Në thelb | Art

Haveit — “Powerpuff Girls” të Prishtinës

Nga - 13.01.2017

Aktivizmi përmes performancave të artit publik.

Ka shumë çështje sociale që pothuajse hiç nuk lëvizin përpara në Kosovë; e për disa të tjera as që flitet — tepër të ndjeshme, tepër tabu, ‘mos vet’.

Pikërisht për trajtimin e këtyre temave –  të cilat shumë njerëz “do t’i linin ashtu siç janë për momentin” – ekziston kolektivi Haveit. I përbërë nga dy palë motra, Alketa e Lola Sylaj, dhe Vesa e Hana Qena, Haveit me performancat e tij të bazuara në aktivizëm vazhdimisht i shtyjnë përpara çështjet të cilat rëndom konsiderohen shoqërisht të sikletshme.

Për disa, ato janë pjellë e dreqit që kanë ardhur për ta çuar shoqërinë e “çiltër” të Kosovës drejt humnerës, derisa për të tjerët ato janë supervajza të cilat luftojnë për liri të shprehjes dhe të ekzistencës.

Anëtaret e kolektivit megjithatë artin e tyre e shohin me më shumë modesti. “Po, në fillim nuk e kemi ditë çka po dojmë me bo, por jemi mbledhë vetëm për një performancë. Masanej q’ajo na ka pëlqy edhe tani kemi dasht me vazhdu qit mënyrën e performancës dhe aktivizmit për sendet që na pengojnë edhe që jon’ të padrejta edhe që secili në formën e vet mundohet me i luftu”.

Haveit (VESA)

Vesa Qena. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Dy palë motrat njihen mes veti qe shumë vjet, por studimet në drejtime të ndryshme të Fakultetit të Arteve i kanë afruar edhe më shumë. Performanca e tyre e parë në vitin 2011 u bë si reagim ndaj vrasjes së Diana Kastratit, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj përkundër kërkesës së saj për mbrojtje policore, pasi që kishte frikë për jetën e saj. Vrasja shkaktoi protesta të shumta të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe e shtyu kolektivin Haveit në aksion.

“Edhe kena vendos me reagu, e kena bo një performancë në shesh që e ka pas emrin KURORËZIMI”, shpjegon Lola. Ato vendosën vello dhe qëndruan pa lëvizur “si nuse”(shprehje që përdoret kur dikush qëndron në një vend pa ndërmarrë ndonjë veprim) derisa ‘gjaku’ pikonte nga vellot e tyre.

Performanca kishte për qëllim të dërgonte porosi neverie me atë se sa pak bën shteti për t’i mbrojtur gratë edhe kur kërkohet të intervenojë drejtpërdrejtë si dhe të nxirrte në pah ironinë e hidhur të grave që nganjëherë durojnë dhunë vdekjeprurëse, pasi që janë detyruar të martohen për të pasur ‘siguri’ sociale. “Edhe gjatë performancës ka pas kang’ të dasmave të cilat pra jon’ kon’ si krejt këto darsmat që knojnë për gru’n që është lule, e bukur ose është mollë ose.. Ato përfundojnë me vdekje”, shpjegon Lola.

Haveit(LOLA)

Lola Sylaj. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Performanca e tyre e parë gjithashtu i dha formë mendësisë dhe qëndrimit të tyre për pjesën e madhe të aktivizmit të tyre artistik në të ardhmen, që në masë të madhe përbëhet nga performancat artistike në rrugë duke protestuar kundër shtypjes së grave, diskriminimit LGBTI, dominancës patriarkale, stereotipeve gjinore dhe madje edhe kundër ndërprerjes së ujit.  “Mënyra e vetme që tentojmë me bo py’tje ose me ngrit zanin për diçka është përmes performancave në rrugë” thotë Hana. “Na me qëllim e kemi zgjedh që me dalë në rrugë me performu sepse është mes aktivizmit edhe mes artit”.

Arsyeja tjetër, sipas Hanës, është se publiku në rrugë nuk është i përzgjedhur siç është rasti në galeri arti, kinema e teatër. “Është publik të cilin e ke në rrugë, edhe ua len të hapun reagimin edhe mendimet e tyne”.

