Në thelb | BiH

Heroinat e jetës reale

Nga - 06.01.2022

Gratë nga Srebrenica luftojnë për një jetë të denjë.

Më 8 nëntor të vitit 2021, pasi ishte e sëmurë për disa kohë, Hajra Ćatić, një aktiviste nga Srebrenica, iku nga kjo botë. Disa ditë më vonë, trupi i saj u varros në fshatin e saj, afër vendit përkujtimor në Potočari jashtë Srebrenicës. Hajra shpresonte të mos largohej nga kjo botë para se të kishte mundësinë t’i varroste eshtrat e djalit të saj Nino, i cili u zhduk në korrik të vitit 1995. Ai ende është i zhdukur kurse ajo tash ka ikur.

Pothuajse për tri dekada Hajra e ëndërronte ditën kur dikush nga Instituti i Personave të Zhdukur në Bosnje dhe Hercegovinë do ta telefononte për t’i thënë se kishin identifikuar pjesë të eshtrave që i përkisnin Nino Ćatić. Për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë — të kryer nga forcat ushtarake nën komandën e kriminelëve të luftës Ratko Mladić dhe Radovan Karadžić — një trup i plotë rrallë herë gjindet. Shumica u ekzekutuan dhe më pas u hodhën në varre masive të shpërndara përreth zonës përpara se të rigërmoheshin, zhvendoseshin dhe rivarroseshin disa herë në përpjekje për t’i fshehur provat e krimit. Atyre të cilëve u janë gjetur dhe identifikuar mbetjet trupore janë varrosur në vendin memorial në Potočari ku sot prehen 6652 persona.

Hajra Ćatić luftoi gjithë jetën për drejtësi, teksa ëndërroi deri në ditën e saj të fundit se mund t’i gjente eshtrat e djalit të saj, i cili u vra në Srebrenicë në korrik 1995. Foto: Jasmin Agović.

Gjatë takimeve tona të shumta ndër vite, Hajra thoshte se që nga fundi i luftës ajo zgjohej pothuajse çdo natë duke pyetur veten se ku mund të ishte trupi i Ninos. Gjatë ditës, priste një telefonatë. Nganjëherë endej nëpër pyll duke kërkuar gjurmë të njerëzve që u vranë aty, me shpresën që do ta gjente Ninon.

Më 11 nëntor, dy ditë pasi Hajra vdiq, rreth dhjetra gra aktiviste nga Srebrenica u mblodhën në sheshin kryesor të Tuzlës. Ato e kanë bërë këtë gjë për më shumë se dy dekada në datën 11 të secilit muaj si kujtim i 11 korrikut 1995, ditën kur Srebrenica u okupua dhe filluan vrasjet. Duke i mbajtur fotot e familjarëve të tyre të zhdukur ato bashkohen, formojnë një rreth dhe qëndrojnë në shesh për rreth 30 minuta. Pothuajse çdo muaj Hajra ndodhej aty. Këtë nëntor miqtë e saj, aktivistë si ajo, erdhën për t’i thënë lamtumirën e fundit teksa premtuan se do ta vazhdojnë luftën.

Mësime jetësore

Si mediat lokale ashtu edhe ato ndërkombëtare priren t’i portretizojnë gratë aktiviste nga Srebrenica si vajtuese pasive, roli i vetëm i të cilave është të qenit “nënë”. Ky kornizim i cekët i keqinterpreton këto gra, të cilat në fakt janë njerëz të fortë me mesazhe dhe synime feministe dhe universale. 

Momenti i lindjes së lëvizjes është dëshmi e forcës dhe dinjitetit të këtyre grave.

Pasi forcat e Mladić morën Srebrenicën nën vëzhgimin pasiv të OKB-së, ndanë burrat dhe gratë. Gratë u dëbuan, u dërguan me autobus në Kladanj dhe më pas në Tuzla, e cila ishte jashtë territorit të kontrolluar nga forcat e Republikës Srpska të kohës së luftës. Burrat dhe djemtë u dërguan në vende të ndryshme vrasjesh dhe u ekzekutuan grupe-grupe gjatë ditëve në vijim.

Momenti i lindjes së lëvizjes është dëshmi e forcës dhe dinjitetit të këtyre grave.

Me muaj të tërë, të mbijetuarit në Tuzla prisnin me dëshpërim të dëgjonin ndonjë informacion rreth asaj që kishte ndodhur në Srebrenicë. Pas një kohe, vendosën që vetëm duke qëndruar ulur dhe duke vajtuar nuk do të ndryshonin gjë, kështu që u mblodhën dhe u organizuan. Në janar 1996, një lëvizje lindi, pothuajse e përbërë tërësisht nga gra. Ato dolën në rrugë për të protestuar për herë të parë, duke i kërkuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar t’u tregonte të vërtetën për atë që u ndodhi burrave në Srebrenicë.

