Blogbox | Ambienti

‘Hotspotet’ e ndotjes së ajrit në Prishtinë

Lëvizje për të matur ndotjen dhe sjellur ndryshim.

Përafërsisht 9,500 qytetarë vdesin çdo vit në Londër për shkak të ekspozimit afat-gjatë në ajër të ndotur. Vdekjet e parakohshme vijnë si pasojë e dy ndotësve kryesorë: grimcave të imta të njohura si PM2.5 që janë përbërëse të smogut dhe lirohen nga ndotësit e ndryshëm, sikur termocentralet, djegja e qymyrit, etj.; dhe gazit toksik, i njohur si dioksidi i azotit, NO2.

Këto të dhëna janë publikuar në një raport në korrik të vitit 2015, nga hulumtues të Kolegjit Mbretëror të Londrës (King’s College London). Po ashtu, në vitin 2015 metropolet italiane sikurse Milano apo Roma u detyruan që të ndalonin trafikun komplet në mënyrë që gazrat toksike dhe smogu të zvogëloheshin në nivelin e duhur; shkollat fillore u mbyllën përkohësisht dhe qytetarët, sidomos ata të prekur nga sëmundjet respiratore dhe të moshuarit, u këshilluan që të qëndronin në shtëpi ose të dilnin me maska.

Ndërkaq, në janar të vitit 2013, zyra e Bankës Botërore në Prishtinë ka publikuar një raport “Analizë e ambientit në Kosovë” ku jep këto të dhëna alarmuese. Së pari, raporti i Bankës Botërore analizon shpenzimet që shteti i Kosovës paguan nga ndotja e ajrit duke theksuar se “çmimi që shteti i Kosovës paguan për ndotjen e ajrit në zonat urbane, sidomos nga ndikimi i ndotjes në shëndetin e njeriut përmes grimcave të imta që rrisin sëmundjet kardio-pulmonare dhe respiratore (bronkiti kornik etj), si dhe kancerin e mushkrive nga ekspozimi i gjatë ndaj ndotjes, arrinë nga 38 deri 163 milion euro (apo nga 0.90 deri 3.88 përqind e GDP-së së Kosovës)”.

Së dyti, raporti i Bankës Botërore parashikon statistika alarmante mbi ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e qytetarëve kosovarë ku “ndotja e ajrit parashikohet se shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 raste të shtrimit në spital dhe 11,900 rasteve emergjente çdo vit.”

Ndotja e ajrit vazhdon edhe më tej të mbetet problem alarmant në Kosovë, por çuditërisht (jo) qëllimisht neglizhohet nga politika duke e konsideruar këtë si një çështje sekondare. Janë disa pyetje që duhet ngritur në lidhje me ndotjen e ajrit, sidomos në Prishtinë: cilat janë masat e menjëhershme që duhen marrë nga institucionet relevante dhe autoritetet përgjegjëse kur ndotja arrinë nivele alarmante? Ku duhet t’i marrin informatat e nevojshme qytetarët kosovarë – sidomos grupet më të ndjeshme sikurse janë fëmijët, të moshuarit, të sëmuarit me sëmundje respiratore, etj. – dhe si të sigurohen qytetarët që informacionet dhe këshillat arrijnë në kohë të shpejtë dhe janë të sakta? Pse ndotja e ajrit, ky vrasës i padukshëm, nuk trajtohet si çështje prioritare nga politika dhe nga qytetarët kosovarë? Si munden të rinjtë të involvohen dhe të marrin pjesë në mënyrë më autentike në trajtimin e çështjes së ndotjes së ajrit?

NO2 vrasës toksik

Gazi toksik NO2 matet me këtë vlerë: ug/m3 – që do të thotë mikro-gramë për kubë metër të ajrit. Niveli i rekomanduar nga Unioni Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë i gazit toksik NO2 në ajër duhet të jetë mesatarisht 40 mikro-grame për metër kubë të ajrit.