Mënyra se si Haveit funksionon, shpjegojnë vajzat, është impulsive; e kanë një ide, e diskutojnë dhe pas disa ditësh atë ide e jetësojnë. Me këtë qasje ato janë shpërblyer me bashkëpunime ndërkombëtare me shumë trupa tjerë artistikë, siç janë rezidencat e ekspozitat në Tiranë, Stockholm e Mynich.

Haveit provokon përsëri

Në shkurt të vitit 2014, për Ditën e Shën Valentinit, Haveit bëri bujë me një performancë tjetër artistike në rrugë dhe pastaj postoi një foto të kësaj performance në profilin e vet në Facebook. Pastaj gjithçka mori teposhtëzën.

Me qindra kërcënime e kritika që dënonin kolektivin u shfaqën në seksione të komenteve të portaleve të lajmeve dhe nëpër rrjete sociale: “Kurrë s’kam parë apo dëgjuar për kësi sëmundje te populli shqiptar”, “Zoti ju dënoftë” dhe “Këto janë provokime për ta degjeneruar rininë tonë, dikush tjetër qëndron mbrapa këtyre vajzave”, ishin vetëm disa prej komenteve. Natyrisht, kishte edhe mesazhe përkrahëse, mirëpo shumë më pak sesa ato të urrejtjes dhe të zemërimit.

Por çka mund të shkaktonte reagime të tilla, sa të kërkohet ndihma e Perëndisë t’i shkatërrojë këto katër artiste? Ishte një fotografi e tyre duke u puthur si çifte, derisa në sfond kishte kalimtarë dhe njëri prej tyre u kishte ngulur sytë i habitur. Varësisht nga shikuesi, fotografia u interpretua edhe si shenjë e qartë e fundit të botës edhe si simbol i qartë i lirisë perëndimore.

03.Previous work_Valentines Day

Performanca e Haveit “Puthja” në Ditën e Shën Valentinit më 2014, shkaktoi reagime të shumta online, duke përfshirë edhe kërcënime me vdekje. Fotografia u realizua nga Haveit.

Vajzat e kolektivit e shohin fotografinë me më pak konotacione të ngarkuara. “Qëllimi i ‘Puthjes’ ishte që në këtë ditë të ashtuquajtur ‘Dita e të Dashuruarve’ shoqëria jonë ende refuzon dhe ndalon dashurinë ndërmjet gjinisë së njëjtë për arsye ‘moraliteti'”, thotë Vesa.

Sipas Alketës, “Puthja” u bë për qëllime të mira dhe nuk u bë për të shkaktuar reagime apo urrejtje. Ajo thotë se reagimet që u shfaqën si pasojë e përfomancës i befasoi në njëfarë mase. “Në momentin që e postuan, fotografia bëri bujë. Dhe kur bëri bujë, njerëzit u çartën”, thotë Alketa, pa të keq. “Edhe për neve u kan’ diqysh ni zbulim …. po qysh meniherë në momentin kur e qet në Facebook një send, q’ai osht statement … edhe njerëzit munden me reagu, me shkru, me t‘sha ose dikush edhe me të thonë diçka të mirë për të”. Disa prej reagimeve, siç ishte shpëndarja e fotografisë në Beograd e Tiranë, ishin të mira, derisa disa reagime të tjera, si dhjetëra kërcënime me vdekje, nuk ishin të tilla.

Haveit (ALKETA)

Alketa Sylaj. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Mandej kur kena shku në polici, se morëm shumë kërcënime se ja nisëm me u tutë. Edhe kur shku’m në polici ata na njifshin se njer’zit i kan thirr ua kanë bo “me i heq ato qika”. “Heki se do qika po puthen n’shesh” kujton Alketa, duke shtuar se policia i kishte këshilluar “t’i hiqnin ato fotografi dhe gjithçka do të jetë mirë”. Ajo beson se ato nuk i kishin marrë seriozisht sepse nuk ishin OJQ dhe nuk ishin pjesë e ndonjë grupi të drejtash të njeriut.

Megjithatë, Alketa thotë se ato nuk dëshirojnë të jenë pjesë e diçkaje, apo të shndërrohen në organizatë: “Haveit ka me qenë gjith’ një kolektiv që bën performanca”, thotë ajo. “Për q’ata ma s’shumti më pëlqejnë punët që jon’ në rrugë edhe që jon’ për krejt. S’jon’ të mbylluna në galeri, as tu i përkit diçkahit. Jon’ tonat taman”.