Në mesin e atyre që udhëhoqën protestat ishte Hajra, si dhe Hatidža Mehmedović (e cila vdiq në vitin 2018), Munira Subašić, Kada Hotić e shumë të tjerë. Më vonë krijuan disa shoqata që vepruan së bashku me të njëjtat qëllime. U bënë forcë e fuqishme.

Lara J. Nettelfield, profesoreshë në Universitetin e Kolumbisë dhe autore e dy librave mbi Srebrenicën, pohon se lëvizja e lindur në Tuzla “krijoi dhe ndryshoi historinë”. Sipas saj, çështjet me të cilat lëvizja merret, në thelb, janë të drejtat e qytetarëve.

“Avishai Margalit, filozof izraelit, shkruan për një ‘shoqëri të denjë’, për një shoqëri në të cilën institucionet ekzistuese nuk i poshtërojnë qytetarët e tyre, të cilët gjithashtu nuk e poshtërojnë njëri-tjetrin”, më tha Nettelfield kur e intervistova në vitin 2020, në 25 vjetorin e gjenocidit. “Nënat e Srebrenicës po luftojnë pikërisht për këtë. Për një shoqëri të denjë”. Sipas Nettelfield rëndësia e kësaj lufte shkon përtej Bosnjës dhe rajonit. “Ato faktikisht ndryshuan historinë duke na mësuar për përgjegjësinë pas dhunës politike”, tha ajo.

Krijimi i narrativës

Munira Subašić më tha një herë se qëllimi i tyre kryesor është ta gjejnë të vërtetën për fatin e familjarëve të tyre. Ajo gjeti mbetjet trupore të djalit të saj dhe e varrosi në Potočari në vitin 2013.

“Kanë gjetur dy copa kocke nga Nermini im. Vetëm dy. Edhe këto dy ishin në dy vende të ndryshme”, më tha kur u takuam pasi varrosi djalin e saj. “Dhe dhemb shumë. Gjithmonë. Por, ndryshe nga shumë të tjerë, tani kam një vend ku mund të shkoj dhe të jem pranë tij. Shumica nuk e kanë as këtë”.

Munira Subašić ka punuar për më shumë se dy dekada për ta gjetur të vërtetën rreth asaj që ndodhi me burrat dhe djemtë e Srebrenicës në korrik 1995. Foto: Jasmin Agović.

Munira, Kada, Hatidža, Hajra dhe gra të tjera nga lëvizja — prej të cilave ka shumë — mblodhën prova përgjatë viteve si dhe dëshmi për krimet e kryera në Srebrenicë. Dhe jo vetëm që ia dorëzuan këtë material prokurorëve, por i sollën rrëfimet edhe në publik. Në të njëjtën kohë, dëshmuan në gjyqet e krimeve të luftës dhe inkurajuan të tjerët ta bënin të njëjtën gjë. Këmbëngulën se ata që janë përgjegjës, çdonjëri individ që luajti rol në kryerjen e gjenocidit, duhet të sillen para drejtësisë, duke përfshirë OKB-në dhe zyrtarët ndërkombëtarë që nuk bënë asgjë për t’i parandaluar masakrat.

Përgjatë viteve mblodhën me mijëra dëshmi të cilat ndihmuan Tribunalin Ndërkombëtar t’i rindërtojë ngjarjet dhe t’i identifikojë vrasësit.

Si pjesë e misionit të tyre për ta detyruar komunitetin ndërkombëtar të marrë përgjegjësi për rolin e tyre në gjenocid, organizuan një protestë masive në tetor të vitit 1997 jashtë zyrave lokale të një numri organizatash ndërkombëtare në Sarajevë. Gratë u mblodhën jashtë ndërtesave duke mbajtur pankarta që shkruanin: “Duam të vërtetën”.

Që nga viti 1998, lëvizja ka bashkëpunuar dhe i ka bërë presion Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Kur flitej për përfundimin e mandatit të gjykatës përpara se kriminelët e luftës si Mladić dhe Karadžić të silleshin para gjykatësve, lëvizja luftoi që gjykata ta përmbushte misionin e saj. Në të njëjtën kohë, kanë qenë kritikë të vazhdueshëm të gjykatës, duke vëzhguar çdo hap të prokurorisë dhe gjyqtarëve dhe duke protestuar kur nevojitej. Presioni nuk u ndal asnjëherë.