Çdo vlerë më e lartë se 40 mikro-grame të gazit toksik NO2 për metër kubë të ajrit tregon ndotje. Sa më e lartë vlera e gazit toksik, aq më e lartë është ndotja. Dhe sa më e lartëështë ndotja aq më e rrezikshme është për shëndetin e njeriut. Dhe sa më gjatë njeriu që i ekspozohet kësaj ndotje, aq më shumë rriten mundësitë që të sëmuren nga sëmundjet e ndryshme respiratore ose kancer të mushkërive.

Për të tentuar që ti përgjigjemi këtyre pyetjeve, në qershor të vitit 2014, një numër organizatash (Transitions Online, Laboratori për Inovacione i UNICEF-it në Kosovë, Internet Artisans, Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar-PEN dhe Iniciativa për Prosperitet në Kosovë, të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtmë të Republikës Çeke dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë) kanë bashkuar forcat që të krijojnë një lëvizje eksperimentale ambientale të quajtur Lëvizja Shkenca për Ndryshim (“Science for Change”). Kjo lëvizje ka për qëllim që ti involvojë një numër të rinjësh nga qytete të ndryshme të Kosovës, që të hulumtojnë ndotjen e ajrit duke përdorur pajisje digjitale dhe jo-digjitale, si dhe metoda të ndryshme që janë aplikuar me sukses nga një rrymë relativisht e re në botë që quhet “citizen science” ( “shkenca qytetare”).

Duke parë trendin e ndotjes së ajrit në Prishtinë (veçanarisht në qendër të qytetit) gjatë vitit 2014, Lëvizja Shkenca për Ndryshim intensifikoi matjet e kualitetit të ajrit në terren gjatë periudhës dhjetor 2015 – shkurt 2016, duke hulumtuar “hostspotet” apo pikat me ndotjen më të lartë me dioksid të azotit (NO2) në kryeqytet. Matjet tregojnë se në dhjetor të vitit 2015, Prishtina, sidomos qendra e kryeqytetit, i është ekspozuar një niveli të lartë të ndotjes me gazin toksik të dioksidit të azotit (NO2).

 

foto-1-dhjetor-2015

Dhjetor 2015: pikat me ngjyrë të kuqe tregojnë se ndotja me NO2 ka kaluar në nivel alarmant, mbi 65 ug/m3. Ndërsa, vlera mesatare e rekomanduar nga Unioni Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë lejojnë vlerën mesatare deri 40 ug/m3. Kurse, pikat me ngjyrë të portokalltë tregojnë se ndotja me NO2 ndryshon në mes 45-65 ug/m3. Dhe, pikat e gjelbërta tregojnë se ndotja me NO2 është në mes 35-45 ug/m3.

Në periudhën janar-shkurt 2016, ndotja me NO2 është zvogëluar pjesërisht, edhe pse qendra e Prishtinës ende mbetet e ekspozuar ndaj një niveli të lartë të ndotjes, me mbi 65 ug/m3. Harta mëposhtë tregon ndotjen e qendrës së Prishtinës me NO2, gjatë periudhës janar-shkurt 2016.

foto-2-janar-shkurt-2016

Janar-Shkurt 2016: pikat me ngjyrë të kuqe tregojnë se ndotja me NO2 ka kaluar në nivel alarmant, mbi 65 ug/m3. Ndërsa, vlera mesatare e rekomanduar nga Unioni Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë lejojnë vlerën mesatare deri 40 ug/m3. Kurse, pikat me ngjyrë të portokalltë tregojnë se ndotja me NO2 ndryshon në mes 45-65 ug/m3. Dhe, pikat e gjelbërta tregojnë se ndotja me NO2 është në mes 35-45 ug/m3.

Ndërsa gjatë muajit shtator 2016, niveli i ndotjes me NO2 është zvogëluar pjesërisht, edhe pse, ashtu siç shihet nga harta mëposhtë, shifrat ende gjatë shtatorit varijojnë ndërmjet 45-65 ug/m3, me një lokacion që arrinë mbi 65 ug/m3 (lokacioni gjendet tek rrethrrotulimi kryesorë në hyrje të Prishtinës).

foto-3-shtator-2016

Shtator 2016: pikat me ngjyrë të kuqe tregojnë se ndotja me NO2 ka kaluar në nivel alarmant, mbi 65 ug/m3. Ndërsa, vlera mesatare e rekomanduar nga Unioni Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë lejojnë vlerën mesatare deri 40 ug/m3. Kurse, pikat me ngjyrë të portokalltë tregojnë se ndotja me NO2 ndryshon në mes 45-65 ug/m3. Dhe, pikat e gjelbërta tregojnë se ndotja me NO2 është në mes 35-45 ug/m3.

