Në thelb | Dhomat e Specializuara

Hashim Thaçi vetëdeklarohet i pafajshëm për të gjitha akuzat

Nga - 09.11.2020

Ish-Presidenti në dëgjimin e parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hashim Thaçi është vetëdeklaruar i pafajshem për të gjitha akuzat gjatë dëgjimit të tij të parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku është duke u përballur me akuza të krimeve të luftes dhe krimeve kundër njerëzimit.

Thaçi i tha gjykatës që aktakuza kundër tij është “plotësisht e pabazë”, ndërsa avokati i tij mbrojtës, David Hooper QC, shtoi se jo vetëm që Thaçi mohon akuzat por ai “kundërshton tërë narrativën e aktakuzës”. 

Gjatë seancës paragjyqësore, e cila zgjati pak më shumë se një orë, një zyrtar i gjykatës lexoi 10 akuzat kundër Thaçit. Ato përfshijnë gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime të luftës. 

Akuzat kundër Thaçit et al.

Akuza 1: PËRNDJEKJE për arsye politike dhe/ose etnike (Krime kundër njerëzimit)
Akuza 2: BURGOSJE (Krim kundër njerëzimit)
Akuza 3: ARRESTIM DHE NDALIM TË PALIGJSHËM OSE ARBITRAR (Krim i luftës)
Akuza 4: AKTE TË TJERA ÇNJERËZORE (Krim kundër njerëzimit)
Akuza 5: TRAJTIM MIZOR (Krim i luftës)
Akuza 6: TORTURË (Krim kundër njerëzimit)
Akuza 7: TORTURË (Krim i luftës)
Akuza 8: VRASJE E PALIGJSHME (Krim kundër njerëzimit)
Akuza 9: VRASJE E PALIGJSHME (Krim i luftës)
Akuza 10: ZHDUKJE ME FORCË E PERSONAVE (Krim kundër njerëzimit)

Aktakuza — e cila është publikuar në formë të redaktuar nga DhSK të premten (6 nëntor) — nxjerr detaje të krimeve të ndryshme që pretendohet se i ka kryer Thaçi dhe tre anëtarë tjerë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mes viteve 1998 dhe 1999. Bashkë me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, Thaçi akuzohet për forma të ndryshme të përgjegjësisë kriminale për krimet e dyshuara, duke përfshirë një “ndërmarrje kriminale të përbashkët”.

Më herët të hënën, Krasniqi gjithashtu u vetëdeklarua i pafajshëm gjatë dëgjimit të tij të parë para gjykatës. Veseli dhe Selimi pritet të marrin pjesë në seancat e tyre fillestare të martën (10 nëntor) dhe të mërkurën (11 nëntor) respektivisht. 

Thaçi, i cili gjithmonë ka protestuar fuqishëm për pafajësinë e tij, ka dhënë dorëheqje nga roli i Presidentit të Kosovës të enjten (5 nëntor) pasi gjykatësi paragjyqësor konfirmoi aktakuzën kundër tij. Ai është arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në të njëjtën ditë dhe është transferuar në objektin e paraburgimit të DhSK-së në Hagë. 

Gjatë seancës të së hënës, avokati i Thaçit argumentoi që nuk ka pasur “njoftim adekuat për mbrojtjen” për dëgjimin dhe që kjo ua ka vështirësuar mbledhjen e një ekipe mbrojtëse. Hooper ka theksuar që anëtarët e ekipit të mbrojtjes janë të shpërndarë rreth botës, dhe që ndalesat e udhëtimit për shkak të pandemisë COVID-19 si dhe kërkesat për vizë për kosovarët paraqesin sfida shtesë. 

Hooper gjithashtu lexoi dëshmi për Thaçin nga disa individë duke përfshirë të zgjedhurin President të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe ish-Senatorin Bob Dole, të cilët e karakterizojnë Thaçin si një “njeri i integritetit dhe nderit” dhe “zë i arsyes” dhe “George Washington-i i Kosovës”. 