Gjatë takimit të parë me prokurorinë në Hagë, përfaqësuesve të lëvizjes iu kërkua të shkruanin gjithçka që mund të kujtonin rreth korrikut të vitit 1995. Për gjatë viteve mblodhën me mijëra dëshmi të cilat ndihmuan ICTY dhe prokurorë të tjerë në mbarë rajonin t’i rindërtojnë ngjarjet dhe t’i identifikojnë vrasësit.

Në të njëjtën kohë, punuan me Komisionin e sapokrijuar Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), në Bosnje, për t’i bërë njerëzit t’i dorëzonin mostrat e ADN-së për të ndihmuar në identifikimin e mbetjeve. Gjithashtu mblodhën informacione rreth vendndodhjes së varreve masive dhe vendeve të tjera të varrimit.

Ndërtimi i paqes së vërtetë

Në vitin 1998, lëvizja filloi të kërkonte krijimin e një kompleksi memorial dhe vendvarrimi në Potočari. Kjo u kthye në një betejë të vërtetë.

Politikanët po planifikonin ta ndërtonin kompleksin në Kladanj apo Sarajevë, por nuk ishin konsultuar me të mbijetuarit e Srebrenicës. Si revoltë, lëvizja organizoi një anketë duke pyetur njerëzit se ku donin t’i varrosnin të dashurit e tyre. Shumica prej 12,500 njerëzve që u anketuan zgjodhën Potočarin, vend ky ku shumë familje kishin qenë së bashku për herë të fundit.

Problemi ishte se me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit (DPA) që i dha fund luftës në Bosnje në vitin 1995, Srebrenica dhe Potočari aty afër u bënë pjesë e Republika Srpska (RS) dhe mundësitë ishtin të pakta që qeveria e RS të lejonte që memoriali për viktimat e gjenocidit të saj të ndërtohej në territorin e saj.

Në fund të viteve 90-ta, lufta ishte aq e freskët sa njerëzit hezitonin të bënin ndonjë gjë që mund ta prishte këtë paqe të krijuar artificialisht dhe rezultatet e anketës u shpërfillën kryesisht. Por gratë e lëvizjes këmbëngulën se paqja e vërtetë nuk do të vijë kurrë nëse njerëzit nuk detyrohen të përballen me të kaluarën. Ato donin që memoriali të ishte në vendin e krimit. E çuan luftën e tyre në publik, folën me mediat dhe shpesh thjesht shfaqeshin fizikisht të ishin të pranishme në vende publike ku takoheshin politikanët dhe zyrtarët ndërkombëtarë.

Lëvizja ishte gjithmonë e pranishme në publik, duke protestuar dhe duke bërë thirrje për llogaridhënie. Foto: Jasmin Agović.

Presioni funksionoi. Në vitin 2000, Wolfgang Petritsch, i cili ishte Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, një administrator ndërkombëtar i emëruar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për ta mbikëqyrur zbatimin e DPA-së, i dha Potočarit një status të veçantë që hoqi aftësinë e RS për ta parandaluar ndërtimin.

Në vitin 2000, filloi ndërtimi i memorialit dhe vendvarrimit për të gjithë të vrarët në korrik të vitit 1995. Vendosja e gurthemelit në Potočari shënoi gjithashtu fillimin e kthimit të njerëzve që u dëbuan nga zona gjatë luftës.

Në mesin e të atyre kthyerve ishin disa nga udhëheqëset e lëvizjes, duke përfshirë Hatidža Mehmedović e cila u kthye në vitin 2003. Nga shtëpia e saj në Srebrenicë, do të thoshte: “U ktheva të jetoj nga kujtimet e shtëpisë sime. Kam tri pemë që i ka mbjellë djali im më i vogël. Ishte i ri atëherë; pemët tani janë të mëdha. Jetoj aty ku dikur ecnin fëmijët e mi, gjithmonë paramendoj se po vijnë, sa herë që jam vetëm, gjithmonë paramendoj ”. Disa gra u kthyen të vetme për të jetuar në fshatrat përreth Potočarit që ishin pothuajse plotësisht të shkatërruara. Por prania e tyre ishte një shenjë e qartë se kthimi ishte i mundur.

Brenda një dite, 600 arkivolë, shumica prej tyre me vetëm disa copa eshtrash brenda, u lëshuan në tokë.

Në mars të vitit 2003, funerali i parë masiv u mbajt në Potočari. Brenda një dite, 600 arkivole, shumica prej tyre me vetëm disa copa eshtrash brenda, u lëshuan përtokë. Lëvizja organizoi gjithçka, duke aranzhuar që anëtarët e tyre të udhëtonin për në Potočari me autobus duke përdorur të njëjtën rrugë përmes së cilës u dëbuan.