Kampanja dhe aksione kundër ndotjes së ajrit

PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, në kuadër të projektit “Making Sense EU”, që nga gushti i vitit 2016 kanë filluar të bëjnë matje edhe të mikro-grimcave PM2.5. Këto grimca janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe sëmundje tjera respiratore. Matjet e para janë testuar gjatë Festivalit Dokufest në Prizren, ku me ç’rast është publikuar edhe një analizë e shkurtër që theksonte faktin se rezultatet nga Prizreni tregonin nivele të larta të ndotjes me PM2.5, madje katër herë më i lartë sesa limiti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që niveli mesatar i mikrogrimcave PM2.5, gjatë 24-orëve, të mos jetë më i lartë se 25ug/m3.).

Së bashku me një interpretim të rezultateve nga matjet e ndotjes me PM2.5 gjatë periudhës shtator-tetor 2016, PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim do të fillojnë së shpejti një kampanjë përmes së cilës do të ndërmarrin aksione direkte që kanë të bëjnë me ngritjen e çështjes së ndotjes së ajrit në diskursin publik dhe të kërkojë më shumë transparencë në informimin e drejtë dhe të shpejtë të qytetarëve mbi ndotjen e ajrit nga institucionet relevante.

PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim konkludojnë se:

1) Ndotja e ajrit në Prishtinë me NO2 është një problem i vazhdueshëm, që shpesh kalon disa herë vlerat e EU-së dhe OBSH-së.

2) Gjatë periudhës së dimrit gjendja bëhet edhe më alarmante, duke regjistruar vlera deri në 3-herë më të larta nga ato të EU-së dhe OBSH-së;

3) Nivelet më të ulta të ndotjes së ajrit me NO2 mbesin gjatë periudhës së verës dhe vjeshtës së hershme;

4) Të dhënat tona tregojnë se përafërisht zona më alarmante me ndotje të lartë me NO2 është trekëndëshi ndërmjet Stacionit të Autobusëve, Hotelit Grand dhe Bregut të Diellit;

5) Çdokush – sidomos grupet më të ndjeshme sikurse fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë me sëmundje respiratore – që kalon kohë në zonën e përmendur në pikën katër, i ekspozohet një ndotje të lartë dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre;

6) Shpeshherë, gazi toksik NO2 akumulohet edhe brenda ndërtesave, prandaj një hulumtim më i thellë duhet bërë;

7) Matjet të cilat i kemi bërë, janë matje jo-digjitale, por përmes tubave difuziv, të cilët japin vlerën mesatare, rezultatet e të cilave janë çertifikuar në Londër;

8) Burimi i ndotjes me NO2 është kombinimi i trafikut të dendur dhe emetimeve nga Termocentralet A dhe B;

9) Të dhënat tona tregojnë se nivelet e larta me gazin toksik NO2 kanë një ndikim të madh në shëndetin e qytetarëve dhe që kërkon masa të mënjehershme për të përmirësuar situatën;

Në fund, ajo që vlen të theksohet është se matjet e ndotjes së ajrit, të bëra nga PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, janë matje lokale dhe të lëvizshme, për dallim nga matjet që bëhen nga institucionet shtetërore që janë matje të përgjithshme dhe statike. Matjet e PEN dhe Lëvizjes Shkenca për Ndryshim, kanë avantazh ndaj atyre të institucioneve shtetërore, sepse ndotja mund të ndryshojë nga rruga në rruge, nga lagja në lagje, dhe si pasojë të neglizhohet nga matësit statikë dhe të zbulohet më lehtë nga matësit e levizshëm në nivel lokal.

KOMENTO