët/et gjithnjë e më shumë nuk shohin të ardhme në një vend ku retorika e përditshme mbizotërohet nga gjuha e urrejtjes, të drejtat themelore konsiderohen ëndrra të paarritshme dhe të njëjtat figura kyçe tregojnë të njëjtat histori për vite me radhë, teksa përmirësojnë vetëm jetën e elitave politike.
Interesat e ndryshme politike të BeH duhet të punojnë së bashku
Vendimmarrja e pavarur e BeH nuk po shkon si duhet. Kjo mund të vërehet edhe në mënyrën si trajtohen kushtet e vendosura nga BE. Fillimisht, ishin 14 kushte për hapjen të negociatave, por ky numër u zvogëlua për ta lëvizur procesin dhe për ta parandaluar përshkallëzimin e tensioneve rajonale dhe ndoshta edhe nxitjen. BeH duhet ende t’i përmbushë pesë nga 14 kushtet.
Partitë nga të gjitha anët këmbëngulin se BE i dha BeH dritën e gjelbër vetëm si rezultat i përpjekjeve të tyre. Edhe partia më e madhe boshnjake, e cila u rrëzua nga pushteti në zgjedhjet e fundit dhe ishte pengesë në negociata, lavdërohet për kontributin e saj.
Megjithatë, diçka që shumë pak e pranojnë hapur është se Kroacia luajti rol të rëndësishëm si avokuese për BeH në BE. Zagrebi dëshiron ta shohë shtetin me të cilin ndan vijën më të gjatë kufitare tek bëhet më i qëndrueshëm dhe paqësor. Natyrisht, kjo u shfrytëzua edhe për zgjedhjet parlamentare në Kroaci; sipas kushtetutës së Kroacisë, vendi duhet të kujdeset edhe për kroatët në BeH. Mund të përfitojnë gjithashtu edhe parlamentarët/et kroatë/e përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor të vitit 2024.
BeH tani ka para vetes detyra edhe më të mëdha. BE do të hartojë kushte të reja, forcat e brendshme do të mblidhen për t’i trajtuar ato, teksa negociatat për anëtarësim mund të bëhen shkak për mosmarrëveshje të mëtejshme.
Pyetja kryesore mbetet: si do të anëtarësohet vendi në BE dhe si do të bashkëjetojë me të tjerët nëse, tri dekada pas luftës, ende e ka vështirë ta gjejë harmoninë e brendshme, e lëre më ta nxitë unitetin mes njerëzve të vet? Askush nuk e ka projektuar një plan për përmbushjen e detyrës më të rëndësishme, e cila duket ende e paarritshme në BeH. Askush s’duket se e ka ndërmend ta bëjë këtë.
Asnjë rrugë e BE apo dritë e gjelbër nuk mund ta zgjidhë këtë problem nëse nuk zgjidhet përmes marrëveshjes të sinqertë, pa ndonjë agjendë të fshehur. Fatkeqësisht, BeH është e mbushur me politikanë të gatshëm për të mashtruar, të cilët kanë mbushur xhepat e tyre me para dhe synojnë ta mirëmbajnë një bashkëjetesë me vështirësi
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0