Kam pasur nderin të jem e ftuar t’u bashkohem disa nga drejtuesve të lëvizjes në një nga këta autobusë. Ishte hera e parë e kthimit në Srebrenicë që nga viti 1995 për disa nga njerëzit në autobus. Ishte ditë e nxehtë vere dhe autoritetet kishin siguruar autobusë të vjetër pa kondicionerë ajri.

Gjatë tri orëve udhëtim, kolona jonë e gjatë shpesh kalohej nga makina që mbanin udhëheqës fetarë dhe politikë. Sa herë që një nga këto makina kalonte autobusin tonë, emocionet e grave rriteshin. “Ku janë duke shkuar? Nuk mund të bëjnë asgjë pa ne”, thoshin gratë përreth meje.

Autobusi ishte plot dhe mezi merrnim frymë. Tre persona ishin ulur në secilën ulëse për dy dhe të tjerët rrinin në këmbë apo ulur në dysheme. Lëvizja arriti ta mobilizojë të gjithë vendin, duke kërkuar nga njerëzit që të bashkohen atë ditë për ta bërë varrimin më dinjitoz. Në të njëjtën kohë, kërkonin ndihmë në vendosjen e 600 arkivoleve në tokë.

Gjersa po udhëtonim, atmosfera ndryshoi kur iu afruam Srebrenicës. Kujtimet pushtuan të gjithë hapësirën.

“Ja, këtu pashë disa trupa të vdekur”.

“Këtu një grua u dërgua nga autobusi për në pyll”.

“Këtu e pashë njeriun tim për herë të fundit. Ishte në rresht me një burrë tjetër”.

Ishte si rrugë nëpër ferr, e udhëhequr nga të mbijetuarit.

“Deri sot them se ishte kthimi më i madh masiv i njerëzve nga Srebrenica, këta 600 u kthyen bashkë. Fatkeqësisht jo gjallë”, më tha Kada Hotić vite më vonë.

Kur mbërritëm në Potočari, një det njerëzish mbuloi të gjithë zonën. Së shpejti filloi lutja, e ndjekur nga heshtja shurdhuese. Të gjithë u bashkuan në bartjen e arkivoleve dhe vendosjen e tyre në varre, në heshtje. Dhe pastaj, mbulimi i gropave ishte gjëja më e tmerrshme që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time: zhurma e tokës që godiste 600 arkivolet kryesisht bosh. Zgjati aq shumë.

Pranimi i gjenocidit

Në korrik të të njëjtit vit, mbetjet e 282 personave të tjerë u varrosën dhe për herë të parë ishte i pranishëm një politikan nga Republika Srpska, Dragan Mikerević, kryeministri i atëhershëm.

Më vonë, në shtator, më shumë trupa u varrosën. Këtë herë lëvizja arriti ta sjellë në Potočari ish-presidentin amerikan Bill Clinton. Munira Subašić më tha se ishte ftuar sepse lëvizja e konsideron edhe atë përgjegjës. “Mund ta kishte ndaluar atë që ndodhi në vitin 1995. Por ai nuk e bëri këtë gjë”, tha Subašić. “Teksa e kishim aty, dëshironim të kishim reagime politike dhe emocionale ndaj Srebrenicës”.

Përfaqësuesit e lëvizjes nuk donin të takoheshin me Clinton askund tjetër përveçse në Potočari, ku i bënë pesë pyetje, duke përfshirë pyetjen nëse është gati t’u kërkojë falje viktimave të Srebrenicës. Nuk morën përgjigje.

Kada Hotić humbi të gjithë familjen e saj në korrik të vitit 1995. Ajo mbijetoi për të luftuar për ta dhe të gjithë të tjerët që u zhdukën apo u vranë gjatë luftës në Bosnje. Foto: Jasmin Agović.

Menjëherë pas takimit, u takova me Kada Hotić në Potočari. Më tha se Clinton qau në një moment. “I thashë,  mos qaj. Nuk kemi nevojë për lotët e tu, por për ndihmën tënde për t’i gjetur ata që u vranë dhe ata që i vranë”, tha ajo, duke shtuar se nuk ka nevojë për lotët e askujt.

“Më mjaftojnë të mitëi. Nuk dua ndokush të mërzitet për mua. Por dua që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për krimet që janë kryer”, tha ajo, “dhe për atë që duhet të bëhet në mënyrë që drejtësia të përmbushet”.

Kada humbi djalin, bashkëshortin, dy vëllezërit, kunatin dhe 56 anëtarë tjerë të familjes. Eshtrat e djalit të saj u varrosën në vitin 2020 në Potočari.