Reagimet e përziera

Ajo që përnjëmend e dëmton shoqërinë kosovare, sipas Hanës, është fakti i thjeshtë se ato janë gra të cilat i sfidojnë stigmat shoqërore.

“Është shoqëria ajo që iritohet nëse një grua del në shesh dhe bën diçka [të guximshme]”, thotë Hana. “Nuk ka rëndësi çka bën, për ta gjithmonë je kurvë, e droguar, dhe budallicë. Është njëjtë si në shkollë fillore, kur mësuesi të thoshte, ‘Ulu se ti je budallicë’. Shoqëria kosovare i trajton njerëzit që dëshirojnë me thanë diçka në po këtë mënyrë. Shoqëria mundohet me i heshtë të tjerët duke i zhvlerësuar, duke mos i shtyrë të ecin përpara, por duke ua mbyllur gojën, duke e shndërruar në diçka personale, si, ‘Kush je ti me na kallxu çka me bo?’”

Haveit (HANA)

Hana Qena. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Hana konsideron se të gjitha komentet në Facebook tregojnë mosgatishmërinë e shoqërisë kosovare të mirëpresë diçka të re. “Njerëzit kanë frikë nga ndryshimet” thotë Hana. “Për 16 vjet situata ka qenë e njëjtë në Kosovë. Nuk është se Haveit tash do ta ndryshojë situatën, por të paktën e mira e kësaj është se njerëzit po flasin, ose me njëri-tjetrin ose duke na sharë”. Ajo shton se nëse asgjë tjetër, njerëzit së paku po i shfaqin frustrimet e tyre emocionale ditore.

Nuk është gjithçka zi e terr, megjithatë. Alketa tregon se ka pasur njerëz që kanë qenë të lumtur kur Haveit u shfaq në skenë me performancat e guximshme të cilat shpesh i prekin çështjet ditore, si në rastin kur i lanë rrobat e palara në fontanë përpara Teatrit Kombëtar në shenjë proteste për vonesa që kryeqyteti të ketë 24-orë ujë. “Pjesa e madhe e punës sonë ka të bëjë me brengat që ti si qytetar i Prishtinës i ke”, thotë ajo.

Alketa thotë se nëse dikush trajton diçka që të tjerët e durojnë në heshtje, është e natyrshme që të kenë përkrahje, adhurues dhe dashuri. “Njerëzit presin prej neve. Na jena powerpuff girls”, bën shaka Alketa.

Secili reagim është reagim pozitiv, pohon Vesa: “Se q’ai reagim që është negativ edhe që të kërcënon, të tregon veç se ku je tu jetu, kështu që secili prej reagimeve ose çkado që na kanë thanë është një pasqyrë shumë e mirë e vendit ku na po jetojmë edhe çkado që bën. Ka njerëz që na përkrahin, ka njerëz që nuk na përkrahin edhe na kritikojnë vazhdimisht”.

Ajo beson se ata që e mbështesin kolektivin Haveit po shtohen dhe se ato kanë sjellë ndryshim, megjithëse të tërthortë, duke i bërë njerëzit të mendojnë në lidhje me atë që i shqetëson dhe atë që si rrjedhojë ndikon në ta.

Sfidimi me performancë

Haveit dëshiron t’i shkundë gjërat, t’i nxjerrë njerëzit nga zona e tyre e rehatisë, t’i sfidojë stigmat shoqërore, të gëzojë liri të shprehjes dhe të luftojë kundër shtypjes së grave në shoqërinë kosovare.

Meqë shoqëria e Kosovës ende nuk ështa ajo ku gratë janë të barabarta me burrat, Haveit është zotuar të bëjë atë që të tjerët nuk guxojnë: ta ngrisin parturpësisht zërin dhe të protestojnë kundër padrejtësisë shoqërore. Një shembull i tillë është performanca e tyre “Ekzaminimi” e cila për herë të parë u shfaq më 2013 për t’i mbështetur gratë të cilat janë dhunuar seksualisht gjatë luftës. Hana thotë se edhe pse besohet se rreth 20,000 gra janë dhunuar gjatë luftës, rrallëherë më parë është folur për këtë temë.