Prokurori i Specializuar tha që nuk e beson se këta individë do të mbanin të njëjtat fjalë pasi të kenë rastin të lexojnë për krimet në aktakuzë që Thaçi pretendohet t’i ketë kryer.

Aktakuza

Krimet për të cilat janë akuzuar Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përbëjnë një aktakuzë 66-faqëshe; versioni i qasshëm për publikun është i redaktuar rëndë për të hequr detajet të cilat potencialisht mund të identifikojnë dëshmitarët. 

Që të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së thuhet nga Prokuroria se janë “individualisht të përgjegjshëm penalisht” për dhjetë akuza të krimeve serioze nën ligjin ndërkombëtar gjatë “konfliktit të armatosur” në Kosovë.

Krimet dyshohet të kenë ndodhur në disa lokacione rreth Kosovës dhe pjesë të Shqipërisë veriore në mes të “të paktën” marsit 1998 dhe shtatorit 1999 si pjesë e një “sulmi të përhapur apo sistematik kundër popullatës civile të Kundërshtarëve”. 

Kjo përfshin “persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së (Republikës Federale të Jugosllavisë), ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së (Qeverisë së Përkohshme të Kosovës), ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera”.

DhSP është duke shtyrë të mbijetuarit e krimeve të dyshuara të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e seancave të lajmërohen përmes një programi të pjesëmarrjes së viktimave.

Gjashtë akuzat e krimeve kundër njerëzimit janë: përndjekje në baza politike dhe/ose etnie, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave. 

Katër akuzat e krimeve të luftës janë: arrestim dhe ndalim arbitrar ose i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. 

Përveç dyshimit të pjesëmarrjes në një ndërmarrje kriminale të përbashkët dhe ndihmës e nxitjes së krimeve të pretenduara nga Prokuroria, aktakuza gjithashtu pandehë që katër individët janë të përgjegjshëm si eprorë për krime të kryera nga vartësit e tyre.

Aktakuza përmend që ata “dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë ishin në prag të kryerjes ose ishin kryer prej vartësve të tyre dhe nuk morën masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e atyre krimeve dhe për ndëshkimin e kryesve të tyre”. 

Tash që aktakuza është konfirmuar nga gjykatësi i paragjykimit, DhSP është duke shtyrë të mbijetuarit e krimeve të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e seancave të lajmërohen përmes një programi të pjesëmarrjes së viktimave. Të mbijetuarit mund të aplikojnë të marrin pjesë përmes një “Këshilli të Viktimave” nëse mund të dëshmojnë që ata personalisht kanë pësuar dëm, duke përfshirë këtu dëmin fizik, mendor apo material,  si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të pretenduar në një aktakuzë.

Ç’JANË DHOMAT E SPECIALIZUARA TË KOSOVËS?

Me seli në Hagë të Holandës, Dhomat e Specializuara veprojnë me ligjin e Kosovës, edhe pse financohen nga BE-ja dhe kanë personel ndërkombëtar. Ato janë të lidhura me secilin nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë mandat të caktuar për t’i hetuar krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës në periudhën prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Juridiksioni i tyre mbulon krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës nën ligjin ndërkombëtar, si dhe krimet nën ligjin e Kosovës që lidhen me raportin “Dick Marty” — këto janë krime të pretenduara që janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë dhe menjëherë pas saj.

Dhomat e Specializuara kanë qenë temë e vazhdueshme diskutimi dhe polemike në Kosovë për vite me radhë dhe kanë bërë hije mbi skenën politike të Kosovës.

Ky mekanizëm gjyqësor është formuar me trysni të madhe ndërkombëtare dhe ka kërkuar ndryshime në Kushtetutë dhe legjislacion të ri. Deputetët kanë miratuar ndryshimet ligjore në gusht 2015, disa muaj pasi fillimisht i kishin refuzuar, por u deshën edhe dy vite të tjera që të funksionalizoheshin Dhomat.

K

Imazhi i ballinës: Foto nga seancat e DhSK.