Kada lost her son, husband, two brothers, brother-in-law and 56 other members of her family. Her son’s bodily remains were buried in 2020 in Potočari.

"Nuk dua që ndokush të mërzitet për mua. Por dua që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për krimet që janë kryer”

Kada Hotić

Pas Clinton, më shumë politikanë u thirrën nga lëvizja në Srebrenicë. Pothuajse të gjithë erdhën. Publiku në Bosnje, duke përfshirë disa të mbijetuar të Srebrenicës, nganjëherë kundërshtojnë që politikanët të flasin në Potočari gjatë varrimeve vjetore të korrikut. Lëvizja pohon se i duan të jenë në Potočari si shenjë të pranimit të gjenocidit.

Në vitin 2015, lëvizja ftoi Aleksandar Vučić, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Serbisë dhe tani është president. Kur erdhi, gratë e lëvizjes e përshëndetën në hyrje të Potočari dhe i dhanë një lule të vogël, simbolin e Srebrenicës. Munira më tha më vonë se Vučić ishte një vizitor i rëndësishëm. “Jo për mua, as për shkak të djalit tim, por për fëmijët në Serbi që janë helmuar nga shovinizmi”, tha ajo.

Që Vučić të vinte dhe të vendoste lule në Potočari për gratë e lëvizjes ishte një shenjë se ai e pranoi si fakt historik atë që shkruhet në monument — se mbi 8000 djem dhe burra u vranë aty në vitin 1995 nga një akt gjenocidi. “Për ne ky është fundi i tregimit me Vučić”, më tha më vonë Kada Hotić.

Në të njëjtin vit, Milorad Dodik, një politikan serb i Bosnjës që shpesh e mohon gjenocidin publikisht, bëri të njëjtën gjë si Vučić, duke vendosur një kurorë në monument dhe duke pranuar viktimat.

Lëvizja shkoi një hap më tutje kur në vitin 2000, për herë të parë pas luftës, përfaqësuesit e tyre folën publikisht në Serbi për gjenocidin. Ligjërata e parë publike ishte në Niš dhe dhoma ku u mbajt ngjarja ishte kryesisht me burra të zemëruar kur mbërritën gjashtë gra nga Srebrenica. Burrat bërtisnin por kur policia tentoi të ndërhynte, Kada Hotić i ndaloi. I tha policisë se kishte një ndjenjë se ata erdhën për të dëgjuar.

E njëjta gjë ndodhi në të njëjtën kohë në një ngjarje në Beograd, kur 15 gra nga Srebrenica u mbrojtën nga turmat e zemëruara nga një prani e konsiderueshme e policisë. Vite më vonë, Munira kujton se në Beograd, pas ligjëratës, një grup të rinjsh u afruan dhe pyetën nëse mund të vinin në Srebrenicë. Munira dhe të tjerët u pajtuan.

“Më kujtohet ende një djalë që erdhi tek unë pasi eci nëpër Potočari dhe më tha se numëroi 74 varre ku ishin varrosur njerëz të moshës së tij. Më tha se babai dhe gjyshi i tij e kishin gënjyer për Srebrenicën. Aty qau. Për mua, të mund t’ia tregoja të vërtetën dhe për atë të ishte i gatshëm të dëgjonte, ishte një diçka e madhe”, tha Munira.

E ndjera Hatidža Mehmedović në një nga varrezat masive në zonën e Srebrenicës. Ajo varrosi dy djemtë dhe burrin e saj në vitin 2010. Ajo vdiq tetë vite më vonë. Foto: Jasmin Agović.

Lëvizja ka bërë shumë më tepër përgjatë viteve, duke e thënë të vërtetën jo vetëm njerëzve në rajon, por mbarë botës.

Në vitin 2010, ia dolën që Parlamenti Evropian të nxirrte një vendim që e emëron 11 korrikun, ditë të përkujtimit të viktimave të Srebrenicës. Në vitin 2012, iniciuan një rast gjyqësor kundër OKB-së dhe Holandës, batalioni i paqeruajtësve të së cilës ishte në Srebrenicë në vitin 1995. U përpoqën të fillonin procedura të ngjashme ligjore kundër një numri zyrtarësh të huaj, por këto përpjekje dështuan për shkak të imunitetit diplomatik.

Shumë nga gratë e lëvizjes sot janë të moshuara, por ende po e vazhdojnë luftën e tyre. Ato nuk kërkojnë asgjë më shumë se një shoqëri të denjë për të jetuar të gjithë ne ku secili mund të jetojë dhe të vdesë me dinjitet.

Imazhi i ballinës: Jasmin Agović.