Ajo që përnjëmend i tërboi këto vajza ishte kur një deputet i Kuvendit të Kosovës i ftoi ato gra të cilat thonë se ishin dhunuar gjatë luftës të ekzaminohen te mjeku për të dëshmuar vërtetësinë e tyre, për të parandaluar rastet e gënjeshtrave vetëm për të fituar pension nga shteti.  

“E kemi pasë mollën si subjekt të performancës. Ku molla zakonisht në gjuhën e popullit e tregon virgjërinë, bukurinë, pastërtinë… dhe me performancën tonë kemi shkatërru mollën me çekiçat e kuzhinës” shpjegon Hana. “Edhe me shkatërrimin e mollave kemi dashtë me thanë që nëse ti don me ekzaminu edhe nihere, duhesh me qel edhe njëhere për me k’qyrë a është e prishtë, apo është virgjine, a është e dhunu’me apo nuk është”.

Një performancë tjetër, “Kur baba kajke nana mi lajke sytë”, ishte një instalacion i vitit 2014 me katër video në Tiranë dhe kësaj here kishte të bënte me burra. Lola thotë se përpjekjet e tyre në këtë performancë –  t’i bënin burrat që mezi i njihnin të qanin me rrëfimet e tyre – kishin për qëllim të nxjerrnin në pah se burrat rriten me ‘vlera’ siç janë “mos me kajt edhe për me qenë të fortë edhe me mbajt familjen edhe me kan’ të par’t që e m’ajnë familjen e që gjejnë puna” që ata i bën emocionalisht të paaftë.

Performanca e tyre e fundit, “Rruajtja e patriarkatit”, e bërë më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, ishte protestë kundër theksimit të tepërt të perceptimeve patriarkale në kulturën shqiptare — sa më e gjatë mjekra, aq më i respektuar, më besnik dhe më i fortë burri. Prandaj u ulën përpara bustit të Skenderbeut në qendër të qytetit, dhe i rruan fytyrat, duke e “rruajtur patriarkatin me të cilën shquhet Kosova”.

_DSF8231

Performanca e fundit e kolektivit Haveit “Rruajtja e patriarkatit” përkoi me Ditën e Flamurit më 28 nëntor. Fotografia u realizua nga Haveit.

Guxo, fol — dhe vepro

Ajo që i shtyu ta krijonin kolektivin ishin thjesht bisedat miqësore. Edhe pse shumëkush do të shembej nga pesha e thashethëmeve, sharjeve, e ofendimeve të të tjerëve, vajzat e kolektivit Haveit duket se nuk preken fort. Përkundrazi, ato i ftojnë të gjithë ata që kanë diçka për të thënë, ta lënë anash frikën dhe përtacinë, t’i shpërfillin pasojat dhe të shkojnë përpara.

“Në Prishtinë krejt kanë mendim për diçka”, thotë Alketa. “Pse mos me punu në q’atë drejtim? Kisha pasë qejf me i pa shumë të ri tu i bo q’ato sene që dojnë me i bo”.

Haveit e ka kuptuar atë që edhe shumë njerëz të tjerë kanë konkluduar përgjatë viteve: Që këto plane, ide, dhe dëshira për të bërë diçka dhe për ta ndryshuar mjedisin tonë shoqëror të ndodhin, duhet të shkohet përtej bisedave të thjeshta kafeterish. “Me u çu me i bo edhe me pa që është përnime’ kanihere shumë lehtë”, thotë Alketa.

“Po de, se na diqysh jetojme me ni bubble”, shton Lola, “ku ti e ki ni shoq’ni, ni rreth, po kur të bon performanca e sheh ku je tu jetu përnime’”. Ajo thotë se shumë mendime, ide dhe besime mbesin në heshtje dhe ka shumë tema që nuk hapen për shkak të frikës — e kjo mund të jetë një përmbledhje koncize e vetë thelbit të kolektivit Haveit.

“Na kena dashtë m’i thonë qe’to sene”, thotë Lola, “se nuk jon sende që s’duhet m’u folë as nuk jon’ tabu as nuk jon’ që kena py’t, po kanë qenë tema që nuk kanë qenë shpesh të foluna edhe tash po folen përsëri”.K